Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pelegrinët dhe Puritanët: Cilët ishin ata?

Pelegrinët dhe Puritanët: Cilët ishin ata?

Pelegrinët dhe Puritanët: Cilët ishin ata?

NË BREGDETIN amerikano-verior, në Plimuth të Masaçusetsit, gjendet një gur i madh graniti, mbi të cilin është gdhendur numri 1620. Ai quhet Shkëmbi i Plimuthit dhe mendohet se ndodhet pranë vendit ku një grup evropianësh zbritën nga anija pothuajse 400 vjet më parë. Ndoshta këta njerëz i njihni me emrin pelegrinë.

Shumë veta, kanë dëgjuar histori për pelegrinët mikpritës që ftojnë indianët vendës në gosti me prodhimet e bollshme të fushave. Por, kush ishin pelegrinët dhe pse shkuan në Amerikën e Veriut? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të kthehemi në kohën e mbretit anglez, Henrikut VIII.

Trazira fetare në Angli

Rreth 100 vjet para se pelegrinët të niseshin për në Amerikë, Anglia ishte një vend katolik dhe mbreti Henriku VIII mbante titullin «Mbrojtës i Besimit» të dhënë nga papa. Por një e çarë u krijua kur Papa Klementi VII nuk pranoi të anulonte martesën e Henrikut me Katerinën e Aragonës, e para nga gjashtë gratë e Henrikut.

Ndërkohë që Henriku merrej me problemet familjare, Reforma Protestante po sillte trazira në Kishën Katolike të Romës në një pjesë të madhe të Evropës. Ngaqë nuk donte të humbte prestigjin që i jepte kisha, në fillim Henriku i mbajti larg Anglisë reformatorët. Pastaj ndërroi mendje. Kisha Katolike nuk do ta anulonte martesën e tij, kështu që «do ta anulonte» Henriku kishën. Më 1534, ai i dha fund pushtetit të papës mbi katolikët anglezë dhe e shpalli veten kre suprem të Kishës Anglikane. S’kaloi shumë dhe mbylli manastiret e shiti pronat e tyre të mëdha. Në vitin 1547, kur Henriku vdiq, Anglia po bëhej vend protestant.

Edhe gjatë sundimit të djalit të Henrikut, Eduardit VI, mbeti kjo e çarë në marrëdhëniet me Romën. Pas vdekjes së Eduardit në vitin 1553, Maria, vajza katolike e Henrikut, e bija e Katerinës së Aragonës, u bë mbretëreshë dhe u përpoq t’ia nënshtronte vendin autoritetit të papës. Ajo detyroi shumë protestantë të shkonin në mërgim dhe dogji më shumë se 300 veta në turrën e druve, duke u bërë e njohur si Maria Gjakatare. Por nuk mundi ta frenonte dallgën e ndryshimeve. Maria vdiq më 1558. Gjysmëmotra e saj, Elizabeta I, që hipi në fron pas saj, mori masa që papa të mos kishte më pushtet në jetën fetare të Anglisë.

Megjithatë, disa protestantë mendonin se nuk mjaftonte vetëm ndarja nga Kisha e Romës, por duheshin zhdukur të gjitha gjurmët e katolicizmit. Ata që donin të pastronin adhurimin, u quajtën puritanë. Disa puritanë nuk e shihnin të nevojshme të kishin peshkop dhe mendonin se çdo kongregacion duhej të drejtohej vetë, i ndarë nga kisha e kombit. Këta u quajtën separatistë.

Gjatë mbretërimit të Elizabetës, puritanët striktë dolën hapur. Veshja joformale e disa klerikëve e acaronte mbretëreshën, dhe më 1564, ajo urdhëroi kryepeshkopin e Kantërbërit të nxirrte një veshje zyrtare të detyrueshme për klerikët. Duke parashikuar se do të mbanin veshje ceremoniale, siç kishin priftërinjtë katolikë, puritanët nuk pranuan të bindeshin. U ndezën edhe debate të tjera për hierarkinë e vjetër të peshkopëve dhe kryepeshkopëve. Elizabeta e ruajti hierarkinë e peshkopëve dhe u kërkoi që të betoheshin për besnikëri ndaj saj si kreu i kishës.

Nga separatistë në pelegrinë

Pas Elizabetës, në vitin 1603, fronin e trashëgoi Jakovi I, i cili u bëri shumë presion separatistëve që t’i nënshtroheshin autoritetit të tij. Më 1608, një kongregacion separatist nga qyteti i Skrubit shkoi në Holandë, për të përfituar nga liria që ofronte ky vend. Megjithatë me kalimin e kohës, toleranca holandeze ndaj feve të tjera dhe morali i shthurur, bënë që separatistët të ndiheshin më keq se në Angli. Ata vendosën të linin Evropën dhe të nisnin një jetë të re në Amerikën e Veriut. Gatishmëria e këtij grupi separatistësh për të shkuar larg atdheut për hir të bindjeve të tyre, bëri që me kalimin e kohës, ata të njiheshin me emrin pelegrinë.

Pelegrinët, ku bënin pjesë edhe shumë separatistë, morën leje për t’u vendosur në koloninë britanike të Virxhinias dhe u nisën për në Amerikën e Veriut në shtator të vitit 1620, me një anije të quajtur Lulja e majit. Rreth 100 të rritur dhe fëmijë kaluan dy muaj të stuhishëm në veri të Oqeanit Atlantik, para se të arrinin në Kepin e Kodit, nja 800 kilometra në veri të Virxhinias. Atje nënshkruan «Marrëveshjen e Lules së Majit», një dokument ku deklarohej dëshira e tyre për të krijuar një komunitet dhe për të respektuar ligjet e tij. Më 21 dhjetor 1620, ata u vendosën me banim në Plimuth, një vend aty afër.

Një jetë e re në Botën e Re

Refugjatët arritën në Amerikën e Veriut të papërgatitur për dimrin. Brenda disa muajsh, gjysma e grupit vdiq. Megjithatë, bashkë me pranverën erdhi edhe shpëtimi. Të mbijetuarit ndërtuan shtëpi të përshtatshme dhe mësuan nga indianët vendës si të rritnin bimë vendëse për ushqim. Në vjeshtën e vitit 1621, pelegrinët kishin kaq begati, saqë caktuan një kohë për të falënderuar Perëndinë për bekimet e tij. Prej këtej erdhi edhe Dita e Falënderimeve që tani festohet në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. Atje shkuan edhe emigrantë të tjerë, kështu që, në më pak se 15 vjet, popullsia e Plimuthit i kaloi 2.000 veta.

Ndërkohë në Angli, ashtu si separatistët, edhe disa puritanë vendosën të gjenin «Tokën e Premtuar» përtej Atlantikut. Më 1630, një grup puritanësh arritën në veri të Plimuthit dhe krijuan Koloninë e Gjirit të Masaçusetsit. Në vitin 1640, afro 20.000 emigrantë anglezë jetonin në Anglinë e Re. Pasi kolonia e Gjirit të Masaçusetsit mori kontrollin mbi koloninë e Plimuthit në vitin 1691, pelegrinët separatistë nuk ishin më dhe aq të përçarë. Bostoni u bë djepi shpirtëror për rajonin, pasi puritanët tani mbizotëronin në jetën fetare të Anglisë së Re. Si e adhuronin ata Perëndinë?

Feja e puritanëve

Në fillim, puritanët në Botën e Re ndërtuan shtëpi druri ku mblidheshin të dielave në mëngjes. Në mot të mirë, kushtet brenda s’ishin fort keq, por shërbesat gjatë dimrit vinin në provë edhe qëndrueshmërinë e puritanëve më të paepur. Këto vende nuk kishin ngrohje dhe shpejt besimtarëve që dridheshin nga të ftohtët, u bëhej trupi kallkan. Shpesh, predikuesit, ngaqë flitnin dhe bënin gjeste, vinin dorashka për të mbrojtur duart nga ajri i akullt që ishte brenda.

Puritanët i bazonin bindjet e tyre në mësimet e reformatorit protestant francez Xhon Kalvinit. Ata pranuan doktrinën e paracaktimit të fatit dhe besonin se Perëndia e kishte paracaktuar se cilët njerëz do të shpëtonte e cilët do të dënonte në ferrin e përjetshëm. Pavarësisht nga ajo që bënin njerëzit, ata nuk mund ta ndryshonin mendimin që kishte Perëndia për ta. Një njeri nuk mund ta dinte nëse kur të vdiste do të shijonte flladin e ëmbël të parajsës qiellore apo do të digjej përgjithnjë si kandili.

Me kalimin e kohës, pastorët puritanë filluan të predikonin pendimin. Ata paralajmëronin se ndonëse Perëndia ishte i mëshirshëm, ata që nuk u bindeshin ligjeve të tij do të shkonin direkt në ferr. Ata predikues e ushqenin dhe e mbanin gjallë besimin te zjarri i ferrit, me qëllim që njerëzit të mbeteshin të nënshtruar ndaj rregullave. Xhonatan Eduardsi, një predikues në shekullin e 18-të, foli për temën «Mëkatarët në duart e Perëndisë së zemëruar». Përshkrimi që i bëri ferrit, ishte kaq i frikshëm, saqë klerikëve të tjerë iu desh t’u jepnin ndihmë emocionale njerëzve të tronditur nga ai fjalim.

Predikuesit që vinin nga vende të tjera e që predikonin në Masaçusets, ishin në rrezik. Autoritetet e dëbuan tri herë Meri Dajërin, një predikuese kuakere, por prapëseprapë ajo kthehej dhe shpallte bindjet e saj. Atë e varën në Boston më 1 qershor 1660. Filip Ratklifi me sa duket e harroi egërsinë me të cilën udhëheqësit puritanë trajtuan kundërshtarët. Për fjalimet e tij kundër qeverisë dhe kishës së Salemit, atë e fshikulluan me kamxhik dhe e gjobitën. Pastaj, që ta mbante mend mirë, para se ta lironin, i prenë veshët. Intoleranca e puritanëve detyroi shumë njerëz të largoheshin nga Masaçusetsi, dhe kjo çoi në rritjen e kolonive të tjera.

Arroganca sjell dhunë

Duke e mbajtur veten si «të zgjedhurit» e Perëndisë, shumë puritanë i shihnin vendësit si qenie inferiore që kishin zaptuar vendin. Ky qëndrim ndezi zemërim dhe disa vendës filluan të sulmonin. Kështu udhëheqësit puritanë i zbutën disi ligjet që kishin të bënin me sabatin, në mënyrë që burrat të kishin mundësi të mbanin armë gjatë rrugës për në vendin ku kryheshin shërbesat fetare. Më 1675, gjendja u keqësua.

Duke parë se populli i tij po humbte territorin e vet, Metakometi—i njohur edhe si mbreti Filip—kreu i indianëve uampanoag filloi të plaçkiste vendbanimet e puritanëve, të digjte shtëpitë dhe të masakronte njerëzit. Puritanët u kundërpërgjigjën dhe luftimet vazhduan për muaj me radhë. Në gusht të vitit 1676, puritanët e kapën Filipin në Roud-Ajlënd. I prenë kokën, i nxorën zorrët dhe kufomën e tij e prenë më katërsh. Në këtë mënyrë mori fund lufta e mbretit Filip dhe pavarësia e vendësve të Anglisë së Re.

Gjatë shekullit të 18-të, zelli puritan u shpreh në një mënyrë tjetër. Disa pastorë në Masaçusets dolën kundër sundimit anglez dhe ndezën shkëndijën e dëshirës për pavarësi. Ata e përzjenë politikën me fenë në diskutimet e tyre për revolucion.

Në përgjithësi puritanët ishin punëtorë të palodhur, trima dhe të përkushtuar ndaj fesë së tyre. Ende i përdorin shprehjet «karakter puritan» dhe «ndershmëri puritane». Por vetëm sinqeriteti nuk e pastron njeriun nga doktrinat e gabuara. Përzierja e politikës me fenë është diçka që Jezu Krishti e shmangu. (Gjoni 6:15; 18:36) Gjithashtu, mizoria është në kundërshtim me këtë të vërtetë jetësore: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.

A mëson feja jote ferrin e zjarrtë, paracaktimin e fatit ose doktrina të tjera jobiblike? A përfshihen krerët e fesë tënde në fushata politike? Një studim i sinqertë i Fjalës së Perëndisë, Biblës, do të të ndihmojë të gjesh ‘adhurimin e pastër e të pandotur’ që pranon Perëndia.—Jakovi 1:27.

[Kutia dhe figura në faqen 13]

PURITANËT DHE FERRI I ZJARRTË

Duke predikuar ferrin e zjarrtë, puritanët binin në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë. Bibla mëson se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm dhe nuk mund të ndiejnë dhembje ose kënaqësi. (Eklisiastiu 9:5, 10) Për më tepër, Perëndisë së vërtetë, nuk i «ka shkuar kurrë ndër mend» t’i torturojë njerëzit. (Jeremia 19:5; 1 Gjonit 4:8) Ai u bën thirrje njerëzve të bëjnë ndryshime në jetë dhe nuk i trajton mizorisht keqbërësit e papenduar. (Ezekieli 33:11) Në kundërshtim me këto të vërteta që gjenden në Shkrime, predikuesit puritanë shpesh e përshkruanin Perëndinë si të egër e hakmarrës. Gjithashtu, ata mësonin një pikëpamje të pashpirt për jetën, sipas së cilës, për të mposhtur kundërshtarët përdorej edhe dhuna.

[Figura në faqen 10]

Pelegrinët mbërrijnë në Amerikën e Veriut, 1620

[Burimi]

Enciklopedia e Harperit e Historisë së Shteteve të Bashkuara

[Figura në faqen 12]

Festojnë për herë të parë Ditën e Falënderimeve, 1621

[Figura në faqen 12]

Vend ku mblidheshin puritanët, Masaçusets

[Figura në faqen 12]

Xhon Kalvini

[Figura në faqen 12]

Xhonatan Eduardsi

[Figura në faqen 13]

Një çift i armatosur puritanësh duke shkuar në kishë

[Burimi i figurës në faqen 11]

Biblioteka e Kongresit, Prints & Photographs Division

[Burimet e figurave në faqen 12]

Sipër majtas: Snark/Art Resource, NY; sipër djathtas: Enciklopedia e Harperit e Historisë së Shteteve të Bashkuara; Xhon Kalvin: portret i marrë nga Jeta e Kalvinit nga Pol Henri, pjesë e librit Historia e protestantizmit (Vëll. II); Xhonatan Eduards: Dictionary of American Portraits/Dover

[Burimi i figurave në faqen 13]

Figurat: North Wind Picture Archives