Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪«Po përballemi me një rrezik shumë serioz [krizën politike në Gjeorgji], . . . Perëndia është me ne dhe Virgjëresha Mari po [na] mbron, por diçka na shqetëson shumë: ortodoksët rusë po bombardojnë ortodoksët gjeorgjianë.»—PATRIARKU I PËRGJITHSHËM GJEORGJIAN ILIA II.
▪ «Konsultimet me mjekun për kontraceptivët në rast urgjent ose për të famshmen pilulë të mëngjesit pasues, u trefishuan në gjashtë muajt e fundit [dhe] shitjet janë rritur mbi 200% që nga viti 2004. . . . Kërkesat për konsultime shtohen të hënave. Shumica vijnë nga adoleshentët.»—CLARÍN, ARGJENTINË.
▪ Secili nga përdoruesit e celularit në Amerikë, të moshave nga 13 deri në 17 vjeç, «nga prilli gjer në qershor [të vitit 2008] ka dërguar ose ka marrë mesatarisht 1.742 mesazhe në muaj».—THE NEW YORK TIMES, SHBA.
▪ «Çrregullimet mendore prekin gati 12% të popullsisë së botës.»—FEDERATA BOTËRORE PËR SHËNDETIN MENDOR, SHBA.
▪ «Përafërsisht një në pesë të rritur evropianë kanë provuar [kanabisin, burimin e marihuanës].»—QENDRA EVROPIANE E VËZHGIMIT PËR DROGËN DHE VARËSINË NGA DROGA, PORTUGALI.
Gërmimet nxjerrin në dritë emra biblikë
Arkeologët që po gërmonin në të lashtin Qytet të Davidit, në Jerusalem, kanë zbuluar shenjën e një vule argjile 2.600-vjeçare me emrin: «Gedaliahu biri i Pashkurit». Për Gedaliahun flitet në Bibël te Jeremia 38:1, siç flitet edhe për Jehukhalin, i quajtur «Jukali [shkurtim i emrit Jehukal (Jehukhal)], biri i Shelemiahut», emri i të cilit u gjet në një vulë po në atë zonë në vitin 2005. Dy burrat ishin zyrtarë në oborrin e mbretit Zedekia. Gazeta The Jerusalem Post thotë: «Kjo është hera e parë në historikun e arkeologjisë së Izraelit që dy vula argjile me dy emra biblikë të cilët përmenden në të njëjtin varg të Biblës, të zbulohen në të njëjtin vend.»
Teknologjia kundër krimit
Policia e Nju-Jorkut merr shumicën e thirrjeve urgjente nga qytetarët nëpërmjet telefonit. Përparimet e kohëve të fundit në teknologji kanë bërë të mundur që me policinë të komunikohet me anë të mesazheve në celular. «Tani qytetarët nxiten të filmojnë me celular krimin ndërsa ndodh dhe t’ia dërgojnë filmimin policisë»,—thotë gazeta The New York Times. Gazeta shton se po merren masa edhe «për t’i krijuar mundësi Qendrës së Informimit në Çast për Krimet që t’ua dërgojë në mënyrë të rrufeshme fotografitë makinave patrulluese në zonën e krimit».
Laraskat e njohin veten
«Mendohej se vetëm shimpanzetë, delfinët dhe elefantët kishin aftësinë për ta njohur veten në pasqyrë ashtu si njerëzit»,—raporton agjencia e lajmeve Rojters. Tani edhe laraskat euraziatike janë njohur si pjesë e kësaj «shoqate», që në përgjithësi mendohej se përbëhej nga një elitë e kufizuar. Studiuesit u bënë laraskave një pullë të ngjyrosur që mund ta shihnin vetëm në pasqyrë. «Zogjtë e kruanin vazhdimisht pullën, duke treguar se e kuptonin që pamja që u shfaqej në pasqyrë ishte vetja e tyre dhe jo ndonjë kafshë tjetër»,—thotë Rojters.