Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bajkali—Liqeni më i thellë në botë

Bajkali—Liqeni më i thellë në botë

Bajkali—Liqeni më i thellë në botë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË RUSI

PËR shekuj me radhë, fiset mongole në zonën e thellë që sot njihet si Siberia Jugore, e kanë parë plot admirim këtë liqen. Vërtet, ka liqene të tjera më të mëdha, por ky është liqeni më i thellë në botë me ujë të ëmbël dhe ka vëllimin më të madh. Një nga emrat që mban edhe sot e kësaj dite, Bajkal, mendohet se ka kuptimin «liqen i pasur» ose «det». Meqë është «kaq i paanë dhe i paparashikueshëm», nganjëherë marinarët përgjatë atyre brigjeve thonë se «do të dalin në det».

Rusëve u fërgëllon zemra kur flitet për liqenin Bajkal. Një shkencëtare nga Moska e quajti «një melodi magjepsëse që e njohim qysh fëmijë». Ka një larmi «notash» kjo melodi: brigje mahnitëse, ujëra të kthjellëta kristal dhe një shumëllojshmëri krijesash që nuk gjenden askund tjetër.

I parë nga hapësira, liqeni Bajkal—me gjatësi rreth 636 km dhe gjerësi maksimale 80 km—ngjason me një gjysmëhënë kaltëroshe. Ai mban një të pestën e ujërave të ëmbla të tokës, pra më shumë se të pesta Liqenet e Mëdha të Amerikës së Veriut. Thellësia e Bajkalit shkon në më shumë se 1.600 metra. Sikur befas Bajkali të thahej, për ta mbushur sërish do të duhej të derdheshin në të për një vit krejt lumenjtë e botës!

Përplasje kontinentesh

Gjeologët kanë hedhur mendimin se në të kaluarën e largët të tokës, një nënkontinent që po zhvendosej ngadalë drejt veriut u përplas me Azinë. Nga tronditja, shtresa shkëmbore gjigante u rrudhosën si të ishin letër varaku, sipërfaqja e tokës u ngrit lart, e kështu u formuan malet Himalaje. Disa mendojnë se kjo përplasje aktivizoi sërish një sërë luginash tektonike në Siberi. Njëra prej tyre quhet sot lugina tektonike e Bajkalit. Në rrjedhën e viteve, malet përqark e mbushën luginën me lym që arrinte në rreth 7 km. Më pas ajo u mbush gjer në buzë me ujë dhe u krijua liqeni Bajkal. Tani në liqen derdhen më se 300 lumenj e përrenj, por prej tij buron veç një: lumi Angara.

Ndryshe nga shumica e liqeneve më të lashta të botës, Bajkali as është mbushur me lym, as është kthyer në kënetë. Arsyeja, sipas shkencëtarëve, është se pllakat tektonike aktive në fund të liqenit ende po largohen nga njëra-tjetra dhe lugina tektonike po zgjerohet. Ndaj, liqeni jo vetëm që s’po mbushet me lym me kalimin e kohës, por po bëhet çdo vit e më i thellë. E falë këtyre pllakave aktive, nga shtrati i liqenit gufojnë burime termale.

Pak çaste mes botës nënujore

Një shëtitje me varkë në mes të liqenit u duket e frikshme disave, sepse uji është i kthjellët kristal, i tejdukshëm si ajri dhe mund të shohësh deri në 50 metra thellësi! Një grup krustacesh të vockla, të quajtura epischura, filtrojnë ujin e liqenit dhe heqin algat e bakteret që turbullojnë shumë liqene. Në ndihmë u vijnë lloje të ndryshme karavidhesh. Këto enden nëpër liqen dhe hanë mbeturinat organike që përndryshe do të kalbeshin. Kështu uji është kaq i pastër, sa, më pak se dy dekada më parë, një mostër që u mor për analiza në laborator, u ndot nga qelqi i epruvetës.

Veç kthjellësisë së tij me famë, uji i Bajkalit është jashtëzakonisht i pasur me oksigjen, ndërkohë që në disa liqene të thella oksigjeni shteron në njëfarë thellësie. Kjo e detyron shumicën e gjallesave ujore në to, të jetojnë sa më afër sipërfaqes. Kurse në Bajkal, rrymat vertikale e horizontale e çojnë oksigjenin në skutat më të thella dhe e përziejnë mirë e mirë ujin. Ndaj, në krejt liqenin vlon jeta.

Në ujërat e ftohta të kristalta, rritet një pyll i harlisur nënujor. Sfungjerët e gjelbër që degëzohen si korale, strehojnë një mori krijesash të vockla. Përqark burimeve termale të liqenit, gëlojnë gjallesa ngrohtësidashëse. Në Bajkal jetojnë më se 2.000 lloje gjallesash, dhe 1.500 prej tyre nuk i gjen në liqenet e tjera.

Bajkali njihet për omulin, një lloj trofte e shijshme e arktikut, që çmohet nga peshkatarët. Këtu sheh edhe krijesa të tjera të rralla, për të mos thënë të çuditshme. Një lloj krimbi i sheshtë arrin gjatësinë 30 cm dhe ushqehet me peshq. Madje, mes kokrrizave të rërës ka edhe organizma njëqelizorë. Liqeni është i famshëm edhe për golomjankën—peshk që gjendet veç në Bajkal, e ndoshta më i çuditshmi nga tërë peshqit këtu.

Golomjanka e vockël është thuajse e tejdukshme, me një vezullim të ylbertë. Jeton afër shtratit të liqenit dhe nuk shumohet me vezë, por lind të vegjël. Një e treta e trupit të saj përbëhet nga dhjami, i pasur me vitaminë A. Ajo duron shtypjen dërrmuese të thellësive 200 deri në 450 m, mirëpo nën rrezet e diellit trupi i shkrin dhe ngelen vetëm dhjami e eshtrat. Golomjanka është ushqimi i preferuar i një banoreje të Bajkalit, ndoshta më të famshmes këtu, i nerpës ose fokës së Bajkalit. Kjo është e vetmja fokë në botë që rritet veç në ujëra të ëmbla.

Ndërrimi i stinëve

Rreth pesë muaj në vit, liqeni është krejt i mbuluar me akull. Deri në fund të janarit, akulli arrin trashësinë një metër a më tepër. Nga vizat që e përshkojnë, ai i ngjason një mozaiku dhe vezullon si qelqet në diell. Kthjellësia të gënjen dhe bën që akulli të duket fare i hollë—kush ecën mbi të mund të shohë edhe shkëmbinjtë në fund të liqenit. Por zakonisht, akulli është aq i fortë sa s’ta merr mendja. Para një shekulli, në dimrin e Luftës ruso-japoneze, ushtria ruse shtroi shina përmes akullit dhe mbi to kaluan 65 lokomotiva!

Nga fundi i prillit gjer në qershor, akulli çahet me kërcëllima gjëmuese e shurdhuese. Zhurmat e pareshtura nga liqeni krijojnë «muzikën e akullit», karakteristike për stinën dhe aq të njohur për vendasit. Natyralisti Xherald Durel shkroi se zhurma e akullit i përngjan «tingëllimave të cimbaleve të vockla [dhe] gërhimave të kënaqura të një tufe macesh». S’kalon shumë e moti ngrohet. Era e dallgët bëjnë pirgje me akullin që shndrit në diell dhe i degdisin brigjeve.

Dora-dorës që nis të duket uji, kthehen zogjtë. Disa nga zogjtë e Bajkalit, si mëllenja e ujit, rrinë tërë dimrin aty ku buron lumi Angara—e vetmja pjesë e liqenit ku uji nuk ngrin kurrë. Tani ata bashkohen me shpezët e tjera të ujit, si rosat, patat, mjellmat e egra dhe çafkat.

Kush e viziton liqenin në qershor, mund të shohë familje arinjsh që ecin tërë potere nëpër cektësira. Ata hanë larva insektesh që dalin mizëri nga vezët e shtruara nëpër shkëmbinj. Shkrihen nga kënaqësia tek i marrin me gjuhë insektet, pa e prishur terezinë për gumëzhitjen rreth e rrotull. Të joshur nga gostia e harbuar e arinjve, shumë kafshë e zogj turren drejt brigjeve.

Në pranverën e hershme dhe në verë, hera-herës liqeni lulëzon nga algat, që janë ushqimi i krustaceve të vogla, dhe i japin ujit nuancën e gjelbër. Veçse kur e sheh nga bregu, zakonisht liqeni ka ngjyrë gurkali, kurse në zemër të tij, blu të thellë si oqean.

Brigjeve të zë syri edhe duna rëre, edhe shkëmbinj hijerëndë. Gjiret e kepat piktoreske krijojnë peizazhe mahnitëse. Për sfond kanë një «hapësirë të paanë me shkëlqim të ëmbël perle, përherë në ndryshim», siç e përshkroi një shkrimtar, një panoramë ku ndërthuren uji e qielli dhe që ndërron faqe pareshtur.

Teksa muajt shkojnë, në liqen shpesh shpërthejnë stuhi. Vjeshta sjell erëra që zbresin në liqen me tërbimin e një uragani. Sa hap e mbyll sytë, ato e trazojnë hapësirën e paqtë të liqenit dhe ngrenë dallgë të zemëruara, 4 deri në 6 metra të larta. Por edhe në periudha të tjera të vitit, ka rastisur që erërat të mbytin anije të mëdha pasagjerësh e peshkarexha.

Panorama të larmishme

Nga klima e egër e Siberisë, liqeni Bajkal ndoshta i ngjason një gjiganti të vetmuar e të ftohtë, por në të vërtetë përreth tij zien jeta dhe mund të soditësh panorama të larmishme. Katër vargmalet madhështore që rrethojnë liqenin, janë shtëpia e drerit polar dhe e dhisë siberiane të maleve.

Më poshtë gjenden stepat. Disa nga këto rrafshnalta të gjelbëruara mund të quhen kopshti me lule i Siberisë prej shumëllojshmërisë marramendëse të luleve. Ndër zogjtë e rrallë të stepave, janë krilla e hirtë elegante dhe otarda, shpendi më i madh i Azisë.

Për liqenin Bajkal ka shumë rëndësi tajga, pylli i dendur halor rreth tij. Ajo është sa dyfishi i pyllit të shiut të Amazonës në Brazil dhe, njësoj si ai, luan rol kyç në ekologjinë dhe klimën e botës. Edhe rosa e hijshme e Bajkalit, që tregohet në faqen 17, e viziton shpesh liqenin.

Një gjitar interesant e i famshëm është zibelini i Barguzinit. Falë mbrojtësve të natyrës, zibelini, që dikur gjuhej pa mëshirë për gëzofin e shndritshëm, po shtohet sërish. Në përpjekje për ta shpëtuar këtë krijesë të bukur, në brigjet e Bajkalit u ngrit më 1916 Rezervati Natyror i Barguzinit. Sot, buzë liqenit gjenden tri rezervate natyrore, si edhe tri parqe kombëtare të hapura për publikun.

Kundrojmë thellësitë e krijimit

Liqeni Bajkal është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vend tërheqës për turistët. Çdo vit, këtu vijnë më shumë se 300.000 turistë nga mbarë bota. «Sot Bajkali është një parajsë për natyralistët dhe vend ideal për pak prehje,—thuhet në një artikull për turizmin.—Me plazhet fantastike, vendet e shkëlqyera për ekskursione, rastet për të soditur lloj-lloj zogjsh e për të shijuar shëtitjet me varkë, Bajkalit s’i mungon asgjë që të jetë ndër vendet më të këndshme për pushime në Azi.»

Këtu mund të kundrosh madhështinë e krijimit dhe të zhytesh në mendime për mençurinë e pafund të Perëndisë. E kush tjetër veç Tij mund t’i krijonte tërë proceset natyrore falë të cilave vlon jeta në këtë liqen të mrekullueshëm?! Tek qëndron buzë liqenit Bajkal, mund të ndihesh si një shkrimtar i Biblës, që tha plot ndjenjë: «O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë!»​—Romakëve 11:33.

[Kutia dhe figura në faqet 16, 17]

NJË FOKË QË JETON VEÇ NË UJËRA TË ËMBLA

Liqeni Bajkal është shtëpia e dhjetëra mijë nerpave, ose fokave të Bajkalit, që ushqehen tërë vitin me peshqit e thellësive. Se si ka ndodhur që sot nerpën e gjen vetëm në zemër të Siberisë e askund tjetër, asnjë s’e di me siguri. Kushërira e saj më e afërt jeton rreth 3.220 km larg.

Nerpat kanë turi të shtypur e sy goxha të mëdhenj afër e afër njëri-tjetrit, dhe janë fokat më të vogla në botë, të gjata vetëm 1,4 metra. Shpesh i sheh tek ngrohen në diell, të shtrira mbi plloça guri. Rrinë miqësisht pranë e pranë, pa kafshimet e të shtyrat që janë karakteristike për shumicën e fokave. Nerpa është vërtet e butë dhe ndoshta është foka më miqësore në botë.

Një biolog që studion fokat tha se nerpa «është edhe më e butë se foka paqësore me unaza dhe nuk kafshon kur e kapin me rrjetë për qëllime shkencore». Në një enciklopedi flitet për disa zhytës të thellësive që iu afruan nerpave tek flinin. Edhe pse i prekën, e madje i kthyen nga ana tjetër, ata thanë se nerpat nuk u zgjuan.

[Burimi]

Dr. Konstantin Mikhailov/​Naturfoto-Online

[Kutia dhe figura në faqen 18]

VEND INTERNIMI

Nga viti 1951 deri më 1965, shumë Dëshmitarë të Jehovait që nuk pranuan të bënin kompromis me bindjet e tyre fetare, i syrgjynosën në zonën e liqenit Bajkal. Praskovja Volosjankon e internuan më 1951 në Olkhon, ishullin më të madh të Bajkalit. Bashkë me Dëshmitarë të tjerë të internuar, zinte peshk me rrjeta për të mbajtur frymën gjallë. Gjithsesi, gjente mënyra për të marrë pjesë edhe në një lloj tjetër «peshkimi»—përdorte Biblën për t’u dhënë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë shumë banorëve të Olkhonit.

Më 1953, Praskovjan dhe gjashtë Dëshmitarë të tjerë i arrestuan ngaqë predikonin. E dënuan me 25 vjet burg. Pas lirimit nga burgu, shërbeu besnike në një kongregacion të Usolje-Sibirskojes. Sot në zonën e Bajkalit e në qytetin fqinj të Irkutskut, lulëzojnë rreth 30 kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait.

[Harta në faqen 15]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

RUSI

Liqeni Bajkal

[Figura në faqet 16, 17]

Liqeni Bajkal dhe malet Sajane

[Burimi]

© Eric Baccega/​age fotostock

[Figura në faqen 17]

Rosa e Bajkalit

[Burimi]

Dr. Erhard Nerger/​Naturfoto-Online

[Burimi i figurës në faqen 15]

Dr. Konstantin Mikhailov/​Naturfoto-Online

[Burimet e figurave në faqen 18]

© Eric Baccega/​age fotostock; Boyd Norton/​Evergreen Photo Alliance