Mbroni lëkurën!
Mbroni lëkurën!
«Njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet mjaft reale të ekspozimit në diell . . . . dhe për dëmtimin që mund t’i shkaktojë ai ADN-së së lëkurës. Kur ky dëmtim vjen duke u rënduar, është si një minë me sahat, pasi mund të kthehet në kancer të lëkurës.»—Dr. Mark Birç-Maçini, specialist për kancerin e lëkurës.
LËKURA është organi më i madh i trupit. Te një mashkull me trup mesatar, ajo ka një sipërfaqe rreth 1,8 metra katrorë, kurse te një femër me trup mesatar, sipërfaqja e saj është 1,6 metra katrorë. Lëkura ka receptorë që reagojnë ndaj dhembjes, prekjes dhe temperaturës. Lëkura është vija e parë e mbrojtjes së trupit kundër të nxehtit, të ftohtit, goditjeve, si edhe kundër helmeve, lëndëve kimike dhe ndotësve. Ajo bën që uji as të mos depërtojë në trup dhe as të mos dalë nga trupi. Megjithatë, lëkura ka një armik të fuqishëm, diellin. Por, a nuk është e domosdoshme për jetën drita e diellit?
Po, është. Bimët, nga të cilat varet jeta jonë, kanë nevojë për dritën e diellit që të rriten. Për më tepër, kur rrezet e diellit merren në sasi të vogla, e nxitin trupin që të prodhojë vitaminën D, e cila merr pjesë në metabolizmin e kalciumit, dhe kështu ndihmon në forcimin e kockave. Por kjo nuk do të thotë se sa më shumë rreze të marrësh, aq më mirë është. Dielli lëshon rrezatimin ultravjollcë (UV), që mund ta dëmtojë në mënyrë të pariparueshme lëkurën. Një nga pasojat e këtij rrezatimi është plakja e parakohshme.
Libri Mbroni lëkurën (anglisht) paralajmëron për një rrezik edhe më të madh: «Rrezatimi ultravjollcë dëmton ADN-në [materiali gjenetik që kontrollon proceset qelizore, siç është ndarja e qelizës], frenon sistemin imunitar dhe mund të aktivizojë në trup lëndë kimike, të cilat nxitin një zinxhir procesesh që çojnë drejt kancerit.» Fjala «kancer» të ngjall frikë. Por, sa i përhapur është kanceri i lëkurës? A ka arsye për t’u alarmuar?
Kanceri i lëkurës—Murtajë e ditëve tona
Manuali i Merkut (anglisht) thotë se ky është kanceri më i përhapur në botë. Në Shtetet e Bashkuara, 1 në çdo 6 ose 7 veta sëmuren nga ndonjë formë e kancerit të lëkurës. Por shifrat po rriten. Në librin Zgjidhja për kancerin e lëkurës (anglisht), dr. Uilliam Lejni thotë se «parashikohet që 50 për qind e njerëzve që arrijnë moshën 65-vjeçare do të vuajnë nga ndonjë formë e kancerit të lëkurës». Në këtë vend, melanoma malinje shkakton afro 7.500 vdekje, dhe sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë, rastet e kësaj melanome po shtohen. Kanceri i lëkurës ndeshet më rrallë te njerëzit me lëkurë të zeshkët, por gjithsesi, edhe ata janë në rrezik.
Përse kanceri i lëkurës është kthyer në një murtajë? Ndonëse mund të ndikojnë shumë faktorë, si për shembull lartësia nga niveli i detit, gjerësia gjeografike, trashësia e shtresës së reve dhe shtresa e ozonit, shkaku kryesor mund të jetë thjesht ekspozimi i tepërt në diell. Mënyra e jetesës ka ndryshuar. Njerëzit që punojnë në mjedise të mbyllura, sot kanë më shumë mundësi dhe dëshirë t’i kalojnë pushimet në plazh ose ta kalojnë kohën e lirë me aktivitete në natyrë, siç është ngjitja në mal ose rrëshqitja me ski. Edhe moda ka ndryshuar. Dikur modestia i bënte burrat dhe gratë të vishnin kostume banje të gjata, kurse sot rrobat e banjës po bëhen gjithnjë e më të vogla, duke e zbuluar më shumë lëkurën. Paralel me këto prirje është përhapur edhe kanceri i lëkurës. Mos vallë banorët e shkretëtirave, siç ishin beduinët, që vishnin rroba të gjata e të lirshme dhe mbulonin kokën, dinin diçka që, siç duket, ne e kemi shpërfillur?
Kanceri i lëkurës—Një rrezik shumë real
Tri llojet më të përhapura të kancerit të lëkurës janë: karcinoma bazoqelizore, karcinoma spinoqelizore dhe melanoma malinje. Karcinoma bazoqelizore dhe karcinoma spinoqelizore fillojnë në shtresën e jashtme të lëkurës, që mesatarisht është e trashë 1 milimetër. Me sa duket, këto lloj kanceresh që ndryshojnë nga melanoma, vijnë si pasojë e ekspozimit të zgjatur në diell, si në rastin e atyre që punojnë në natyrë. Ato shfaqen pothuajse gjithnjë në pjesët e trupit që ekspozohen në diell, siç janë fytyra dhe duart. * Zakonisht karcinoma fillon si një nyjë e vogël ose si një dëmtim në lëkurë, i cili zmadhohet, shpesh nxjerr gjak dhe nuk shërohet plotësisht. Ajo mund të përhapet vetëm në disa pjesë të trupit, duke pushtuar indet përreth. Karcinomat bazoqelizore përbëjnë rreth 75 për qind të kancereve të lëkurës. Ndonëse ndeshet më rrallë, karcinoma spinoqelizore është më e prirur të japë metastaza ose të përhapet, duke nisur nga vendi ku shfaqet fillimisht e duke vazhduar në pjesë të tjera të trupit. Megjithëse karcinomat mjekohen më lehtë se të gjitha llojet e kancereve të lëkurës, po të mos trajtohen, ato mund të shkaktojnë vdekjen. Prandaj, është e rëndësishme që ato të diagnostikohen herët.
Edhe melanoma malinje, e cila përbën vetëm 5 për qind të rasteve me kancer të lëkurës, fillon në shtresën e jashtme të lëkurës. Një nga faktorët kryesorë të krijimit të melanomës, me sa duket, është ekspozimi intensiv dhe me ndërprerje në diell, siç është rasti i punonjësve të zyrave, që i kalojnë pushimet në plazh. Rreth 50 për qind e melanomave malinje krijohen nga nishanet me ngjyrë, sidomos në pjesën e sipërme të kurrizit dhe nga gjuri e poshtë.
Melanoma malinje është më vdekjeprurësja ndër të gjitha llojet e kancerit të lëkurës, pasi, nëse nuk kurohet që në fillim, mund të pushtojë shtresën e brendshme të lëkurës, dermën, ku gjenden enë gjaku dhe enë limfatike. Që andej mund të përhapet shpejt. Onkologu dr. Leri Nathënson thotë: «Paradoksi i melanomës qëndron në faktin se ajo ka shumë gjasa të kurohet, po të trajtohet që në fillim. Nga ana tjetër, nëse ajo ka dhënë metastaza, bëhet shumë rezistente ndaj trajtimit me ilaçe ose me rreze.» Në fakt, vetëm 2 ose 3 për qind e pacientëve te të cilët melanoma ka kaluar në fazën e metastazës, arrijnë të jetojnë deri në pesë vjet. (Shih kutinë në faqen 7 për shenjat e para paralajmëruese të melanomës.)
Cilët rrezikojnë të preken nga kanceri i lëkurës? Përveç njerëzve që janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj diellit ose atyre që ekspozohen me ndërprerje dhe në mënyrë intensive, më shumë rrezikojnë ata që janë bardhoshë, që kanë sy dhe flokë në ngjyrë të çelët, nishane ose quka dhe që kanë ndonjë të afërm i cili ka vuajtur nga melanoma. Kanceri i lëkurës ndeshet shumë më rrallë te njerëzit me tipare të errëta. A do të thotë kjo që sa më shumë të nxiheni nga dielli, aq më i vogël është rreziku i kancerit të lëkurës? Jo. Megjithëse nxirja është reagimi i lëkurës për t’u mbrojtur nga rrezet UV, lëkura dëmtohet gjatë procesit të nxirjes, dhe dëmtimet e përsëritura e rritin rrezikun e kancerit të lëkurës.
Trajtimi i kancerit të lëkurës
Në varësi të llojit të tumorit, vendndodhjes, përmasave dhe terapive të mëparshme, ka disa metoda trajtimi: heqja kirurgjike, gërryerja, djegia me gjilpërë elektrike, kriokirurgjia (ngrirja) dhe radioterapia. Vështirësia qëndron në heqjen e të gjitha qelizave kanceroze. Kirurgjia e Mohut, një procedurë që kryhet me ndihmën e mikroskopit dhe gjatë së cilës bëhen heqje kirurgjike, ka dhënë rezultat në heqjen e karcinomave bazoqelizore dhe spinoqelizore (jep rezultat në 95 deri në 99 për qind të rasteve). Ndërkohë, me anë të kësaj procedure ruhet pjesa më e madhe e indit të shëndetshëm dhe mbeten më pak shenja të dukshme. Pavarësisht nga procedura, mund të jetë e nevojshme që të bëhet një rindërtim i indit.
Instituti Kombëtar i Shteteve të Bashkuara për Studimin e Plakjes thotë: «Të gjitha kanceret e lëkurës mund të kurohen, nëse zbulohen dhe trajtohen nga mjeku para se të përhapen.» Prandaj, është jetike që kanceri i lëkurës të kapet herët. Por, si mund të parandalohet kanceri i lëkurës?
Mësoni si të mbroheni nga dielli
Është e nevojshme që njerëzit të mësojnë të mbrohen nga dielli qysh nga fëmijëria. Sipas Fondacionit për Kancerin e Lëkurës, shumica e ‘njerëzve kanë thithur rreth 80 për qind të rrezeve të diellit që marrin gjatë gjithë jetës, para se të mbushin 18 vjeç. Është parë se, kur njeriu pëson qoftë edhe një djegie me flluska nga dielli në fëmijëri, dyfishohet rreziku që gjatë jetës të preket nga melanoma’. Arsyeja është se mund të duhen 20 vjet a më shumë para se kanceri i lëkurës të zhvillohet. (Shih kutinë në faqen 8 për disa këshilla të dobishme se si të mbroheni nga dielli.)
Australia ka një numër të madh rastesh me kancer të lëkurës, sidomos me melanomë. * Kjo vjen ngaqë ky vend është i populluar kryesisht nga imigrantë me lëkurë të bardhë që kanë ardhur nga Evropa Veriore, shumica e të cilëve jetojnë në bregdet, në plazhet plot diell. Një studim i bërë për këta imigrantë tregoi se sa më të vegjël të kishin vajtur në Australi, aq më i madh ishte rreziku i melanomës, gjë që tregon nevojën që të mësojmë qysh në moshë të njomë, se si të mbrohemi nga dielli. Qeveria australiane ka ndërmarrë një fushatë të madhe për t’i njohur njerëzit me rreziqet e diellit, duke i nxitur të mbajnë ndonjë bluzë, të vënë kapela dhe të lyhen me krem kundër diellit. Këto ndryshime të vogla në mënyrën e jetesës, po ndikojnë në numrin e rasteve me melanomë që hasen te grup-moshat më të reja në këtë vend.
Për sa u përket produkteve kozmetike kundër diellit, është mirë të përdoren ato me spektër të gjerë, që ju mbrojnë si nga rrezet UVA dhe nga ato UVB. Kjo është e rëndësishme edhe kur është ditë e vrenjtur, pasi 85 për qind e rrezeve UV depërtojnë nga retë. Rrezet mund të depërtojnë edhe në ujë të pastër. Disa specialistë këshillojnë kremrat që kanë një faktor mbrojtës (SPF) të paktën 15. Që të llogaritni se për sa kohë ju mbrojnë këto kremra, minutat që mjaftojnë të digjeni nga dielli, shumëzojini me 15. Duhet të lyheni të paktën çdo dy orë me krem kundër diellit, por kjo nuk e dyfishon kohën e përgjithshme të mbrojtjes.
Për më tepër, libri Zgjidhja për kancerin e lëkurës paralajmëron se nuk duhet ta flini mendjen vetëm ngaqë jeni lyer me krem kundër diellit. Asnjë krem nuk të mbron 100 për qind nga djegia dhe nuk e parandalon medoemos kancerin e lëkurës. Në fakt, kremi i plazhit, tërthorazi mund ta shtojë rrezikun e kancerit të lëkurës, nëse përdorimi i tij ju nxit të rrini më shumë në diell. Libri thotë: «Asgjë nuk i zëvendëson zakonet e mira të mbrojtjes nga dielli. Veshja e rrobave si mbrojtje dhe qëndrimi brenda gjatë orëve më të nxehta të ditës, mbahen si armë ‘të efektshme’ kundër kancerit të lëkurës.»
Ç’mund të thuhet për nxirjen artificiale në ambiente të mbyllura? Është llogaritur se po t’u ekspozohesh vetëm 20 minuta pajisjeve për nxirje artificiale, është sikur të kesh ndenjur rreth katër orë në diell. Mendohej se nxirja në kushte artificiale ishte e sigurt, pasi gjatë saj përdoreshin kryesisht rrezet UVA, që nga sa dukej nuk e digjnin lëkurën. Por, libri Zgjidhja për kancerin e lëkurës thotë: «Sot dihet që rrezet UVA depërtojnë më thellë në lëkurë sesa rrezet UVB, mund të shkaktojnë kancerin e lëkurës dhe mund të frenojnë sistemin imunitar.» Një studim i botuar në gazetën The Miami Herald, zbuloi se gratë që shkonin në sallonet për nxirje artificiale të paktën një herë në muaj, «e rritnin me 55 për qind rrezikun e melanomës».
Prandaj, është e nevojshme që t’u kushtohet vëmendje serioze zakoneve të mira për mbrojtjen nga dielli. Mos harroni, një djegie nga dielli sot, pas 20 vjetësh ose më shumë mund të kthehet në kancer lëkure. Si kanë luftuar disa njerëz me kancerin e lëkurës, dhe çfarë i ka ndihmuar ta përballojnë atë?
[Shënimet]
^ par. 10 Rrezatimi UV mund të dëmtojë edhe qelizat e Langerhansit në epidermë, të cilat luajnë një rol imunologjik të rëndësishëm. Libri Zgjidhja për kancerin e lëkurës thotë: «Prandaj, disa shkencëtarë mendojnë se dobësimi i sistemit imunitar ndihmon në zhvillimin e kancerit të lëkurës.»
^ par. 19 Sipas Këshillit të Nju-Sauth-Uellsit për Kancerin, «në dy australianë, njëri do të vuajë nga ndonjë formë e kancerit të lëkurës». Në Kuinsland të Australisë, në vitin 1998, rreziku i melanomës ishte 1 në 15 veta.
[Kutia dhe figurat në faqen 7]
SHENJAT KRYESORE TË MELANOMËS MALINJE
1. MUNGESA E SIMETRISË. Melanomat e hershme nuk janë simetrike (dy anët nuk puthiten). Nishanet e zakonshme janë të rrumbullakëta dhe simetrike.
2. BUZËT E ÇRREGULLTA. Buzët e melanomave të hershme shpesh janë të çrregullta dhe mund të jenë si manaferrë ose mund të kenë dhëmbëzime. Nishanet e zakonshme kanë buzë më të lëmuara e më të rregullta.
3. LARMIA E NGJYRËS. Nuanca të ndryshme të ngjyrës kafe, të ngjyrës së kuqërremtë dhe të së zezës shpesh janë shenjat e para të melanomës. Ndërkohë që melanoma përparon, mund të shfaqet e kuqja, e bardha dhe bluja. Nishanet normale kanë vetëm një nuancë të ngjyrës kafe.
4. DIAMETRI. Melanomat e hershme në përgjithësi bëhen më të mëdha se nishanet e zakonshme dhe kanë një diametër më të madh se 6 milimetra.
[Burimet]
Burimi: Fondacioni për Kancerin e Lëkurës
Pamje të lëkurës: Fotografi të bëra me mirësjelljen e Fondacionit për Kancerin e Lëkurës, Nju-Jork, NY, www.skincancer.org
[Kutia dhe figurat në faqen 8]
KËSHILLA PËR TË MBROJTUR LËKURËN
1. Kufizoni ekspozimin në diell, sidomos nga ora 10.00—16.00, kur rrezet e dëmshme ultravjollcë (UV) janë më të forta.
2. Bëni një kontroll të lëkurës që nga koka e deri te gishtat e këmbëve, të paktën një herë në tre muaj.
3. Kur jeni jashtë, përdorni krem mbrojtës me spektër të gjerë dhe me faktor të paktën 15. Lyhuni mirë me krem 30 minuta para se të dilni në diell dhe më pas, çdo dy orë. (Kremi kundër diellit nuk duhet përdorur për fëmijët nën gjashtë muaj.)
4. Mësojini fëmijët si të mbrohen nga dielli që kur janë të vegjël, pasi dëmtimet që kthehen në kancer të lëkurës në moshë të rritur, zënë fill në fëmijëri.
5. Vishni rroba që ju mbrojnë nga dielli, siç janë pantallonat e gjata ose bluzat me mëngë të gjata. Mbani kapela me strehë të gjerë dhe syze dielli kundër rrezeve UV.