Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Thesaret e vockla të Nihaut

Thesaret e vockla të Nihaut

Thesaret e vockla të Nihaut

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HAVAI

ÇDO dimër dallgë të stuhishme përplasen në brigjet e Nihaut, «Ishullit të Ndaluar» të Havait. Dallgët hedhin në breg sasi të stërmëdha me guaska të vockla e të zbrazëta kërmijsh deti që grumbullohen në disa plazhe. Nihau, i cili zë vetëm 180 kilometra katrorë, është më i vogli ndër shtatë ishujt e banuar të Havait. E pra, është më se e përshtatshme që ky ishull vullkanik të jetë strehë për disa nga thesaret më të vockla të botës: guaskat mahnitëse të Nihaut.

Ndryshe nga fqinji më i afërt, ishulli i Kauait, 27 kilometra në verilindje, Nihau është kryesisht ultësirë dhe i thatë. Po pse quhet Ishulli i Ndaluar? Nihau është pronë private dhe vizitorët e paftuar nuk i kanë dyert e hapura. Meqë banorët i dalin zot vetes për gjithçka, në ishull nuk ka central elektrik, ujë të rrjedhshëm, dyqane dhe postë. Në përpjekje për të ruajtur kulturën e lashtë, rreth 230 vendësit flasin në gjuhën havajane. Kur nuk merren me delet e me lopët, shumë prej tyre shfrytëzojnë «minierën e artë» të guaskave të vockla. *

Gjatë muajve të ngrohtë të dimrit në Havai familjet shkojnë në këmbë ose me biçikletë në rrugët tërë pluhur drejt plazheve të virgjëra dhe gjireve të vogla shkëmbore, ku kalojnë orë të tëra duke mbledhur guaska. Pasi i mbledhin, i hapin të thahen në hije. Më tej i ndajnë sipas madhësisë, cilësisë dhe bëjnë me to varëse të hijshme. Në ishujt më të gjelbëruar, shumë varëse bëhen me lule. Kurse në Nihau, vendin e luleve e zënë guaskat.

«Bizhuteri» nga deti

Guaskat janë përdorur prej kohësh si bizhuteri në Havai. Në fund të shekullit të 18-të eksploruesit e deteve, ndër ta edhe kapiteni Xhejms Kuk, gjetën atje zbukurime me guaska dhe shkruan për to në ditaret e anijeve të tyre. Morën edhe ca me vete, disa mbase nga Nihau. Me kalimin e kohës varëset magjepsëse të Nihaut i shihje te gratë e shquara havajane, duke përfshirë valltaret, madje edhe gratë e sërës mbretërore. Në shekullin e 20-të, falë dyqaneve të suvenirëve, turizmit dhe ushtarëve që kalonin në Havai gjatë Luftës II Botërore, këto bizhuteri të veçanta gjetën një treg më të gjerë. Varëset e mrekullueshme që dikur hijeshonin gratë e fisnikërisë havajane, sot i mbajnë admirues nga vende të afërta e të largëta.

Guaskat që përdoren më shpesh për varëset e Nihaut, në gjuhën havajane quhen momi, laiki dhe kahelelani. Larmia e ngjyrave dhe e disenjove përbën një sfidë të këndshme për artizanin, që zakonisht është grua. Gjithë merak, ajo i shkon guaskat në një varg, e kështu nxjerr nga duart një punë artistike. Përdoren rreth 20 lloje momi vezake e me shkëlqim perlash, ngjyra e të cilave varion nga e bardha borë te kafeja e errët. Kur shkohen në varg sipas stilit aq të kërkuar Lei Pikake, guaskat momi vezulluese e të vockla, vetëm 10 milimetra të gjata, krijojnë varëse që duken si vargje jaseminësh të bardhë erëmirë ose lule pikake.

Në Havai shpesh varëset shumëvargëshe me guaskat e ndritshme laiki që ngjajnë si oriz, stolisin nuset. Këto guaska rrëzëlluese kanë lloj-lloj nuancash, duke filluar nga e bardha dhe e fildishta e deri te bezha në të verdhë, madje disa kanë edhe damarë kafe. Guaskat kahelelani, që mbase kanë marrë emrin e një kryetari fisi havajan, janë të gjata vetëm 5 milimetra. Këto guaska të hijshme në formë çallme janë më të vështirat për t’u shkuar në varg dhe varëset e bëra me to janë më të shtrenjtat. Ngjyrat e tyre variojnë nga vishnja deri te roza e ndezur e cila ndeshet më rrallë dhe e trefishon çmimin.

Si bëhen varëset me guaska nga Nihau?

Pasi zgjedh një model, artizania i pastron guaskat nga rëra dhe i shpon me një fëndyell me majë të hollë. Ndonëse punon me kujdes dhe mjeshtëri, në çdo 3 guaska, 1 thyhet. Pra, duhet të ketë shumë guaska rezervë vetëm për të bërë një varëse, punë që mund të kërkojë vite. Pastaj për vargun përdor një fill najloni që forcohet me çimento që thahet shpejt ose dyllë blete. Tradicionalisht, në dy skajet e fillit vihen guaska të vogla në formë kopse, siç janë guaskat orë diellore ose puka. Ndërkaq, një ose dy guaska kauri të shndritshme vihen aty ku bashkohen skajet e varëses.

Mënyrat e lidhjes së guaskave në varg janë po kaq të shumëllojshme sa edhe vetë disenjot e guaskave. Ndër to është stili klasik i varëseve të bardha njëvargëshe me momi, gjatësia e së cilave shkon nga 150 deri në 190 centimetra. Gjithashtu ka varëse të trasha që përbëhen nga qindra guaska të vockla kahelelani dhe varëse të thurura me modele simetrike të ndërlikuara, disa prej të cilave kanë edhe guaska, edhe fara. Bërja e varëseve është punë e lodhshme, kërkon shumë kohë dhe t’i stërmundon sytë. Por artizanët e duruar dhe plot fantazi të Nihaut krijojnë vazhdimisht varëse të ndërlikuara me bukuri të rrallë. Çdo varëse është e veçantë dhe kuptohet lehtë përse ato konkurrojnë për nga çmimi me gurët e çmuar dhe me bizhuteritë e trashëguara ndër breza, disa prej të cilave kushtojnë mijëra dollarë.

Mbase Nihau ka pak gjelbërim, popullsi të rrallë dhe është i strukur në një qoshe të largët të Havait. Por falë artizanëve artistë dhe gjithë fantazi, njerëzit që jetojnë shumë larg brigjeve plot diell të Nihaut, mund të shijojnë bukurinë e thesareve të «Ishullit të Ndaluar».

[Shënimi]

^ par. 4 Të njëjtat lloje guaskash i gjen edhe në ishujt e tjerë të Havait e gjetkë në Paqësor, por sasia dhe cilësia ndryshojnë nga vendi në vend.

[Figura në faqet 24, 25]

Guaskat e thara i ndajnë sipas madhësisë, cilësisë dhe bëjnë me to varëse të hijshme

[Burimi]

© Robert Holmes

[Figura në faqen 25]

Varëse e përdredhur me guaska «momi»

[Burimi i figurës në faqen 24]

© drr.net