Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë na mëson natyra?

Çfarë na mëson natyra?

Çfarë na mëson natyra?

«Pyet pak kafshët, dhe ato do të të mësojnë; pyet zogjtë e qiellit, dhe ata do të të tregojnë! Vëri mendjen tokës, dhe ajo do të të mësojë; edhe peshqit e detit do të ta tregojnë!»​—JOBI 12:7, 8.

VITET e fundit, shkencëtarët dhe inxhinierët kanë lejuar në kuptimin e plotë të fjalës që bimët dhe kafshët t’i mësojnë. Ata po studiojnë dhe po imitojnë veçoritë e krijesave të ndryshme, me qëllim që të krijojnë gjëra të reja dhe të përmirësojnë funksionimin e mekanizmave ekzistues. Kjo fushë njihet si biomimetikë. Teksa shqyrtoni shembujt e mëposhtëm, pyeteni veten: ‘Kujt i takon në të vërtetë merita për këto projekte?’

Mësojnë nga pendët e notimit të balenës

Çfarë mund të mësojnë nga balena me gungë projektuesit e avionëve? Me sa duket shumë. Një balenë e rritur peshon rreth 30 tonë, sa një kamion i ngarkuar, dhe ka një trup disi të ngrirë, me pendë notimi të mëdha që ngjajnë si krahë. Kjo kafshë 12 metra e gjatë është tejet e zhdërvjellët nën ujë. Për shembull, kur do të hajë dhe u vjen rrotull krustaceve ose peshqve, balena me gungë noton poshtë tyre në drejtim të sipërfaqes, duke krijuar rrathë në formë spiraleje, teksa shfryn një batare flluskash. Kjo rrjetë flluskash, me diametër 1,5 metra, i mbledh krijesat në sipërfaqe. Pastaj balena e kollofit ushqimin e saj të gatitur bukur.

Ajo që i bënte veçanërisht kureshtarë studiuesit ishte se si ka mundësi që kjo krijesë me një trup si bllok të kthehet duke krijuar rrathë kaq të vegjël sa të duket e pamundur. Ata zbuluan se i gjithë sekreti ishte te pendët e notimit. Pjesa e përparme e pendëve nuk është e lëmuar, si krahët e avionit, por e dhëmbëzuar me një varg gungëzash.

Kur balena rrëshqet në ujë, këto gungëza rritin forcën ngritëse dhe zvogëlojnë rezistencën e ujit. Në ç’mënyrë? Revista Natural History shpjegon se gungëzat bëjnë që uji të kalojë më shpejt mbi pendë me një lëvizje të rregullt rrotulluese, edhe kur balena ngrihet gati vertikalisht. Nëse penda do ta kishte të lëmuar pjesën e përparme, balena nuk do të merrte dot kthesa kaq të forta në ngritje, pasi uji do të shkumëzohej, do të formonte një vorbull pas pendës dhe nuk do të krijonte një forcë ngritëse.

Për çfarë mund të hyjë në punë ky zbulim? Nga sa duket, krahët e avionëve të ndërtuar sipas këtij projekti, do të kishin nevojë për më pak nënkrahë të lëvizshëm ose pajisje të tjera që do të ndryshonin drejtimin e rrymës së ajrit. Këta krahë do të ishin më të sigurt e më të lehtë për t’u mirëmbajtur. Specialisti i biomekanikës, Xhon Longu, mendon se së shpejti «ka shumë të ngjarë që çdo avion që do të na shohin sytë, të ketë gunga si ato të pendëve të balenës me gungë».

Imitojnë krahët e pulëbardhës

Sigurisht, krahët e avionit tashmë janë bërë në imitim të krahëve të zogjve. Megjithatë, kohët e fundit, inxhinierët e kanë kopjuar edhe më mirë projektin e krahëve të zogjve. «Studiuesit në Universitetin e Floridës,—thotë revista New Scientist,—kanë ndërtuar një prototip avioni me telekomandë, i cili ka aftësinë e pulëbardhës për të qëndruar pezull, për t’u zhytur e për t’u ngjitur me shpejtësi.»

Pulëbardhat kryejnë akrobaci ajrore të jashtëzakonshme duke i thyer krahët te bërrylat dhe shpatullat. Revista thotë se duke kopjuar projektin e këtij krahu të përthyeshëm, «avioni prototip 24 inç [rreth 60 centimetra], përdor një motor të vogël për të kontrolluar një varg shufrash metalike që lëvizin krahët». Këta krahë të projektuar me mjeshtëri bëjnë të mundur që avioni i vogël të qëndrojë pezull e të futet midis ndërtesave të larta. Forcat Ajrore të SHBA-së mezi presin të ndërtojnë një avion kaq të manovrueshëm që ta përdorin për zbulimin e armëve biologjike ose kimike në qytetet e mëdha.

Kopjojnë këmbët e gekos

Njerëzit mund të mësojnë shumë edhe nga kafshët e tokës. Për shembull, hardhuca e vogël, e njohur si geko, është në gjendje të ngjitë muret e të rrijë kokëposhtë në tavan. Edhe në kohët biblike, kjo krijesë njihej për këtë aftësi mahnitëse. (Proverbat 30:28) Cili është sekreti që kjo hardhucë nuk e ka fare problem forcën e gravitetit?

Aftësia e gekos për t’u ngjitur edhe në sipërfaqe xhami të lëmuara, vjen falë zgjatimeve fare të vockla si qime, të quajtura ketë, që mbulojnë këmbët. Këmbët nuk lëshojnë lëndë ngjitëse, por shfrytëzojnë një forcë shumë të vogël molekulare. Molekulat në të dyja sipërfaqet lidhen me njëra-tjetrën për shkak të forcave shumë të dobëta tërheqëse që njihen si forcat e Van der Valsit. Zakonisht, forca e gravitetit i mposht lehtë këto forca, ja përse nuk mund ta ngjitni murin thjesht duke mbështetur pëllëmbët pas tij. Megjithatë ketët e veckël të gekos rritin sipërfaqen e kontaktit me murin. Kur shumëfishohen, në saje të mijëra ketëve të këmbëve të gekos, forcat e Van der Valsit krijojnë një forcë tërheqëse të mjaftueshme për të mbajtur peshën e vockël të hardhucës.

Për çfarë mund të përdoret ky zbulim? Materiale sintetike që bëhen duke kopjuar këmbët e gekos mund të përdoren si zëvendësues të Velkros, pra ja edhe një ide tjetër e huazuar nga natyra. * Revista The Economist citon fjalët e një studiuesi, që tha se një material i bërë në imitim të «ngjitësit të gekos» mund të jetë shumë i dobishëm «në mjekësi ku nuk mund të përdoren ngjitës kimikë».

Kujt i takon merita?

Ndërkohë, Enti Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor i SHBA-së po krijon një robot shumëkëmbësh që ecën si akrep, kurse inxhinierët në Finlandë, tashmë kanë ndërtuar një traktor gjashtëkëmbësh që mund të ngjitë pengesa, sikur të ishte insekt gjigant. Kërkues të tjerë kanë bërë pëlhura me pala të projektuara që hapen e mbyllen si boçet e pishës. Një shoqëri makinash po ndërton një automjet, duke kopjuar projektin e peshkut me trupin si kuti, që ka një fërkim çuditërisht të vogël kur noton. Kërkues të tjerë, po mundohen të kuptojnë aftësitë amortizuese të guaskës së midhjes, me synimin për të bërë jelekë antiplumb më të fortë e më të lehtë.

Nga natyra janë marrë kaq shumë ide të mira, saqë studiuesit kanë krijuar një bazë kompjuterike të dhënash ku tashmë renditen me mijëra sisteme biologjike. Revista The Economist thotë se shkencëtarët mund të hulumtojnë në këtë bazë për të gjetur «zgjidhje natyrore për problemet që hasin me projektet». Sistemet natyrore që përmban kjo bazë të dhënash njihen si «patenta biologjike». Normalisht, ai që ka të drejtën e patentës është personi ose shoqëria që regjistron ligjërisht një ide ose një shpikje të re. Duke diskutuar për këtë bazë të dhënash me «patenta biologjike», The Economist thotë: «Duke i quajtur projektet biomimetike ‘patenta biologjike’, studiuesit thjesht po nxjerrin në pah se në të vërtetë mbajtësja e së drejtës së patentës është natyra.»

Nga i lindën natyrës gjithë këto ide të shkëlqyera? Për këto projekte gjeniale që shihen në natyrë, shumë studiues ia japin meritën miliona viteve eksperimentale të evolucionit. Megjithatë, studiues të tjerë arrijnë në një përfundim tjetër. Në vitin 2005, mikrobiologu Majkëll Bihi shkroi në gazetën The New York Times se «projekti që duket qartë [në natyrë] na jep një argument të thjeshtë që të çarmatos». Sipas tij, kur provat që vërtetojnë një fakt janë të bollshme e flasin qartë, dhe nuk ka prova bindëse që vërtetojnë të kundërtën, atëherë nuk ka nevojë për prova të tjera. Në cilin përfundim arriti ai? Ai tha: «Projekti nuk duhet shpërfillur, vetëm se duket kaq qartë.»

Sigurisht, inxhinierit që projekton një avion më të sigurt e më cilësor, i takon merita për projektin e tij. Po kështu, shpikësit që krijon një fashë me shumë përdorime ose një material më të rehatshëm për rroba, ose një automjet më të mirë, i takon merita për projektin. Një prodhues që kopjon projektin e tjetërkujt, por nuk ia njeh ose nuk ia jep meritën projektuesit, mund të quhet kriminel.

Pra, a ju duket logjike, që studiues shumë të përgatitur, të cilët përpiqen të imitojnë deri diku sistemet në natyrë për të zgjidhur probleme inxhinierike të vështira, t’ia japin meritën për gjenialitetin e idesë origjinale një evolucioni pa inteligjencë? Nëse për të bërë një imitim kërkohet një projektues inteligjent, po për origjinalin? Vërtet, kush ka më shumë meritë, mjeshtri artist apo nxënësi që imiton teknikën e tij?

Një përfundim logjik

Pasi shqyrtojnë me kujdes provat që flasin për një projekt në natyrë, shumë njerëz të arsyeshëm bashkohen me ndjenjat e psalmistit që shkroi: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti.» (Psalmi 104:24) Shkrimtari biblik Pavli arriti në një përfundim të ngjashëm. Ai shkroi: «Cilësitë e tij [të Perëndisë] të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës.»—Romakëve 1:19, 20.

Megjithatë, shumë njerëz të sinqertë që e vlerësojnë Biblën dhe që besojnë te Perëndia do të thoshin se Perëndia mund të ketë përdorur evolucionin për të krijuar mrekullitë e natyrës. Por çfarë na mëson Bibla?

[Shënimi]

^ par. 15 Velkro është një ngjitës ku grremçat kapen pas nyjave, metodë që bazohet te projekti që gjendet te farat e rrodhes.

[Diçitura në faqen 5]

Nga i lindën natyrës gjithë këto ide të mira?

[Diçitura në faqen 6]

Kujt i takon e drejta e patentës në natyrë?

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Nëse për të bërë një imitim kërkohet një projektues inteligjent, po për origjinalin?

Ky avion shumë i manovrueshëm është bërë në imitim të krahëve të pulëbardhës

Këmbët e gekos nuk bëhen pis, nuk lënë gjurmë kurrë, ngjiten në çdo sipërfaqe përveç rrëshirës sintetike dhe ngjiten e shkëputen kollaj. Studiuesit po përpiqen t’i kopjojnë

Aftësia befasuese e peshkut me trupin si kuti për të rrëshqitur e për të ruajtur ekuilibrin, ishte shkëndija për projektin e një automjeti

[Burimet]

Avioni: Kristen Bartlett/​Universiteti i Floridës; këmbët e gekos: Breck P. Kent; peshku me trupin si kuti dhe makina: Mercedes-Benz USA

[Kutia dhe figurat në faqen 8]

JANË INSTINKTIVISHT TË MENÇURA PËR T’U ORIENTUAR

Shumë krijesa tregohen «instinktivisht të mençura» me mënyrën si e gjejnë rrugën përreth planetit Tokë. (Proverbat 30:24, 25) Le të marrim dy shembuj.

Milingonat orientohen gjatë rrugës Si e gjejnë rrugën për në shtëpi milingonat që dalin për të kërkuar ushqim? Studiuesit në Mbretërinë e Bashkuar zbuluan se disa milingona jo vetëm që lënë pas «shënues» me erë, por përdorin edhe gjeometrinë për të hapur shtigje që i ndihmojnë ta gjejnë kollaj shtëpinë. Për shembull, revista New Scientist thotë se milingonat faraon «hapin shtigje që dalin si degëzime nga foleja dhe krijojnë me njëra-tjetrën kënde 50 deri në 60 gradë». Çfarë ka të veçantë kjo gjë? Kur milingona kthehet për në fole dhe arrin në një pikë ku shtigjet degëzohen, instinktivisht merr rrugën që devijon më pak, e që patjetër e çon në shtëpi. «Gjeometria e shtigjeve të kryqëzuara,—thotë artikulli,—ua lehtëson lëvizjen milingonave në rrjetin e shtigjeve, sidomos kur milingonat ecin përgjatë tyre në dy drejtime, dhe zvogëlon energjinë që do të humbte çdonjëra po të shkonte në drejtimin e gabuar.»

Busullat e zogjve Shumë zogj orientohen mjaft saktë në largësi të mëdha, sido që të jetë koha. Si? Studiuesit kanë zbuluar se zogjtë ndiejnë fushën magnetike të tokës. Megjithatë, revista Science thotë se «vijat e fushës magnetike [të tokës] ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin dhe jo gjithmonë tregojnë vërtet veriun». Çfarë i ndihmon zogjtë që të mos dalin nga kursi? Me sa duket, çdo mbrëmje e përshtatin busullën e tyre të brendshme me perëndimin e diellit. Sipas kësaj reviste, meqë pozicioni i perëndimit të diellit ndryshon sipas gjerësisë gjeografike dhe stinës, studiuesit mendojnë se këta zogj janë të aftë t’i kompensojnë këto ndryshime me anë të «një ore biologjike që u tregon se në ç’kohë të vitit janë».

Kush e programoi milingonën që të kuptojë gjeometrinë? Kush i pajisi zogjtë me një busull, me një orë biologjike dhe me një tru të aftë për të interpretuar informacionin që i japin këto mjete? Evolucioni pa inteligjencë? Apo një Krijues inteligjent?

[Burimi]

© E.J.H. Robinson 2004