Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Siti zyrtar i Dëshmitarëve të Jehovait (www.watchtower.org) jep informacione në 314 gjuhë. Vitin e kaluar, më shumë se 22 milionë veta e vizituan këtë sit, pra, mesatarisht mbi 60.000 veta çdo ditë.
▪ «Një nga problemet më të mëdha që has bota sot është të sigurohet për të gjithë ujë i bollshëm dhe i pijshëm. . . . Mjerisht, ndodh shpesh që aty ku ka nevojë për ujë, gjejmë armë.»—BAN KI-MUN, SEKRETARE E PËRGJITHSHME E OKB-së.
Lumturia dhe shëndeti
Mendohet prej kohësh se njerëzit e lumtur dhe optimistë në përgjithësi janë më të shëndetshëm, sesa njerëzit e stresuar, armiqësorë a pesimistë. Në një studim të kohëve të fundit, studiuesit arritën në përfundimin se njerëzit me «humor të mirë» kanë nivele më të ulta të kortizolit, një hormon stresi që mund të ndikojë te një sërë sëmundjesh nëse është vazhdimisht në nivele të larta. Gjithashtu, këta njerëz kanë nivele më të ulta të «dy proteinave që tregojnë inflamacion të përhapur në trup». Sipas dr. Endrju Steptout pranë Kolegjit Universitar, Londër, «gjendja shpirtërore nuk është thjesht çështje trashëgimie, por varet nga marrëdhëniet shoqërore dhe nga ndjesia se jeta jonë ka një qëllim».
Vrojtimi i hënës i lihet teknologjisë së përparuar
Për qindra vjet myslimanët e kanë vrojtuar qiellin për të dalluar drapërin e parë të hënës së re, me të cilin merr fund muaji i ramazanit dhe nis Bajrami. Tradicionalisht, në disa zona vrojtimi duhej bërë me sy të lirë e, pas kësaj, një klerik lajmëronte besimtarët. Megjithatë, vitet e fundit disa klerikë kanë miratuar që për vrojtimin të përdoren metoda të teknologjisë së përparuar. Astronomët iranianë, të shoqëruar nga klerikët që verifikojnë vrojtimet e tyre, tani përdorin teleskopë të fuqishëm, pajisje për vrojtimin natën, madje edhe avionë të pajisur me mjete të ndjeshme vrojtimi. Sa më shpejt të pikaset drapëri i parë, aq më shpejt fillon festa.
A dinë t’i gjykojnë foshnjat njerëzit?
Studiuesit në Universitetin e Jeilit, SHBA, thonë se foshnjat gjashtëmuajshe e «gjykojnë sjelljen e njerëzve para se të fillojnë të flasin». Foshnjat 6-10 muajshe panë një lodër me sy të mëdhenj që mundohej të ngjiste kodra, kurse lodrat e tjera ose e ndihmonin të ngjitej, ose e shtynin të binte. Houston Chronicle shpjegon se foshnjave «iu vunë përpara lodrat për të parë se me cilën do të luanin». Më tej gazeta thotë: «Pothuajse të gjitha foshnjat zgjodhën lodrën që e ndihmonte dhe jo të keqen.» Deri diku «edhe foshnjat mund ta dallojnë ndryshimin midis shokëve të prapë dhe të mirë, e dinë kë të zgjedhin».
‘Etje për ujë të ambalazhuar’
«Duket se Amerika ka etje të pashuar për ujë të ambalazhuar, pasi konsumon gati 30 miliardë shishe në vit»,—thotë U.S.News & World Report. Megjithatë, shumë konsumatorë nuk e kuptojnë se një pjesë e mirë e ujit të ambalazhuar është ujë çezme. Kështu, siç thotë revista, «kushdo që zgjedh për arsye shëndetësore ujin e ambalazhuar, dhe jo atë të çezmës, mashtron veten». Në shumë vende uji i rubinetit kontrollohet sipas kritereve të rrepta. Në krahasim me ujin e ambalazhuar që është «tepër i shtrenjtë», uji i çezmës është «thuajse falas».