A vuani nga mosdallimi i ngjyrave?
A vuani nga mosdallimi i ngjyrave?
«Kur vishem, ime shoqe kontrollon që ngjyrat e rrobave që zgjedh të kombinojnë,—thotë Rodni.—Në mëngjes, është ajo që zgjedh ndonjë frutë për mua, sepse unë nuk e kuptoj dot vetë nëse fruta është e pjekur. Në punë, ka raste që nuk dalloj se ku duhet të klikoj në ekranin e kompjuterit, pasi shpesh për këtë ndihmojnë ngjyrat. Kur i jap makinës, drita e kuqe dhe e gjelbër e semaforit më duken njësoj, prandaj shoh me kujdes nëse është ndezur drita e parë apo e fundit në semafor. Gjithsesi, semaforët horizontalë i kam problem.»
* Ashtu si shumica dërrmuese e atyre që vuajnë nga ky problem, Rodni mund të shohë ngjyra të ndryshme, nuk është se sheh vetëm bardhë e zi. Por disa ngjyra nuk i sheh siç i shohin njerëzit me një shikim normal.
RODNI vuan nga daltonizmi ose sëmundja e pamundësisë së dallimit të ngjyrave. Ai ka trashëguar një problem gjenetik që shkakton një defekt në retinë—cipa më e brendshme e syrit që është e ndjeshme ndaj dritës. Të njëjtin problem si Rodni kanë rreth 1 në 12 meshkuj me origjinë evropiane dhe rreth 1 në 200 femra.Retina e syrit të njeriut normalisht ka tri lloje qelizash konike që janë të ndjeshme ndaj ngjyrave. Secili nga këto lloje është projektuar për t’iu përgjigjur gjatësisë së valës të njërës prej tri ngjyrave kryesore të dritës: blusë, së gjelbrës dhe së kuqes. Drita me gjatësi vale të ndryshme ngacmon konet përkatëse, të cilat i japin sinjale trurit dhe bëjnë të mundur që njeriu të perceptojë ngjyrat. * Por, te njerëzit që vuajnë nga pamundësia e dallimit të ngjyrave, ndjeshmëria e koneve ndaj një ose disa ngjyrave është e dobët ose konet i përgjigjen gjatësisë së valës të një ngjyre tjetër, prandaj reagimi i tyre ndaj ngjyrës është ndryshe. Shumë e kanë të vështirë të dallojnë midis së verdhës, së gjelbrës, ngjyrës portokalli, së kuqes dhe ngjyrës kafe. Ky defekt ua bën të vështirë të shohin mykun e gjelbër në bukën ngjyrë kafe a në djathin e verdhë ose e kanë të vështirë të dallojnë një bjond me sy të kaltër nga një flokëkuq me sy të gjelbër. Nëse konet e ndjeshme ndaj ngjyrës së kuqe janë shumë të dobëta, trëndafili i kuq u duket i zi. Janë shumë të paktë ata që nuk dallojnë blunë.
Mosdallimi i ngjyrave dhe fëmijët
Zakonisht paaftësia e syve për të dalluar disa ngjyra është e trashëguar, pra e lindur, dhe fëmijët që e kanë këtë problem shpesh mësojnë instinktivisht ta kompensojnë. Për shembull, edhe pse nuk e dallojnë ndryshimin ndërmjet disa ngjyrave, ata mund të perceptojnë ndryshimin në kontrast dhe sa e errët ose e çelët është një ngjyrë, dhe këto ndryshime i lidhin me emrin e ngjyrave përkatëse. Gjithashtu, mund të mësojnë t’i njohin objektet nga forma ose me të prekur, e jo nga ngjyra. Shumë fëmijë as që e kuptojnë gjatë gjithë fëmijërisë se kanë një problem.
Meqë nëpër kopshte shpesh përdoren mjete mësimore me ngjyra, prindërit dhe edukatoret gabimisht mund të mendojnë se fëmija nuk është i aftë të mësojë, kur në fakt, ai mund të mos i dallojë dot ngjyrat. Madje, një edukatore ndëshkoi një djalë pesëvjeçar ngaqë në vizatimin e tij retë i kishte bërë ngjyrë rozë, njerëzit të gjelbër dhe gjethet e pemëve ngjyrë kafe. Por një fëmije daltonik, këto ngjyra mund t’i duken krejt në rregull. Prandaj, nisur nga arsye të vlefshme, disa specialistë këshillojnë që qysh herët, fëmijës t’i bëhen rregullisht teste që përcaktojnë aftësinë për të dalluar ngjyrat.
Ndonëse nuk njihet ndonjë kurë për këtë sëmundje, ajo as keqësohet me kalimin e moshës dhe as nuk i shton gjasat për probleme të tjera të syve. * Sidoqoftë pamundësia për të dalluar disa ngjyra mund të jetë lodhëse. Megjithatë, kur të sundojë Mbretëria e Perëndisë, Jezu Krishti do t’u heqë çdo gjurmë papërsosmërie njerëzve që i binden Perëndisë. Kështu njerëzit që kanë ndonjë problem me shikimin, i çfarëdolloji qoftë, do të shohin veprat e Jehovait me të gjithë madhështinë e tyre.—Isaia 35:5; Mateu 15:30, 31; Zbulesa 21:3, 4.
[Shënimet]
^ par. 3 Pamundësia e dallimit të ngjyrave mund të haset te të gjitha racat, por më shpesh te raca e bardhë.
^ par. 4 Shumë kafshë mund të dallojnë ngjyra të ndryshme ndonëse aftësia e tyre për të parë me ngjyra ndryshon nga e jona. Për shembull, qentë kanë vetëm dy lloje qelizash konike në retinë: për blunë dhe për një nuancë midis së kuqes dhe së gjelbrës. Kurse disa zogj kanë katër lloj konesh dhe mund të dallojnë edhe dritën ultravjollcë që njerëzit nuk e dallojnë dot
^ par. 8 Ndonjëherë paaftësia për të dalluar disa ngjyra mund të shkaktohet nga ndonjë sëmundje. Nëse vëreni se aftësia juaj për të dalluar ngjyrat ka ndryshuar, ndoshta është mirë të shkoni tek okulisti.
[Kutia dhe diagramet në faqen 18]
TESTE PËR MOSDALLIMIN E NGJYRAVE
Në testet që zbulojnë llojin dhe shkallën e paaftësisë për të dalluar ngjyrat, shpesh përdoren konfiguracione me pika që kanë ngjyra dhe nuanca të ndryshme. Testi i shumëpërdorur Ishihara ka 38 konfiguracione. Për shembull, kur sheh me dritë natyrore një nga konfiguracionet e testit, një njeri me shikim normal duhet të shohë numrin 42 dhe 74 (majtas), kurse një daltonik që nuk dallon të kuqen dhe të gjelbrën—problemi më i shpeshtë mes atyre që nuk dallojnë ngjyrat—sipër mund të mos shohë asnjë numër, kurse poshtë të shohë numrin 21. *
Nëse testi zbulon një defekt, okulisti mund të këshillojë teste të tjera për të përcaktuar nëse është i trashëguar apo ka një shkak tjetër.
[Shënimi]
^ par. 15 Këto diagrame janë paraqitur vetëm për ilustrim. Testet diagnostikuese duhet të bëhen vetëm nga specialisti.
[Burimi]
Konfiguracionet e testit për mosdallimin e ngjyrave në faqen 18: riprodhuar me lejen e Pseudoisochromatic Plate Ishihara Compatible (PIPIC) Color Vision Test 24 Plate Edition by Dr. Terrace L. Waggoner/www.colorvisiontesting.com
[Kutia në faqen 19]
PSE MË SHPESH TE MESHKUJT?
Kur është e trashëguar, pamundësinë e dallimit të ngjyrave e mbart kromozomi X. Gratë kanë dy kromozome X, kurse burrat kanë një kromozom X dhe një Y. Pra, nëse njëri nga kromozomet X te gruaja trashëgon një defekt në shikim, gjeni normal në kromozomin tjetër X ka shumë gjasa të dominojë dhe shikimi i saj do të jetë në rregull. Por kur një burrë trashëgon një defekt në kromozomin X, ai nuk ka një kromozom tjetër X që ta kompensojë.
[Diagrami dhe figurat në faqen 18]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
SI I SHOHIM NGJYRAT?
Drita që pasqyrojnë objektet depërton në korne e në kristalinin e syrit dhe përqendrohet te retina
Kornea
Kristalini
Retina
Pamja del e përmbysur, por korrigjohet nga truri
NERVI OPTIK i çon impulse pamore trurit
RETINA ka kone dhe kleçka. Së bashku këto qeliza japin një shikim normal
Kleçka
Kone
KONET janë të ndjeshme ndaj dritës së kuqe, së gjelbër ose blu
E kuqe
E gjelbër
Blu
[Figurat]
Shikim normal
Pamundësi e dallimit të ngjyrave