Nëna të shëndetshme, foshnja të shëndetshme
Nëna të shëndetshme, foshnja të shëndetshme
I KËNAQUR dhe i shëndetshëm, një i porsalindur është strukur në ngrohtësinë e krahëve të nënës. Babai rrëzëllen nga krenaria. Meqë kjo skenë e lumtur ndodh miliona herë në vit, fare kollaj lindja normale mund të merret si diçka e zakonshme. Në fund të fundit është një proces natyror, pra, ç’ka për t’u merakosur?
Është e vërtetë se lindjet zakonisht shkojnë mirë, por jo gjithmonë. Prandaj, me mençuri, prindërit e ardhshëm bëjnë ç’është e mundur të shmangin ndërlikimet e parandalueshme. Për shembull, njihen me shkaqet e problemeve gjatë lindjes, kërkojnë kujdes mjekësor cilësor gjatë shtatzënisë dhe marrin disa masa të thjeshta për të pakësuar rreziqet gjatë lindjes. Le t’i shqyrtojmë më me hollësi këto çështje.
Shkaqet e problemeve gjatë lindjes
Ndër shkaqet e problemeve gjatë lindjes, si për nënën, ashtu edhe për foshnjën, është mungesa e kujdesit të duhur gjatë shtatzënisë. Çung Kam-Lau, pediatër konsulent në pavijonin e të sapolindurve në spitalin «Princi i Uellsit», në Hong-Kong, thotë se «mungesa e kujdesit para lindjes e rrezikon shumë shtatzëninë». Ai thotë edhe se «shumica e këtyre nënave presin që foshnja të jetë e shëndetshme dhe buçko, por ja që gjërat nuk ndodhin gjithnjë siç do të donim».
Për problemet te nënat, revista e Shoqatës së Mjekëve Amerikanë (anglisht) thotë se «shkaqet kryesore e të drejtpërdrejta të vdekjes së nënës» janë hemorragjia e madhe, bllokimi i daljes së
fëmijës gjatë lindjes, infeksioni dhe tensioni i lartë jashtë normës. Megjithatë, ka trajtime të efektshme e të mirënjohura dhe, siç shton revista, në shumicën e rasteve «kujdesi i sotëm mjekësor . . . nuk kërkon ndërhyrje tepër të sofistikuara».Edhe kujdesi mjekësor që sigurohet kollaj mund të ndihmojë shumë foshnja. Revista UN Chronicle raporton se dy të tretat e vdekjeve te të sapolindurit mund të parandalohen nëse të gjitha nënat dhe të sapolindurit» marrin një trajtim mjekësor «të mirënjohur, që është praktik dhe realizohet pa pajisje të ndërlikuara». Por mjerisht, siç raporton Agjencia Filipinase e Lajmeve, mungesa e njohurisë dhe lënia pas dore e kujdesit mjekësor gjatë shtatzënisë haset dendur te nënat.
Kujdesi më i mirë për nënën dhe foshnjën para lindjes
«Nënat më të shëndetshme kanë fëmijë më të shëndetshëm»,—thotë revista UN Chronicle. Veç kësaj, revista vëren se, kur gruaja nuk merr fare kujdes shëndetësor gjatë shtatzënisë, lindjes dhe periudhës pasuese ose ky është i pamjaftueshëm, edhe foshnja nuk merr asnjë kujdes shëndetësor ose jo aq sa duhet.
Në disa vende, gruaja shtatzënë e ka të vështirë të marrë trajtimin e duhur mjekësor. Mbase duhet të udhëtojë larg ose nuk i përballon dot shpenzimet mjekësore. Prapëseprapë, sa të jetë e mundur, nëna shtatzënë duhet të përpiqet të marrë të paktën njëfarë trajtimi profesional. Kjo sidomos është e rëndësishme për një grua që jeton sipas mësimeve të Biblës së Shenjtë, ku thuhet se jeta e njeriut është e shenjtë, duke përfshirë edhe jetën e një foshnje të palindur.—Dalja 21:22, 23; * Ligji i përtërirë 22:8.
A do të thotë kujdesi i duhur të shkosh çdo javë te mjeku? Jo medoemos. Në lidhje me disa komplikacione të zakonshme që ndodhin gjatë shtatzënisë dhe lindjes, Organizata Botërore e Shëndetësisë «zbuloi se gratë që vizitoheshin vetëm katër herë te mjeku gjatë shtatzënisë» kishin dobi «të krahasueshme me ato që ishin vizituar 12 herë a më shumë».
Çfarë mund të bëjnë mjekët?
Që nënës dhe fëmijës t’i shkojë sa më mirë, profesionistët në fushën e kujdesit shëndetësor, sidomos ata që janë specializuar në obstetrikë, marrin masat e mëposhtme:
▪ Shohin historinë mjekësore të pacientes dhe bëjnë një ekzaminim për të përcaktuar rreziqet dhe për të parandaluar komplikacionet që mund të ndodhin te nëna ose fëmija në zhvillim.
▪ Bëjnë analizën e gjakut dhe të urinës që të kontrollojnë për ndonjë problem, si anemia, infeksionet, mospërputhja e rezusit a ndonjë sëmundje. Te këto të fundit përfshihen diabeti, rubeola, sëmundjet e transmetuara seksualisht dhe sëmundjet e veshkave të cilat e rritin tensionin.
▪ Kur është e këshillueshme dhe pacientja e pranon, ata mund të rekomandojnë vaksinimin për gjëra të tilla, si: gripi, tetanosi dhe mospërputhja e rezusit.
▪ Mund të këshillojnë edhe marrjen e vitaminave, sidomos acidin folik.
Kur mjekët zbulojnë rreziqet që mbart shtatzënia e një pacienteje të caktuar dhe marrin
masat e nevojshme parandaluese ose e ndihmojnë nënën të marrë këto masa, rritet mundësia që gjërat të shkojnë mirë për të dhe për foshnjën.Pakësojnë rreziqet gjatë lindjes
«Koha më e rrezikshme për gruan shtatzënë është periudha kritike kur afrohet lindja»,—thotë Xhoi Pumapi, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Familjen dhe Shëndetin Publik pranë OBSH-së. Ç’mund të bëhet për të parandaluar problemet serioze, madje edhe ato që kërcënojnë jetën në këtë periudhë kritike? Ç’është e vërteta, masat janë të thjeshta, por duhen marrë që përpara. * Kjo është e rëndësishme sidomos për ato që nuk pranojnë transfuzionin e gjakut për arsye të bazuara në Bibël ose për ato që nuk duan të marrin gjak për shkak të rreziqeve të mëdha shëndetësore që mbart ai.—Veprat 15:20, 28, 29.
Këto paciente duhet të bëjnë ç’është e mundur për t’u siguruar që punonjësi i shëndetësisë, qoftë ky mjeku a mamia, të jetë kompetent dhe me përvojë për alternativat mjekësore që zëvendësojnë transfuzionin e gjakut. Është mirë që prindërit të sigurohen se spitali ose institucioni ku do të bëhet lindja, të jetë gati të bashkëpunojë. * Ja dy pyetje me vend që mund t’i bëjnë mjekut: 1. Çfarë do të bëni nëse nëna ose foshnja humbet shumë gjak ose ka komplikacione të tjera? 2. Nëse ju nuk do të jeni këtu kur të lindë fëmija, çfarë masash do të merrni që të respektohen dëshirat e pacientes?
Natyrisht, një grua e mençur do të vizitohet te mjeku për t’u siguruar që, para lindjes, treguesit e gjakut të jenë sa më të lartë brenda normës. Për t’i shtuar pacientes sasinë e gjakut, mjeku mund të rekomandojë acid folik dhe vitamina të tjera të grupit B, si dhe plotësues të hekurit.
Mjeku do të shqyrtojë edhe një sërë faktorësh të tjerë. Për shembull, a zbuluan vizitat gjatë shtatzënisë ndonjë problem shëndetësor që duhet trajtuar? A duhet të ketë kujdes nëna të mos rrijë gjatë në këmbë? A duhet të pushojë më shumë? A do të ishte mirë të shtonte ose të binte në peshë a të bënte më shumë fizkulturë? A duhet t’i kushtojë më shumë kujdes higjienës së trupit, përfshirë edhe higjienës së gojës?
Studimet tregojnë se sëmundja e mishit të dhëmbëve te gratë shtatzëna e rrit rrezikun e preeklampsisë, një komplikacion serioz që, ndër të tjera, karakterizohet nga rritja e menjëhershme e tensionit, dhembje koke të forta dhe ënjtje (shtim i sasisë së lëngjeve në inde). * Preeklampsia mund të çojë në lindje të parakohshme dhe është ndër shkaqet kryesore të vdekjes së fetusit dhe të nënës, sidomos në vendet në zhvillim.
Po, një mjek i kujdesshëm i kushton vëmendje çdo shenje infeksioni te gruaja shtatzënë. Nëse asaj i fillojnë para kohe dhembjet e lindjes, e rekomandon të shtrohet urgjentisht në spital, pasi kjo mund t’i shpëtojë jetën.
«Gratë rrezikojnë vdekjen për të sjellë jetën»,—thotë dr. Kasi-Monirul Islami, drejtor i Departamentit për një Shtatzëni më të Sigurt pranë OBSH-së. Por kujdesi i mirë mjekësor gjatë shtatzënisë, lindjes dhe menjëherë pas saj, mund të mënjanojë shumë komplikacione, madje edhe vdekjen. Natyrisht, më e rëndësishmja është të përpiqeni të mbani një shëndet të mirë. Në fund të fundit, në qoftë se dëshironi një foshnjë të shëndetshme, duhet të bëni gjithçka mundeni që të jeni nënë e shëndetshme.
[Shënimet]
^ par. 10 Teksti origjinal në hebraisht flet për vdekjen aksidentale të nënës ose të fëmijës së palindur.
^ par. 20 Shih kutinë «Përgatitje gjatë shtatzënisë».
^ par. 21 Çiftet Dëshmitarë të Jehovait mund të këshillohen para lindjes me Komitetin vendës të Lidhjes me Spitalet (KLS), i ngritur për Dëshmitarët e Jehovait. Anëtarët e komitetit vizitojnë spitalet dhe mjekët për t’u dhënë informacione mjekësore rreth zbatimit të alternativave pa gjak te pacientët Dëshmitarë. Gjithashtu, ka të ngjarë që KLS-ja të ndihmojë për të gjetur një mjek që respekton bindjet e pacientes dhe ka përvojë në përdorimin e alternativave pa gjak.
^ par. 24 Ndonëse kërkohen më shumë studime për të përcaktuar nëse sëmundja e mishit të dhëmbëve e rrit rrezikun e preeklampsisë, gjithnjë është mirë të kujdesemi siç duhet për dhëmbët dhe mishin e dhëmbëve.
[Diçitura në faqen 27]
Sipas shifrave të botuara në tetor të vitit 2007, thuajse çdo minutë vdes një grua—536.000 gra në vit—nga problemet e shtatzënisë.—Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
[Diçitura në faqen 28]
«Çdo vit 3,3 milionë foshnja lindin të vdekura dhe më shumë se 4 milionë të sapolindur vdesin brenda 28 ditëve që vijnë në jetë.»—UN Chronicle
[Kutia në faqen 29]
PËRGATITJE GJATË SHTATZËNISË
1. Zgjidh mirë spitalin, mjekun ose maminë duke marrë të dhëna që më përpara.
2. Vizitohu rregullisht te mjeku a mamia, duke krijuar një marrëdhënie të besueshme dhe miqësore.
3. Kushtoji shumë kujdes shëndetit. Po të jetë e mundur, merr vitaminat e duhura, por shmang ilaçet (edhe ato që shiten pa recetë) nëse nuk t’i lejon mjeku. Është mirë të mos pish alkool. «Ndonëse rrezikojnë më tepër foshnjat e nënave që pinë shumë, ende nuk është e qartë nëse ekziston vërtet një sasi alkooli minimale që nëna mund të pijë pa rrezikuar»,—thotë Instituti Kombëtar i Shteteve të Bashkuara për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin.
4. Nëse dhembjet të fillojnë para kohe (para javës së 37-të), fol menjëherë me mjekun ose lidhu me maternitetin. Trajtimi i menjëhershëm mund të parandalojë lindjen e parakohshme dhe komplikacionet që mund ta shoqërojnë. *
5. Hidhi me shkrim vendimet e tua për sa i përket kujdesit mjekësor. Për shembull, shumë veta kanë parë që i ka ndihmuar mbajtja e një Autorizimi mjekësor për një kohë të pacaktuar, të cilën e kishin plotësuar që më parë. Shih çfarë përdoret dhe pranohet ligjërisht në vendin tënd.
6. Pas lindjes kujdesu për shëndetin tënd dhe të foshnjës, sidomos nëse foshnja lind para kohe. Këshillohu menjëherë me pediatrin po të vëresh ndonjë problem.
[Shënimi]
^ par. 41 Zakonisht foshnjave anemike të lindura para kohe iu bëhet transfuzion gjaku, pasi organet e tyre e kanë të vështirë të prodhojnë mjaftueshëm rruaza të kuqe.