Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tregoni respekt dhe kurseni kur përdorni teknologjinë

Tregoni respekt dhe kurseni kur përdorni teknologjinë

Tregoni respekt dhe kurseni kur përdorni teknologjinë

Katerina, që është në të 20-at, punon me kompjuter në punë. Por edhe në shtëpi, lundronte vazhdimisht në Internet, duke shkëmbyer «e-mail» të panumërt e duke blerë. Gjithsesi, në krahasim me koleget më të reja në moshë, ajo e përdorte me karar teknologjinë. Ajo pyet: «Pse më bezdisin gjithë kohën me mesazhe koti? Unë jam njeri. Nuk më merrkan dot në telefon?»

PYETJA e Katerinës tingëllon ironike, pasi edhe me telefon nuk flet ballë për ballë. Sidoqoftë Katerina ka njëfarë të drejte: shumë pajisje që u bënë për t’i lidhur njerëzit, në të vërtetë mund t’i largojnë emocionalisht. Për t’ju ndihmuar të gjeni ekuilibrin e duhur kur përdorni teknologjinë, shqyrtoni parimet biblike të mëposhtme.

«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Po t’i zbatojmë këto fjalë të Jezu Krishtit kur përdorim celularët dhe kompjuterët, do t’i trajtojmë të tjerët me respekt dhe do të tregohemi të sjellshëm. «Isha me tim shoq në restorant,—tregon Ana.—Dy burra po hanin në një tavolinë ngjitur. Por, njëri prej tyre e kaloi gjithë kohën në celular, duke folur e duke ngrënë. Na erdhi keq për shokun e tij që hëngri ‘vetëm’.» Si do të ndiheshit ju po të ishit në vendin e atij shoku? Të lënduar? Të fyer? Po, fakti që celularin mund ta marrësh kudo, nuk nënkupton se duhet ta përdorësh në çdo moment. Fjalët e Jezuit duhet të jenë parimi ynë udhërrëfyes.

«Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj.» (Efesianëve 5:15, 16) Koha është një dhuratë e vyer nga Perëndia dhe nuk duhet shpërdoruar. Vërtet teknologjia mund të na kursejë kohë. Për shembull, nëpërmjet Internetit mund t’i bëjmë më shpejt kërkimet, veprimet bankare dhe blerjet. Nga ana tjetër, Interneti mund të na e vjedhë kohën nëse kalojmë orë të tëra duke u endur kot nëpër faqet e tij.

Kohën mund ta shpërdorojmë edhe po të merremi me shumë gjëra njëherësh, për shembull, të punojmë në kompjuter ndërkohë që shohim televizor dhe flasim në telefon ose të kalojmë sa te posta elektronike te programe të tjera kompjuterike. Pse mund të jetë pa rendiment kjo?

«Është gati e pamundur ta njohësh thellë ndonjërën prej punëve që kryen kur bën shumë gjëra njëherësh»,—thotë dr. Xhordan Grafmani, specialist në fushën e neuroshkencës. Thjesht, nuk mund të përqendrohemi te disa gjëra njëkohësisht; patjetër që diçka do të mbetet e mangët. Prandaj, kryerja e shumë punëve njëherësh mund të çojë në njohuri sipërfaqësore dhe që nuk nguliten në mendje. Veç kësaj, siç thotë një artikull në revistën Time, kur vëmendja kalon vrik nga një gjë te një tjetër, bëhen më shumë gabime dhe duhet «shumë më tepër kohë për t’i mbaruar punët, shpesh dyfishi i kohës a më tepër që do të duhej po të kryheshin me radhë». Pra, mendohuni mirë para se të bëni shumë punë njëherësh: mund të mos ju mjaftojë dita.

«Ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Zotërimet materiale, sado të shtrenjta a cilësore qofshin, nuk na japin as jetën, as lumturinë e vërtetë. Këtë mund ta bëjë vetëm Perëndia. «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë»,—tha Jezui. (Mateu 5:3) Nga ana tjetër, bota tregtare e barazon lumturinë me gjërat materiale. Ajo thotë: «Blini, blini, blini. Duhet të keni gjërat e modës së fundit.» Mos u mashtroni. Tregohuni të mençur. Shqyrtoni motivet dhe nevojat tuaja para se t’i lëshoni paratë që i keni fituar me aq mund. Gjithashtu, mos harroni se shumë produkteve të teknologjisë së lartë u bie shpejt vlera. Pra, nëse ju duhet ndonjë pajisje, pyeteni veten: «Duhet medoemos të kem tipin e fundit? A më nevojitet vërtet një pajisje që ofron gjithë ato opsione shtesë e të kushtueshme, por që mbase nuk do t’i përdor kurrë?»

Bekim apo mallkim: Zgjidhni ju

Katerina, e përmendur më parë, u alarmua kur kompjuteri i shtëpisë u prish. «Në fillim u trondita,—thotë ajo,—por vendosa të mos e zëvendësoja menjëherë. Pas një muaji, nervat i kisha më të qeta dhe lexoja më shumë. Tani përdor kompjuterin e punës, kështu që komunikoj prapë me miqtë e mi, jashtë orarit të punës. Por nuk e kam më atë fiksim për të mos u shkulur nga kompjuteri. Teknologjia nuk e komandon më jetën time.»

Sigurisht, shumë produkte të shkencës e teknologjisë janë praktike dhe mund të na kursejnë mjaft kohë dhe energji. Pra, patjetër, përdorini kur ju duhen, por duke u treguar të përgjegjshëm e duke treguar respekt për të tjerët. Si? Në radhë të parë vini njerëzit, pastaj teknologjinë. Mos e harxhoni kot kohën e çmuar dhe paratë për pajisje a programe që s’ju duhen. Mos e përdorni Internetin a mjetet e tjera për të parë ndyrësi morale dhe dhunë. E mos «bini në varësinë» e teknologjisë. Me pak fjalë, jini të mençur: zbatoni parimet e frymëzuara nga Perëndia, ato parime që gjenden në Fjalën e shkruar të Perëndisë, në Bibël, dhe që i ka provuar koha. Po, «Jehovai jep mençuri dhe prej gojës së tij burojnë njohuria dhe aftësia dalluese».—Proverbat 2:6.

[Kutia në faqen 9]

CELULARI, KOMPJUTERI DHE SJELLJA E MIRË

Si ta përdorni celularin dhe kompjuterin duke treguar respekt për të tjerët? Ja disa sugjerime:

▪ Mos bëni telefonata dhe as mos u përgjigjni në një moment a vend që mund të shqetësoni të tjerët. Fikeni celularin po të jetë e nevojshme.

▪ Mos lini që telefoni t’ju ndërpresë bisedat e rëndësishme ballë për ballë, veç në qoftë e domosdoshme.

▪ Kur flitni në telefon, kushtojini vëmendje të plotë telefonuesit.

▪ Mos i bëni ndokujt fotografi me celular nëse personit i duket e pasjellshme ose e vë në siklet.

▪ Rezistojini tundimit që çdo e-mail «interesant» që merrni, t’ua dërgoni të tjerëve. Të tjerët mund të bezdisen.