Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ekzistojmë?

Pse ekzistojmë?

Pse ekzistojmë?

SIPAS Biblës, Perëndia që quhet Jehova, ka një inteligjencë të pakrahasueshme. Ai është burimi i gjithë energjisë kozmike dhe Krijuesi i universit. (Psalmi 83:18; 92:5) Në kapitullin e parë të Biblës thuhet: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Pastaj Perëndia bëri njeriun sipas «shëmbëlltyrës» së tij, domethënë me cilësi si të vetat, dhe i tha njeriut të shumohej e të mbushte tokën.—Zanafilla 1:1, 26, 28.

A do të thotë kjo se Perëndia e krijoi universin, tokën, kafshët dhe bimët e shumta për njeriun? Dhe, a jemi këtu për ta gëzuar jetën vetëm për pak dekada, të hamë, të pimë e të trashëgohemi me pasardhës?

Pse na krijoi Perëndia?

Krijimi i njeriut ishte një shprehje e dashurisë së Perëndisë Jehova, ai donte që edhe njerëzit të jetonin e të ishin të lumtur. Pa dyshim, Perëndia kënaqej mjaft teksa krijonte gjëra fizike të çdo lloji, që njeriu të rrethohej nga bollëku dhe hijeshia. Mbi të gjitha, njerëzit u krijuan për të pasur një lidhje kuptimplotë me Krijuesin, pra ta njihnin dhe të komunikonin me të. U krijuan që të jetonin përgjithmonë në kushte të përsosura e paqësore.—Zanafilla 3:8, 9; Psalmi 37:11, 29.

Gjithashtu Jehovai i caktoi njeriut një punë të kënaqshme e plot kuptim. Perëndia u tha njerëzve të parë: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni, mbani të nënshtruar peshqit e detit, krijesat fluturuese të qiejve dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz në tokë.» (Zanafilla 1:28) Po, çifti i parë dhe pasardhësit e tyre duhej ta transformonin mbarë tokën në një parajsë ku do të mbretëronte kënaqësia.

Gjërat nuk rrodhën menjëherë siç kishte qëllim Jehovai. * Sidoqoftë, qëllimi që Perëndia kishte për njerëzimin do të plotësohet.—Isaia 46:9-11; 55:11.

Ndërkohë dëshira e njeriut—nevoja e tij—që të njohë Perëndinë dhe të ketë një marrëdhënie me të, duket nga përpjekjet për të gjetur qëllim në jetë. Njeriu u krijua si qenie inteligjente, me dëshirën për të eksploruar e kuptuar. Bibla thotë se njeriu do të grumbullojë pareshtur dhe në përjetësi njohuri të kënaqshme për Perëndinë dhe krijimin e tij.

Një shkrimtar i Biblës e shprehu kështu qëllimin e njeriut: «I kam parë punët që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve me të cilat të merren. E ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet. Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre, që njerëzit të mos e zbulojnë kurrë nga fillimi deri në fund punën që ka bërë Perëndia i vërtetë. Kam arritur të kuptoj se s’ka gjë më të mirë për ta, se të gëzojnë dhe të bëjnë mirë gjatë jetës së tyre; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.» (Eklisiastiu 3:10-13) Pra, kurrë nuk do të sosen gjërat që njerëzit do të zbulojnë për Perëndinë dhe veprat e tij krijuese.

Mësoni për Perëndinë

Mund ta njihni Jehovain duke shqyrtuar gjërat që ka krijuar. Një shkrimtar i Biblës tha se «cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra». (Romakëve 1:20) Po, krijimi na tregon mjaft për dashurinë, mençurinë dhe fuqinë e Jehovait.

Burim tjetër jetësor informacioni për Perëndinë është Bibla. Ky libër i frymëzuar na tregon shumë më tepër për Jehovain—pikëpamjet, cilësitë, qëllimin—nga ç’mund të mësohet duke shqyrtuar krijimin e tij.

Bibla thotë për qëllimin e Perëndisë: «Qiejt janë të Jehovait, kurse tokën ua ka dhënë bijve të njerëzve.» (Psalmi 115:16) Duket se i vetmi vend i përshtatshëm në këtë univers që të jetojë njeriu është toka, të cilën Jehovai e bëri për këtë qëllim.

Ç’të themi për kozmosin e pakufishëm? Mos vallë të gjitha yjet rreth nesh ekzistojnë vetëm për ta mbajtur sistemin tonë diellor në një ekuilibër të përsosur që të bëhet e mundur jeta në tokë? A ekzistojnë trupat qiellorë vetëm për të stolisur qiellin natën? Duhet të pranojmë se ka shumë gjëra që ende nuk i dimë. Por kjo ka të mirën e saj. Pse?

Përjetësia nuk do t’i mjaftojë njeriut të kuptojë gjithçka që Perëndia ka bërë dhe qëllimet e tij. Ai dëshiron që e ardhmja jonë të jetë plot zbulime të pafundme dhe gëzim të pafund. Jeta e përhershme dhe e lumtur në tokë do t’u japë njerëzve të bindur një lumë mundësish që të zbulojnë sa e sa gjëra të tjera për universin.

[Shënimi]

^ par. 7 Shumë njerëz e kanë të vështirë të besojnë te një Krijues i dashur kur shohin përreth ligësi dhe vuajtje. Për këtë çështje, ju lutemi shihni kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 9]

Njeriu u krijua si qenie inteligjente, me dëshirën për të eksploruar e kuptuar

[Figurat në faqen 10]

Bibla tregon se toka u krijua në radhë të parë për kënaqësinë e njeriut