Toledoja—Mozaik mahnitës i kulturave mesjetare
Toledoja—Mozaik mahnitës i kulturave mesjetare
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË
NË QENDËR të gadishullit Iberik gjendet një kodër graniti e rrethuar nga tri anë nga lumi Tago. Gjatë shekujve, lumi ka skalitur shkëmbinj që mbrojnë shpatet e kodrës. Pikërisht, mbi këtë masiv shkëmbor strategjik u ndërtua Toledoja, një qytet që është bërë sinonim i Spanjës dhe i kulturës spanjolle.
Sot, rrugët e ngushta gjarpërushe të pjesës antike të Toledos e çojnë vizitorin në Epokën e Mesjetës. Portat, kështjellat dhe urat e qytetit e ruajnë hijen e tyre mesjetare dhe në heshtje tregojnë për kohën kur Toledoja ishte një nga qytetet më të rëndësishme të Evropës.
Megjithatë, Toledoja nuk është një qytet tipik evropian. Edhe stacioni i trenit ka një atmosferë orientale. Një vështrim më nga afër i monumenteve dhe i zejeve të Toledos zbulon një qytet që ka përvetësuar mjeshtëritë e disa qytetërimeve që lulëzuan këtu gjatë shekujve. Gjatë epokës së artë të Toledos, rreth 700 vjet përpara, qyteti u bë vërtet një mozaik kulturash mesjetare.
Larmi kulturash
Para se romakët të vinin në Spanjë, popujt keltë dhe iberikë tashmë kishin ndërtuar një qytet në këtë vend strategjik. Romakët i vunë qytetit emrin e ri Toletum (nga tolitum, që do
të thotë «vend i ngritur») dhe e bënë atë një nga kryeqytetet e veta provinciale. Historiani romak Livi e përshkroi Toledon si «një qytet të vogël, por të fortifikuar nga natyra». Kur visigotët pushtuan Spanjën pas rënies së Perandorisë Romake, e zgjodhën Toledon si kryeqytet. Pikërisht këtu, në shekullin e gjashtë, mbreti Rekared hodhi poshtë arianizmin, një veprim që i hapi rrugën Spanjës të bëhej qendër e katolicizmit dhe Toledos të bëhej froni i kryepeshkopit.Kuadri fetar ndryshoi kur Toledoja u bë pjesë e kalifatit mysliman. Rrugicat e pjesës antike të qytetit i përkasin kësaj periudhe që zgjati nga shekulli i 8-të deri në shekullin e 11-të. Toleranca fetare e myslimanëve bëri të mundur që në Toledo të bashkëjetonin kultura e krishterë, judaike dhe ajo arabo-berbere. Si përfundim, në vitin 1085, mbreti Alfonsi VI (mbret katolik) pushtoi qytetin. Pavarësisht nga ndryshimi i regjimeve, këto kultura vazhduan të ekzistonin së bashku për shekuj me radhë.
Shumë nga monumentet më mbresëlënëse të Toledos i përkasin mesjetës. Sundimtarët katolikë e bënë Toledon kryeqytetin e tyre, judenjtë vunë në punë aftësitë e tyre në zeje dhe tregti, kurse artizanët myslimanë kontribuan me talentet e tyre në arkitekturë. Studiues të tri besimeve të ndryshme punuan së bashku në Shkollën e Përkthyesve. Gjatë shekullit të 12-të dhe të 13-të përkthyen një mori veprash antike në latinisht dhe spanjisht. Po kështu, bagazhi i madh i njohurive shkencore të qytetërimit arab u bë i njohur për Perëndimin falë këtyre përkthyesve.
Tolerancës fetare i erdhi fundi në shekullin e 14-të kur mijëra judenj u zhdukën në masakrat fetare. Në kohën kur Kolombi zbuloi Amerikën, inkuizicioni spanjoll kishte ngritur një gjykatë në Toledo dhe si judenjtë, ashtu edhe myslimanët duhej të zgjidhnin ose të ktheheshin në katolikë, ose t’i syrgjynosnin.
Monumente nga e kaluara e lavdishme
Sot qendra e qytetit të Toledos ka më shumë se njëqind monumente. Kjo pasuri historike bëri që Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ta shpallte qytetin pjesë të Trashëgimisë Botërore. Dy nga ndërtimet mesjetare më mbresëlënëse janë urat që bashkojnë brigjet e lumit Tago. Njëra të çon në qytet nga lindja, kurse tjetra nga perëndimi. Syrit të vizitorëve zor se i shpëton porta gjigante Puerta Nueva de Bisagra, që është në hyrje të pjesës antike të rrethuar me mure.
Tutje në largësi, dy monumente spikatin në horizontin e Toledos. Në lindje ngrihet një kështjellë e stërmadhe katrore e quajtur Alkazar. Në rrjedhën e shekujve, ajo ka shërbyer si pretorium romak (banesa e guvernatorit), si pallat për monarkët visigotë, si kështjellë arabe dhe si rezidencë për mbretërit spanjollë. Sot aty është Muzeu i Ushtrisë dhe një bibliotekë e madhe. Por meqë Toledoja është para së gjithash një qytet fetar, në qendrën e qytetit spikat një katedrale gjigante e stilit gotik.—Shih kutinë në faqen 17.
Katedralja dhe kisha të tjera në Toledo krenohen me pikturat e një artisti të famshëm që jetonte në Toledo. Ai njihet si El Greko, që do të thotë «greku». Emri i tij ishte Domenikos Theotokopulos. Në lagjen e vjetër judaike, ku dikur banonte ai, sot ka një muze ku gjenden disa nga pikturat e tij.
Ndoshta Toledoja duket më madhështor po të hipësh në kodrat në jug, ku qyteti duket si në pëllëmbë të dorës. Megjithatë, bukurinë e Toledos mund ta shijosh tek shëtit në rrugët e tij të ngushta. Ndoshta për pak çaste vizitori mund të humbasë, por shpejt do të mahnitet me rrugicat e vjetra karakteristike, ndërtesat e lashta, ballkonet e zbukuruara dhe me dyqanet e suvenirëve që ta bëjnë me sy.
Edhe pse duket se ky qytet i lashtë nuk do t’ia dijë për kohën, kjo s’mund të thuhet për vizitorin: vjen çasti kur atij i duhet të përshëndetet me Toledon. Vendi më fantastik për këtë është bregu jugor i lumit Tago. Teksa dita perëndon, dielli i hedh qytetit vellon e përflakur. Në këtë sfond, monumentet hijerënda duket sikur pasqyrojnë edhe një herë epokën e artë të këtij qyteti.
[Kutia dhe figurat në faqen 17]
TRI KULTURAT E TOLEDOS
Gjatë Mesjetës, Toledoja u nda në tri lagje, ku katolikët, judenjtë dhe myslimanët jetonin sipas ligjeve dhe zakoneve të veta. Disa nga vendet e tyre të lashta të adhurimit sot tërheqin shumë turistë.
➤ Një xhami e shekullit të 10-të, që sot njihet si Kristo de la Luz, tregon për mjeshtërinë e ndërtimeve me tulla, tipike e zanatçinjve myslimanë. Ajo gjendet në zonën e qytetit të quajtur «Medina», ku jetonin myslimanët e pasur.
➤ Edhe pse më vonë u kthyen në kisha katolike, dy sinagogat mesjetare që ekzistojnë ende, dëshmojnë për komunitetin e madh judaik, që dikur përbënte një të tretën e popullsisë së Toledos. Më e vjetra është Santa Maria la Blanka, që ashtu si xhamia, ka brenda shumë kolona të zbukuruara. Një sinagogë më e madhe, El Tranzito (djathtas), tani ka një muze sefardik që dëshmon për kulturën judaike.
➤ Ndërtimi i katedrales më të madhe spanjolle të stilit gotik filloi në shekullin e 13-të dhe u deshën më shumë se 200 vjet për ta përfunduar.
[Kutia dhe figurat në faqen 18]
SHPATA TË VEÇANTA DHE MARCAPANI I ËMBËL
Për më shumë se dy mijëvjeçarë, kovaçët e qytetit kanë bërë shpata, dhe emri Toledo është bërë sinonim i çelikut të klasit të parë. Edhe ushtritë e Hanibalit, edhe legjionet romake i përdorën këto shpata që farkëtoheshin buzë lumit Tago. Shekuj më vonë, artizanët myslimanë i zbukuruan shpatat dhe armaturat tolediane me gdhendje të stilit damasken. Një shembull është kopja e një shpate tolediane e treguar majtas. (Shih artikullin «Punime ari mbi çelik» në revistën Zgjohuni! të 22 janarit 2005.) Sot shumica e dyqaneve të suvenirëve ofrojnë një larmi shpatash, e patjetër, bashkë me to edhe armaturën. Përveçse shërbejnë për koleksion, këto shpata ka të ngjarë t’i shihni në ndonjë film dhe jo në ndonjë fushë beteje.
Në Toledo është traditë edhe ëmbëlsira e marcapanit, që e ka origjinën nga pushtimi arab. Kur zbarkuan myslimanët, Spanja kishte fusha të paana me bajame, por sheqeri, përbërësi tjetër kryesor, mungonte. Gjatë 50 viteve të para të pushtimit mysliman, anembanë Spanjës jugore u mbollën fusha me kallamsheqeri. Në shekullin e 11-të marcapani ishte bërë specialitet i Toledos dhe që atëherë ka qenë e preferuar për ata që dinë t’i vlerësojnë ushqimet e zgjedhura. Dyqane të tëra në Toledo merren vetëm me shitjen e marcapanit që shpesh bëhet edhe si statujëza me forma të ndryshme. Vizita në Toledo nuk do të ishte e plotë nëse nuk do të provonit këtë ëmbëlsirë që bën të të lëshojë goja lëng.
[Burimi]
Agustín Sancho
[Harta në faqen 16]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PORTUGALI
SPANJË
Madrid
Toledo
[Figura në faqen 18]
Ura e San Martinit