Edukimi nga Perëndia sjell fryt
Edukimi nga Perëndia sjell fryt
Prindërit që i mësojnë fëmijët e tyre qysh në moshë të njomë, shpesh korrin fryte për mundin e tyre. Doriani, një fëmijë në Peru, në Amerikën e Jugut, kur ishte vetëm katër vjeç, mbajti fjalimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik, në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Kur filloi shkollën fillore, ishte në gjendje t’i shpjegonte nga Bibla mësueses dhe shokëve të klasës përse nuk i festonte Krishtlindjet.
Para pak kohësh, kur ishte pesë vjeç, Dorianit i kërkuan që para gjithë shkollës, me afro 500 nxënës, të tregonte se çfarë mendonte për festën e babait. Ai përgatiti një fjalim 10-minutësh me temë «Përgjegjësitë e një babai», të bazuar në vargun biblik të Efesianëve 6:4. Në mbyllje të fjalimit, ai tha: «Në vend që të festojnë festën e babait një herë në vit, fëmijët duhet t’i respektojnë dhe t’u binden prindërve çdo ditë.»
Më 1943 Shkolla e Shërbimit Teokratik që ka si synim të përmirësojë cilësitë oratorike si të fëmijëve, ashtu edhe të të rriturve, u bë një nga mbledhjet javore të Dëshmitarëve të Jehovait. Që prej asaj kohe, ajo ka siguruar një stërvitje të bazuar në Bibël. Kjo stërvitje plotëson udhëzimet që prindërve u bëhet thirrje t’u japin fëmijëve të tyre.—Proverbat 22:6.
Në nëntor të vitit 2005, në moshën gjashtëvjeçare, Simoni, një fëmijë në Zvicër, kishte caktimin e parë për leximin e Biblës në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Gati një vit më vonë, atë e intervistuan në një asamble të madhe të Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë qëndrimi kishte zhvilluar ai për adhurimin e Perëndisë dhe shërbimin ndaj tij?
Simonit i pëlqejnë mbledhjet e krishtere dhe këtë e tregojnë përpjekjet e tij që të mos mungojë as edhe një herë, madje edhe kur është i lodhur. Veç kësaj, ai i shoqëron familjarët e tij në predikim. Gjithashtu u shpërndan 30 deri në 50 revista Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në muaj, njerëzve të të gjitha moshave. Për më tepër ai i flet shpesh të atit për Biblën dhe e nxit të shkojë në mbledhje bashkë me familjen.
Pa dyshim, prindërit që i rritin fëmijët «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait» gëzohen shumë kur fëmijët u binden dhe japin fryte të drejtësisë.—Efesianëve 6:4; Jakovi 3:17, 18
[Figura në faqen 28]
Doriani në shkollë
[Figura në faqen 28]
Simoni në Sallën e Mbretërisë