A mund t’jua forcojnë vaktet vlerat e familjes?
A mund t’jua forcojnë vaktet vlerat e familjes?
«Jeta vetë nuk ka vetëm gëzim, ngrohtësi e rehati, por edhe trishtim e lot. Megjithatë, qofshim të lumtur a të trishtuar, duhet të ushqehemi. Një vakt i mirë kënaq si të lumturit, edhe të trishtuarit.»—Lori Koluin, shkrimtare amerikane.
VITE më parë, në vendet perëndimore, shumë shtëpi kishin një zakon që e vlerësonin shumë. E gjithë familja ulej në tavolinë të paktën një herë në ditë për të ngrënë së bashku. Nuk lejohej të ndërhynte asgjë. Askush nuk shihte televizor, nuk mbante kufje në vesh e nuk u dërgonte mesazhe me celular shokëve. Ndërsa hanin ushqimin e shëndetshëm, atmosfera paqësore u jepte mundësi të pranishmëve të dëgjonin fjalë të mençura, të forconin lidhjet familjare e të qeshnin së bashku për ndodhitë e ditës.
Shumë njerëzve sot, vaktet si familje mund t’u duken një zakon i vjetëruar. Në shumë shtëpi, këto lloj vaktesh përbëjnë një përjashtim, jo një zakon. Përse e kanë kaq të vështirë familjet të hanë së bashku? A ia vlen të ruhet ky zakon i vjetër? Ç’dobi mund t’i sjellë çdo pjesëtari të familjes?
Vaktet si familje—Një zakon që po zhduket
«Fakti që [ngrënia e darkës së bashku] ka rënë dukshëm brenda një brezi të vetëm . . . është një dëshmi e habitshme se sa shpejt kanë ndryshuar lidhjet tona shoqërore»,—shpjegon Robert Putnami në librin Të luash buling vetëm (anglisht). Cilët faktorë i kanë kontribuar kësaj dukurie? Së pari, kostoja e lartë e jetesës i ka bërë burrat e gratë të punojnë më gjatë. Prindërit e vetëm, situata ekonomike e të cilëve zakonisht është më delikate, kanë edhe më pak kohë në dispozicion. Së dyti, ritmi i sotëm tepër i shpejtë i nxit njerëzit të hanë në fast-food dhe me nxitim. Jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët kanë angazhime të shumta, si sportet dhe aktivitetet e tjera jashtëshkollore.
Veç kësaj, disa baballarë preferojnë të vijnë në shtëpi kur vogëlushët janë në gjumë, se nuk duan të durojnë tekat e tyre gjatë darkës. Prindër të tjerë, që arrijnë në kohë në shtëpi, preferojnë të ushqejnë në fillim fëmijët e t’i vënë në gjumë, që më pas të hanë qetë-qetë së bashku si burrë e grua.
Situata të tilla bëjnë që familjet të hanë veç e veç. Bisedat gjatë vakteve i zëvendësojnë shënimet e ngjitura te dera e frigoriferit. Secili pjesëtar i familjes vjen në shtëpi, ngroh gjellën dhe ulet para televizorit, kompjuterit ose me pultin e ndonjë loje elektronike në dorë. Këto prirje shoqërore mund të duken të pakthyeshme. Pra, a ia vlen të mendojmë seriozisht për t’i bërë ballë rrymës?
Të mirat e traditës
Vaktet si familje u japin prindërve një mundësi të veçantë që të kujdesen për mirëqenien emocionale të fëmijëve. Siç shpjegon Miriam Uajnstajni në librin e saj Fuqia e habitshme e vakteve si familje (anglisht), tavolina e bukës «është një vend ku pa dyshim fëmijët mund të rrinë rregullisht me prindërit dhe t’u kushtohet
vëmendje në një atmosferë të çlirët. Darka si familje mund të mos jetë një ilaç çudibërës, por patjetër që duket si një zgjidhje që s’kërkon shumë përpjekje».Eduardoja, një baba me moshë mesatare nga Spanja, është dakord. Ai kujton: «Kur jetoja me prindërit, çdo ditë në tavolinë ishim 11 veta. Babai bënte çmos të vinte në shtëpi që ta hante drekën me familjen. Ishte një rast i veçantë në çdo kuptim. Merrnim vesh të rejat në jetën e çdo pjesëtari të familjes. Shpesh bënim humor dhe qeshnim. Ato kujtime të bukura më bindën se duhet të ndjek shembullin e tim eti.»
Gjithashtu, vaktet si familje i ndihmojnë fëmijët që të kenë një jetë më të ekuilibruar e më të shëndetshme. Qendra Kombëtare Amerikane për Varësitë dhe Abuzimin me Substancat, në Universitetin e Kolumbias, zbuloi se të rinjtë që hanë me familjen rreth pesë herë në javë, kanë më pak probleme të lidhura me ankthin, mërzinë ose mungesën e interesit, dhe marrin nota më të mira në shkollë.
Eduardoja shton: «Besoj se vaktet si familje u japin fëmijëve qëndrueshmëri emocionale. Vajzat e mia nuk shqetësohen se kur do të mund të na thonë diçka. Vaktet si familje u japin një mundësi të shkëlqyer çdo ditë. Për më tepër, si baba, këto raste më ndihmojnë të jem vazhdimisht në dijeni të problemeve të tyre.»
Me sa duket, kur familjet hanë bashkë, kjo mund t’i ndihmojë edhe të shmangin zakonet e këqija të të ngrënit. Universiteti i Navarës në Spanjë raporton se të ngrënët vetëm e shton rrezikun e çrregullimeve të të ngrënit. Natyrisht, këto çrregullime mund të ndodhin gjithsesi, por mungesa e vakteve të rregullta së bashku, e shton mundësinë. «Kur në familje e bëjnë zakon të hanë bashkë, fëmijët ndihen të mbrojtur. Vaktet si familje u japin sigurinë emocionale të një atmosfere familjare të dashur e të ngrohtë»,—shpjegon Esmeralda, nënë e dy vajzave.
Vaktet si familje u japin mundësi prindërve edhe të kujdesen frymësisht për fëmijët. Rreth 3.500 vjet më parë, Perëndia i nxiti izraelitët të kalonin kohë me fëmijët, që t’u ngulitnin në zemër parimet hyjnore. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) «Duke u lutur së bashku e duke shqyrtuar një shkrim nga Bibla, vaktet si familje kthehen në një rast që na forcon besimin te Perëndia»,—thotë Anheli, baba i dy fëmijëve. Duke parë gjithë këto dobi që sjellin vaktet si familje, ç’kanë bërë disa prej tyre që t’i bëjnë ato pjesë të rregullt të jetës?
Si të planifikosh?
Esmeralda shpjegon: «Organizimi dhe vullneti janë thelbësorë. Duhet ta përshtatësh orarin sa më shumë të mundesh, që të përfshish edhe atë që vjen i fundit në shtëpi.» Maribela, nënë e dy fëmijëve, thotë: «Darkën e hamë bashkë çdo ditë, të ndodhë ç’të ndodhë.» Disa familje përdorin kohën e tepërt në fundjavë që të përgatitin disa përbërës ose disa gjellëra për darkat gjatë javës.
Një ndihmë tjetër është t’i shohësh vaktet si familje, si një përparësi. Eduardoja thotë: «M’u desh ta përshtatja orarin e punës që të isha në shtëpi për darkë, por ia vlejti. Tani jam më i vetëdijshëm për çështjet familjare. Kur punoj, përqendrohem shumë orë te përgjegjësitë që kam, kështu që më duket e padrejtë të mos i kushtoj të njëjtën vëmendje familjes sime gjatë vakteve.»
Ç’të themi për shpërqendrimet? Davidi 16-vjeçar thotë: «Familja ime ha bukë në një vend ku nuk ka televizor. Përfitojmë nga kjo kohë, që t’i themi mamit dhe babit si e kaluam ditën dhe shpesh ata na japin këshilla të mira.» Ai shton: «Sot, adoleshentët nuk flasin shumë me prindërit. Edhe kur janë të gjithë në shtëpi, secili ha më vete, duke parë televizor. Nuk e kuptojnë ç’po humbasin.» Sandra 17-vjeçare është dakord: «Trishtohem kur shoqet e klasës thonë: ‘Kushedi ç’do të më ketë lënë mami në frigorifer!’ Për mua, vaktet si familje nuk janë vetëm për të ngrënë. Na japin
mundësi të qeshim, të flasim e t’i tregojmë përzemërsi njëri-tjetrit.»Në librin Fuqia e habitshme e vakteve si familje thuhet se këto vakte mund të bëhen «një barrikadë kundër presioneve që hasim të gjithë çdo ditë». A mund të ndihmojnë ato që familja jote të afrohet më shumë? Nëse bën një jetë të ngjeshur, vaktet si familje të japin mundësinë të ulësh pak ritmin e të flasësh me njerëzit e tu. Me siguri, përpjekjet do t’ia vlejnë.
[Kutia dhe figura në faqen 15]
NDËRSA HANI SË BASHKU SI FAMILJE, MUND TË MËSOSH . . .
Të bisedosh. Fëmijët mund të mësojnë të flasin e të dëgjojnë me respekt. Bisedat u pasurojnë fjalorin dhe i mësojnë si të shprehen.
Të hash vakte të shëndetshme në orare të rregullta.
Të punosh si skuadër. Fëmijët mund të ndihmojnë duke shtruar e ngritur tavolinën, duke pastruar pas buke ose duke u shërbyer të tjerëve. Ndërsa rriten, mund të mësojnë edhe të përgatitin ndonjë gjellë.
Të sillesh me edukatë. Mëson bujarinë duke ndarë ushqimin me të tjerët e duke mos ngulur këmbë të marrësh pjesën më të mirë. Gjithashtu, ndërsa hani, mëson të kujdesesh për nevojat e familjarëve të tjerë.