Papritmas i papunë!
Papritmas i papunë!
«Kur mbeta pa punë, m’u duk sikur më hodhën një kovë me ujë të ftohtë. Humba vlerësimin për veten.»—Toni, Gjermani.
«Më dukej sikur më rëndonte mbi kokë një gur i madh. Si prind i vetëm, isha në merak se si do t’i ushqeja fëmijët dhe me se do t’i paguaja faturat.»—Maria, Indi.
«Kur humba punën, u ndjeva keq, dhe isha në hall nëse do të gjeja punë tjetër.»—Himeu, Meksikë.
ANEMBANË botës, miliona veta po kalojnë një situatë të vështirë, ashtu si Toni, Maria dhe Himeu. Nga fundi i shekullit të 20-të, rreth 10 për qind e fuqisë punëtore në Evropë dhe në Azinë Qendrore—afro 23 milionë njerëz—po kërkonin punë. Sot, në disa vende më pak të zhvilluara, më shumë se çereku i fuqisë punëtore janë të papunë. Në korrik të vitit 2003, gazeta The New York Times thoshte se në Shtetet e Bashkuara, «gjatë 28 muajve të fundit janë mbyllur afro 2,6 milionë vende pune».
Në shumë vende, kur kërkon punë has pengesa të mëdha. Për shembull, çdo vit, një numër i madh nxënësish e studentësh dalin nga bankat e shkollave e të fakulteteve dhe vërshojnë në tregun e punës. Veç kësaj, diploma ose specializimi nuk të garanton se do të gjesh punë në profesionin tënd. Prandaj, ndodh shpesh që njerëzit të ndryshojnë disa vende pune gjatë jetës. Madje, disave u duhet të ndërrojnë zanat pas shumë vitesh punë.
Nëse mbetesh i papunë, ç’të bësh për ta pasur më të lehtë që të gjesh sërish punë? Dhe, pasi të kesh gjetur një vend pune, ç’mund të bësh për ta mbajtur?