Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të çliruar nga frika: A është e mundur?

Të çliruar nga frika: A është e mundur?

Të çliruar nga frika: A është e mundur?

A KA mundësi të jetosh pa frikë në këtë botë të rrezikshme? Vështirë. Edhe njerëzit që kanë besim te Perëndia, përballen me rreziqe që sjellin ankth. Për shembull, në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël, i cili kishte udhëtuar shumë, tha se kishte përjetuar shkatërrimin e anijes, kishte hasur rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët e rrugëve dhe rreziqe në qytet. (2 Korintasve 11:25-28) Po kështu edhe sot, shumica nga ne përballen me rrethana të rrezikshme.

Megjithatë, me mençuri mund të marrim masa mbrojtëse dhe, duke pakësuar rreziqet, mund të pakësojmë ankthet. Bibla thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.» (Fjalët e urta 22:3) Cilat janë disa masa praktike?

Merrni masa për t’u mbrojtur

Është interesante se ndonëse Bibla u shkrua kohë më parë, ajo përmban shumë parime që janë praktike për të na mbrojtur edhe sot nga rreziqet. Për shembull, ajo thotë: «I urti i ka sytë në kokë, kurse budallai ecën në errësirë.» (Predikuesi 2:14) Është mirë të hapni sytë e të shihni se kë keni afër dhe, kur është e mundur, të mos shkoni në vende me errësirë. Kur ktheheni në shtëpi, mund t’i dilni nga rruga që ka më shumë drita, edhe nëse do t’i bini pak më gjatë. Gjithashtu, Bibla thotë: «Dy vlejnë më mirë se një i vetëm . . . Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t’i rezistojnë.» (Predikuesi 4:9, 12) Nëse jetoni në një zonë të rrezikshme, a mund të ktheheni në shtëpi me dikë tjetër?

Nëse një grabitës ju kërcënon, bëni mirë të mbani parasysh se jeta është më e çmuar se pasuritë. (Mateu 16:26) Gjithashtu, është e rëndësishme të mbani mend se turmat janë të rrezikshme dhe të paparashikueshme kur mblidhen për të shprehur zemërimin e tyre.​—Eksodi 23:2.

Po t’ju ngacmojë dikush që thotë gjëra imorale, shaka të ndyra ose që përpiqet t’ju prekë, kundërshtojeni prerazi. Mbase do t’ju duhet të ikni, siç bëri Jozefi, kur e kapi nga rrobat një grua imorale. Ai «iku duke vrapuar jashtë». (Zanafilla 39:12) Nëse është e pamundur të ikni, mund të thoni: «Nuk të lejoj!» ose «Mos më prek!» ose «Nuk më pëlqejnë këto lloj fjalësh.» Nëse keni mundësi, mos kaloni në vendet ku ngacmimet janë të përhapura.

Përballimi i frikës në shtëpi

Ç’të bësh nëse ke frikë nga burri që është i dhunshëm? Mbase është e mençur të bësh një plan për të ikur nga shtëpia, në qoftë se sjellja e tij papritur do të vinte në rrezik shëndetin ose jetën tënde a të fëmijëve. * Bibla tregon se Jakobi përgatiti me kujdes një plan për të ikur, në rast se Esau do të bëhej i dhunshëm. Si rrodhën gjërat, plani nuk qe i nevojshëm, por gjithsesi, ishte një masë e mençur. (Zanafilla 32:6-8) Kur mendon për një plan, ndoshta duhet të gjesh dikë që të të presë, po të ndodhë diçka e papritur. Bisedo më parë me këtë njeri dhe thuaji se për çfarë mund të kesh nevojë. Do të ishte mirë që dokumentet e rëndësishme dhe gjërat më të nevojshme t’i mbaje në një vend ku t’i gjeje kollaj.

Gjithashtu, një mundësi tjetër është ta denoncosh bashkëshortin për abuzim dhe t’u kërkosh autoriteteve përkatëse të të mbrojnë. * Bibla thotë se të gjithë duhet të përballojnë pasojat e veprimeve të veta. (Galatasve 6:7) Kurse për autoritetet qeverisëse, ajo thotë: «Për ty ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën tënde. Por nëse po bën të keqen, ki frikë.» (Romakëve 13:4) Dhuna në familje është një krim aq i rëndë, sa ç’është edhe dhuna në rrugë. Edhe gjurmimi i personit dhe kërcënimi i tij përbëjnë krim në shumë vende.

Masat që shqyrtuam mund t’ua pakësojnë deri diku frikën. Por Bibla nuk jep vetëm këshilla praktike. Ajo është një libër me profeci të padështueshme që zbulojnë se çfarë po bën Perëndia sot dhe ç’do të bëjë në të ardhmen. Çfarë shprese jep Bibla për ata që janë të detyruar të jetojnë me frikë?

Ç’tregon kjo atmosferë frike

Janë domethënëse fjalët e apostullit Pavël kur shkroi: «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Sepse njerëzit do të jenë të dashuruar pas vetes, . . . pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë.» (2 Timoteut 3:1-3) Ç’kohë të frikshme përshkruajnë këto fjalë!

Kur Jezui foli për ‘përfundimin e sistemit’, tha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie; e do të ketë tërmete të mëdha dhe nga njëri vend në tjetrin murtaja e mungesa ushqimi; e do të ketë pamje të frikshme dhe nga qielli shenja të mëdha.» (Mateu 24:3, 7, 8; Luka 21:10, 11) Prandaj, ‘pamjet e frikshme’ që kemi parë dhe që e rëndojnë këtë atmosferë frike e cila na rrethon sot, nuk duhet të na habitin. Por, ç’do të thonë ato?

Jezui tha: «Kur të shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.» (Luka 21:31) Në kohën tonë presim një qeveri nga Perëndia, e cila do të sundojë nga qielli mbi gjithë njerëzimin. (Danieli 2:44) Si do të jetë jeta në atë kohë?

Të çliruar nga frika!

Bibla përshkruan një të ardhme me paqe, kur luftërat do të pushojnë, nuk do të ketë më keqbërës dhe toka do të jetë plot me njerëz që duan Perëndinë. Pjetri, një apostull i Jezuit, shkroi se do të vijë ‘dita e gjykimit [dhe] e shkatërrimi të të paperëndishmëve’. Nuk do të ketë asnjë të lig nga i cili të kemi frikë, sepse në tokë ‘do të banojë drejtësia’. (2 Pjetrit 3:7, 9, 13) Përfytyroni sa të lehtësuar do të ndihemi kur të jetojmë mes njerëzve të ndershëm që e duan vërtet njëri-tjetrin. Kjo shpresë na ndihmon t’i shohim me një sy tjetër kohët e sotme të rrezikshme. Ato nuk do të vazhdojnë pa mbarim.​—Psalmi 37:9-11.

Për të ndihmuar ata që ishin në ankth, profetit të Jehovait iu thanë këto fjalë: «U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: ‘Bëhuni të fortë, mos kini frikë! Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t’ju shpëtuar.’» (Isaia 35:4) Pra, shërbëtorët e Perëndisë së vërtetë, mund ta presin me besim të ardhmen. (Filipianëve 4:6, 7) Për njerëzit që kanë jetuar me frikë, është shumë ngushëlluese të dinë se Jehovai nuk ka hequr dorë nga qëllimi i tij që toka të mbushet me njerëz që e njohin atë dhe pasqyrojnë cilësitë e tij të dashura.​—Zanafilla 1:26-28; Isaia 11:9.

E dimë se asgjë nuk mund ta pengojë Jehovain të realizojë qëllimet e mira që ka për njerëzimin. (Isaia 55:10, 11; Romakëve 8:35-39) Kur e kuptojmë këtë, fjalët e një psalmi shumë të njohur marrin një domethënie të veçantë. Atje lexojmë: «Zoti është bariu im, . . . Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua.» (Psalmi 23:1-4) Ndonëse kohët e frikshme mund të keqësohen, një botë pa frikë është afër dhe do të vijë me siguri.

[Shënimet]

^ par. 9 Për të kuptuar se në çfarë rrethanash ndarja nga bashkëshorti nuk bie ndesh me parimet biblike, shih librin Sekreti i lumturisë familjare, faqet 160-161, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 10 Lidhur me viktimat e dhunës në familje shih revistën Zgjohuni! nëntor 2001, faqja 3-12, dhe 8 shkurt 1993, faqja 3-14, (anglisht).

[Figurat në faqet 8-10]

Së shpejti Perëndia do të sjellë një botë ku nuk do të ketë më frikë