Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballojnë vështirësitë e pleqërisë

Përballojnë vështirësitë e pleqërisë

Përballojnë vështirësitë e pleqërisë

«DITËT tona arrijnë në shtatëdhjetë vjet; më të fortët arrijnë në tetëdhjetë. Sidoqoftë ato sjellin veç telashe e të këqija, kalojnë shpejt dhe ne fluturojmë tutje.» (Psalmi 90:10) Kjo këngë poetike 3.000-vjeçare tregon edhe një herë se vështirësitë e pleqërisë njihen prej brezash e brezash. Edhe pse janë bërë përparime të lavdërueshme në mjekësi, disa aspekte të moshës së shkuar sjellin veçanërisht «telashe e të këqija». Cilat janë këto aspekte dhe si po i përballojnë disa këto vështirësi?

Të moshuar, por me mendje të mprehtë

«Gjëja që kam më shumë frikë, është mos rrjedh nga trutë»,—tha i merakosur Hansi 79-vjeçar. Si shumë të moshuar, edhe Hansi shqetësohej se mos e linte kujtesa. Ai merakosej se mos humbte atë që një poet i lashtë e quajti «kupa prej ari», domethënë trurin e çmuar bashkë me kujtimet e vyera. (Eklisiastiu 12:6) Hansi pyeste: «A është dobësimi i aftësive mendore një pjesë normale e plakjes?»

Në qoftë se edhe juve, ashtu si Hansit, ju ka ndodhur të harroni emra ose keni pyetur veten nëse lojëra të tilla të kujtesës janë fillimi i një dobësimi të rëndë të aftësive mendore, nuk ka pse të shqetësoheni. Njeriut i ndodh në çdo moshë të harrojë, dhe ndryshimet në funksionet mendore që mund të ketë një i moshuar, zakonisht nuk vijnë nga demenca. * Shefi i katedrës së shkencës që merret me studimin e sjelljes në Qendrën Spitalore Universitare të Stejtën-Ajlëndit në Nju-Jork, dr. Majkëll T. Livi, shkruan se megjithëse është e zakonshme që kujtesa të dobësohet disi në moshë të shkuar, «shumica e të moshuarve, deri në fund të jetës, i kanë plotësisht në rregull të gjitha aftësitë mendore».

Vërtet, shpesh të rinjtë i kujtojnë gjërat më shpejt se të moshuarit. Megjithatë, neurologu Riçard Restak thotë se «po të mos e marrim parasysh shpejtësinë, të moshuarit në përgjithësi ia dalin po aq mirë sa të rinjtë». Në fakt, me arsimin dhe stërvitjen e duhur, të moshuarit me një tru të shëndetshëm, vazhdojnë të mësojnë, të mbajnë mend e madje të përmirësojnë disa aftësi.

Probleme të kujtesës dhe çrregullime të kurueshme

Po nëse dikush ka probleme më të mëdha me kujtesën? Edhe në këtë rast, ai ose ajo nuk duhet të nxjerrin menjëherë përfundimin se problemi është demenca. Shumë çrregullime të tjera të kurueshme që ndodhin në moshën e shkuar mund të shkaktojnë probleme me kujtesën dhe një pështjellim të papritur e të pazakontë. Shpesh çrregullime të tilla quhen gabimisht «plakje», madje ndonjëherë quhen kështu nga mjekë të keqinformuar. Kjo jo vetëm që i fyen pacientët e moshuar, por mund t’i pengojë të marrin kurën e duhur. Cilat mund të jenë disa nga këto çrregullime?

Një pështjellim i papritur dhe i pazakontë mund të shkaktohet nga kequshqyerja, çhidratimi, anemia, dëmtimet në kokë, problemet me tiroidet, mungesa e vitaminave, efektet anësore të ilaçeve e madje edhe nga ndonjë ndryshim i ambientit ku jetojnë, që i bën të mos orientohen dot. Problemet e kujtesës mund të vijnë nga stresi i zgjatur ose nga infeksionet, të cilat dihen që shkaktojnë pështjellim te të moshuarit. Edhe depresioni mund të jetë një shkak tjetër për humbjen e kujtesës dhe pështjellimin te të moshuarit. Prandaj, dr. Livi këshillon që «kurrë nuk duhet shpërfillur fillimi i shpejtë i një gjendjeje hutimi të theksuar ose të merret si një demencë e moshës, që s’ke çfarë t’i bësh». Një kontroll i plotë mjekësor ndihmon në përcaktimin e shkakut të këtyre simptomave.

Si të përballohet depresioni

Depresioni nuk është diçka e re për njerëzit, madje as për shërbëtorët besnikë të Perëndisë. Gati dy mijë vjet më parë, apostulli Pavël e pa të nevojshme t’u jepte këtë këshillë të bashkëkrishterëve: «T’u flitni në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar.» (1 Selanikasve 5:14) Në kohët tona stresuese, kjo nevojitet edhe më shumë. Por, mjerisht, te të moshuarit depresioni shpesh nuk diagnostikohet ose diagnostikohet gabim.

Për shkak të koncepteve të gabuara mbizotëruese, sipas të cilave, në moshën e shkuar njerëzit bëhen më të trishtuar dhe me luhatje më të mëdha të humorit, të tjerët, por edhe vetë të moshuarit, mund të mendojnë se këto shenja janë pjesë normale e procesit të plakjes. «Gjithsesi, kjo nuk është e vërtetë»,—thuhet në librin Si të kurojmë të moshuarit (anglisht). «Depresioni te të moshuarit nuk është pjesë normale e procesit të plakjes.»

Depresioni i rëndë i zgjatur, ndryshe nga trishtimi i zakonshëm ose nga luhatjet e shkurtra të humorit, është një sëmundje e rëndë që mund të sjellë pasoja serioze, dhe prandaj nuk duhet shpërfillur. Po të lihet pa u kuruar, depresioni mund të keqësohet e të bëhet kaq i rëndë, saqë disa pacientë të dëshpëruar e gjejnë zgjidhjen te vetëvrasja. Dr. Livi shpjegon se, te pacientët e moshuar, tragjikja është se depresioni, «sëmundja më e kurueshme e të gjitha sëmundjeve psikiatrike, është edhe më vdekjeprurësja». Nëse depresioni vazhdon, ndoshta pacienti duhet të kurohet nga një specialist me përvojë në fushën e çrregullimeve të humorit. *Marku 2:17.

Individët me depresion mund të jenë të sigurt se Jehovai «është shumë i butë në përzemërsi dhe i mëshirshëm». (Jakovi 5:11) Ai «u rri pranë zemërthyerve». (Psalmi 34:18) Po, ai është i pari fare «që ngushëllon të dëshpëruarit».—2 Korintasve 7:6, New American Standard Bible.

Mos u ndieni pa vlerë

«Mos më flak në kohën e pleqërisë. Mos më lër pikërisht kur më priten fuqitë»,—u lut mbreti besnik David më shumë se 3.000 vjet më parë. (Psalmi 71:9) Edhe në shekullin e 21-të, ndjenja të tilla nuk janë të pazakonta te të moshuarit, të cilët kanë frikë se mos nuk shihen më si të dobishëm. Kufizimet që vijnë nga shëndeti i dobët, fare lehtë mund të sjellin ndjenja pavlefshmërie, kurse dalja në pension mund të ulë vlerësimin për veten.

Megjithatë, po të përqendrohemi te gjërat që mund të bëjmë dhe jo të shkurajohemi nga ato që nuk kemi më mundësi t’i bëjmë, mund të ruajmë vlerësimin për veten dhe të ndihemi të dobishëm. Në lidhje me këtë, në një raport të OKB-së këshillohej ‘të vazhdohej zhvillimi nëpërmjet shkollimit ose të mësuarit në jetën e përditshme, pjesëmarrjes në organizimet në komunitet dhe në veprimtaritë fetare’. Rasti i Ernestit, një Dëshmitar i Jehovait në Zvicër, i cili ka qenë mjeshtër si bukëpjekës, por tani ka dalë në pension, tregon se sa dobi sjell ‘zhvillimi i vazhdueshëm nëpërmjet të mësuarit’. Në të 70-at, ai vendosi të blinte një kompjuter dhe të mësonte si ta përdorte. Po përse veproi kështu, ndërkohë që shumë moshatarë të tij sikur kanë frikë nga teknologjia? Ai tha: «Në radhë të parë, për ta mbajtur mendjen në punë, ndërkohë që plakem. E së dyti, të njihem me të rejat e teknologjisë që mund të më ndihmojnë për të bërë kërkime rreth Biblës dhe për gjërat që bëj në kongregacionin e krishterë.»

Aktivitetet frytdhënëse mund të plotësojnë shumë nga nevojat bazë të të moshuarve: ato i japin kuptim jetës dhe të japin kënaqësinë që vjen nga arritjet, madje mund të sjellin edhe ca të ardhura. Mbreti i mençur Solomon tha se për njeriun është dhuratë nga Perëndia ‘të gëzojë dhe të bëjë mirë gjatë jetës së tij; dhe që çdo njeri të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij’.—Eklisiastiu 3:12, 13.

Të bëjmë sa më shumë të mundemi

Në shumë shoqëri, janë të moshuarit ata që u përcjellin brezave të rinj njohuri, si edhe vlera morale e shpirtërore. Mbreti David shkroi: «Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd, të gjithë atyre që do të vijnë, për fuqinë tënde.»—Psalmi 71:18.

Po nëse shëndeti ose rrethanat i kufizojnë shumë të moshuarit? Kjo gjendje e vështirë e mërziste Sarën 79-vjeçare, një Dëshmitare të Jehovait. Ajo ia shprehu shkurajimin e saj një plaku të krishterë. Ai i kujtoi parimin biblik që thotë se «përgjërimi i të drejtit vepron me shumë forcë». (Jakovi 5:16) I shpjegoi: «Gjatë viteve, ti ke krijuar një lidhje të ngushtë me Perëndinë. Tani, mund të na krijosh mundësi ne të tjerëve të nxjerrim dobi nga kjo lidhje, kur na kujton në lutjet e tua.» Ajo u inkurajua shumë kur ai i tha: «Sara, ne kemi nevojë që ti të lutesh për ne.»

Siç e kuptoi edhe Sara, lutja është një mënyrë shpërblyese dhe e rëndësishme se si shumë të moshuar mund të përpiqen natë e ditë për të tjerët. (Kolosianëve 4:12; 1 Timoteut 5:5) Në të njëjtën kohë, këto lutje i ndihmojnë të moshuarit besnikë që t’i afrohen edhe më shumë ‘Dëgjuesit të lutjes’, Jehovait.—Psalmi 65:2; Marku 11:24.

Të moshuarit që kanë kufizime, por që japin me bujari nga përvoja dhe pasuritë e tyre, janë një pasuri e çmuar për njerëzit që kanë përreth. Ata janë një provë se «flokët e bardhë janë një kurorë bukurie kur gjenden në udhën e drejtësisë».—Proverbat 16:31.

Gjithsesi, natyrshëm mund të pyesim: Çfarë do të sjellë e ardhmja për ne, ndërsa mosha kalon? A mund të presim me realizëm një jetë më të mirë gjatë viteve të pleqërisë?

[Shënimet]

^ par. 5 Disa studiues thonë se «pothuajse 90 për qind e të gjithë njerëzve mbi 65 vjeç, nuk vuajnë nga demenca». Për më shumë informacione rreth trajtimit të demencës, ju lutemi të shihni serinë «Sëmundja e Alcajmerit: Të lehtësojmë dhimbjen», në revistën Zgjohuni!, tetor 1998.

^ par. 13 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë metodë të veçantë. Të krishterët duhet të sigurohen që trajtimi mjekësor që do të bëjnë, të jetë në harmoni me parimet e Biblës. Ju lutemi të shihni serinë «Të kuptojmë çrregullimet e humorit» në revistën Zgjohuni! të 8 janarit 2004.

[Diçitura në faqen 5]

Në vrullin e kohëve tona moderne, shpesh të moshuarit ndihen si të shpërfillur

[Kutia dhe figura në faqen 7]

Si t’i ndihmoni të moshuarit

Respektoni dinjitetin e tyre. «Mos e kritiko ashpër një më të moshuar. Përkundrazi, përgjëroje si një atë, . . . më të moshuarat si nëna.»—1 Timoteut 5:1, 2.

Dëgjojini me kujdes. ‘Duhet të jeni të shpejtë në të dëgjuar, mos u nxitoni në të folur e mos u zemëroni shpejt.’—Jakovi 1:19.

Përpiquni t’i kuptoni ndjenjat e tyre. «Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta, kini përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur, me mendje të përulur, mos e ktheni të keqen me të keqe dhe sharjen me të sharë.»—1 Pjetrit 3:8, 9.

Dalloni kur kanë nevojë për inkurajim. «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.»—Proverbat 25:11.

Ftojini në aktivitetet që organizoni. «Ndiqni udhën e mikpritjes.»—Romakëve 12:13.

Jepuni ndihmë konkrete. «Si qëndron dashuria e Perëndisë tek ai që ka zotërimet e kësaj bote, e megjithatë, kur sheh vëllanë e tij në nevojë, e mbyll derën e dhembshurive të tij të buta? Fëmijë të vegjël, le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»—1 Gjonit 3:17, 18.

Jini shpirtgjerë. «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.»—Kolosianëve 3:12.

Duke u kujdesur për të moshuarit, tregojmë respekt për vetë normat e Perëndisë, sepse Fjala e tij thotë: «Trego nderim për të moshuarin [ose të moshuarën].»—Levitiku 19:32.

[Figura në faqen 6]

Një kontroll i plotë mjekësor mund të jetë i dobishëm