Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nomadët e Azisë që skalitën një perandori

Nomadët e Azisë që skalitën një perandori

Nomadët e Azisë që skalitën një perandori

Rusinë e kish ngërthyer frika dhe pështjellimi. Hordhi kalorësish të armatosur nga lindja u derdhën nëpër stepa si karkalecat, duke vrarë, plaçkitur e shfarosur çdo ushtri që u kundërvihej. E vetmja pjesë e Rusisë që shpëtoi, ishte principata e Novgorodit. Një kronist i turbulluar që e pa këtë me sytë e tij, e përshkroi si pushtim nga «fise të panjohura» që flisnin një gjuhë të çuditshme.

PUSHTUESIT ishin mongolët, një popull që vinte nga rrafshnalta me kullota të blerta që sot njihet si Mongolia e që shtrihet në pjesën qendrore e verilindore të Azisë. Pushtimet e tyre të rrufeshme, që nisën në fillim të shekullit të 13-të të e.s., ia ndryshuan faqen Azisë dhe gjysmës së Evropës. Vetëm në 25 vjet mongolët zaptuan më shumë territore nga sa arritën të shtinin në dorë romakët për katër shekuj. Në kulmin e fuqisë së tyre ata sunduan nga Koreja në Hungari dhe nga Siberia në Indi, perandoria më e madhe në histori me territoret ngjitur njëri-tjetrit!

Përveçse hedhin dritë mbi historinë e Azisë dhe të Evropës, kronikat e perandorisë mongole, relativisht jetëshkurtër, u japin të drejtë shumë mësimeve biblike për natyrën njerëzore dhe sundimin e njeriut mbi njeriun. Në to përfshihet edhe kjo e vërtetë: lavdia e njeriut është e kotë dhe kalimtare. (Psalmi 62:9; 144:4) «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) Siç është treguar me një gjuhë simbolike në Bibël, mbretëritë e fuqishme politike janë sjellë si bisha duke kërkuar me agresivitet të sundojnë mbi kombe të tjera. *

Cilët ishin mongolët?

Mongolët ishin nomadë që jetonin në fise dhe kalorës të aftë që e siguronin jetesën me rritjen e bagëtive, tregtinë dhe gjuetinë. Ndryshe nga shumë popuj të tjerë, ku ata që stërviteshin dhe pajiseshin për luftë ishin vetëm pak, pothuaj çdo mashkull mongol që kishte një kalë dhe një hark, ishte luftëtar i fortë e i pamëshirshëm. Çdo fis ishte besnik i patundur i udhëheqësit të tij, që quhej han.

Pas 20 vjetësh luftë, një han, Temuçini, (rr. 1162-1227), bashkoi gati 27 fise mongole dhe u bë prijësi i tyre. Më vonë, përkrah mongolëve luftuan myslimanët me origjinë turke, të quajtur tatarë. Ja pse, kur orteku i mongolëve u sul drejt perëndimit, evropianët e llahtarisur i quajtën pushtuesit «tartarë». * Në vitin 1206, kur Temuçini sapo kish kaluar të 40-at, mongolët e bënë Çangis Han, titull që mbase do të thotë «sundues i fortë» ose «sundues universal». Gjithashtu, ai njihej edhe si Hani i Madh.

Hordhitë e harkëtarëve të Çangis Hanit suleshin si era dhe gjithë tërbim, duke bërë disa beteja njëherazi në një rreze prej mijëra kilometrash. Ushtarakisht, «ai matej me Aleksandrin e Madh ose Napoleonin I»,​—thotë një enciklopedi. (Encarta Encyclopedia) Jusjani, historian pers dhe bashkëkohës i Çangis Hanit, e përshkroi si njeri «shumë energjik, mendjehollë, gjeni dhe të zgjuar». Veç kësaj, e quajti edhe «kasap».

Përtej Mongolisë

Pjesa veriore e Kinës ishte pushtuar nga mançurianët, që e quanin dinastinë e tyre Jin ose «E artë». Për të arritur deri në territoret mançuriane, mongolët kapërcyen shkretëtirën e frikshme të Gobit, por që s’ishte ndonjë pengesë e madhe për nomadët, pasi po të qe nevoja, ata mbijetonin edhe me qumështin dhe gjakun e kuajve. Megjithëse Çangis Hani i zgjeroi kufijtë e tij deri në Kinë dhe Mançuri, luftimet vazhduan për rreth 20 vjet. Ai rekrutoi dijetarë, artizanë e tregtarë kinezë për të bërë pajisje luftarake, katapulta dhe bomba me barut.

Pasi shtiu në dorë Rrugën e Mëndafshit që lehtësonte tregtinë me vendet e perëndimit të largët, Çangis Hani kërkoi ortakëri në fushën tregtare me fqinjin turk Sulltan Muhamedin. Sulltani sundonte mbi një perandori të paanë që mbulonte territoret e sotme të Afganistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit, Uzbekistanit dhe pjesën më të madhe të Iranit.

Në vitin 1218, një delegacion mongol, gjoja i interesuar për tregti, mbërriti në kufi të territorit të sulltanit. Mirëpo qeveritari i atjeshëm i ekzekutoi, dhe kjo ndezi shkëndijat që çuan në pushtimin e parë të një trualli mysliman nga mongolët. Gjatë tri viteve që pasuan, mongolët, që thuhej se ishin më të shumtë se milingonat, plaçkitën dhe dogjën sistematikisht qytete e ara. Vranë e prenë në masë njerëzit e sulltan Muhamedit, me përjashtim të atyre që zotëronin mjeshtëritë e dëshiruara nga zaptuesit.

Forcat mongole që mendohet se arrinin rreth 20.000, kaptuan Azerbajxhanin e Gjeorgjinë dhe arritën në stepat në veri të Kaukazisë, duke mposhtur çdo ushtri që u dilte para, përfshirë edhe një ruse me 80.000 luftëtarë. Gjatë një ekspedite prej 13.000 kilometrash, mongolët përshkuan rreth e qark detin Kaspik, që konsiderohet nga disa si një nga bëmat më të mëdha kalorësiake në histori. Vargu i pushtimeve krijoi një precedent për zaptimin e ardhshëm të Evropës Lindore nga tiranët e mëvonshëm mongolë.

Pasuesit e Çangis Hanit

Ogodei, i treti nga katër djemtë e Çangis Hanit, të lindur nga gruaja e tij kryesore, zuri vendin e të atit, Hanit të Madh. Ogodei tregoi se i kishte akoma nën kontroll vendet e pushtuara, mori haraç nga vasalët dhe përfundoi pushtimin e dinastisë Jin në pjesën veriore të Kinës.

Për të mbajtur perandorinë dhe jetën luksoze me të cilën ishin mësuar mongolët, në fund Ogodei vendosi të niste përsëri luftën, por kësaj here kundër territoreve që nuk ishin plaçkitur ndonjëherë prej tij. Ai u hodh në sulm në dy fronte​—kundër vendeve evropiane në perëndim dhe kundër dinastisë Sung në jug të Kinës. Fushata kundër vendeve evropiane pati sukses, kurse tjetra, jo. Paçka se arritën disa fitore, mongolët nuk mundën ta pushtonin pjesën kryesore të territorit të sungëve.

Fushata në perëndim

Në vitin 1236, rreth 150.000 kalorës të armatosur u nisën në perëndim drejt Evropës. Fillimisht, vunë në shënjestër viset përgjatë lumit Vollgë, pastaj sulmuan qytet-shtetet ruse dhe Kievin e bënë shkrumb e hi. Mongolët premtuan se s’do t’i preknin qytetet nëse njerëzit u jepnin të dhjetën e çdo gjëje. Mirëpo rusët parapëlqyen të luftonin. Mongolët përdorën katapulta për t’i goditur armiqtë me gurë, vajgur të ndezur dhe nitrat kaliumi. Kur krijoheshin të çara në muret e qytetit, pushtuesit vërshonin brenda tij, duke bërë një masakër aq të madhe, sa një historian shkroi: «S’mbeti sy i hapur për të qarë të vdekurit.»

Forcat mongole bënë kërdinë në Poloni e Hungari dhe iu afruan kufirit të asaj që sot është Gjermania. Evropa Perëndimore mblodhi forcat për t’i bërë ballë sulmit, por mongolët nuk shkuan deri atje. Në dhjetor të vitit 1241, Ogodei Hani vdiq, me sa duket ngaqë piu rëndë. Kështu, komandantët mongolë nxituan të ktheheshin në kryeqytetin e tyre, Karakor, 6.000 kilometra larg, për të zgjedhur një sundimtar të ri.

Vendin e Ogodeit e zuri i biri, Gujuku. Ndër të pranishmit në kurorëzimin e tij ishte edhe një frat italian. Ai kishte udhëtuar 15 muaj nëpër territoret që tashmë u përkitnin mongolëve, për të dorëzuar një kartë nga Papa Inocenti IV. Papa donte të sigurohej se Evropa s’do të kërcënohej më nga pushtime të reja dhe u bëri thirrje mongolëve të pranonin krishterimin. Gujuku nuk ia dha fjalën. Në vend të kësaj, i kërkoi papës të vinte me një delegacion mbretërish për t’i bërë nderime Hanit!

Një tjetër sulm në dy fronte

Hani i Madh që pasoi, ishte Mangu Hani, që hipi në fron në vitin 1251. Ai dhe i vëllai, Hubilaji, nisën sulmet kundër dinastisë së sungëve në jug të Kinës, ndërkohë që një ushtri tjetër u nis drejt perëndimit. Kjo e fundit bëri gërmadhë Bagdadin dhe e detyroi Damaskun të dorëzohej. «Të krishterëve» që kishin luftuar në kryqëzata, iu bë zemra mal për vuajtjet e myslimanëve. Nga ana tjetër, «të krishterët» që jetonin në Bagdad, plaçkitën dhe vranë fqinjët e tyre myslimanë.

Në këtë çast vendimtar, kur mongolët dukej se ishin mprehur të shtypnin botën myslimane, historia u përsërit prapë. Erdhi lajmi se Mangu Hani kishte vdekur. Edhe këtë herë pushtuesit u kthyen pas, por kësaj radhe lanë 10.000 burra të ruanin kufirin. S’kaloi shumë dhe këtë ushtri të mangët e shfarosi një ushtri nga Egjipti.

Sulmi kundër dinastisë së begatë të sungëve në jug të Kinës doli me fitore. Në fakt, Hubilaji e shpalli veten themelues të një dinastie të re kineze, të cilën e quajti Jan. Vendndodhja e kryeqytetit të tij të ri përkon me Pekinin e sotëm. Pasi mundi mbështetësit e fundit të sungëve, nga fundi i viteve 70-të të shekullit të 13-të, Hubilaji sundoi mbi një Kinë që për herë të parë ishte bashkuar që nga rënia e dinastisë Tang, në vitin 907.

Copëzimi dhe rënia

Në fillim të shekullit të 14-të, perandoria e fuqishme mongole filloi të shkërmoqej. Arsyet ishin të shumta. Pikësëpari lufta për pushtet mes pasardhësve të Çangis Hanit e ndau perandorinë në disa hanate. Veç kësaj, mongolët u shkrinë me disa nga qytetërimet që kishin pushtuar. Në Kinë, lufta për pushtet e kishte dobësuar autoritetin e pasardhësve të Hubilajit. Të sfilitur nga sundimi i paaftë, korrupsioni dhe taksat e larta, në vitin 1368, kinezët rrëzuan padronët e tyre Jan, duke i detyruar të ktheheshin në Mongoli.

Si një lubi e tërbuar, furtuna mongole erdhi rrëmbyeshëm, qëndroi pak dhe u fashit shpejt. Megjithatë, ajo la gjurmë në historinë e Evropës dhe të Azisë, duke përfshirë edhe bashkimin e Mongolisë me Kinën. Edhe sot e kësaj dite mongolët e nderojnë hanin e parë të madh, Çangis Hanin, si babanë e kombit të tyre.

[Shënimet]

^ par. 4 Vëre referimet për bishat dhe sundimin politik ose qeverisjen në këto fragmente biblike: Danieli 7:6, 12, 17, 23; 8:20-22; Zbulesa 16:10; 17:3, 9-12.

^ par. 7 Evropianët mendonin se tatarët ishin djaj nga ‘Tartari’. (2 Pjetrit 2:4) Kështu, i quajtën pushtuesit tartarë.

[Kutia dhe figura në faqen 13]

Nga pushtimet te tregtia

Në kulmin e shkëlqimit të saj, dinastia Jan e themeluar nga Hubilaji Han, nxiti tregtinë dhe udhëtimet. Kjo solli atë që është quajtur «shtrirja më e madhe e tregtisë në historinë euraziatike». Bëhet fjalë për kohën kur jetoi shtegtari i madh venecian Marko Polo (1254-1324). * Duke përshkuar tokë ose det, tregtarët arabë, persë, indianë dhe evropianë merrnin me vete kuaj, qilima, xhevahire dhe erëza, e i këmbenin me qeramika, dekorime të llakuara e mëndafsh.

Në 1492-shin, me një kopje të udhëtimeve të Marko Polos në dorë, Kristofor Kolombi nisi lundrimin nga Evropa drejt perëndimit, me shpresën për të rivendosur lidhje tregtie me oborrin mongol. Porse, ai nuk e dinte se kjo perandori kishte marrë fund më shumë se një shekull më parë. Rënia e saj kishte prishur lidhjet e komunikimit, dhe myslimanët e shfrytëzuan këtë për të bllokuar rrugët nga Evropa për në Lindje.

[Shënimi]

^ par. 33 Për një përshkrim të udhëtimit të Marko Polos në Kinë, shih Zgjohuni!, 8 qershor 2004.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

Njiheshin për tolerancën fetare

Megjithëse animistë, mongolët e lashtë ishin tolerantë ndaj besimeve të tjera. Në një libër (The Devil’s Horsemen) shpjegohet se, kur perëndimorët hynë në Karakor, kryeqytetin e Mongolisë, nuk u habitën vetëm nga pasuria, por edhe nga liria fetare atje. Ata panë se kishat, xhamitë dhe tempujt ishin pranë e pranë.

I ashtuquajturi krishterim arriti te mongolët me anë të nestorianëve, që ishin shkëputur nga Kisha Bizantine ose e Lindjes. Nestorianët bënë shumë besimtarë të rinj mes klaneve turke të Azisë, me të cilët u përballën mongolët. Madje, disa gra të kthyera në besim u martuan me anëtarë të familjes mbretërore mongole.

Mongolët e ditëve tona kanë besime të ndryshme. Rreth 30 për qind e popullsisë përbëhet nga ata që thonë se janë animistë, 23 për qind nga budistët lamaistë (tibetianë) dhe 5 për qind nga myslimanët. Pjesa më e madhe e atyre që mbeten, nuk janë fetarë.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Shtrirja e ndikimit mongol

HUNGARI

RUSI

Kiev

Lumi Vollgë

SIBERI

Deti Kaspik

Damask

IRAN

Bagdad

UZBEKISTAN

MONGOLI

Karakor

Shkretëtira e Gobit

KORE

KINË

Pekin

INDI

Novgorod

[Figura në faqen 15]

Tufë kuajsh, Mongoli

[Figura në faqen 15]

Çangis Hani

[Burimi i figurës në faqen 12]

Bildarchiv Preussischer Kulturbesitz/​Art Resource, NY

[Burimet e figurave në faqen 15]

Pamja: © Bruno Morandi/​age fotostock; Çangis Hani: © The Stapleton Collection/​The Bridgeman Art Library