Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Shtatë hapa për të qenë prindër më të mirë (gusht 2007) Kjo revistë ishte përgjigjja e lutjeve të mia. Kam një vajzë katërvjeçare që e do Jehovain. Prapëseprapë s’më ndahet frika se mos bëj ndonjë gabim si prind. Prandaj i kërkoj çdo ditë Jehovait të më ndihmojë në rritjen e saj. Faleminderit shumë që merakoseni për ne prindërit.
J. M. A., Meksikë
Kjo seri ishte si një libër me udhëzime enkas për familjen tonë. Shumë nga çështjet që trajtoheshin aty ishin tamam ato që më rëndonin. Artikujt ma forcuan bindjen sa shumë kujdeset Jehovai për popullin e tij. Ai i ka dëgjuar lutjet e mia, ka parë lotët e mi dhe e di sa shumë kisha nevojë për këtë informacion.
Xh. M., Shtetet e Bashkuara
Vetëm në pak faqe kishit përmbledhur këshilla e udhëzime të dobishme e praktike. Tani mbetet vetëm t’i ndjekim këto udhëzime.
E. L., Finlandë
A bën mirë optimizmi për shëndetin? (shtator 2007) Ky artikull më ndihmoi shumë, pasi shpesh ia vija fajin vetes për problemet që më dilnin. Kështu mendoja se nuk isha nënë e mirë dhe kisha shumë stres. Ndonëse nuk e kam të lehtë të jem optimiste, ky informacion m’i lehtësoi shqetësimet. Ju jam shumë mirënjohëse që interesoheni për ne me anë të artikujve të tillë.
A. S., Ekuador
Dhembja e dhëmbit: Histori vuajtjesh (shtator 2007) Jam dentist dhe pedagog stomatologjie. Më bëri mjaft përshtypje artikulli i shkëlqyer dhe i shkruar aq mirë. Ishte një përmbledhje e mrekullueshme e historisë së stomatologjisë. Ua kam dhënë ta lexojnë edhe shumë miqve e kolegëve.
K. R., Shtetet e Bashkuara
A e ka fajin Perëndia? (shtator 2007) Bashkë me disa shokë u mblodhëm, hëngrëm diçka të lehtë dhe folëm si të përgatitemi për raste urgjente. Rishikuam këshillat praktike nga kutia «A jeni të përgatitur për të ikur?» në artikullin e mësipërm. Disa prej nesh kishin përgatitur çanta me pajisje të domosdoshme për raste urgjente dhe u hodhëm një sy. Folëm edhe për rëndësinë që ka një pikëpamje e ekuilibruar rreth përgatitjeve për raste katastrofash. E kuptojmë se detyra jonë kryesore si shërbëtorë të Perëndisë nuk është të mbledhim pajisje për të përballuar katastrofat. Përkundrazi është të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe t’u tregojmë të tjerëve premtimin e tij të mrekullueshëm për një tokë që nuk do të rrezikohet kurrsesi nga asnjë katastrofë, qoftë natyrore, qoftë e shkaktuar nga njeriu.
R. G., Shtetet e Bashkuara
Mbrojini fëmijët tuaj! (tetor 2007) Kanë abuzuar me mua kur isha fare e vogël. Ende nuk ua them dot prindërve çfarë ka ndodhur. Ja pse këta artikuj më ngushëlluan shumë. Uroj me gjithë zemër që prindërit ta lexojnë këtë revistë dhe t’i mbrojnë fëmijët e tyre. I jam tepër mirënjohëse Jehovait që na jep këtë informacion të nevojshëm. Ishte vërtet ngushëlluese për ne që kemi vuajtur nga abuzimi seksual.
R. I., Japoni