Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Intervistë me një biokimist

Intervistë me një biokimist

Intervistë me një biokimist

NË VITIN 1996, Majkëll J. Bihi, që sot është profesor i biokimisë në Universitetin «Lihaj» të Pensilvanisë në Shtetet e Bashkuara, nxori në qarkullim librin Kutia e zezë e Darvinit—Sfida biokimike ndaj evolucionit (anglisht). Në revistën Zgjohuni! të 8 majit 1997 (anglisht), u botua një seri artikujsh me titull «Si erdhëm këtu? Rastësisht apo nga projektimi?», të cilët i referoheshin librit të Bihit. Gjatë kësaj dekade që nga botimi i Kutisë së zezë të Darvinit, shkencëtarët që përkrahin teorinë e evolucionit kanë bërë çmos të hedhin poshtë argumentet e parashtruara nga Bihi. Kritikët e kanë akuzuar se ka lejuar që bindjet e tij fetare, pasi është katolik, t’i mjegullojnë gjykimin si shkencëtar. Të tjerë thonë se arsyetimi i tij nuk ka bazë shkencore. Zgjohuni! e intervistoi profesor Bihin për të mësuar se përse idetë e tij kanë ndezur kaq shumë debate.

ZGJOHUNI!: PSE MENDONI QË BOTA E GJALLË JEP DËSHMI SE ËSHTË PROJEKTUAR ME INTELIGJENCË?

PROFESOR BIHI: Sa herë shohim pjesë të ndryshme të organizuara që kryejnë funksione të ndërlikuara, nxjerrim përfundimin se janë të projektuara. Për shembull, le të marrim mekanizmat që përdorim çdo ditë—një makinë barkositëse, një veturë ose edhe gjëra më të thjeshta. Mua më pëlqen të marr si shembull çarkun e minjve. Ngaqë sheh që pjesë të ndryshme janë përshtatur për të kapur miun, arrin në përfundimin se dikush e ka projektuar.

Sot shkenca ka përparuar aq sa për të zbuluar se si pjesëzat më të vockla të organizmave të gjallë punojnë për t’i mbajtur në jetë ata. Dhe për habi, shkencëtarët kanë zbuluar se këto pjesëza formojnë «mekanizma» të ndërlikuar që kryejnë funksione të caktuara. Për shembull, brenda qelizave ka «kamionë» të vegjël që transportojnë lëndë nga njëri cep i qelizës në tjetrin. Ka edhe «tabela të qarkullimit rrugor», që janë fare të vockla e që u tregojnë këtyre «kamionëve» të kthehen majtas ose djathtas. Disa qeliza kanë «motorë varkash» që i shtyjnë qelizat të lëvizin brenda lëngjeve. Për çfarëdo gjëje të bëhej fjalë, nëse dikush do të vihej përballë një rregullimi të tillë kompleks, që realizon një funksion të caktuar, do të nxirrte përfundimin se këto gjëra janë të projektuara. Edhe ne nuk kemi si e shpjegojmë ndryshe këtë kompleksitet, pavarësisht nga pretendimet e teorisë evolucioniste të Çarls Darvinit. Meqë gjatë përvojës sonë, sa herë që ndeshim një organizim të tillë kemi të bëjmë me një projekt, kjo na jep arsye të mendojmë se edhe këto sisteme u projektuan me inteligjencë.

ZGJOHUNI!: SI MENDONI, PËRSE SHUMICA E KOLEGËVE TUAJ NUK JANË DAKORD ME PËRFUNDIMET TUAJA SE EKZISTON NJË PROJEKT I BËRË ME INTELIGJENCË?

PROFESOR BIHI: Shumë shkencëtarë nuk janë dakord me përfundimet e mia, sepse e kuptojnë se ideja e një projekti inteligjent nënkupton çështje që i tejkalojnë kufijtë e shkencës dhe me sa duket, flet qartë për diçka të mbinatyrshme. Ky përfundim bën që shumë njerëz të mos ndihen rehat. Megjithatë, gjithnjë më kanë mësuar se shkenca duhet të ndjekë provat, kudo që ta çojnë ato. Për mendimin tim, është mungesë guximi të tërhiqesh kur përballesh me diçka, që vërtetohet fare qartë nga provat, vetëm se mendon që ky përfundim ngre çështje filozofike jo të mirëpritura.

ZGJOHUNI!: SI DO T’U PËRGJIGJESHIT KRITIKËVE QË THONË SE PO TË PRANOSH IDENË E NJË PROJEKTI INTELIGJENT, I HAP RRUGË INJORANCËS?

PROFESOR BIHI: Përfundimi se në natyrë ka një projekt inteligjent nuk vjen nga injoranca. Nuk vjen nga ajo që nuk dimë; vjen nga ajo që dimë. Kur Darvini botoi librin e tij Prejardhja e llojeve, 150 vjet më parë, jeta dukej e thjeshtë. Shkencëtarët mendonin se qeliza ishte kaq e thjeshtë, saqë mund të dilte vetvetiu nga lluca e oqeanit. Por që nga ajo kohë, shkenca ka zbuluar se qelizat janë jashtëzakonisht të ndërlikuara, shumë më të ndërlikuara se mekanizmat e shekullit të 21-të. Ky kompleksitet funksional tregon për një projekt të qëllimshëm.

ZGJOHUNI!: A KA SIGURUAR SHKENCA NDONJË PROVË QË VËRTETON SE EVOLUCIONI, MUND TË KETË KRIJUAR ME ANË TË SELEKSIONIT NATYROR «MEKANIZMAT» KOMPLEKSE TË MOLEKULËS PËR TË CILAT FOLËT?

PROFESOR BIHI: Nëse do të kërkoni në literaturën shkencore, do të shihni se askush nuk ka bërë një përpjekje serioze—ndonjë përpjekje në fushën eksperimentale ose model shkencor të hollësishëm—që tregon në ç’mënyrë u zhvilluan nga proceset darviniane «mekanizma» të tillë në nivel molekular. Pikërisht kjo është gjendja, pavarësisht nga fakti që gjatë dhjetë viteve që kur u botua libri im, shumë organizata shkencore, siç është Akademia Kombëtare e Shkencave dhe Shoqata Amerikane për Përparimin e Shkencës u kanë kërkuar urgjentisht anëtarëve të tyre të bëjnë çmos për të luftuar idenë se bota e gjallë jep prova që flasin për një projekt inteligjent.

ZGJOHUNI!: SI DO T’U PËRGJIGJESHIT ATYRE QË PËRMENDIN PJESË TË BIMËVE OSE TË KAFSHËVE QË SIPAS TYRE JANË PROJEKTUAR DOBËT?

PROFESOR BIHI: Vetëm se ne nuk e dimë arsyen se përse është ndonjë pjesë në një organizëm, kjo nuk do të thotë se ai nuk luan një rol të rëndësishëm. Për shembull, dikur mendohej se të ashtuquajturat organe rudimentare tregonin që trupi i njeriut dhe organizma të tjerë janë projektuar dobët. Kështu mendohej se apendiciti dhe bajamet ishin organe rudimentare që hiqeshin pa problem. Por pastaj zbuluan se këto organe luajnë rol në sistemin imunitar dhe nuk konsiderohen më mbeturina.

Diçka tjetër që duhet mbajtur mend është se me sa duket, në biologji, disa gjëra ndodhin vërtet rastësisht. Por vetëm se makina ime ka një deformim ose më shpohet goma, kjo nuk do të thotë se makina ose goma nuk janë të projektuara. Po kështu, fakti që disa gjëra ndodhin rastësisht në biologji, nuk do të thotë se «mekanizmat» e molekulës lindën rastësisht. Ky argumentim thjesht nuk është logjik.

[Diçitura në faqen 12]

«Për mendimin tim, është mungesë guximi të tërhiqesh kur përballesh me diçka, që vërtetohet fare qartë nga provat, vetëm se mendon që ky përfundim ngre çështje filozofike jo të mirëpritura»