Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Xhantar Mantari​—Observatori pa teleskopë

Xhantar Mantari​—Observatori pa teleskopë

Xhantar Mantari​—Observatori pa teleskopë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Indi

VIZITORËT e Xhantar Mantarit në Nju-Delhi, Indi, ia ngulin sytë strukturave që gjenden atje dhe, të habitur, pyesin veten: «A është me të vërtetë observator ky?» Këto struktura të gurta me pamje të çuditshme gjenden në një park të madh. Atyre që janë mësuar me observatorët modernë, të cilët kanë një mori instrumentesh astronomike të teknologjisë së lartë, këto struktura vështirë se do t’u ngjanin me një observator. Por, tamam kështu ka qenë Xhantar Mantari kur u ndërtua në fillim të shekullit të 18-të. Është interesante se edhe pa ndihmën e teleskopëve e të instrumenteve moderne që po shpikeshin në Evropë, ky observator jepte informacion të hollësishëm dhe goxha të saktë për trupat qiellorë.

Xhantar Mantar është emri i përbashkët për tre nga pesë observatorët që u ndërtuan nga sundimtari raxhput, maharaxhai Saui Ji Sing II. «Xhantar» vjen nga fjala sanskritishte «jantra», që do të thotë «instrument», kurse «Mantar», vjen nga «mantra», që do të thotë «formulë». Për t’i dhënë emfazë një fjale në gjuhën e folur, është zakon të shtohet një fjalë tjetër që rimon me të, dhe si rezultat doli emri Xhantar Mantar.

Një pllakë e vendosur në vitin 1910 në një nga instrumentet e Xhantar Mantarit në Nju-Delhi, tregon se ky observator është ndërtuar në vitin 1710. Megjithatë, studimet e bëra më pas hedhin idenë se ai është përfunduar në vitin 1724. Siç do ta shohim më poshtë, të dhënat biografike për Ji Singun, e mbështetin këtë përfundim. Por në fillim, le t’u hedhim një vështrim të shkurtër instrumenteve të këtij observatori, që mendohet të jetë më i vjetri në botë në llojin e tij.

Struktura të gurta si instrumente

Observatori ka katër instrumente të ndryshme të ndërtuara me gurë. Më mbresëlënësi prej tyre është Samrat jantra, domethënë instrumenti Suprem, që e thënë thjesht është «një orë diellore me ndarje të barabarta që formojnë 24 orë». Kjo ishte shpikja më e rëndësishme e Ji Singut. Ajo formohet nga një mur gjigant prej guri, në formë trekëndëshi. Lartësinë e ka 21,3 metra, bazën 34,6 metra, kurse trashësinë 3,2 metra. Hipotenuza e trekëndëshit, 39 metra e gjatë, është paralel me boshtin e Tokës dhe është e drejtuar nga Poli i Veriut. Në të dyja anët e trekëndëshit, është një kuadrant me shkallëzime për të treguar orën, minutat dhe sekondat. Edhe pse orët e thjeshta diellore ekzistonin prej shekujsh, Ji Singu e ktheu këtë instrument bazë që mat kohën, në një mjet të saktë për të matur pjerrësinë dhe koordinatat e tjera të trupave qiellorë.

Tri strukturat e tjera të observatorit janë instrumentet Ram, Xhajaprakash dhe Mishra. Ato ishin të ndërlikuara dhe matnin pjerrësinë, lartësinë dhe azimutin e diellit e të yjeve. Madje, instrumenti Mishra tregonte se kur ishte mesditë në disa qytete të botës.

Të gjitha instrumentet e lartpërmendura, përveç Mishrës, u shpikën nga Ji Singu. Ato ishin shumë më të ndërlikuara dhe më të sakta se çdo instrument tjetër që ekzistonte asokohe në Indi. Me anë të tyre u krijuan kalendarë të saktë dhe tabela të sakta astronomike. Nga jashtë, instrumentet dukeshin të hijshme e të bukura dhe dhanë informacion të vlefshëm, derisa u nxorën jashtë loje nga teleskopët dhe shpikjet e tjera. Por, përse ky njeri i ditur dhe kaq i zoti nuk përdori në kërkimet e tij astronomike disa nga pajisjet që kishin dalë në Evropë, si për shembull teleskopin optik? Përgjigjja duhet kërkuar në botëkuptimin e maharaxhait dhe në historinë e asaj kohe.

I përkushtohet astronomisë

Ji Singu lindi në 1688-n në shtetin indian të Raxhastanit. I ati, maharaxha në Amber, kryeqyteti i klanit Kaçavaha të raxhputëve, ishte nën autoritetin e sundimtarëve Mogul në Delhi. Princi i ri studioi gjuhët: hindi, sanskritishte, perse dhe arabe. Gjithashtu, studioi edhe matematikë, astronomi dhe artet marciale. Por njëra lëndë ishte më e preferuara e princit. Një dokument i shkruar në kohën e tij thotë: «Që kur filloi të arsyetonte e më tej drejt pjekurisë, ai iu përkushtua plotësisht studimit të shkencave matematikore (astronomisë).»

Në vitin 1700, kur ishte 11 vjeç, Ji Singu trashëgoi fronin e Amberit pas vdekjes së të atit. Shpejt mbreti i ri u thirr nga perandori Mogul në oborrin e tij në jug të Indisë, ku u takua me Jaganathin, një burrë të zotin në matematikë dhe astronomi. Më vonë, ky njeri u bë ndihmësi kryesor i mbretit. Pozicioni politik i maharaxhait të ri ishte i paqëndrueshëm deri në 1719-n, vit kur filloi të mbretëronte Muhamed Shai. Në këtë kohë Ji Singun e thirrën në kryeqytet, në Delhi, në një mbledhje me qeveritarin e ri Mogul. Në këtë mbledhje, që u mbajt në nëntor të vitit 1720, Ji Singu me sa duket propozoi ndërtimin e një observatori. Ka mundësi që ky propozim të jetë bërë realitet në vitin 1724.

Çfarë e shtyu maharaxhain të ndërtonte një observator? Ji Singu pa se kalendarët dhe hartat astronomike në Indi ishin shumë të pasaktë dhe ishte bërë pak përparim në fushën e astronomisë. Prandaj vendosi të bënte harta të reja që do të përkonin me vendndodhjen e trupave qiellorë që shiheshin në atë kohë. Po ashtu, ai donte të ndërtonte disa instrumente për vëzhgime astronomike, që mund t’i përdorte çdokush që i kushtohej studimit të astronomisë. Kështu, Ji Singu mori një numër të madh librash nga Franca, Anglia, Portugalia dhe Gjermania. Në oborrin e tij, ai mirëpriti studiues nga shkollat hinduiste, islamike dhe evropiane të astronomisë. Madje, dërgoi për herë të parë me mision një grup njerëzish nga Lindja për në Evropë, për të grumbulluar informacione mbi astronominë dhe i ngarkoi të sillnin libra dhe instrumente që andej.

Lindja me Perëndimin s’takohen dot

Pse Ji Singu ndërtoi struktura të gurta, ndërkohë që teleskopi, mikrometri dhe noniusi po përdoreshin në Evropë? Por, pse duket se ai nuk kishte njohuri për zbulimet heliocentrike të Kopernikut dhe Galileit?

Një arsye duhet të ishte komunikimi i paktë mes Lindjes dhe Perëndimit. Por kjo s’ishte e vetmja pengesë. Edhe mjedisi fetar i asaj kohe ishte përgjegjës. Studiuesit brahmanë nuk pranonin të udhëtonin në Evropë, sepse, po të kalonin përtej oqeanit, mund të humbitnin pozitën shoqërore. Asistentët evropianë që e ndihmuan Ji Singun për të mbledhur informacionin, kryesisht ishin studiues jezuitë. Sipas V. N. Sharmës, i cili shkroi një biografi për Ji Singun, jezuitët dhe besimtarët e thjeshtë katolikë rrezikonin të dënoheshin nga inkuizicioni, nëse pranonin pikëpamjen e Galileit dhe të shkencëtarëve të tjerë, se Toka rrotullohej rreth Diellit. Për kishën kjo ishte herezi dhe ateizëm. Pra, s’është çudi që emisarët e dërguar në Evropë nga Ji Singu, në listën e gjërave që duhej të blinin, nuk përfshinë veprat e Kopernikut dhe të Galileit, as instrumentet e reja që përdoreshin për të mbështetur teoritë heliocentrike.

Një përpjekje e vazhdueshme

Ji Singu jetoi në periudhën e errët historike të intolerancës dhe fanatizmit fetar. Pavarësisht nga puna e shkëlqyer dhe mjeshtërore e tij për të shtuar njohuritë për qiejtë, në dekadat vijuese pati shumë pak përparim në këtë fushë në Indi. Gjithsesi, observatori Xhantar Mantari, është dëshmi e përpjekjeve të një njeriu të etur për njohuri.

Shekuj para se Ji Singu të shfaqte interes për lëvizjen e trupave qiellorë, njerëzit e mençur e shihnin qiellin dhe përpiqeshin të kuptonin mrekullitë e universit. Pa dyshim, njeriu do të vazhdojë ‘t’i ngrejë sytë’ drejt qiellit, në përpjekje për të zgjeruar njohurinë për veprat e duarve të Perëndisë.​—Isaia 40:26; Psalmi 19:1.

[Diagrami dhe figura në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Instrumenti Samrat ishte një orë e saktë diellore. Hija e trekëndëshit të madh binte në kuadrantet e harkuara, (shih rrethin e bardhë të ndriçuar) të cilat kishin disa shkallëzime

[Diagrami dhe figura në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Instrumenti Xhajaprakash është ndërtuar me hemisfera të zgavërta që kanë disa shenja mbi sipërfaqen e tyre të lugët. Disa tela të tendosura kryqëzoheshin buzë hemisferave në pika të ndryshme të saj

Nga brenda Ramit, një yll mund të vështrohej në linjë të drejtë, duke shfrytëzuar pikat e referimit që gjendeshin brenda instrumentit ose në anë të dritareve.

[Diagrami dhe figura në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Instrumenti Mishra tregonte kur ishte mesditë në qytete të ndryshme

[Diagrami në faqen 19]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Vëzhgimi në vijë të drejtë, forma më e hershme e astronomisë, u bë shumë e saktë nga Ji Singu

Për të përcaktuar ku ndodhet një yll, duhet të dini lartësinë (sa lart është në qiell) dhe azimutin e tij (sa larg është nga veriu, në drejtim të perëndimit)

Në instrumentin Samrat duheshin dy veta që të përcaktonin dhe të shënonin pozicionin e një ylli

[Burimi]

Poshtë: Riprodhuar nga libri SAUAI JI SINGU DHE ASTRONOMIA E TIJ, botuar nga Motilal Banarsidass Publishers (P) Ltd., Jawahar Nagar Delhi, Indi

[Harta në faqen 19]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

INDI

Nju-Delhi

Matura

Xhajpur

Varanasi

Uxhain

Ji Singu ndërtoi pesë observatorë në Indi, përfshirë një në Nju-Delhi

[Burimi i figurës në faqen 18]

Portreti: Me mirësjelljen e Roop Kishore Goyal