Sekreti 4: Respekti
Sekreti 4: Respekti
«Hiqni çdo . . . të bërtitur dhe sharje.»—Efesianëve 4:31.
Çfarë do të thotë? Si familjet me probleme, ashtu edhe familjet e suksesshme kanë mosmarrëveshje. Por, këto familje problemet i diskutojnë pa përdorur sarkazëm, fyerje a të folur tjetër lëndues. Pjesëtarët e familjes e trajtojnë njëri-tjetrin siç do të donin që t’i trajtonin edhe ata vetë.—Mateu 7:12.
Pse ka rëndësi? Fjalët mund të kthehen në armë me pasoja shkatërrimtare. Një proverb biblik thotë: «Më mirë të banosh në shkretëtirë, se i acaruar me një grua që ndez grindje.» (Proverbat 21:19) Sigurisht, e njëjta gjë vlen edhe për burrin që ndez grindje. Ndërsa kur bëhet fjalë për prindërit, Bibla thotë: «Mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.» (Kolosianëve 3:21) Fëmijët që kritikohen vazhdimisht mund të mendojnë se prindërit e tyre nuk kënaqen kurrë. Madje mund të dorëzohen e të mos përpiqen.
Bëj këtë provë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme, kupto sa respekt tregohet në familjen tënde.
▪ A ikën ndonjëri nga ne gjithë nerva sa herë kemi mosmarrëveshje?
▪ Kur flas me bashkëshorten ose me fëmijët, a përdor fjalë fyese si «budallaqe», «idiote» ose diçka të ngjashme?
▪ A jam rritur në një ambient ku i foluri lëndues ishte i zakonshëm?
Merr një vendim. Mendo për një ose dy synime që mund të vësh për të treguar respekt kur flet. (Një ide: ji i vendosur të shprehesh me fjalën «unë», jo me fjalën «ti». Për shembull, në vend që të thuash: «Ti gjithmonë . . . » thuaj: «A e di sa vritem kur ti . . . »)
Po sikur t’ia thuash bashkëshortes synimet e tua? Pas tre muajsh, pyete bashkëshorten sa ke përmirësuar.
Mendo si të vësh disa kufij që të mos përdorësh të folur lëndues kur komunikon me fëmijët.
Po sikur t’u kërkosh falje fëmijëve për ato raste kur ndoshta u ke folur ashpër ose me sarkazëm?
[Figura në faqen 6]
Ashtu si dallgët gërryejnë shkëmbin, edhe i foluri lëndues mund ta dobësojë familjen kur është zakon