Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mbret në kërkim të mençurisë

Një mbret në kërkim të mençurisë

Një mbret në kërkim të mençurisë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

SHEKULLI i 13-të ishte koha e intolerancës së ashpër dhe e dhunës së egër. Evropa ishte zhytur në trazirat e inkuizicionit famëkeq dhe kryqëzatave vrastare. Megjithatë, në mes të asaj epoke të përgjakshme, një mbret spanjoll u përpoq t’i sillte botës pakëz urtësi. Emri i tij ishte Alfonsi X, që u quajt edhe Alfonsi i Mençur.

Këtij mbreti i takon merita për atë rizgjim kulturor që ndonjëherë quhet Rilindja e shekullit të 13-të. Ai solli në Spanjë njohuri të reja nga vende të largëta. Alfonsi X ishte i interesuar veçanërisht në fushën e artit, historisë, ligjit dhe shkencës. Kjo pati një ndikim të madh në zhvillimin kulturor të Spanjës, si edhe të pjesës tjetër të Evropës. Por më domethënës është fakti që përpjekjet e tij i dhanë shtysë leximit të Fjalës së Perëndisë, Biblës së Shenjtë.

Alfonsi ndihmoi në krijimin e një akademie ku mund të bashkëpunonin judenjtë, myslimanët dhe «të krishterët» e shkolluar. Për t’ua lehtësuar punën, mbreti krijoi dhe financoi një nga bibliotekat e para shtetërore në botë.

Vetë Alfonsi mori pjesë aktivisht në shkrimin dhe hartimin e një larmie veprash në fushën e jurisprudencës, shkencës dhe historisë. Ai nxiti zhvillimin e prozës dhe poezisë, fusha në të cilat shkëlqente, siç tregohet nga kantigat e tij të famshme. * Këto u shkruan në galjego (gjuha galiciane), gjuha që përdorej në atë kohë për krijimet lirike.

Një shkollë përkthyesish

Alfonsi sponsorizoi Shkollën e Përkthyesve në Toledo. «Puna e mbretit kishte të bënte me përzgjedhjen e përkthyesve dhe të veprave që do të përktheheshin,—shpjegohet në librin La Escuela de Traductores de Toledo (Shkolla e Përkthyesve në Toledo).—Ai rishikonte përkthimet, nxiste debatin mes intelektualëve dhe sponsorizonte krijimin e veprave të reja.»

Studiuesit në Toledo nisën të përkthenin një numër të madh veprash nga arabishtja. Studiuesit myslimanë tashmë kishin përkthyer në arabisht veprat më të rëndësishme të qytetërimeve greke, indiane, perse dhe siriane. Bagazhi i njohurive që kishin mbledhur, u vlejti që të zhvillonin më tej matematikën, astronominë, historinë dhe gjeografinë. Më pas, shkolla e Toledos u përpoq të gërmonte në këtë minierë njohurish. Si? Duke përkthyer në latinisht e spanjisht vepra të rëndësishme arabe.

Lajmi për arritjet e studiuesve të Toledos u përhap edhe në vende të tjera. S’kaloi shumë dhe njerëz të shkolluar nga universitetet në Evropën Veriore u dyndën në Toledo. E gjithë kjo luajti një rol jetësor në përparimin e shkencës dhe të letërsisë në Evropë. Kjo nismë e madhe përkthimi ndikoi në lëvizjen e Rilindjes.

Përpjekjet e përkthyesve të Toledos u mundësuan mjekëve të lexonin veprat mjekësore të Galienit, Hipokratit dhe Avicenës. Traktati i mjekësisë, shkruar nga Avicena, u bë teksti bazë mjekësor në universitetet evropiane deri në shekullin e 17-të. Astronomët kishin mundësi të lexonin veprat e Ptolemeut dhe të përfitonin nga tabelat trigonometrike dhe astronomike të Horezmit. *

Alfonsi donte që përkthimet të kuptoheshin nga njerëzit në përgjithësi. Kjo nismë bëri që gjuha spanjolle të kthehej në një mjet shkencor dhe letrar. Projekti që nisi Alfonsi ndihmoi në ndryshimin e pikëpamjes së shumicës sipas së cilës gjuha e kulturës ishte latinishtja.

Bibla Alfonsiane

Përvoja që fituan studiuesit e Toledos kur përkthyen aq shumë materiale, duhet të ketë vlejtur mjaft kur Alfonsi urdhëroi përkthimin e pjesëve të Biblës në spanjisht. Sipas historianit spanjoll Huan de Mariana, mbreti e sponsorizoi përkthimin e Biblës me shpresën që gjuha spanjolle të pastrohej e të pasurohej. Pa dyshim, një përkthim kaq i hershëm i Biblës ndihmoi vërtet në zhvillimin e gjuhës spanjolle.

Mbreti e shihte Biblën si diçka me vlerë për të mësuar njerëzit. Ai shkroi këto fjalë në parathënien e veprës Kronika e Spanjës (spanjisht): «Nëse shqyrtojmë dobinë që vjen nga Shkrimet e Shenjta, kuptojmë se ajo gjendet në atë çka na mësojnë rreth krijimit të botës, ardhjes së patriarkëve, . . . ardhjes së premtuar të Zotërisë tonë Jezu Krisht, vuajtjeve, ringjalljes dhe ngjitjes së tij në qiell.»

Gjithashtu, ai mbikëqyri një projekt ambicioz letrar, që e quajti Histori e përgjithshme. Këtu përfshihej një përkthim i disa pjesëve të Shkrimeve Hebraike në spanjisht. (Më vonë u shtua një përkthim i disa pjesëve të Shkrimeve Greke.) Kjo vepër mbresëlënëse e njohur si Bibla Alfonsiane (Biblia Alfonsina), ishte më e madhja e llojit të saj të botuar në Mesjetë. Ajo u kopjua shumë herë dhe u përkthye pjesërisht në gjuhën portugeze dhe katalane.

Trashëgimia që la Alfonsi

Dorëshkrimet mesjetare të kohës së Alfonsit e mbajtën gjallë njohurinë nga Shkrimet gjatë epokës së errësirës fetare. Falë atyre përkthimeve, u zgjua interesi për ta pasur Biblën në gjuhën amtare. Gjatë dy shekujve që pasuan, në spanjisht u bënë edhe përkthime të tjera të Biblës.

Shpikja e makinës së shtypit dhe puna e palodhur e përkthyesve të Biblës në shekullin e 16-të në Spanjë dhe në vende të tjera të Evropës, çoi përpara punën që filluan Alfonsi dhe bashkëkohësit e tij. Më në fund, njerëzit anembanë Evropës e kishin Biblën në gjuhën amtare. Ndonëse gjatë mbretërimit të Alfonsit X pati edhe luftëra e revolta, përpjekjet e tij për njohuri ndihmuan që shumë njerëzve t’u krijohej mundësia të fitonin mençuri nga Fjala e Perëndisë.

[Shënimet]

^ par. 6 Kantigat janë krijime poetike mesjetare, që këndoheshin nga këngëtarët shëtitës.

^ par. 11 Horezmi ishte matematikan i shquar pers i shekullit të nëntë që zhvilloi algjebrën dhe futi koncepte matematikore indiane, të tilla si shifrat arabe, përfshirë edhe konceptin e zeros dhe bazat e aritmetikës.

[Kutia dhe figura në faqen 14]

PËRKTHIMET E PARA TË BIBLËS NË SPANJISHT

Veprat e Alfonsit X nuk ishin të parat që përfshinë pjesë nga Shkrimet të përkthyera në spanjisht. Disa vjet përpara, Ermanus Alemanus, një nga përkthyesit që punoi në shkollën e Toledos, kishte përkthyer Psalmet nga hebraishtja në spanjisht. Gjithashtu, në fillim të shekullit të 13-të, u përkthye Biblia medieval romanceada Prealfonsina (Bibla Mesjetare Romane Para-alfonsiane). (Shih fotografinë majtas.) Ky mbahet si përkthimi më i vjetër i të gjithë Biblës në spanjisht. Natyrisht, ky përkthim ndikoi në përkthimin e Biblës së sponsorizuar nga Alfonsi X vite më vonë.

Në lidhje me Biblën Para-alfonsiane, studiuesi Tomas Mongomeri thotë: «Përkthyesi i kësaj Bible bëri një punë të admirueshme për sa i përket saktësisë dhe hijeshisë së gjuhës. Ky përkthim ndjek me kujdes kuptimin e Vulgatës pa përdorur tepër shprehje ose fjalë në latinisht. Gjuha është e thjeshtë dhe e qartë, ashtu siç duhej për një Bibël të përgatitur për njerëz që nuk e njihnin mirë latinishten.»

[Burimi]

Bibla: Patrimonio Nacional. Real Biblioteca de El Escorial

[Figura në faqet 12, 13]

Statuja e Alfonsit X në hyrje të Bibliotekës Kombëtare Spanjolle, Madrid

[Figurat në faqen 13]

Mbreti me disa përkthyes nga Toledo (sipër); kaligrafistët e tij (poshtë); ungjilli sipas Lukës në «Biblën Alfonsiane» (në fund)

[Burimi i figurës në faqen 13]

Të gjitha fotografitë përveç statujës së Alfonsit X: Oronoz