Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paua​—Opali i detit

Paua​—Opali i detit

Paua​—Opali i detit

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZELANDËN E RE

Nën ujërat e oqeanit, një butak gjigant lëviz ngadalë nëpër shkëmbinj duke kullotur bimësinë që përkundet nga rrymat bregdetare. Ana e jashtme pa shkëlqim e guaskës së tij, e mbuluar me depozitime të shumta gëlqerore dhe krijesa të vockla detare, fsheh anën e brendshme me ngjyra plot reflekse. Nuancat e së kaltrës së lehtë, gurëkalit dhe vjollcës në blu të errët, shkrihen me nuancat e lehta të së verdhës e të rozës dhe ndërthuren me shkëlqime të praruara e të argjendta.

KJO krijesë mahnitëse është paua, një midhje që rritet vetëm në Zelandën e Re. Ajo dhe kushërirat e saj jetojnë nën ujë në brigjet shkëmbore. Ndonëse paua vlerësohet për ngjyrat rrëzëlluese të pjesës së brendshme të guaskës, që mund të përdoret për bizhuteri të bukura, për shumë veta edhe mishi i saj është një ushqim i zgjedhur. Veç kësaj, brenda pauës mund të kultivohen perla tërë shkëlqim.

Paua është një nga më shumë se 100 llojet e midhjeve që gjenden në botë. Midhjet rriten në ujërat bregdetare në të gjithë botën, me përjashtim të Amerikës së Jugut dhe bregut lindor të Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, vetëm në ujërat e ftohta në jug të Paqësorit Jugor mund të gjesh midhjen me ngjyra plot ndriçim të Zelandës së Re, të quajtur paua (Haliotis iris).

Një mrekulli e natyrës

Brenda guaskës së pauës depozitohen shtresat e proteinave dhe të kalciumit që alternohen me njëra-tjetrën. Këto përthyejnë dritën dhe krijojnë reflekse ngjyrash gati njësoj siç bën guri i çmuar opal. Për këtë arsye paua ka marrë emrin opali i detit. Ulja e temperaturës së ujit bën që midhjet të bien në «letargji» ose në gjumë. Në këtë rast, duhet më shumë kohë që të depozitohen shtresat e guaskës. Një specialist i pauës thotë se larmia e ngjyrave mund të vijë si rrjedhojë e lëndëve ushqyese në ujë, si dhe ngjyrave të ndryshme të barishteve detare me të cilat ushqehet.

Pauat janë nazemadhe në të ngrënë dhe sqimatare në zgjedhjen e fqinjve. Ato nuk jetojnë afër iriqëve gjembaçë të detit, të quajtur kina, pasi konkurrojnë për të njëjtat lloje bimësh. Edhe ylli i detit është një armik i rrezikshëm. Mjaftojnë pak prej tyre për të fshirë një koloni me paua. Me dinakëri ylli i detit mbështjell me një tentakulë pjesën ku paua ka vrimat e frymëmarrjes, dhe kështu i zë frymën. Paua shkëputet nga shkëmbi dhe ylli i detit e gllabëron kollaj.

Përdorimet e shumta të pauës

Vërtet që guaska e zezë e pauës nuk është shumë tërheqëse nga jashtë, por ama, për shekuj me radhë, banorët e Zelandës së Re, maorët, e kanë vlerësuar si ushqim mishin e saj. Pjesa e ngrënshme e pauës është një muskul i madh ose këmba, me anë të së cilës kjo krijesë lëviz në terrenin shkëmbor. Maorët e kanë përdorur guaskën e saj edhe për karrem, zbukurime, si edhe për bizhuteri dhe si sy në gdhendjet e tyre.

Sot paua është më e njohur se kurrë. Një udhëtim në Zelandën e Re nuk do të ishte i plotë pa blerë ndonjë bizhuteri me paua.

Sot zhytësit grumbullojnë paua me shumicë, pa pajisjet e frymëmarrjes. Eksporti i pauave është kthyer në një sipërmarrje që sjell miliona e miliona dollarë. Për të siguruar mbijetesën e pauave në ujërat e Zelandës së Re, janë përcaktuar sasitë e lejueshme që mund të mblidhen. Pjesa më e madhe e mishit konservohet për tregun aziatik, kurse një pjesë ngrihet dhe dërgohet në Singapor dhe Hong-Kong, ku paua konsiderohet ushqim i përzgjedhur e shumë i kërkuar. Shpesh shërbehet feta-feta e pagatuar si sushi. Megjithëse pauat gjenden me shumicë në ujërat e Zelandës së Re, shumë vendës nuk e kanë shijuar mishin e pauës, sepse shumica e tyre eksportohen.

Për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të tregut ndërkombëtar, pauat sot kultivohen artificialisht. Kjo metodë ka dalë e suksesshme për midhje të tjera në Australi, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara. Këto metoda të reja bëjnë që pauat të kultivohen në rezervuarë me temperaturë të kontrolluar, shumë larg mjedisit të tyre natyror detar.

Pauat e kultivuara janë po aq hamëse sa edhe ato që rriten në natyrë. Çdo javë ato mund të hanë ushqim që peshon sa gjysma e trupit të tyre. Është e habitshme që pauat janë edhe shumë të shkathëta. Po t’i kthesh së prapthi, ato kthehen shpejt së mbari. Nuk është e vështirë të kujdesesh për pauat e kultivuara. Një specialiste thotë se «ke qejf të rritësh pauat, sepse janë të urta dhe të sjellshme dhe kurrë nuk ‘ta bëjnë fjalën dysh’».

Perlat e pauave

Përveçse janë të mira për bizhuteri dhe për ushqim të shijshëm, pauat prodhojnë edhe perla të lëmuara. Perlat rrallë herë gjenden te pauat që jetojnë në oqean. Por ato mund të kultivohen me anë të një metode që u krijua për herë të parë rreth viteve 1890 nga shkencëtari francez Lui Butan. Si pasojë del një margaritar gjysmësferik që ka të njëjtat ngjyra marramendëse të guaskës. Ç’metodë është kjo?

Paua mbillet zakonisht në tri vende: dy herë anash dhe një herë në pjesën e mbrapme. Dalëngadalë do t’i mbulojë këta elementë të huaj me shtresa sedefi, që përmban karbonat kalciumi dhe konkiolinë. Duhen të paktën 18 muaj dhe mijëra shtresa që të krijohet një perlë e vogël. (Shih kutinë poshtë.) Ndërsa për një margaritar të madh duhen gjashtë vjet. Rreth 1 në 50 paua prodhon një perlë thuajse të përsosur. Ky margaritar ka një sipërfaqe të lëmuar, ngjyra llamburitëse dhe shkëlqim të jashtëzakonshëm.

Studiuesit akoma nuk ia kanë dalë mbanë të prodhojnë një perlë sferike nga paua. Kjo për shkak se, ndryshe nga goca e detit, paua ka një muskul në stomak që nxjerr jashtë çdo rruazë që ndodhet në sistemin e saj të tretjes. Ndoshta një ditë dikush do ta zbulojë sekretin se si të prodhojë perlën sferike të paarritshme të pauës.

Ndërkohë ne mund të kënaqemi me produktet e këtij butaku me përdorim të shumanshëm: me bizhuteritë plot shkëlqim, ushqimin dhe me guaskën tërë ngjyra tërheqëse. A nuk i jemi mirënjohës Perëndisë për këtë dhuratë të mrekullueshme?—Jakovi 1:17.

[Kutia dhe figura në faqet 24, 25]

NJË SHTËPI E FORTË

Përbërësi kryesor i pauës është karbonati i kalciumit. Prej kësaj lënde bëhet edhe shkumësi. Megjithatë, guaska e pauës është 30 herë më e fortë se shkumësi.

Paua e thith karbonatin e kalciumit nga uji i detit dhe me të bën cipa sedefi tepër të holla. Këto cipa jo vetëm që e bëjnë jashtëzakonisht të fortë guaskën, por edhe i japin asaj shkëlqim e plot ngjyra. Këto cipa i bashkon një ngjitës me përbërje proteine dhe sheqeri që quhet konkiolinë. Ky ngjitës i fortë krijon edhe shkëlqimin si pasqyrë.

Shkencëtarët nuk kanë arritur ta kopjojnë këtë ngjitës ose procesin e ndërtimit të guaskës. Guaska mund të riparojë çdo plasaritje dhe ka të paktën pesë mekanizma për t’i rezistuar thyerjes. Paua është vërtet një mrekulli e inxhinierisë dhe e projektimit hyjnor.

[Burimi]

© Humann/​gt photo

[Burimet e figurave në faqen 23]

Sipër majtas: © K.L. Gowlett-Holmes; sipër djathtas: Marcus Byrne/​Photographers Direct

[Burimi i figurës në faqen 25]

Silverdale Marine Hatchery, New Zealand