Lundrojnë me guxim mbi kallama
Lundrojnë me guxim mbi kallama
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË PERU
Një garë e pazakontë sërfi i tërheq njerëzit në një plazh pranë qytetit të Truhijos, në Peru. Në vend të tavolinave havajane të sërfit, që janë shumë të njohura, konkurrentët përdorin «kuaj deti» ose caballitos del mar. Këto varka të vogla janë bërë me tufa kallamash totora (Scirpus californicus), që rriten në këtë vend. Çdo varkë është pak a shumë si një kanoe, por e ka bashin të gjatë e të harkuar lart, që i jep mundësi «kalit të detit» t’u bëjë ballë dallgëve. Duke u kërrusur mbi varka si të ishin kalorës, lojtarët e sërfit shtyhen drejt dallgëve të mëdha duke përdorur lopata prej bambuje. Disa që i kanë parë, thonë se ngjajnë si kalorës që kërcejnë mbi hendeqet në një garë me kuaj. Nga e kanë origjinën këto varka të çuditshme?
Në një vend si ky, ku shkretëtira shtrihet deri në det, ka pak pemë, prandaj nuk ka shumë lëndë drusore për të ndërtuar varkat. Zejtarët vendës e kanë të trashëguar brez pas brezi artin e ndërtimit të një «kali deti» vetëm për pak minuta. Duke filluar me harkun me majë të bashit, ata lidhin me njëra-tjetrën tufa kallamash totora. Varka mbaron me një kiç të shkurtër, që ka një ndarje të vogël për të vënë veglat e peshkimit, si edhe një vend për të ruajtur gjahun. Këta kallama e kanë pjesën e jashtme të papërshkueshme nga uji, por nga brenda janë si sfungjer dhe mund të pluskojnë, kështu që janë shumë të dobishëm për të ndërtuar varkat. Gjithsesi, pas një viti varkat rëndohen shumë nga uji që kanë thithur, prandaj dalin jashtë përdorimit.
Për shekuj me radhë, peshkatarët e atjeshëm u kanë bërë ballë dallgëve të mëdha të Oqeanit Paqësor, nëpër këta «kuaj deti» të bërë me dorë. Tani, ky aspekt i kulturës së tyre po zhduket. Peshkarexhat që përdorin metoda industriale peshkimi e kanë varfëruar detin duke peshkuar tepër. Nganjëherë kjo i detyron peshkatarët tradicionalë që të largohen për kilometra të tërë nga bregu, në kërkim të peshkut. Mirëpo, disa pasardhës të fiseve vendëse, ende përdorin «kuaj deti» për të peshkuar, sidomos në periudha të vështira ekonomike, kur kjo mund të jetë e vetmja mënyrë për të fituar bukën e gojës.
Ndërkohë, përdorimi i «kuajve të detit» për sport vazhdon t’u sigurojë punë ndërtuesve të varkave tradicionale, si edhe të tërheqë turistë të interesuar për kulturën e lashtë, të cilët mbushin hotelet e zonës. Shpesh nga vizitorët dëgjohet të thonë se gara e «kuajve të detit» në plazhin e Uançakos është një pamje që ia vlen ta shohësh.
[Figura në faqen 18]
Enë qeramike e periudhës parainkase, që paraqit një peshkatar në një varkë me kallama totora
[Burimi]
Museo Rafael Larco Herrera/Lima, Perú