Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çafka e gjedhëve​—Mikeshë e njeriut dhe e kafshëve

Çafka e gjedhëve​—Mikeshë e njeriut dhe e kafshëve

Çafka e gjedhëve​—Mikeshë e njeriut dhe e kafshëve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

ISHIN pa dyshim më paqësorët ndër kolonizatorët e të gjitha kohëve. S’u dëgjua asnjë krismë. Nuk u derdh asnjë pikë gjak. Banorët vendës nuk u dëbuan dhe asnjë vendi nuk iu grabit pasuria. E megjithatë, pushtuesit e paepur zaptonin njërin vend pas tjetrit.

Ky pushtim ndodhi gjatë shekullit të 20-të, mirëpo ai nuk para u vu re, sepse kolonizatorët ishin shpendë. Këta shpendë të shkathët, që tani kanë pushtuar pesë kontinente, janë çafkat e gjedhëve ose Bubulcus ibis, po të përmendim emrin shkencor.

Një kolonizim që s’kishte bërë vaki kurrë

Shekuj me radhë çafka e gjedhëve u vërtit vetëm brenda kufijve të Afrikës tropikale. Mirëpo gati një shekull më parë, shtegtoi në jug dhe e kolonizoi me sukses Afrikën e Jugut. Disa burime thonë se gjatë viteve 30 të shekullit të 20-të, një numër i madh çafkash kaluan Atlantikun për të vënë këmbë në Amerikën e Jugut. Aty nga mesi i shekullit, mbërritën në Florida, dhe pas nja dhjetë vjetësh habitati i tyre u shtri nga Kanadaja në veri deri në Argjentinë, në jug. «Meqenëse çafka e gjedhëve . . . vajti në Hemisferën Perëndimore vetëm me ndihmën e erës dhe me krahët e veta, i bie që është i vetmi shpend i Hemisferës Lindore në histori, që ka arritur të vendoset me banim në dy kontinentet amerikane pa ndihmën e njeriut»,​—shkroi në vitin 1954 Roxher Tori Pitërsoni.

Tani ornitologët kanë arritur në përfundimin se çafkat e kanë bërë vërtet këtë bëmë të rrallë. Sipas llogarive, ka dalë se me anë të erërave alize, një çafkë mund të kalojë oqeanin që ndan Afrikën Perëndimore nga Amerika e Jugut për afro 40 orë. Dhe oqeani Atlantik nuk ishte e vetmja pengesë që kapërcyen këto çafka. Shumë të tjera fluturuan në lindje, derisa mbërritën në Zelandën e Re. Gjatë po kësaj kohe, ato u përhapën shumë në Eurazi, dhe tani territori i tyre shkon nga Gadishulli Iberik në perëndim deri në Japoni në lindje.

Çafka e gjedhëve bëhet banore e përhershme në vendet ku klima është e butë; kurse në zonat me dimër të ashpër, shtegton në vendet më të ngrohta, pasi zogjtë e veckël janë rritur aq sa të fluturojnë vetë. Udhëtimet e saj të gjata e të guximshme vazhdojnë ende, dhe shfaqet rregullisht në ishujt e veçuar të Paqësorit, e madje edhe në Antarktik.

Sekreti i suksesit

Një faktor kyç që çafka e gjedhëve u përhap në mjaft territore, ishte aftësia e saj për t’u përshtatur dhe lidhja me njerëzit, sidomos me bujqit. Ndonëse shumë çafka ushqehen me kafshë uji, çafkat e gjedhëve kanë më shumë qejf insektet. Zakonisht ato rrinë me gjedhët, por mund të ndjekin edhe elefantët, kangurët, traktorët, e madje edhe zjarret që bien në pyll​—gjithçka që shqetëson insektet me të cilat ushqehen.

Sigurisht, çafkat mund ta gjejnë ushqimin edhe pa ndihmën e të tjerëve, por gjedhët janë idealë për të trembur gjahun e këtyre shpendëve gjuetarë. Teksa gjedhët çapiten rëndë-rëndë nëpër kullota, ata trembin karkalecat, mizat dhe brumbujt. Çafkat e vëmendshme, që ecin përkrah gjedhëve, mund të kapin me vrik insektet që fluturojnë drejt tyre. Kështu që gjedhët i ndihmojnë çafkat edhe ta gjejnë gjahun, edhe ta kapin atë. Ato hanë dy a tri insekte në minutë, sipas një llogaritjeje. Ornitologët llogaritin se shoqërimi me gjedhët mund të bëjë që çafka të harxhojë më pak energji, deri 30 për qind më pak, kurse numri i presë që kap, rritet me 50 për qind.

Çafkat e gjedhëve janë të zonjat të gjejnë një shok gjuetie, por nuk është kjo arsyeja e vetme që ato arritën të kolonizonin territore të tëra. Këto çafka kanë shumë rezistencë. Ndoshta fluturimi i tyre duket cazë i mundimshëm në krahasim me ngritjen e menjëhershme dhe fluturimin e fuqishëm të rosave ose të pëllumbave. Mirëpo çafkat mund të kalojnë Saharanë dhe, siç e përmendëm më sipër, ato kanë përshkruar fluturimthi 4.000 kilometrat që ndajnë Afrikën Perëndimore nga Amerika e Jugut.

Nga sa duket, këto çafka janë shtegtare nga natyra, prandaj kjo natyrë endacake i favorizon që të përhapen gjithandej. E cili shpend tjetër insektngrënës do të guxonte të shkonte aq larg në jug deri në Antarktikun e shkretë, vetëm nga kureshtja?!

Teksa sorollateshin larg vendit të tyre, çafkat e gjedhëve gjenin habitate të përsosura pothuajse kudo. Në çdo kontinent që shkonin ato, bujqit i kishin kthyer ngastrat e mëdha të tokës në kullota për bagëtinë e trashë ose i kishin bërë ara të ujitura, ku gëlonin insektet. Kështu që çafkat ndërruan vendbanimin dhe u begatuan.

Përfitojnë edhe njerëzit, edhe kafshët

Është fare e lehtë ta vëzhgosh këtë çafkë, se puplat i ka krejt të bardha, është tip i shoqërueshëm dhe ia ka ënda të rrijë me gjedhët. Çafkat e gjedhëve, të bardha si bora, që fluturojnë në formacione duke përplasur flatrat sipër rrafshinave, jo vetëm që e bëjnë më të bukur panoramën, por edhe kryejnë një shërbim me vlerë, pasi mbajnë nën fre insektet. Një herë në Tanzani u pa një tufë me 40.000 çafka që po ushqeheshin me një hordhi karkalecash. Për disa bujq çafkat e gjedhëve janë kaq të dobishme, sa i kanë marrë ato në fermat e veta për të mbrojtur të mbjellat nga insektet e dëmshme. Secila prej tyre mund të hajë më tepër se 600 karkaleca dhe bulktha në ditë.

Edhe gjedhët mund të nxjerrin dobi nga tufa me çafka, pasi shpendët hanë mizat dhe insektet e tjera që i bezdisin vazhdimisht. Duket sikur gjedhët e dinë se çafkat janë shoqet e tyre dhe i lënë vetë që herë pas here çafkat trime t’u ulen në kurriz e të bëjnë një xhiro me ta.

Jetojnë në tufa

Çafkat e gjedhëve kanë qejf të rrinë në shoqëri, edhe kur janë duke u çiftuar, duke pastruar pendët a duke ngrënë. Kur çiftohen, ato tregohen të gatshme të banojnë në një pemë të madhe bashkë me lloje të tjera çafkash ose me lejlekët. Me sa duket, bashkimi i çerdheve shërben për të sprapsur grabitqarët, ndaj të gjitha llojet e kafshëve nxjerrin dobi nga kjo shtëpi e përbashkët. Sigurisht, kur çiftohen, kolonitë janë gjithmonë të rrëmujshme e të zhurmshme. Çafkat s’e kanë problem të vjedhin shkopinj nga çerdhet e fqinjëve, prandaj plas sherri keq. Disa çafka varen poshtë për te çerdhet e tyre, kurse ca të tjera trazojnë tërë zell nën pemë për të gjetur shkopinjtë që kanë rënë përtokë dhe që u hyjnë në punë. Kushërinjtë e tyre, lloje të tjera çafkash dhe lejlekët, të cilët i kanë çerdhet e tyre të mëdha në degët më të mira, zakonisht nuk e prishin terezinë fare për tërë poteren që bëhet aty vërdallë.

Gjatë kohës që mashkulli i çafkës i vardiset femrës, ai bën një spektakël: shtriq gjymtyrët, çukit me sqep dhe shpalos tërë finesë pendët e verdha, me të cilat meshkujt krekosen gjatë sezonit të çiftimit. Dhe kur njëri nga zogjtë prind mbërrin në çerdhe, partneri e pret me një ‘ceremoni mirëseardhjeje’ ku, ndër të tjera, bëhet një shpalosje krenare e pendëve të shpinës. Këto shfaqje mund të vëzhgohen kollaj, sepse zogjtë janë goxha të afrueshëm me njerëzit.

Edhe sikur të ndërmerrni një udhëtim në Afrikë, të kaloni përmes vendit të gjedhëve në Amerikën e Veriut, a të vizitoni fushat e orizit në Orient, ka shumë mundësi që t’jua kapë syri këta zogj të lezetshëm. Ndoshta janë duke u vërtitur rreth këmbëve të elefantëve ose po bëjnë xhiro të kapardisura si gjel mbi shpinën e ndonjë demi, a ndoshta po kthehen fluturimthi në fole për t’u çlodhur teksa perëndon dielli. Kudo që t’i shihni, pa dyshim ato ia shtojnë lezetin vendit, e ndërkohë kryejnë edhe një shërbim me vlerë për njerëzit e për kafshët. Kolonizimi mbresëlënës i këtyre çafkave, ka qenë më i miri që ka njohur bota!

[Figurat në faqet 14, 15]

Çafkat e gjedhëve kanë kolonizuar pesë kontinente, dhe ndihen rehat me elefantët dhe me gjedhët

Guajanë

Australi

Kenia

Shtetet e Bashkuara

Spanjë

[Burimi]

© Joe McDonald