Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga shërbimi i heshtur, në shërbimin e shenjtë

Nga shërbimi i heshtur, në shërbimin e shenjtë

Nga shërbimi i heshtur, në shërbimin e shenjtë

Treguar nga Andrea Hogu

«Nëse do të detyrohemi ndonjëherë t’i lëshojmë mbushjet bërthamore,—tha komandanti i nëndetëses sonë,—misioni ynë ka dështuar.» Këto fjalë ndezën diskutime të zjarrta rreth etikës së luftës bërthamore. Por si hyra në shërbimin e nënujshëm, që e quanin edhe shërbimi i heshtur, ngaqë përpiqeshim të mos na diktonin?»

LINDA në Filadelfia, Pensilvani, SHBA, në vitin 1944. Ndërsa rritesha, tek unë ndikoi babai, gjyshi dhe daja, të cilët kishin shërbyer të gjithë në forcat e armatosura, dhe për ta kjo ishte gjëja më e madhe që mund të bënte njeriu. Kur isha i vogël, vizitova kantierin e flotës ushtarake-detare, që ishte afër, dhe pashë për herë të parë nëndetëse. Që nga ai çast, synimi im u bë shërbimi me nëndetëse. Vitin e fundit të shkollës së mesme më pranuan në Akademinë e Flotës Ushtarake-Detare të SHBA-së. U diplomova pas katër vjetësh, në qershor të vitit 1966.

Hyra në Programin e Mjeteve me Energji Bërthamore të Marinës që të përgatitesha për inxhinieri bërthamore dhe operacione me nëndetëse. Pastaj, në prill të vitit 1967 u martova me Meri-Li Karterin, bashkëshortja ime e dashur edhe sot e kësaj dite. Më në fund, në mars të vitit 1968, realizova ëndrrat e mia të fëmijërisë, kur më caktuan në nëndetësen USS Jack. Pas afro një viti, Meri-Lia lindi Alizonën, të parën nga dy fëmijët tanë.

Më 1971 u bëra oficer inxhinier i nëndetëses USS Andrew Jackson, kapiteni i së cilës tha fjalët që përmenda në fillim. Ndërsa ishim në lundrim, në këtë nëndetëse që lëshonte raketa Polaris, patëm një alarm zjarri, tmerri më i madh i të gjitha nëndetëseve. Kishte kaluar pak nga mesnata dhe po pushoja me disa oficerë. Kur ja, dëgjohet një zhurmë. Pastaj u dëgjua alarmi i përgjithshëm gong, gong, gong, dhe lajmërimi në altoparlantë: «Zjarr në dhomën e makinerive!»

Ngaqë isha përgjegjës thuajse për të gjitha sistemet mekanike dhe elektrike, e mbajta frymën drejt kiçit që të shikoja dëmet. Kishte rënë zjarr te një prej gjeneratorëve të oksigjenit, që ndihmonin të prodhohej ajri që thithnim. Katër nga ne vunë maskat e frymëmarrjes dhe e pastruan vendin nga çdo gaz i djegshëm. Shyqyr që nuk u dëmtua asnjëri. Me gjithë këtë peripeci, ia dolëm të vazhdonim misionin, provë kjo e stërvitjes së mirë të ekuipazhit.

Vendosa të lexoj për një paqebërës

Për të na ndihmuar të përballonim streset e punës, na nxitën që ca orë çdo javë të merreshim me diçka kulturore. Zakonisht lexoja biografitë e ushtarakëve të shquar. Por kësaj here thashë të lexoja për dikë që ishte i mirënjohur si paqebërës: për Jezu Krishtin. Mora Biblën që ma kishin dhënë kur u diplomova në akademinë e flotës detare dhe ia nisa me ungjijtë. Nga ky lexim më shumë më lindën pyetje, sesa mora përgjigje. Më duhej ndihmë.

Nga fundi i misionit, komandanti i mblodhi oficerët në mensën e oficerëve dhe njoftoi: «Zotërinj, inxhinierin tonë sapo e kanë emëruar në punën më të mirë në Flotën Ushtarake-Detare të Shteteve të Bashkuara. Do të jetë inxhinieri i anijes së parë të modelit më të ri të nëndetëseve sulmuese të flotës detare.» Unë shtanga.

Për detyrën e re, u transferova me familjen në Njuport-Njus, Virxhinia, ku po ndërtohej nëndetësja USS Los Angeles. Puna përfshinte mbikëqyrjen e provave të sistemeve inxhinierike dhe krijimin e manualeve teknike e programeve të stërvitjes. Puna ishte tejet e ndërlikuar, por më jepte kënaqësi. Ndërkohë Meri-Lija lindi djalin tonë, Druin. Tani isha baba me dy fëmijë dhe mendja më shkoi sërish te Perëndia: «Çfarë mendon ai për luftën? Çfarë ndodh kur vdes? A ekziston ferri?»

Më në fund gjej përgjigjet!

Pak a shumë në atë kohë, ime shoqe nisi të bënte biseda me dy Dëshmitare të Jehovait. Një ditë, kur telefonova në shtëpi nga kantieri, Meri-Lija tha: «Kam këtu dy ‘zonja të Biblës’.»

—Nga cila kishë janë?—e pyeta.

—Dëshmitarët e Jehovait,—m’u përgjigj.

S’e kisha idenë kush ishin Dëshmitarët, por doja të kuptoja Biblën. «Ftoji të vijnë prapë ndonjë mbrëmje»,—i thashë. S’kaloi shumë dhe njëra prej tyre u kthye me të shoqin dhe bashkë me gruan nisëm të studionim Biblën.

Më në fund nisa të marr përgjigjet e pyetjeve që më mundonin prej vitesh. Për shembull, mësova se të vdekurit «s’janë të vetëdijshëm për asgjë», janë si në një gjumë të thellë, siç i krahasoi Jezui. (Eklisiastiu 9:5; Gjoni 11:11-14) Prandaj, të vdekurit as gëzojnë dhe as torturohen, por «po flenë» në vdekje dhe presin të ringjallen.

Bashkë me Meri-Linë filluam të ndiqnim mbledhjet e krishtere në Sallën e Mbretërisë aty afër. Atje pamë Dëshmitarë me kultura, arsim dhe përkatësi etnike të ndryshme që i shërbenin Perëndisë në paqe dhe unitet. «Bibla mund t’ua përmirësojë vërtet jetën njerëzve»,—nxorëm si përfundim me gruan.—Psalmi 19:7-10.

Kohë vendimesh

Kur shpërtheu lufta midis arabëve dhe izraelitëve në vitin 1973, një pjesë e nëndetëseve të Flotës Atlantike të SHBA-së u dislokuan. Situata mund të merrte shumë kollaj përmasa më të mëdha dhe aty nisa të kuptoj vërtet se vetëm Mbretëria e Perëndisë, dhe jo politika e njerëzve, do të sjellë paqe të vërtetë e të qëndrueshme. Ç’është e vërteta, shpesh isha lutur: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë»,—por nuk dija ç’kuptim kishte. (Mateu 6:9, 10, Diodati i Ri) Megjithatë, tani e kuptova se Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore që së shpejti do të drejtojë mbarë tokën dhe do të fshijë çdo ligësi e keqbërës.—Danieli 2:44; 7:13, 14.

Një fragment nga shkrimet që më shqetësonte veçanërisht ishte 2 Korintasve 10:3, 4. Aty thuhet se të krishterët e vërtetë ‘nuk luftojnë sipas asaj që janë në mish. Sepse armët e luftës së tyre nuk janë sipas mishit, por të fuqishme nga Perëndia’. Mësova se ato ‘armë’ janë frymore dhe përfshijnë edhe «shpatën e frymës», Biblën e Shenjtë.—Efesianëve 6:17.

Isha në udhëkryq. A do të vazhdoja karrierën, e cila më jepte edhe ndjesinë e sfidës, edhe kënaqësi, apo do të jetoja në përputhje me të vërtetën biblike? Pasi u luta mjaft për këtë çështje, arrita në përfundimin se nëse doja sinqerisht të isha paqebërës, duhet ta bëja këtë sipas mënyrës së Perëndisë.

Kam një «Komandant të Përgjithshëm» të ri

Bashkë me Meri-Linë biseduam dhe u lutëm për të ardhmen tonë dhe vendosëm t’i shërbenim të vetmit «Komandant të Përgjithshëm», Perëndisë Jehova. Edhe unë, edhe Meri-Lija vendosëm t’ia kushtonim jetën Jehovait. Paraqita dorëheqjen nga flota ushtarake. Më transferuan në Norfolk, Virxhinia, ku prita të më çmobilizonin. Shumica e kolegëve të mi oficerë u befasuan nga vendimi im dhe disa e pritën keq. Por pati edhe të tjerë që me sinqeritet donin të kuptonin qëndrimin tim të bazuar në Bibël dhe e respektuan vendimin që mora.

Më çmobilizuan në vitin 1974. Po atë vit, bashkë me gruan e simbolizuam kushtimin ndaj Perëndisë me pagëzimin në ujë në kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait në Hampton, Virxhinia, që mbante temën «Qëllimi hyjnor». (Mateu 28:19, 20) Kishim nisur një jetë të re.

Hasim vështirësi të reja

Kishim dy fëmijë të vegjël, nuk kishim asnjë burim të ardhurash, por vetëm ca para që do të na mjaftonin vetëm për nja dy muaj. Ua dërgova CV-në time disa punëdhënësve dhe i lashë gjërat në dorën e Perëndisë. S’kaloi shumë dhe një ndërmarrje e shërbimit publik më ofroi punë. Rroga ishte sa gjysma e asaj që merrja në flotën ushtarake, por me këtë punë s’kishim nevojë të ndryshonim zonë.

Dora-dorës që unë dhe gruaja forcoheshim në besim dhe përparonim, dëshironim të bënim më shumë në shërbimin e Jehovait. Një familje Dëshmitarësh që e njihnim kishte shkuar në Virxhinian Qendrore për të shërbyer ku kishte më tepër nevojë për mësues të Biblës, dhe na ftuan të shkonim që t’i takonim. Kaq duhej, një vizitë dhe filluam të bënim plane për t’u transferuar. Bëra një kërkesë në punë për t’u transferuar dhe u kënaqa që ma pranuan. Madje më ngritën në përgjegjësi. Veç kësaj, ndërmarrja ishte dakord të mbulonte shpenzimet e transferimit. Menduam: «Perëndia kujdeset vërtet për ata që përpiqen të bëjnë vullnetin e tij.»—Mateu 6:33.

Ngaqë familja jonë është përpjekur të bëjë një jetë pak a shumë të thjeshtë, Meri-Lija dhe unë ia kemi kushtuar shumicën e kohës predikimit. Kjo na ka krijuar mundësi të rrinim goxha me dy fëmijët tanë të shkëlqyer ndërsa rriteshin. Po, e kemi zemrën mal nga rezultatet, sepse edhe Alizona, edhe Drui «vazhdojnë të ecin në të vërtetën».—3 Gjonit 4; Proverbat 23:24.

Po, ka pasur raste kur paratë, strehimi, shëndeti dhe vetë fakti që po plakemi na kanë sjellë ankth. Por Jehovai na ka qëndruar gjithnjë pranë. A jam bërë pishman që e lashë «shërbimin e heshtur»? Absolutisht jo. Kur unë dhe Meri-Lija reflektojmë për jetën tonë, mund ta themi pa pikë dyshimi se t’i shërbesh Jehovait është pa diskutim, gjëja më fisnike dhe më shpërblyese që mund të bëjë njeriu.—Eklisiastiu 12:13.

[Diçitura në faqen 14]

Vendosëm t’i shërbenim të vetmit «Komandant të Përgjithshëm»

[Figura në faqet 12, 13]

Nëndetësja «USS Los Angeles»

[Burimi]

Fotografi e Flotës Ushtarake-Detare së SHBA-së

[Figura në faqen 13]

Me Meri-Linë sot