Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Erdhi nga hapësira kozmike

Erdhi nga hapësira kozmike

Erdhi nga hapësira kozmike

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË TANZANI

A KENI parë ndonjëherë një shirit drite në qiellin plot yje? Ndoshta e quajtët «yll që këputet». Në fakt, këto shirita drite më saktë njihen si meteorë.

Shumica e meteorëve që vijnë nga hapësira dhe hyjnë në atmosferë, digjen plotësisht para se të bien në tokë. Megjithatë, ndonjëherë, copa të gurta ose të metalta arrijnë t’i rezistojnë nxehtësisë së madhe dhe bien në sipërfaqen e tokës. Këto quhen meteoritë. Shumica janë të vegjël, por disa peshojnë shumë tonë. Një meteorit në Namibi, Afrikë, peshon rreth 60 tonë.

Le të bëjmë një vizitë në Tanzani e të shohim meteoritin Mbozi, i cili radhitet i teti për nga madhësia, ndër meteoritët që janë gjetur në tokë. Ky meteorit gjendet në kodrën e Marengit, në rajonin Mbozi, në jug të Tanzanisë, afër kufirit me Malavinë dhe Zambien. Ai është një objekt rreth 16 tonë, 3 metra i gjatë dhe 1 metër i gjerë. Ka 90 për qind hekur, rreth 9 për qind nikel dhe sasi të vogla kobalti, bakri, squfuri dhe fosfori.

Askush nuk e di se kur ra ky meteorit, por kjo duhet të ketë ndodhur shumë kohë më parë, sepse për të nuk ka ndonjë legjendë vendëse. Ishte gjeometri U. H. Noti nga Johanesburgu, ai që njoftoi për zbulimin e këtij meteoriti, në tetor të vitit 1930. Që prej asaj kohe, rreth këtij objekti hapën një hendek, e tani duket sikur meteoritin e kanë ngritur dhe e kanë vënë në një altar të gurtë. Pra, meteoriti ka mbetur aty ku ra në fillim.

Disa janë përpjekur të presin ose të sharrojnë një copë nga meteoriti për ta pasur si kujtim, por kjo ka qenë një punë shumë e vështirë. Në dhjetor të vitit 1930, dr. D. R. Granthamit nga Shoqata Gjeologjike iu deshën dhjetë orë për të prerë me sharrë hekuri një copë vetëm 10 centimetra. Ky kampion sot mund të shihet në koleksionin e meteoritëve në Muzeun Britanik të Londrës.

Vendi ku ndodhet meteoriti i Mbozit është përshtatur që të mirëpresë edhe vizitorë. Aty ka një shtëpi të vogël pritjeje me disa stola dhe një tavolinë. Roja, që banon në një shtëpi të vogël balte, nja 50 metra larg meteoritit, na thotë me mirësjellje të shënojmë emrin në librin e përshtypjeve. Vëmë re se këtu kanë ardhur mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Shfletojmë një broshurë të vogël që përshkruan meteoritin dhe pastaj bëjmë ca fotografi.

Disa fëmijë hipin mbi meteoritin dhe imagjinojnë sikur po drejtojnë një anije kozmike. Aty afër bëjmë një piknik dhe kënaqemi me peizazhin e qetë përreth. Ndërkohë mrekullohemi me pamjen e këtij objekti të jashtëzakonshëm që përshkroi gjithë atë rrugë përmes hapësirës kozmike për të mbërritur deri në Mbozi.

[Figura në faqen 15]

Të prera me sharrë mbi meteorit