A kam nevojë për shokë më të mirë?
Të rinjtë pyesin
A kam nevojë për shokë më të mirë?
«Kur jam me nerva, dua dikë që të shfryj. Kur jam e mërzitur, dua dikë që të më thotë se çdo gjë do të rregullohet. Kur jam e gëzuar, dua dikë që të gëzojmë bashkë. Për mua shokët janë të domosdoshëm.»—Britania.
THUHET se fëmijët kanë nevojë për shokë që të luajnë, kurse adoleshentët kanë nevojë për miq. Ku është ndryshimi?
Një shok loje është dikush që të bën shoqëri.
Një mik është dikush që, veç të tjerash, ka të njëjtat parime si ti.
Për më tepër, Bibla thotë se «shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira». (Proverbat 17:17) Pa dyshim, këtu bëhet fjalë për një shoqëri më të ngushtë se ajo që gjen në fushën e lojës.
Fakt: Dora-dorës që shkon drejt moshës së rritur, ke nevojë për shokë që:
(1) Kanë cilësi të admirueshme.
(2) Jetojnë sipas normave të lavdërueshme.
(3) Kanë ndikim të mirë te ti.
Pyetje: Nga ta kuptosh nëse shokët e tu i plotësojnë këto kërkesa? Le t’i shqyrtojmë një nga një.
Kërkesa nr. 1 për miqësinë: Cilësi të admirueshme
Çfarë duhet të dish? Jo kushdo që thotë se të ka shok i plotëson kërkesat për t’u quajtur i tillë. Madje Bibla thotë se «ka nga ata shokë që janë gati ta bëjnë copë njëri-tjetrin». (Proverbat 18:24) Ky rast mund të të duket ekstrem. Por mendo pak: a ke pasur ndonjë «shok» që ka përfituar nga ti? Po ndonjë që ka folur prapa krahëve ose ka përhapur thashetheme për ty? Këto përvoja mund të ta shkatërrojnë besimin te të tjerët. * Gjithnjë mbaj parasysh se, kur është fjala për shokët, më mirë pak e sak.
Çfarë të bësh? Zgjidh si shokë ata që kanë cilësi që ia vlen t’i imitosh.
«Të gjithë mendojnë mirë për shoqen time, Fionën. Dua të flasin ashtu edhe për mua. Dua që edhe unë të kem një reputacion të mirë si ajo. Për mua, kjo është e admirueshme.»—Iveta, 17 vjeçe.
Bëj këtë shqyrtim.
1. Lexo Galatasve 5:22, 23.
2. Pyet veten: «A i pasqyrojnë shokët e mi cilësitë e ‘frytit të frymës’?»
3. Rendit më poshtë emrat e shokëve të tu më të ngushtë. Përbri secilit, shkruaj cilësinë që e karakterizon.
Emri Cilësia
․․․․․ ․․․․․
․․․․․ ․․․․․
․․․․․ ․․․․․
Këshillë: Në qoftë se të vijnë ndër mend vetëm të meta, mbase është koha të kërkosh shokë më të mirë.
Kërkesa nr. 2 për miqësinë: Norma të lavdërueshme
Çfarë duhet të dish? Sa më shumë ta ndiesh mungesën e shokëve, aq më i prirur je t’i ulësh kërkesat. Bibla thotë: «Atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.» (Proverbat 13:20) Fjala «budallenjtë» nuk nënkupton njerëz që nuk janë inteligjentë. Ajo përshkruan ata që nuk ua vënë veshin arsyetimeve të shëndosha, por ndjekin një rrugë të pamoralshme. Këta lloj shokësh më mirë të mos i kesh.
Çfarë të bësh? Në vend që të miqësohesh me këdo që pranon shoqërinë tënde, zgjidh me kujdes. (Psalmi 26:4) Kjo s’do të thotë se duhet të kesh paragjykime. Në këtë kontekst, të zgjedhësh me kujdes do të thotë të tregohesh aq i mprehtë sa ‘të shohësh dallimin mes të drejtit dhe të ligut, mes atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben’.—Malakia 3:18.
Perëndia nuk është i anshëm, por zgjedh me kujdes se kë do të pranojë si ‘mysafir në tendën e tij’. (Psalmi 15:1-5) Edhe ti mund të veprosh po njëlloj. Ndiq norma të drejta dhe të tjerë që po përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë do të të afrohen. Në fund të fundit, ata janë shokët më të mirë.
«U jam mirënjohës prindërve që më ndihmuan të zë shoqëri me moshatarë që ndjekin normat e Perëndisë.»—Kristofori, 13 vjeç.
Bëj këtë shqyrtim.
Përgjigjju pyetjeve të mëposhtme:
▪ Kur jam me shokët, a jam shpesh në ankth se mund të më shtyjnë të bëj diçka që e di se është e gabuar?
□ Po □ Jo
▪ A ngurroj t’ua prezantoj shokët prindërve, ngaqë kam frikë se prindërve nuk do t’u pëlqejnë?
□ Po □ Jo
Këshillë: Nëse u je përgjigjur po pyetjeve të mësipërme, kërko shokë që ndjekin norma më të larta. Pse të mos fillosh me ata që janë pak më të mëdhenj se ti dhe që janë shembullorë ndërsa zbatojnë Fjalën e Perëndisë?
Kërkesa nr. 3 për miqësinë: Ndikim i mirë
Çfarë duhet të dish? Në Bibël thuhet: «Shokët e këqij prishin cilësitë e mira.» (1 Korintasve 15:33, Today’s English Version) Një e re me emrin Lorena thotë: «Shokët më përfshinin në grup për sa kohë bëja siç më thoshin ata. Ndihesha e vetmuar, prandaj vendosa të veproja si ata që të më pranonin.» Lorena kuptoi se, kur ndjek normat e të tjerëve, bëhesh si gur shahu dhe ata të lëvizin si t’u teket. Ti meriton më shumë se kaq!
Çfarë të bësh? Preji lidhjet me ata që ngulin këmbë të ndryshosh për të imituar sjelljen e tyre. Atëherë do të ndihesh më mirë me veten dhe do t’u hapësh udhë miqësive më të mira, ato lloj miqësish që ndikojnë për mirë te ti.—Romakëve 12:2.
«Shoku im i ngushtë, Klinti, është i matur dhe ka kujdes për ndjenjat e të tjerëve. Kështu kam mësuar shumë prej tij.»—Xhejsoni, 21 vjeç.
Bëj këtë shqyrtim.
Pyete veten:
▪ A e ndryshoj mënyrën si vishem, si flas e si sillem që t’u pëlqej shokëve?
□ Po □ Jo
▪ A ndodh të shkoj në vende të rrezikshme për moralin vetëm për hatër të shokëve?
□ Po □ Jo
Këshillë: Nëse u je përgjigjur po pyetjeve të mësipërme, kërkoju këshilla prindërve a ndonjë të rrituri të pjekur. Po të jesh Dëshmitar i Jehovait, mund të flasësh edhe me një plak kongregacioni dhe tregoji se ke nevojë për ndihmë që të zgjedhësh shokë që ndikojnë për mirë te ti.
[Shënimi]
^ par. 14 Natyrisht, kushdo bën gabime. (Romakëve 3:23) Pra, kur një shok të lëndon, por tregon se është penduar sinqerisht, mos harro se «dashuria mbulon një shumicë mëkatesh».—1 Pjetrit 4:8.
PËR TË MENDUAR
▪ Çfarë cilësish vlerëson më shumë te një shok dhe pse?
▪ Me çfarë cilësish duhet të punosh që të jesh shok më i mirë?
[Kutia dhe figurat në faqen 19]
JA Ç’THONË MOSHATARËT E TU
«Kur prindërit më shkëputën nga një grup shokësh, thashë me vete se ata ishin të vetmit me të cilët doja të shoqërohesha. Por këshilla e prindërve ishte e mirë dhe, kur m’u hapën sytë, kuptova se mund të gjeja plot shokë më të mirë.»—Koli.
«Pjesëmarrja në shërbimin e krishterë është mënyra më e mirë që të njoh pjesëtarët e kongregacionit. Kështu shoqërohem me njerëz të ndryshëm, të rinj e të moshuar. Gjithashtu e kaloj kohën me ata që e duan Jehovain.»—Iveta.
«Isha lutur të gjeja shokë, por pastaj kuptova se nuk po bëja asgjë për këtë. Prandaj, në mbledhjet e kongregacionit u afrohesha vetë të tjerëve dhe futesha në muhabet. S’kaloi shumë dhe zura plot shokë. Nuk ndodh thuajse kurrë që të ndihem i vetmuar.»—Semi.
[Kutia në faqen 20]
DISA SUGJERIME
Fol me prindërit për miqësinë. Pyeti çfarë shokësh kishin kur ishin në moshën tënde. A u vjen keq për zgjedhjet e tyre? Nëse po, pse? Pyeti si mund t’i shmangësh disa nga problemet që kaluan ata.
Prezantojua prindërve shokët e tu. Nëse ngurron ta bësh këtë, pyet veten: «Pse ndodh kjo?» A kanë shokët e tu ndonjë gjë që ti e di se prindërit nuk e pëlqejnë? Nëse po, mbase duhet t’i zgjedhësh më me kujdes shokët.
[Kutia në faqen 20]
TRI MËNYRA PËR T’I RUAJTUR SHOQËRITË E MIRA
▪ Dëgjo me vëmendje. Interesohu si po u ecin punët shokëve të tu dhe çfarë i shqetëson.—Filipianëve 2:4.
▪ Fal. Mos prit përsosmëri. «Të gjithë ne pengohemi shumë herë.»—Jakovi 3:2.
▪ Lëri të lirë. S’ka pse të jesh shumë i ngjitur. Shokët e vërtetë do të të gjenden pranë kur të kesh nevojë për ta.—Eklisiastiu 4:9, 10.
[Figura në faqet 18, 19]
Kur ndjek normat e të tjerëve që të të pranojnë, bëhesh si gur shahu dhe ata të lëvizin si t’u teket