A janë shenja alarmi?
A janë shenja alarmi?
«Val Lesa, një fshatar 73-vjeçar në Tuvalu, nuk ka nevojë për raporte shkencore që t’i tregojnë se niveli i detit po ngrihet,—thuhet në gazetën The New Zealand Herald.—Plazhet e fëmijërisë së tij po zhduken. Të mbjellat që dikur ushqenin familjen e tij janë helmuar nga uji i kripur. Në prill [2007], atij iu desh ta linte shtëpinë kur vërshoi një baticë dhe dallgët e mbuluan me copa shkëmbi dhe mbeturina.»
PËR banorët e Tuvalusë, një grup ishujsh jo më shumë se 4 metra mbi nivelin e detit, ngrohja globale nuk është ndonjë dukuri shkencore abstrakte, por, siç thuhet në Herald, «një realitet i përditshëm». * Mijëra veta i kanë lënë ishujt dhe shumë të tjerë po bëhen gati të ikin.
Ndërkohë Roberti që jeton në Brisbejn, Australi, mund ta ujitë kopshtin vetëm në ditë të caktuara duke përdorur një kovë, dhe jo zorrë uji. Gjithashtu, kur nuk shkon te ndonjë lavazh makinash që e riciklon ujin, mund të lajë vetëm pjesë të makinës: pasqyrat, xhamat dhe targat. Pse këto kufizime? Roberti jeton në një pjesë të vendit që po vuan nga një thatësirë, të cilën e kanë quajtur më e rënda e shekullit. Zona të tjera janë edhe më keq. A janë problemet e Australisë dhe të Tuvalusë prova të ngrohjes globale?
Çfarë parashikojnë disa?
Shumë mendojnë se aktiviteti i njeriut është ndër shkaqet kryesore të ngrohjes globale, e cila mund të ketë pasoja katastrofike për klimën dhe mjedisin. Për shembull, shkrirja në masë e akujve të tokës dhe zgjerimi i oqeaneve nga ngrohja e ujit mund të çojnë në rritjen e ndjeshme të nivelit të deteve. Ishujt e ulët, siç janë ishujt Tuvalu, mund të zhduken, po kështu edhe pjesë të mëdha të Holandës e të Floridës, sa për të përmendur vetëm dy zona të tjera. Miliona veta mund të shpërngulen nga vende të tilla, si: Shangai, Kalkuta e pjesë të Bangladeshit.
Ndërkaq rritja e temperaturës mund t’i përkeqësojë stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat. Në Himalaja, zhdukja e akullnajave që ushqejnë një sistem me shtatë lumenj, mund të sjellë mungesa të ujit të pijshëm për 40 për qind të popullsisë së botës. Në rrezik janë edhe mijëra lloje kafshësh, përfshirë arinjtë polarë që territoret e gjuetisë i kanë kryesisht mbi akuj. Raportet tregojnë se shumë arinj po bien në peshë e madje disa po ngordhin urie.
Rritja e temperaturës mund të përhapë edhe sëmundje, pasi krijon terren që të përhapen në masë mushkonjat, këpushat dhe organizmat e tjerë që mbartin sëmundje, përfshirë edhe kërpudhat. «Rreziqet që sjell ndryshimi i klimës janë thuajse po aq të mëdha sa rreziqet e armëve bërthamore,—thuhet në Buletinin e shkencëtarëve bërthamorë (anglisht).—Për momentin pasojat mund të mos jenë edhe aq të rënda . . . , por, gjatë tri ose katër dekadave të ardhshme, ndryshimet klimatike mund t’u shkaktojnë dëme të pandreqshme habitateve nga të cilat varet mbijetesa e shoqërisë njerëzore.» Si për t’i shtuar nota edhe më të kobshme situatës, disa shkencëtarë mendojnë se ndryshimet që lidhen me ngrohjen globale po ngjasin me ritme edhe më të shpejta nga ç’pritej.
A duhet t’u besojmë këtyre parashikimeve? A është vërtet në fije të perit jeta në tokë? Ata që janë mosbesues ndaj ngrohjes globale thonë se këto parashikime të zymta janë të pabaza. Të tjerë nuk janë të sigurt. Pra, cila është e vërteta? A është në rrezik e ardhmja e Tokës dhe e ardhmja jonë?
[Shënimi]
^ par. 3 Ngrohja globale nënkupton një rritje të përgjithshme të temperaturës të atmosferës së Tokës dhe të oqeaneve.