Bibliotekat—Porta drejt njohurisë
Bibliotekat—Porta drejt njohurisë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI
BIBLIOTEKAT janë quajtur «një ndër shtyllat e qytetërimit». Te World Book Encyclopedia thuhet se ato kanë luajtur një rol kryesor në kulturën dhe teknologjinë njerëzore. Poeti gjerman Gëte, i quajti bibliotekat kujtesa e njerëzimit.
Cilat biblioteka kanë qenë ndër më të rëndësishmet mes ‘shtyllave të qytetërimit’? Cili libër ka pasur ndikimin më të madh si te bibliotekat, ashtu edhe te përhapja e arsimimit? Dhe sa libra kanë bibliotekat më të mëdha sot? Për t’iu përgjigjur pyetjes së parë, le të udhëtojmë pas në kohë dhe të vizitojmë një nga bibliotekat më të lashta të njerëzimit.
Një «enciklopedi e njohurisë njerëzore» mjaft e lashtë
Imagjinojeni veten sikur jeni në një vend të Lindjes së Mesme, i njohur sot si Iraku. Është viti 650 p.e.s. Jeni brenda mureve shumë të larta të qytetit të Ninevisë (afër qytetit të Mosulit të sotëm). Përpara jush shfaqet me një pamje madhështore pallati i mbretit Ashurbanipal, sundimtari i Asirisë, Egjiptit dhe i Babilonisë. * Teksa qëndroni pranë dyerve të pallatit, ju bien në sy disa burra me qerre të ngarkuara me qypa të rëndë balte që i çojnë brenda në pallat. Këta burra sapo janë kthyer nga skajet më të largëta të mbretërisë asiriane. Ata po përpiqen të grumbullojnë çdo tekst të njohur rreth traditave sociale, kulturore dhe fetare të popujve që banojnë në mbretërinë e Ashurbanipalit. Kur hapni njërin prej qypave, shihni se është plot me pllaka argjile në formë drejtkëndëshi, gati 8 centimetra të gjera dhe dhjetë centimetra të gjata.
Duke i shkuar nga pas njërit prej këtyre burrave hyni brenda në pallat dhe shihni disa kopjues që përdorin maja shkruese prej kocke për të gdhendur shkronja kuneiforme në pllaka të vogla prej argjile të njomë. Ata po përkthejnë në gjuhën asiriane disa tekste të shkruara në gjuhë të huaj. Pastaj, pllakat piqen në furrë duke bërë kështu që këto shkrime të jenë pothuajse të paprishshme. Ato mbahen nëpër dhoma që janë plot me rafte të mbushura plot e përplot me qindra qypa. Sipër dyerve të këtyre dhomave vendosen pllaka ku tregohet tema e teksteve që ka aty. Në këtë bibliotekë ka më shumë se 20.000 pllaka argjile që përmbajnë informacione për marrëveshjet tregtare, zakonet fetare, ligjet, historinë, mjekësinë dhe për fiziologjinë e njerëzve dhe të kafshëve. Më vonë, një studiues e quajti gjithë këtë pasuri një «enciklopedi të njohurisë njerëzore».
Bibliotekat para dhe pas asaj të Ninevisë
Përpara bibliotekës së Ashurbanipalit në Ninevi, kishin ekzistuar edhe biblioteka të tjera të mëdha. Mbreti Hamurab ndërtoi një bibliotekë në qytetin babilonas të Borsipës një mijë vjet përpara Ashurbanipalit. Ramsesi II ngriti një bibliotekë të famshme në qytetin egjiptian të Tebës, më shumë se 700 vjet përpara Ashurbanipalit. Megjithatë, shumëllojshmëria e informacionit dhe sasia e jashtëzakonshme e dokumenteve, bënë që biblioteka e Ashurbanipalit të njihej si «më e madhja në të gjithë botën e lashtë». Kaluan 350 vjet para se të krijohej një tjetër bibliotekë që t’ia kalonte asaj.
Rreth vitit 300 p.e.s., Ptolemeu I Sotër, një nga gjeneralët e Aleksandrit të Madh, ndërtoi një bibliotekë më të madhe se ajo e Ninevisë. Ajo u ndërtua në qytetin-port të Aleksandrisë, në Egjipt, dhe bibliotekarët e saj bënë çmos të mblidhnin kopje të shumicës së dorëshkrimeve që ekzistonin atëherë në mbarë botën. * Sipas traditës, pikërisht këtu në Aleksandri 70 studiues nisën të përkthenin në greqisht pjesën hebraike të Shkrimeve të Shenjta. Ky përkthim më vonë u quajt Septuaginta greke, dhe u përdor shumë nga të krishterët e hershëm.
Bibliotekat e Lindjes
Në kohën kur Ashurbanipali po rriste cilësinë e bibliotekës së tij, në Kinë mbretëronte dinastia Zhou. Gjatë mbretërimit të kësaj dinastie, nga viti 1122 p.e.s deri në 256 p.e.s., dolën një grup librash që u njohën si Pesë Klasikët. Aty përfshihej një libër që interpretonte të ardhmen, një përmbledhje me fjalime të mbajtura nga sundimtarët e lashtë, poezi, udhëzime për ceremoni dhe rite fetare. Së fundi ishte edhe historia e shtetit të Lusë, rreth vitit 722 p.e.s. deri në vitin 481 p.e.s., për të cilin mendohet se është libri i fundit i shkruar nga filozofi kinez Konfuci. Për më shumë se dy mijë
vjet, Pesë Klasikët dhe librat e shumtë me komente rreth tyre ndikuan në mentalitetin kinez dhe hodhën bazën si të bibliotekave perandorake, ashtu edhe të atyre private.Në Japoni, Hojo Sanetoki, anëtar i një familjeje sunduese samurai, themeloi një bibliotekë në vitin 1275, në shtëpinë e familjes së tij në Kanazaua (tani pjesë e Jokohamës). Ai u përpoq të grumbullonte çdo libër që ekzistonte në gjuhën kineze dhe japoneze. Edhe pse numri i librave është pakësuar, ky koleksion librash ekziston ende sot.
Bibla, bibliotekat e manastireve dhe kultura perëndimore
«Fuqia e fjalës së shkruar dhe vlera e bibliotekës,—thotë libri Historia e bibliotekave në botën perëndimore (anglisht),—nuk mund të ilustrohet më mirë sesa me forcimin, përhapjen dhe qëndrueshmërinë e fesë së krishterë.» Ç’lidhje ka zhvillimi i bibliotekave me përhapjen e krishterimit?
Me shpërbërjen e Perandorisë Romake u shkatërruan ose u shpërndanë edhe materialet që përmbanin bibliotekat e saj të mëdha. Në këtë kohë, në të gjithë Evropën u shfaqën manastiret e të ashtuquajturit krishterim të cilat grumbulluan atë ç’ka kishte mbetur nga këto biblioteka të lashta. Një nga punët kryesore që bëhej në shumë prej këtyre manastireve, ishte kopjimi me dorë i dorëshkrimeve të Biblës, si edhe i dorëshkrimeve të tjera. Për shembull, manastiret benediktine i bindeshin «Urdhrit të Shën Benediktit», ku urdhërohej leximi dhe kopjimi i librave.
Bibliotekat në Kostandinopojë ruajtën dhe prodhuan kopje të dorëshkrimeve të lashta. Si përfundim, këto dorëshkrime u shfaqën edhe në Itali. Mendohet se ato luajtën një rol të rëndësishëm në fillimin e periudhës së Rilindjes. Historiani Elmer D. Xhonson thotë: «Nuk mund të mohohet roli që pati biblioteka e manastireve në ruajtjen e kulturës perëndimore. Pak a shumë për një mijë vjet, ajo ishte qendra intelektuale e Evropës, pa të cilën, qytetërimi perëndimor do të ishte një botë krejt e ndryshme.»
Kopjimi i Biblës ndihmoi që gjatë kësaj periudhe «qendra intelektuale e Evropës» të vazhdonte të funksiononte. Në kohën kur Reforma përfshiu gjithë Evropën, dëshira për të lexuar Biblën i nxiti disa burra të thjeshtë t’i këputnin vargonjtë e analfabetizmit. Libri Historia e bibliotekave thotë: «Te Reforma Protestante gjejmë fillesat e pikëpamjes që çdo anëtar i shoqërisë duhet të ketë të paktën aq arsim sa të mund të lexojë Biblën. Ndërsa debatet teologjike sa vinin dhe shtoheshin, u bë e rëndësishme që njerëzit të dinin të lexonin një gamë të gjerë veprash fetare. Për këtë, përveç aftësisë për të lexuar, ishte e nevojshme edhe mundësia për t’i pasur e për t’i përdorur këta libra.»
Pra, Bibla luajti një rol kyç në përhapjen e bibliotekave dhe të arsimimit në të gjithë botën Perëndimore. Pastaj me shpikjen e makinës së shtypit, biblioteka shumë të mëdha private dhe shtetërore që kishin libra me një larmi të jashtëzakonshme temash, u shfaqën në Evropë, dhe së fundi edhe në pjesën tjetër të botës.
Bibliotekat e shekullit të 21-të
Sot disa biblioteka janë bërë jashtëzakonisht të mëdha. Imagjinojeni veten duke qëndruar pranë një rafti 850 kilometra të gjatë dhe që mban mbi 29 milionë libra! Kjo është me përafërsi madhësia e
bibliotekës më të madhe në botë, Biblioteka e Kongresit, në Shtetet e Bashkuara. Përveç librave, biblioteka ka rreth 2,7 milionë kaseta dhe videokaseta, 12 milionë fotografi, 4,8 milionë harta dhe 57 milionë dorëshkrime. Çdo ditë koleksionit të bibliotekës i shtohen 7.000 artikuj.Biblioteka Britanike në Londër, renditet e dyta për numrin e librave që ka, më shumë se 18 milionë kopje. Biblioteka Shtetërore Ruse që ndodhet në Moskë, ka 17 milionë libra dhe një koleksion me rreth 632.000 vëllime vjetore të gazetave. Biblioteka Kombëtare e Francës, një nga bibliotekat më të lashta që ka mbijetuar në Evropë, ka 13 milionë libra. Gjithashtu, libri Tekstet e bibliotekave botërore (anglisht) pohon: «Biblioteka Kombëtare Franceze ishte e para që futi në Internet gjithë tekstin e shumë prej koleksioneve të saj.» Atyre që kanë një kompjuter, Interneti ua ka bërë më të lehtë se asnjëherë më parë të hyjnë në depot e njohurisë së njerëzimit.
Sot më shumë se kurrë, ka një vërshim informacionesh në dispozicion të publikut. Është llogaritur se i gjithë arsenali i librave dyfishohet çdo katër vjet e gjysmë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, çdo vit botohen më shumë se 150.000 libra.
Ajo që vërejti studiuesi, shkrimtari dhe mbreti i lashtë Solomoni, ka shumë domethënie sot. Ai shkroi: «Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë dhe studimi i tepërt e lodh trupin.» (Predikuesi 12:12) Megjithatë, kur përdoren me mençuri, bibliotekat vazhdojnë të jenë «porta drejt njohurisë», siç i quan Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
[Shënimet]
^ par. 6 Ashurbanipali mendohet të jetë Osnapari [Asenapari, BR] i përmendur në Bibël tek Ezdra 4:10, i cili ka sunduar në kohën kur në Judë mbretëronte Manaseu.
^ par. 10 Për më shumë informacion lidhur me bibliotekat e Aleksandrisë, si për bibliotekën e lashtë, edhe për atë moderne, shih revistën Zgjohuni! të 8 janarit 2005.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
Roli i punonjësit të bibliotekës
Në qoftë se nuk po e gjeni dot librin që dëshironi në listën e bibliotekës, mos i humbni shpresat, pyetni punonjësin e bibliotekës. Shpesh përvoja e tij është e paçmuar. Roderiku, që ka punuar në bibliotekë për 20 vjet, thotë: «Shpesh njerëzit ndihen ngushtë në biblioteka dhe druhen nga bibliotekarët. Zakonisht ia fillojnë kështu: ‘Ndoshta mund t’ju duket pyetje koti, por . . . ’ Por asnjë pyetje nuk është koti. Zotësia e një bibliotekari të mirë duket kur ju gjen atë çfarë ju nevojitet, jo domosdoshmërisht atë që i kërkoni.»
[Kutia dhe figura në faqen]
Ç’domethënie kanë numrat? → 225,7
Sistemi dhjetor Djui
Për t’i mbajtur nën mbikëqyrje librat e tyre të shumtë, shumë biblioteka përdorin sistemin dhjetor të klasifikimit Djui, një seri numrash që vendosen në listat dhe në shpinën e librave. Melvël Djui, një bibliotekar i shquar amerikan, e botoi për herë të parë këtë sistem në vitin 1876. Ky sistem përdor numrat nga 000 deri në 999 për të klasifikuar të gjitha materialet sipas temës, duke i organizuar në dhjetë grupe më të mëdha:
000-099 Të ndryshme
100-199 Filozofia dhe psikologjia
200-299 Feja
300-399 Shkencat shoqërore
400-499 Gjuha
500-599 Shkencat e natyrës dhe matematika
600-699 Teknologjia (shkencat e zbatuara)
700-799 Artet
800-899 Letërsia dhe retorika
900-999 Gjeografia dhe historia
Çdonjëri nga grupet kryesore ndahet në dhjetë nëngrupe dhe këtyre u caktohen tema specifike brenda temës së grupit që përfshihen. Për shembull, Bibla ka numrin 220 në klasifikimin (Feja) me numrin 200. Temat specifike rreth Biblës ndahen më tej. Numri 225 tregon «Besëlidhjen e Re» (Shkrimet Greke). Numra të tjerë përcaktojnë llojin e librit:
01 Filozofi dhe teori
02 Të ndryshme
03 Fjalorë, enciklopedi, renditës alfabetikë
04 Tema të veçanta
05 Botime me vëllime
06 Organizata dhe administrim
07 Arsimi, studime, çështje që lidhen me to
08 Përmbledhje
09 Histori
Kështu, një enciklopedi që flet për Biblën e plotë, ka numrin 220,3 ndërsa një libër komentues për Shkrimet Greke mund të ketë numrin 225,7.
Sistemi i klasifikimit të librave në Bibliotekën e Kongresit është i ngjashëm, por vetëm se përdor kombinimin e shkronjave me numrat. Gjithashtu, shumica e librave kanë një kod të përbërë me shkronja dhe numra që tregon autorin e këtij libri. Në vende të tjera, përdoren sisteme të ndryshme klasifikimi.
[Figura në faqen 18]
Mbreti Ashurbanipal i Asirisë, biblioteka e të cilit kishte pllaka argjile me shkrime kuneiforme, 650 p.e.s.
[Figura në faqen 18]
Biblioteka Britanike, Londër, Angli
[Figura në faqen 18]
Bibliotekë në një manastir, Zvicër, 1761
[Figura në faqen 19]
Biblioteka e Aleksandrisë, Egjipt, rreth vitit 300 p.e.s.
[Burimi]
Nga libri Ridpath’s History of the World (Vëllimi II)
[Figura në faqet 20, 21]
Biblioteka e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, më e madhja në botë
[Burimi]
Nga libri Ridpath’s History of the World (Vëllimi IX)
[Burimet e figurave në faqen 18]
Fotografitë lart në të majtë dhe në fund: Erich Lessing/Art Resource, NY; pllaka: Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik