Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si duhet të sillem me një vajzë që shfaq interes për mua?

Si duhet të sillem me një vajzë që shfaq interes për mua?

Të rinjtë pyesin . . .

Si duhet të sillem me një vajzë që shfaq interes për mua?

«Suzana e mori hapin e para dhe unë s’e pata problem. Isha i kënaqur.»​—Xhejmsi. *

«Nëse një djalë nuk është i sinqertë në marrëdhëniet me vajzat, kjo mund të sjellë pasoja të tmerrshme.»​—Robertoja.

KOHËT e fundit një vajzë donte të fliste me ty dhe të të pyeste për diçka. E ke takuar shpesh kur mblidheni grup me miqtë dhe të pëlqen të flasësh e të rrish me të. Por shtange nga fjalët që dëgjove. Ajo dëshiron që ju të jeni më shumë se shokë dhe do të dijë nëse edhe ti je dakord.

Kjo mund të të habitë në qoftë se mendon se është djali ai që duhet të nisë një periudhë njohjeje. Ndonëse kështu ndodh në përgjithësi, mbaj parasysh se, duke marrë vetë hapin e para, ajo nuk shkeli ndonjë parim biblik. * Kjo mund të të ndihmojë që t’i përgjigjesh në mënyrën e duhur.

Pasi je menduar mirë, mund të arrish në përfundimin se je shumë i ri për t’u angazhuar në një lidhje të tillë ose për momentin kjo vajzë nuk të tërheq në këtë aspekt. Ndoshta mund të ndihesh fajtor dhe pyet veten nëse, në ndonjë mënyrë, i ke dhënë një përshtypje të gabuar. Çfarë duhet të bësh? Pikësëpari, duhet të marrësh parasysh ndjenjat e saj.

Mendo për ndjenjat e saj

Mendo pak se si ndihet një vajzë në këtë situatë. Nga meraku që të bëjë figurë të mirë para teje, mbase për ditë të tëra i ka bluar dhe i ka përsëritur me vete fjalët që do të të thoshte. Pasi ka zgjedhur fjalët e duhura, të shoqëruara me një buzëqeshje, ka luftuar me mendimin që mund t’i thuash jo. Në fund, duke marrë guxim, i ka mposhtur emocionet dhe të ka hapur zemrën.

Po përse e vuri veten në këtë situatë të vështirë? Ka shumë të ngjarë të ketë rënë brenda me ty. Ndoshta pak veta i admirojnë cilësitë e tua të shkëlqyera kaq shumë sa ajo. Kështu, fjalët e saj mund të nënkuptojnë një kompliment që nuk ta bëjnë çdo ditë.

Këto pika nuk janë përmendur që të ndikojnë në vendimin tënd, por që të të kujtojnë të sillesh me takt. Një e re me emrin Xhuli thotë: «Edhe nëse ai nuk ndien gjë për të, duhet t’i bëhet qejfi që dikush po e konsideron të veçantë. Kështu, në vend që të thotë prerë jo, të paktën duhet të tregohet i sjellshëm dhe t’ia thotë butë që nuk i intereson.» Ta zëmë se mendon të bësh kështu, domethënë ‘t’ia thuash butë se nuk je i interesuar’ ose t’i thuash jo në mënyrë të njerëzishme.

Po sikur ta kesh refuzuar edhe në të kaluarën? Mbase kësaj radhe të vjen që t’ia presësh shkurt. Luftoje këtë prirje. Te Fjalët e urta 12:18 thuhet: «Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.» Si mund të flasësh ‘me gjuhën e të urtëve’?

Thjesht mund ta falënderosh që të ka shprehur ndjenjat e saj dhe që të vlerëson kaq shumë. Kërko ndjesë në qoftë se i ke dhënë ndonjë përshtypje të gabuar, qoftë edhe pa dashje. Thuaja hapur, por me butësi, që nuk ndien të njëjtën gjë. Në rast se ajo nuk e kupton përgjigjen tënde dhe prandaj duhet të flasësh më troç, përsëri shmang tonin e ashpër dhe fjalët e vrazhda. Ki durim, sepse ke të bësh me ndjenjat e saj delikate. Në qoftë se do të ishe ti në vend të saj, a nuk do të ishe mirënjohës po të të thoshte jo me butësi?

Prapëseprapë, ajo mund të këmbëngulë se qëllimisht ti ke bërë diçka që ajo të mendonte se midis jush kishte ndonjë gjë. Mbase mund të të përmendë disa veprime të tuat që bënë t’i zgjoheshin ndjenjat. «E mban mend kur më dhe atë lulen?»​—mund të të thotë ajo. Ose: «Po ato që më the kur po shëtitnim bashkë muajin e kaluar, të kujtohen?» Tani duhet të bësh një vetëshqyrtim të sinqertë.

Prano realitetin

Në të kaluarën, shpesh eksploruesit e shihnin vendin që zbulonin si diçka që duhej ta shtinin në zotërim dhe ta shfrytëzonin. Sot, disa burra i konsiderojnë po njësoj gratë. Atyre u pëlqen të kenë lidhje romantike me to, por nuk duan të marrim përsipër përgjegjësitë që sjell martesa. Pa u angazhuar më shumë, ata përpiqen t’i joshin gratë duke luajtur me ndjenjat e tyre. Një njeri i tillë ia fiton zemrën një gruaje me anë të mashtrimit. Një mbikëqyrës i krishterë komenton: «Disa të rinj shkojnë sa te një vajzë te tjetra. Nuk është e drejtë të luhet kështu me ndjenjat e një vajze.» Cilat janë pasojat e këtij qëndrimi egoist?

«Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje, kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: ‘E bëra për shaka!’ » (Fjalët e urta 26: 18, 19) Kur një djalë kërkon të nisë një marrëdhënie me një vajzë për qëllime egoiste, do të vijë një moment që ajo do t’i kuptojë motivet e tij të vërteta. Dhe kjo mund t’ia copëtojë zemrën, siç tregohet edhe më poshtë.

Një i ri nisi një marrëdhënie romantike me një vajzë, por nuk donte të martohej me të. E çonte në restorante të mira dhe shkonin bashkë nëpër festa. Atij i pëlqente të rrinte me të dhe asaj i pëlqente vëmendja që i tregonte ai, duke menduar se donte të martohej me të. Kur kuptoi se atij i interesonte thjesht si shoqe, u vra shumë shpirtërisht.

Edhe nëse pa dashje i ke dhënë vajzës një përshtypje të gabuar, çfarë duhet të bësh? Duke u mbrojtur dhe duke e justifikuar veten, vetëm sa do ta bësh të ndihet edhe më keq. Shqyrto këtë parim të Biblës: «Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.» (Fjalët e urta 28:13) Prandaj, ji i sinqertë. Prano përgjegjësinë tënde për çdo keqkuptim. Dhe, në qoftë se qëllimisht i ke shfrytëzuar ndjenjat e saj, pranoje se ke bërë një gabim të madh. Kërkoji sinqerisht falje.

Por ama, mos prit që, vetëm duke kërkuar falje, gjithçka do të përfundojë me kaq. Vajza mund të të mbajë inat për ca kohë. Mbase duhet t’ua shpjegosh sjelljen tënde prindërve të saj. Mund të përballesh edhe me pasoja të tjera. Galatasve 6:7 thotë: «Sepse çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Megjithatë, duke kërkuar falje dhe duke bërë ç’të mundesh për të ndrequr gabimin, do ta ndihmosh që të vazhdojë jetën e saj. Gjithashtu, kjo përvojë do të të mësojë ‘t’i ruash buzët nga mashtrimi’ në çdo fushë të jetës, përfshirë edhe marrëdhëniet me individët e seksit tjetër.​—Psalmi 34:13, BR.

Mendohu mirë para se të përgjigjesh

Po sikur të të pëlqente vërtet që ta njihje më mirë këtë vajzë? Nëse po, duhet të kuptosh që takimet dhe shprehjet e dashurisë nuk janë mënyra sa për të kaluar ca çaste të bukura. Ndjenjat e forta që zhvillojnë dy njerëz për njëri-tjetrin kur janë në periudhë njohjeje, janë shenjë se ata po hedhin hapat drejt martesës. Pasi martohen, pikërisht këto ndjenja i ndihmojnë të lidhen si burrë dhe grua. Si mund të ndikojë te ti kjo gjë?

Pasi ke menduar për këtë vajzë, mund të shohësh se është tërheqëse në disa drejtime. Ajo të hapi portën dhe ti do të dëshiroje ta mbaje të hapur. Por, në vend që t’i hyni rrëmbimthi një lidhjeje, merrni masa qysh tani për t’u mbrojtur të dy nga dhembjet therëse më vonë.

Për disa gjëra ndoshta është mirë të këshillohesh me njerëz të pjekur që e njohin vajzën. Sugjeroji asaj të bëjë të njëjtën gjë me disa që të njohin ty. Secili nga ju duhet t’i pyesë ata se cilat janë sipas tyre cilësitë e mira, por edhe dobësitë e tjetrit. Gjithashtu, mund të merrni edhe mendimin e pleqve të krishterë. Është mirë që të dish nëse, vajza apo djali që të pëlqen, gëzon respektin e të tjerëve në kongregacionin e krishterë.

Por ti mbase thua: «Pse duhet të përzihen kaq shumë të tjerët në jetën time private?» E vërteta është se të marrësh mendimin e të tjerëve edhe për gjëra kaq personale, është një veprim i mençur. Në fakt, kjo mbështetet edhe nga Shkrimet, sepse te Fjalët e urta 15:22 thuhet: ‘Planet realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.’ Të rriturit me të cilët do të flasësh, nuk do të vendosin për ty. Por ‘këshillat e përzemërta’ që ata të japin, mund të të hapin sytë për disa karakteristika të tjetrit dhe të tuat, që ti nuk i sheh.​—Fjalët e urta 27:9.

Xhejmsi, i përmendur në hyrje të artikullit, veproi kështu. Pavarësisht se nuk jetonte me prindërit, u foli atyre për Suzanën. Pastaj, ai dhe Suzana i dhanë njëri-tjetrit emrat e disa njerëzve të tjerë të pjekur që mund t’u jepnin ndonjë mendim nëse shkonin si çift. Pasi dëgjuan fjalë të mira për njëri-tjetrin, nisën të shoqëroheshin bashkë për të parë nëse martesa ishte e mundur për ta. Në rast se edhe ju veproni po njësoj, përpara se ndjenjat t’ju bëhen më të forta, atëherë do të jeni shumë më të sigurt kur të merrni një vendim në fund.

Mbi të gjitha, lutju Jehovait. Meqë periudha e njohjes është një hap drejt martesës, kërkoji Perëndisë të të ndihmojë që të kuptosh nëse lidhja me këtë vajzë mund të të çojë drejt këtij synimi. Çka është më e rëndësishme, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë të dyve për të marrë vendime që do t’ju afrojnë më shumë me të. Pikërisht nga kjo varet lumturia e vërtetë për ju të dy.

[Shënimet]

^ par. 3 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 6 Artikujt «Të rinjtë pyesin» në revistën Zgjohuni! 22 tetorit 2004 dhe 22 dhjetorit 2004, trajtojnë se si një vajzë mund t’i afrohet një djali për t’i kërkuar të nisin një periudhë njohjeje.

[Figurat në faqen 19]

Nëse vërtet nuk të intereson, ki kujdes që të mos lësh një përshtypje të gabuar