Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
▪ Mesatarisht 200 milionë njerëz, 5 për qind e popullsisë së gjithë botës nga mosha 15 deri 64-vjeçare, kanë përdorur drogë vitin e fundit.—2005 WORLD DRUG REPORT, ZYRA E KOMBEVE TË BASHKUARA PËR DROGËN DHE KRIMIN
▪ Studimet tregojnë se një adoleshent që është dëshmitar i dhunës me armë zjarri, ka dyfish të ngjarë të kryejë ndonjë akt të dhunshëm brenda dy viteve pasuese.—REVISTA SCIENCE, SHBA
▪ Në San-Paolo, Brazil, 16,8 për qind e rasteve të kancerit të gjirit që u diagnostikuan brenda një viti në një spital, ishin gra nën moshën 35-vjeçare. Nëse do të diagnostikoheshin më parë, do të kishin 90 për qind shanse për t’u shëruar.—FOLHA ONLINE, BRAZIL
Luftë kundër mërzisë
Gazeta The Vancouver Sun raporton se studiuesit që po bëjnë kërkime në lidhje me mërzinë, e quajnë «një nga sëmundjet më të përhapura të epokës sonë». Një anketë zbuloi se «gati tre në katër amerikano-veriorë, duan të bëjnë diçka të re në jetën e tyre». Midis sugjerimeve të gazetës për të luftuar mërzinë janë: «Bëni diçka ndryshe për të thyer rutinën e përditshme», «mësoni diçka të re», merruni me «punë vullnetare të dobishme», «përfshihuni në aktivitete që ju vënë në lëvizje, për shembull . . . shëtitni», dhe «bëjeni zakon të shfaqni mirënjohje».
Skllavëri moderne
«Të paktën 12,3 milionë njerëz në tërë botën janë viktima të punës së detyruar»,—raportohet në një studim të Organizatës Ndërkombëtare të Punës të Kombeve të Bashkuara (ILO). Është llogaritur se nga këta, mbi 2,4 milionë janë viktima të trafikimit të njerëzve. Shembuj të punës së detyruar—punë e bërë pa dëshirë ose shërbime të kryera me detyrim duke i kërcënuar—janë prostitucioni, shërbimi ushtarak dhe puna skllavëruese, ku punëtorët fitojnë shumë pak ose asgjë fare, pasi paga e tyre shërben vetëm për të shlyer borxhet. Sipas drejtorit të përgjithshëm të ILO-s, Huan Somavias, kjo lloj pune «u mohon këtyre njerëzve dinjitetin dhe të drejtat themelore».
Bibla e parë e plotë në gjuhën kriol
«Ka përfunduar përkthimi i parë i Biblës në një gjuhë indigjene të Australisë, që nga Zanafilla deri te Zbulesa»,—raporton The Sydney Morning Herald. Përkthimi i ri në gjuhën kriol është planifikuar të dalë në vitin 2007, dhe prej tij do të përfitojnë rreth 30.000 aborigjenë nga rajone të largëta të Australisë Veriore. «Projekti ka 27 vjet që ka filluar»,—thotë gazeta. Sipas Shoqatave të Bashkuara të Biblës, «në vitin 2004 u regjistruan 22 përkthime të reja të Besëlidhjes së Re». Tani Bibla mund të lexohet e tëra ose pjesërisht në 2.377 gjuhë dhe dialekte.
Temperatura në makinat e parkuara
Revista Pediatrics thotë se në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2004, vdiqën 35 fëmijë nga nxehtësia, pasi ishin lënë në makinat e parkuara. Studimet tregojnë se, kur temperatura jashtë kalon 30 gradë celsius, temperatura brenda makinës mund të rritet shumë shpejt, nga 57 deri në 68 gradë celsius. Edhe atëherë kur temperatura jashtë është 22 gradë celsius, përsëri brenda në makinë ajo mund të rritet me rreth 4 gradë, dhe më tepër rritet 15 ose 30 minutat e para pasi makina është parkuar. Lënia e dritareve 4 centimetra hapur ose edhe ndezja pak e ajrit të kondicionuar para se të fiket makina, nuk sjell ndonjë ndryshim kushedi. Autorët e këtij artikulli mendojnë se mund të shpëtohen kushedi sa jetë, nëse publiku paralajmërohet për këtë rrezik.