Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdes nga helmimi me plumb!

Kujdes nga helmimi me plumb!

Kujdes nga helmimi me plumb!

Vitet e fundit qeveritë kanë kërkuar me urgjencë që blerësit t’i kthejnë mbrapsht artikuj të tillë, si lodrat dhe bizhuteritë. Pse? Në disa nga këta artikuj që fëmijët e vegjël shpesh i thithin ose i përtypin, janë diktuar nivele të rrezikshme plumbi. Helmimi me plumb është i rrezikshëm sidomos për fëmijët nën moshën gjashtë vjeç, pasi e kanë ende në zhvillim sistemin nervor qendror.

SIPAS një studimi nga fakulteti i shëndetit publik «Xhons Hopkins dhe Blumberg», plumbi frenon një proteinë që është e rëndësishme për zhvillimin e trurit dhe të aftësive mendore. Studimet tregojnë se organizmi i fëmijëve përthith deri në 50 për qind të plumbit që ata gëlltitin, kurse të rriturit zakonisht përthithin vetëm 10-15 për qind.

Sipas kërkimeve të fundit, edhe nivelet e plumbit poshtë kufijve të vendosura nga disa qeveri mund të dëmtojnë. Siç thotë Këshilli Kombëtar i Sigurisë në SHBA, ndër dëmet që mund të pësojnë fëmijët janë «paaftësia për të mësuar, çrregullimet e mungesës së përqendrimit, problemet e sjelljes, frenimi i rritjes, problemet me dëgjimin dhe dëmtimi i veshkave». Gratë që mund të mbeten shtatzënë duhet të kenë edhe më shumë kujdes nga plumbi, sepse është i rrezikshëm për fetusin. *

Plumbi helmon edhe ushqimin dhe pijen e përgatitur në enë balte të veshura me lustër plumbi. Këto enë përdoren rëndom në disa pjesë të Azisë dhe të Amerikës Latine. Nganjëherë, uji i pijshëm mbahet në poçe argjile që të rrijë i freskët dhe pijet e nxehta shërbehen në filxhanë të lustruar. Një studim me fëmijët nën moshën pesëvjeçare në Meksiko zbuloi, se gati gjysma e fëmijëve mbi 18 muajsh kishin nivele të larta plumbi në gjak. U tha se shkaku ishte ushqimi i përgatitur në enë qeramike të lustruara. Plumbi u jep artikujve të argjilës një lustër të lëmuar si xham, por del sidomos kur ena nxehet ose është në kontakt me disa fruta a perime.

Burime të tjera helmimi me plumb

Ndonëse vitet e fundit shumica e vendeve të zhvilluara e kanë hequr plumbin nga benzina, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se ka afro 100 vende në botë që ende përdorin benzinë me plumb. Plumbi nuk shpërbëhet dhe as nuk digjet. Prandaj grimcat që dalin me gazin që lëshojnë automjetet, ndotin dheun përgjatë rrugës. Pastaj pluhuri me plumb thithet me anë të frymëmarrjes ose përfundon nëpër shtëpi me anë të këpucëve.

Një burim tjetër i rëndësishëm i helmimit me plumb janë edhe bojërat me bazë plumbi që përdoreshin për të lyer shtëpitë para se të dilnin ligje që merreshin me këtë çështje. Vetëm në Shtetet e Bashkuara rreth 38 milionë shtëpi, pra 40 për qind e të gjitha shtëpive, janë lyer me bojë plumbi. Petëzat e bojës ose pluhuri me plumb që vjen nga restaurimet përbëjnë rrezik të veçantë.

Shumë qytete dhe shtëpi më të vjetra i kanë tubacionet e ujit prej plumbi ose prej bakri të salduara me plumb. Klinika «Mejo», një qendër e shquar mjekësore në SHBA, këshillon që, para se ta pini ujin e këtyre tubave, ta lini të rrjedhë për 30-60 sekonda. Uji i nxehtë nga këto tuba nuk duhet përdorur fare për t’u pirë a për gatim, sidomos për ushqimin e foshnjave.

Nivelet e plumbit në gjak ulen mjaft kur hiqet burimi që lëshon plumb. Njerëzit që kanë merak për nivelin e plumbit në gjak, mund të vendosin të bëjnë një analizë gjaku. Duhet kërkuar ndihmë mjekësore nëse vërehen nivele të rrezikshme.

Nevoja për ndërgjegjësimin e publikut

Helmimi me plumb vjen nga grumbullimi i plumbit në trup gjatë një periudhe. Gjithsesi, edhe një dozë e vetme e konsiderueshme mund të vrasë. Sipas raportit të Qendrave Amerikane për Kontrollimin e Sëmundjeve, në vitin 2006 një parashkollor vdiq ngaqë gëlltiti një copë bizhuterie metalike me përmbajtje të lartë plumbi.

Duke nënvizuar nevojën për ndërgjegjësimin e publikut, një enciklopedi mjekësore thotë se tani, 1 në 20 parashkollorë në Shtetet e Bashkuara ka nivele të larta plumbi në gjak. Nëse kjo është e vërtetë për një vend ku rregullohet me ligj përdorimi i plumbit, ç’mund të thuhet për vendet ku nuk ekzistojnë këto ligje? E pra, gjithsecili duhet të bëjë kujdes!

[Shënimi]

^ par. 4 Edhe të rriturit helmohen nga plumbi, dhe kjo çon në çrregullime të sistemit nervor, në dhembje kyçesh dhe muskujsh ose në probleme me kujtesën e përqendrimin.

[Kutia dhe figura në faqen 29]

SHENJA TË HELMIMIT ME PLUMB TE FËMIJËT

Dhembje barku, agresivitet, anemi, probleme me përqendrimin, kapsllëk, këputje, dhembje koke, acarim, humbje të aftësive të fituara, oreks i paktë, plogështi dhe rritje e ngadaltë.—MEDLINE PLUS MEDICAL ENCYCLOPEDIA.