Ja pse e lashë cirkun
Ja pse e lashë cirkun
Treguar nga Marselo Neimi
KAM lindur në Montevideo, Uruguai. Ndonëse prindërit e mi besonin te Perëndia, nuk ishin në ndonjë fe. Nëna vdiq në një aksident kur isha rreth katër vjeç. Mua më rritën të afërmit që u përpoqën të më ngulitnin parime të mira. Kur isha 20 vjeç, vendosa të udhëtoja që të njihesha me vende dhe kultura të ndryshme.
Në Kolumbi fillova punë si ndihmës në cirqe të ndryshme. Shikoja sa të lumtur dukeshin artistët e cirkut kur publiku i duartrokiste; edhe unë doja të bëhesha si ata. Kështu nisa të ushtrohesha për një numër me biçikletë, duke përdorur biçikleta gjithnjë e më të vogla, derisa arrita ta bëja numrin me një biçikletë vetëm dymbëdhjetë centimetra të gjatë, një nga më të voglat në botë. Mund ta mbaja në pëllëmbën e dorës. Fillova të bëhesha disi i famshëm në një pjesë të madhe të Amerikës së Jugut. Në moshën 25-vjeçare shkova në Meksikë dhe punova në disa cirqe.
Jeta ime ndryshon rrënjësisht
E doja jetën e cirkut. Udhëtoja shumë, rrija në hotelet më të mira dhe haja në restorante luksoze. Por, jeta më dukej bosh dhe nuk kisha ndonjë shpresë për të ardhmen. Një pasdite jeta ime ndryshoi. Drejtuesi i shfaqjeve të cirkut më dha një libër që ia kishin sjellë, që titullohej Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër! * Pas shfaqjes lexova gjithë natën deri në orët e para të mëngjesit. Ndonëse libri nuk ishte i lehtë për mua, shpjegimi për bishën me ngjyrë të kuqe dhe prostitutën që përmenden te Zbulesa, më magjepsën. (Zbulesa 17:3–18:8) Më vonë, kur po pastroja një autokamp që kisha blerë, gjeta një libër tjetër me të njëjtët botues dhe me titull Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë mbi tokë. * Ishte më i thjeshtë dhe e kuptova menjëherë se duhej të predikoja. Kështu pa humbur kohë fillova të flas për ç’kisha mësuar me këdo që takoja.
Teksa koha kalonte, ndjeva nevojën që të takoja Dëshmitarët e Jehovait. Në librin Plotësimi i Zbulesës ishte numri i telefonit i vajzës që ia kishte lënë këtë libër shokut tim. Kështu
e mora në telefon dhe i ati i saj më ftoi në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Tihuanë, Meksikë. Më bëri përshtypje sa të dashur ishin njerëzit atje dhe u binda që kjo ishte feja e vërtetë. Kudo që shkonte cirku, ndiqja mbledhjet që mbaheshin në Sallën vendëse të Mbretërisë dhe merrja literaturë që t’ua shpërndaja të njohurve.Ndodhi diçka që më bindi edhe më shumë se isha në udhën e drejtë. Dëshmitarët më ftuan në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit dhe më shpjeguan sa e rëndësishme ishte që të krishterët të ishin të pranishëm. Por atë mbrëmje cirku kishte premierë dhe më dukej e pamundur të shkëputesha. Iu luta me zjarr Jehovait, dhe ndodhi diçka e papritur. Dy orë para shfaqjes ikën dritat. Kështu, munda të shkoj në Përkujtim e më vonë u ktheva për shfaqjen. M’u duk se Jehovai iu përgjigj lutjes sime.
Një herë, teksa mbaja radhë në bankë, po shpërndaja fletushka. Një plak i krishterë më pa dhe më lavdëroi për zellin. Më inkurajoi që të predikoja në mënyrë të organizuar, nën drejtimin e një kongregacioni. Me dashuri më shpjegoi se për këtë më duhej të bëja ndryshime në jetë. Ndërkohë që mendoja për këto ndryshime, më bënë një ofertë pune me një pagë të lartë në një cirk në Shtetet e Bashkuara. Zemra ime ishte edhe andej, edhe këtej. Doja të shkoja në Shtetet e Bashkuara, por nëse pranoja, nuk e dija a do të vazhdoja rrugën që sapo kisha nisur. Kjo ishte prova e parë dhe nuk doja ta zhgënjeja Jehovain. Pavarësisht nga reagimi i shokëve të cirkut, të cilëve iu duk i pabesueshëm vendimi im, e lashë cirkun, u bëra pjesëtar i një kongregacioni, preva flokët e gjatë dhe bëra ndryshime të tjera në jetën time për t’i shërbyer Jehovait.
Një jetë e kënaqshme dhe pa keqardhje
Në vitin 1997, pak kohë para pagëzimit si Dëshmitar i Jehovait, pata një sprovë tjetër. Më ofruan një mundësi tjetër për të shkuar në Shtetet e Bashkuara, por kësaj here për të marrë pjesë në një program televiziv të famshëm në Majami me të gjitha shpenzimet të paguara. Por unë doja të pagëzohesha dhe të plotësoja kushtimin që i kisha bërë Jehovait. Kështu e refuzova ofertën, ndonëse përfaqësuesit e programit televiziv u habitën.
Disa më pyesin nëse jam bërë pishman që e lashë jetën e cirkut. Përgjigjja ime është se nuk do ta ndërroja kurrë miqësinë dhe dashurinë e Jehovait me jetën që bëja përpara. Ndonëse karriera ime e re si predikues i krishterë në kohë të plotë nuk më jep duartrokitje, famë ose pasuri në këtë botë, nuk ndihem më bosh. Më mbush shpresa e çmuar për një jetë në parajsë në tokë dhe shpresa që të mirëpres nënën time kur të kthehet me anë të ringjalljes.—Gjoni 5:28, 29.
[Shënimet]
^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 6 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.