Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e justifikon dashuria seksin para martesës?

A e justifikon dashuria seksin para martesës?

Pikëpamja e Biblës

A e justifikon dashuria seksin para martesës?

NË NJË anketë, thuajse 90 për qind e adoleshentëve të intervistuar mendonin se seksi para martesës nuk është i gabuar kur partnerët e duan njëri-tjetrin. Mediat e pasqyrojnë dhe shpesh e tolerojnë këtë pikëpamje. Në përgjithësi, televizori dhe filmat i paraqesin marrëdhëniet seksuale si rrjedhojë e natyrshme e një lidhjeje romantike.

Sigurisht, ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë nuk presin t’i udhëheqë bota, pasi e kanë të qartë se ajo pasqyron mënyrën e të menduarit të sundimtarit të saj, Djallit. (1 Gjonit 5:19) Veç kësaj, janë të kujdesshëm që të mos drejtohen vetëm nga ndjenjat, duke e ditur se ‘zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër dhe e rrezikshme’. (Jeremia 17:9) Përkundrazi, ata që janë vërtet të mençur, kërkojnë t’i drejtojë Krijuesi dhe Fjala e tij e frymëzuar.—Proverbat 3:5, 6; 2 Timoteut 3:16.

Marrëdhëniet seksuale janë një dhuratë hyjnore

«Çdo dhuratë e mirë dhe çdo gjë e përsosur që na jepet, është nga lart, sepse zbret nga Ati i dritave qiellore»,—thuhet në Jakovin 1:17. Intimiteti seksual në martesë, është një nga këto dhurata të çmuara. (Rutha 1:9; 1 Korintasve 7:2, 7) Me anë të tij njerëzit riprodhohen; gjithashtu ndihmon që bashkëshortët të krijojnë një lidhje fizike dhe emocionale shumë të përzemërt e të këndshme. «Gëzo me gruan e rinisë sate»,—shkroi mbreti i lashtë Solomon. «Gjinjtë e saj të të dehin gjithë kohës.»—Proverbat 5:18, 19.

Natyrisht, Jehovai do që të nxjerrim dobi dhe të kënaqemi me dhuratat që na ka dhënë. Për këtë qëllim, na ka dhënë edhe ligjet dhe parimet më të mira për të jetuar. (Psalmi 19:7, 8) Jehovai është «Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh». (Isaia 48:17) A do të na privonte Ati ynë qiellor—personifikimi i vërtetë i dashurisë—nga diçka që është vërtet e mirë?—Psalmi 34:10; 37:4; 84:11; 1 Gjonit 4:8.

Seksi para martesës tregon mungesë dashurie

Kur një burrë dhe një grua lidhen në martesë, ata bëhen si të thuash «një mish i vetëm». Kur dy njerëz të pamartuar kanë marrëdhënie seksuale, që quhet edhe kurvëri, edhe ata formojnë ‘një trup të vetëm’—por një trup që është i papastër në sytë e Perëndisë. * Për më tepër, këto lloj lidhjesh tregojnë mungesë dashurie. Pse?—Marku 10:7-9; 1 Korintasve 6:9, 10, 16.

Një arsye është se kurvëria përfshin marrëdhënie seksuale pa një angazhim të vërtetë. Dhe përveçse minon respektin për veten, mund të shkaktojë sëmundje, shtatzëni të padëshiruara dhe dhembje emocionale. Mbi të gjitha, dhunon normat e drejta të Perëndisë. Prandaj, kurvëria pasqyron pak ose aspak konsideratë për mirëqenien dhe lumturinë e tashme dhe të ardhme të partnerit.

Për një të krishterë, kurvëria është edhe cenim i të drejtave të vëllait ose të motrës në besim. (1 Selanikasve 4:3-6) Për shembull, ai që kryen seks jashtë martesës dhe e quan veten shërbëtor të Perëndisë, bën të papastër kongregacionin e krishterë. (Hebrenjve 12:15, 16) Gjithashtu, bën që personi me të cilin kryen kurvëri të mos ketë një qëndrim të pastër moral dhe, nëse partneri është beqar, i heq mundësinë që të jetë i dëlirë moralisht po të martohet në të ardhmen. Po ashtu përdhosin reputacionin e mirë të familjes së tyre, si edhe të familjes së partnerit. Së fundi, tregojnë se e shpërfillin Perëndinë, të cilin e lëndojnë duke shkelur ligjet dhe parimet e tij të drejta. (Psalmi 78:40, 41) Kështu, Jehovai do t’i ‘shpaguajë’ për të gjitha këto gjëra të këqija individët e papenduar. (1 Selanikasve 4:6) Prandaj, a është për t’u habitur që Bibla na thotë të ‘ikim nga kurvëria’?—1 Korintasve 6:18.

A je i dashuruar dhe ke ndër mend të martohesh? Pse të mos e shfrytëzosh periudhën e njohjes për të ndërtuar një themel të fortë besimi dhe respekti reciprok? Mendo pak: a mundet një grua t’i besojë plotësisht një burri që tregon se nuk ka vetëkontroll? Dhe, a do ta ketë të lehtë një burrë ta çmojë e ta nderojë një grua që ka shkelur ligjin e Perëndisë për të kënaqur ndjenjat e saj ose për të kënaqur atë?

Mbaj mend gjithashtu se ata që hedhin poshtë normat e dashura të Perëndisë, korrin atë që mbjellin. (Galatasve 6:7) «Ai që praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet»,—thotë Bibla. (1 Korintasve 6:18; Proverbat 7:5-27) Është e vërtetë se nëse një çift që ka kryer seks para martesës pendohet sinqerisht dhe të dy përpiqen me të gjitha forcat të rindërtojnë marrëdhënien e tyre me Perëndinë e besimin te njëri-tjetri, ndjenjat e fajit e të mosbesimit mund të fashiten dalëngadalë. Gjithsesi, sjellja e tyre e dikurshme zakonisht lë gjurmë. Një çifti të ri, që tani janë të martuar, i vjen jashtë mase keq që kanë kryer kurvëri. ‘A mos vallë mosmarrëveshjet tona martesore janë disi pasojë e atij themeli të papastër?’—pyet ndonjëherë veten bashkëshorti.

Dashuria e vërtetë s’është egoiste

Edhe pse ndoshta shoqërohet nga ndjenja romantike, dashuria e vërtetë «nuk sillet në mënyrë të pahijshme» dhe as «nuk kërkon interesat e veta». (1 Korintasve 13:4, 5) Përkundrazi, ajo punon për mirëqenien dhe lumturinë e përhershme të tjetrit. Kjo lloj dashurie e shtyn një burrë dhe një grua ta nderojnë njëri-tjetrin dhe t’i kryejnë marrëdhëniet intime seksuale brenda kufijve që u ka caktuar Perëndia—në shtratin martesor.—Hebrenjve 13:4.

Ndjenjat e besimit dhe të sigurisë që çojnë në një martesë të lumtur, janë veçanërisht të rëndësishme kur vijnë në jetë fëmijët, pasi qëllimi i Perëndisë është që fëmijët të rriten në një ambient të dashur, të qëndrueshëm dhe të sigurt. (Efesianëve 6:1-4) Vetëm në martesë dy njerëz angazhohen vërtet ndaj njëri-tjetrit. Ata bëjnë një betim qoftë me zemër, qoftë me fjalë, se do të kujdesen dhe do ta mbështetin njëri-tjetrin në kohë të mira e në kohë të vështira, për sa të rrojnë.—Romakëve 7:2, 3.

Intimiteti seksual mes bashkëshortëve mund të forcojë lidhjen e tyre. Gjithashtu, në një martesë të lumtur, intimiteti seksual është shumë më i kënaqshëm dhe më kuptimplotë për bashkëshortët—nuk ia ul vlerën martesës, nuk bën që burrin dhe gruan ta vrasë ndërgjegjja dhe nuk është mosbindje ndaj Krijuesit.

[Shënimi]

^ par. 9 Fjala greke e përkthyer «kurvëri» zbatohet për të gjitha marrëdhëniet seksuale jashtë martesës, që përfshijnë përdorimin e organeve seksuale, ku futet edhe seksi oral.​—Shih Zgjohuni! të 22 korrikut 2004, faqja 12 dhe Kullën e Rojës të 15 shkurtit 2004, faqja 13, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A DONI TË DINI?

▪ Cila është pikëpamja e Perëndisë për seksin para martesës?​—1 Korintasve 6:9, 10.

▪ Pse kurvëria është e dëmshme?​—1 Korintasve 6:18.

▪ Si mund të tregojnë dashuri të vërtetë dy njerëz që ndiejnë për njëri-tjetrin?​—1 Korintasve 13:4, 5.