Shembuj të familjeve të suksesshme—Pjesa e parë
Shembuj të familjeve të suksesshme—Pjesa e parë
Siç është treguar në këtë numër special të revistës Zgjohuni!, familjeve të suksesshme nuk u shkon çdo gjë vaj. Ky fakt nuk na habit aspak, sepse jetojmë në atë periudhë që Bibla e përshkruan si «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Në çdo familje është e sigurt që do të lindë në mos një problem, një tjetër.
Megjithatë, mbaj parasysh se suksesi i jetës familjare nuk varet nga rrethana të ashtuquajtura ideale. Përkundrazi, Jezui tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.» (Mateu 5:3) Familjet që plotësojnë këtë nevojë duke ndjekur parimet biblike, kanë gjetur sekretin e suksesit, me gjithë rrethanat e tyre të vështira. Shqyrto disa shembuj.
Të kujdesesh për një fëmijë me kufizime. Bibla i jep mjaft rëndësi kujdesit për familjarët, duke përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta. Ajo thotë: «Nëse dikush nuk siguron gjërat e nevojshme për të vetët, e sidomos për pjesëtarët e shtëpisë së vet, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një njeri pa besim.»—1 Timoteut 5:8.
Në faqen 15, Viktori, një baba në Afrikën e Jugut, tregon si ai dhe e shoqja janë kujdesur për një fëmijë me kufizime për më shumë se katër dekada.
Të jesh fëmijë i adoptuar. Parimet biblike mund ta ndihmojnë njeriun të ketë një vlerësim të ekuilibruar për veten, edhe nëse prindërit që e kanë lindur e kanë braktisur. Bibla thotë se Perëndia Jehova është «ai që i ndihmon» jetimët.—Psalmi 10:14.
Në faqen 16, Keniata, një vajzë nga Shtetet e Bashkuara, tregon si ka mësuar të përballojë peshën emocionale që ndien, ngaqë nuk i ka parë kurrë prindërit që e lindën.
Të përballosh vdekjen e prindit. Vdekja e nënës ose e babait mund të lërë vraga që mezi shërohen. Bibla të ndihmon ta përballosh. Autori i saj, Jehovai, është «Perëndia i çdo ngushëllimi».—2 Korintasve 1:3.
Në faqen 17, Anxhela, një vajzë në Australi, shpjegon se si marrëdhënia me Perëndinë e ndihmon të përballojë këtë humbje të dhembshme.
Të gjitha familjeve u duhet të përballojnë vështirësi. Siç tregojnë historitë në faqet vijuese, ata që zbatojnë parimet biblike kanë zbuluar një sekret jetësor që i ndihmon t’i përballojnë me sukses vështirësitë që hasin.
[Kutia dhe figurat në faqen 15]
Të kujdesesh për një fëmijë me kufizime
Treguar nga Viktor Mensi, Afrika e Jugut
«Që kur ka lindur, Andrea s’bën dot pa ne për t’u veshur, për t’u larë e, nganjëherë, edhe për të ngrënë. Tani është 44 vjeç.»
DYSHUAM që diçka nuk shkonte kur Andrea kaloi vitin dhe ende s’po ecte. Në këtë kohë pësoi një krizë. E çuam urgjent në spital, ku morëm vesh se kishte epilepsi. Por s’mbaroi me kaq. Analizat e mëtejshme vërtetuan se Andrea kishte probleme në tru.
Pasi provuam shumë trajtime, arritëm që sëmundjen e Andreas ta mbanim nën kontroll. Për njëfarë kohe, duhet të merrte katër ilaçe të ndryshme tri herë në ditë. Sigurisht, kufizimi i tij mendor nuk mund të përmirësohet me ilaçe. Edhe tani që është 44 vjeç, Andrea ka zhvillimin mendor të një fëmije pesë ose gjashtëvjeçar.
Mjekët na këshilluan ta çonim Andrean të jetonte në një institucion, por ne vendosëm për jo. Ishim në gjendje të kujdeseshim për nevojat e Andreas, prandaj vendosëm ta mbanim në shtëpi, pavarësisht nga vështirësitë e pashmangshme.
Kështu, e gjithë familja kujdeset për të. Edhe dy vajzat dhe djali tjetër që jetonin në shtëpi, na kanë ndihmuar shumë dhe u jam shumë mirënjohës. Gjithashtu, si Dëshmitarë të Jehovait, kemi pasur mbështetje të mrekullueshme nga pjesëtarë të kongregacionit. Nganjëherë na kanë siguruar ndonjë vakt e madje janë kujdesur për Andrean që ne të predikonim ose të bënim ndonjë gjë tjetër.
Gjithnjë kemi mbajtur në mendje fjalët e Isaisë 33:24, ku tregohet premtimi i Perëndisë se një ditë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» Jemi më se të bindur se Perëndia do ta plotësojë qëllimin e tij për të sjellë një botë të re dhe për të shfarosur të gjitha sëmundjet. (2 Pjetrit 3:13) Mezi presim atë ditë kur Andrea do të shërohet. Ndërkohë kemi besim në fjalët e Jezuit se, po të vëmë në vend të parë interesat e Mbretërisë së Perëndisë, do t’i kemi gjërat që na nevojiten. (Mateu 6:33) Gjithnjë e kemi provuar këtë në jetën tonë. Kurrë s’na ka munguar gjë.
Vërtet, jo të gjithë janë në gjendje të kujdesen në shtëpi për një familjar të sëmurë. Atyre që po e bëjnë këtë u këshilloj para së gjithash të luten me zjarr dhe rregullisht. (1 Pjetrit 5:6, 7) Së dyti, kujdesuni dhe jepini dashuri fëmijës dhe kurrë mos e nënvlerësoni aftësinë e tij për të mësuar që ta dojë Perëndinë Jehova. (Efesianëve 6:4) Së treti, përfshijeni të gjithë familjen dhe lërini t’ju ndihmojnë. Së katërti, mbani mend se shtëpia juaj është pikërisht vendi ku fëmija do të marrë më shumë dashuri. Sigurisht, rrethanat janë të ndryshme. Sa për ne, kurrë nuk jemi bërë pishman që e mbajtëm Andrean në shtëpi. Për mua ai është fëmija më i ëmbël, në fakt, burri më i ëmbël që njoh.
[Kutia dhe figurat në faqen 16]
Të jesh fëmijë i adoptuar
Treguar nga Keniata Jangu, Shtetet e Bashkuara
«Kur rritesh me njerk ke lidhje gjaku me njërin prind. Por unë që jam e adoptuar, nuk e kam. As nuk e di kujt i ngjaj.»
S’ E KAM idenë kush është babai im dhe nuk e kam takuar kurrë nënën time. Ajo abuzonte me alkoolin dhe drogën kur ishte shtatzënë me mua. Më çuan në familje të ndryshme dhe, pa mbushur as dy vjeç, kisha ndërruar disa familje.
Babai im adoptues thotë se, kur punonjësja sociale i tregoi fotografinë time, në çast i hyra në zemër. Me mamin më ngjiti menjëherë. I thashë se ishte mami im dhe se doja të shkoja me të në shtëpi.
Megjithatë, mbaj mend se, kur isha fëmijë, kisha frikë se do të bëja ndonjë gabim dhe do të më kthenin në shtëpinë e fëmijës. Mendoja se nuk duhej të më shihnin të mërzitur dhe as nuk duhej të sëmuresha si fëmijët e tjerë, madje mundohesha as të mos ftohesha. Prindërit më siguronin vazhdimisht se më donin dhe nuk do të më braktisnin.
Edhe tani që jam e rritur, hera-herës luftoj me ndjenjën se nuk kam aq vlerë sa ata që janë rritur nga prindërit e tyre natyrorë. Por tamam kur qetësohem, dikush më thotë: «Duhet të jesh shumë mirënjohëse që ke prindër të mrekullueshëm, të cilët kanë një zemër aq të madhe sa të adoptuan.» Unë jam mirënjohëse, por komente të tilla më bëjnë të mendoj se kam diçka që nuk shkon dhe se dikujt do t’i duheshin përpjekje të jashtëzakonshme për të më dashur.
E kam të vështirë ta pranoj se nuk do ta njoh kurrë tim atë. Nganjëherë më vret mendimi se nëna që më lindi nuk e la drogën dhe alkoolin që të më mbante, a thua se unë nuk ia vleja. Ka edhe raste kur më vjen keq për të. Shpesh mendoj se, po ta takoja, do t’i thosha se ia dola mbanë në jetë dhe se nuk duhet të ndihet keq që më la.
Prindërit adoptues janë Dëshmitarë të Jehovait dhe një nga dhuratat më të bukura që më kanë dhënë është njohuria e Biblës. Fjalët e Psalmit 27:10 gjithnjë më japin zemër: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» Kjo është më se e vërtetë. Veç kësaj, të jesh e adoptuar ka disa të mira. Për shembull, më pëlqen shumë t’i njoh njerëzit—origjinën dhe jetën e tyre—me siguri ngaqë nuk e di origjinën time. I dua njerëzit, dhe kjo është mjaft e rëndësishme për predikimin që bëjmë si të krishterë. Të jem Dëshmitare e Jehovait dhe t’u flas të tjerëve për Biblën, më jep dinjitet dhe qëllim në jetë. Kur më kap trishtimi, dal dhe ndihmoj të tjerët. Duke u mësuar njerëzve për Biblën, lidhem me ta. Çdokush ka historinë e jetës së vet.
[Kutia dhe figurat në faqen 17]
Të përballosh vdekjen e prindit
Treguar nga Anxhela Rëtgersi, Australi
«Kur më vdiq babi, ndihesha sikur më kishin shembur murin mbrojtës. Njeriu që dinte gjithçka dhe që mund të rregullonte gjithçka në jetën time, nuk ishte më.»
BABAI vdiq para dhjetë vjetësh kur isha adoleshente. Gjashtë muaj para se të vdiste bëri një operacion dhe, kur ishte ende në spital, mjeku na tha se s’kishin ç’t’i bënin më. Mami e pyeste më kot për të gjetur ndonjë fije shprese, tim vëllai i ra të fikët, kurse unë u mbyta në një vorbull ndjenjash nga e cila s’dilja dot. Gjashtë muaj më vonë babi vdiq.
Kalova një periudhë me lloj-lloj ndjenjash kontradiktore. Doja që shokët e mi ta kuptonin se çfarë po përjetoja, por nuk doja të më trajtonin si viktimë. Kështu mundohesha të mos e jepja veten. Nga ana tjetër mendoja se, po të shijoja shoqërinë e tyre, jeta ime do të dukej sërish normale, dhe kjo s’ishte e vërtetë. Tani them me vete kushedi ç’kanë hequr shokët me mua.
A më ka ngelur ndonjë peng nga vdekja e babit? Po. Do të doja t’i kisha thënë më shpesh: «Të kam xhan.» Ta kisha përqafuar më shumë ose të kisha ndenjur më shumë me të. Megjithëse ia them kushedi sa herë vetes se ai nuk do të donte që të mendoja kështu, prapëseprapë më bren përbrenda.
Si Dëshmitare e Jehovait më ngushëllon shumë shpresa e ringjalljes që bazohet në Bibël. (Gjoni 5:28, 29) Përpiqem ta mendoj babin sikur ka shkuar në një udhëtim jashtë vendit dhe një ditë do të kthehet në shtëpi, por kur, nuk dihet me saktësi. Në fillim, kur njerëzit më thoshin se babi do të ringjallet, çuditërisht nuk inkurajohesha. Me vete thosha: «Unë e dua babin tani!» Por ilustrimi me udhëtimin jashtë shtetit më ndihmoi. Ai nënkuptonte ringjalljen, por, ndërkohë, më jepte zemër të përballoja zbrazëtinë.
Bashkëbesimtarët e krishterë më kanë mbështetur jashtë mase. Sidomos më kujtohet njëri që më tha se e kishte të zorshme të fliste për vdekjen e babit, por se gjithnjë e kishte mendjen tek unë dhe te familja ime. Më ngelën në mendje ato fjalë. Më ndihmuan gjatë atyre ditëve kur askush nuk thoshte gjë, pasi më bënë të kuptoja se mendonin për mua dhe për familjen time, edhe nëse nuk flitnin. Sa më ngrohte kjo!
Katër muaj pas vdekjes së babit, mami filloi të predikonte më shumë dhe vëreja se asgjë nuk i sillte gëzim më të madh. Kështu edhe unë bëra si ajo. Është e mahnitshme sa forcë merr kur ndihmon të tjerët. Kjo ma ka forcuar besimin në Fjalën e Jehovait, në premtimet e tij, madje edhe tani më ndihmon të shoh përtej dhembjes sime.