Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një mrekulli e krijimit​—Rruazat e kuqe të gjakut

Një mrekulli e krijimit​—Rruazat e kuqe të gjakut

Një mrekulli e krijimit​—Rruazat e kuqe të gjakut

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKËN E JUGUT

Qelizat më të zakonshme të gjakut, i japin atij ngjyrën e kuqe, prandaj quhen rruazat e kuqe të gjakut. Vetëm një pikë gjaku përmban qindra milionë rruaza të tilla. Kur i sheh me mikroskop, duken si petulla me një gropëz në mes, në vend të një vrime. Çdo qelizë përmban qindra milionë molekula hemoglobinë. Nga ana tjetër, çdo molekulë hemoglobinë është një strukturë e bukur sferike, e ndërtuar nga rreth 10.000 atome hidrogjeni, karboni, azoti, oksigjeni dhe squfuri, plus edhe katër atome të rënda hekuri, me të cilat gjaku mbart oksigjenin. Falë hemoglobinës dyoksidi i karbonit transportohet nga indet te mushkëritë, ku çlirohet me anë të procesit të frymënxjerrjes.

Një tjetër pjesë kryesore e rruazave të kuqe është cipa e tyre, që quhet membranë. Kjo mbulesë e mrekullueshme bën që qelizat të zgjerohen duke marrë forma të holla. Prandaj mund të kalojnë edhe nëpër enët më të holla të gjakut dhe kështu ushqejnë çdo pjesë të trupit.

Këto qeliza prodhohen në palcën e kockave. Me të hyrë në rrjedhën e gjakut, një qelizë e re mund të qarkullojë në zemër dhe në trup mbi 100.000 herë. Ndryshe nga qelizat e tjera, rruazat e kuqe të gjakut nuk kanë bërthamë. Kjo u lë më shumë hapësirë për të mbajtur oksigjen dhe i bën më të lehta. Kështu zemra e ka më të lehtë të pompojë triliona rruaza të kuqe në të gjithë trupin. Megjithatë, ngaqë nuk kanë bërthamë, ato nuk mund të ripërtërijnë pjesët e tyre të brendshme. Kështu, pas afro 120 ditësh, rruazat e kuqe fillojnë të prishen dhe të humbin elasticitetin. Fagocitet, rruazat e bardha të mëdha të gjakut, hanë këto qeliza të plakura dhe zbërthejnë atomet e tyre të hekurit. Këto ngjiten pas molekulave transportuese (proteinave të plazmës) që i çojnë te palca e kockës, që të përdoren për prodhimin e rruazave të reja të kuqe të gjakut. Çdo sekondë, palca e kockave prodhon dy deri në tre milionë rruaza të kuqe.

Nëse trilionët e rruazave të kuqe të gjakut papritmas do të pushonin së funksionuari, do të vdisnim brenda disa minutave. Sa mirënjohës duhet t’i jemi Perëndisë Jehova për këtë mrekulli të krijimit të tij, që bën të mundur të jetojmë e ta gëzojmë jetën. S’ka dyshim që edhe ju jeni dakord me psalmistin që tha: «O Jehova, ti më ke hetuar fund e krye dhe më njeh. Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.»​—Psalmi 139:1, 14.

[Diagrami në faqen 24]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Rruazë e kuqe gjaku

Membrana

Hemoglobinë (e zmadhuar)

Oksigjen