Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njihuni me «dorashkën fluturuese»

Njihuni me «dorashkën fluturuese»

Njihuni me «dorashkën fluturuese»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË

KETRAT gjenden thuajse në çdo cep të tokës. Sidoqoftë ketri i jashtëzakonshëm fluturues i Siberisë, që zakonisht quhet «dorashka fluturuese», i ka shokët të rrallë. * Vallë, vërtet fluturon ky brejtës i vogël? Çfarë krijese është ky ketër dhe përse ndeshet rrallë?

Si fluturojnë?

Ndonëse të gjithë ketrat që jetojnë nëpër pemë hidhen nga pema në pemë, asnjë nuk ia kalon dot ketrit fluturues. Këta brejtës mund të kërcejnë deri në 80 metra. Por si e arrijnë këtë?

Ketri fluturues ka disa membrana aerodinamike që do të mrekullonin çdo inxhinier avionësh. «Pjesa e përparme e membranës mbahet nga një kërc i gjatë që fillon nga kyçi i këmbëve të përparme,​—thuhet në librin Bota e kafshëve (anglisht).​—Ndonëse membrana duket sikur ka vetëm dy shtresa lëkure, ajo ka një shtresë të hollë muskujsh që u krijon mundësi këtyre ketrave të harkojnë trupin, me qëllim që të përshtatin vetitë aerodinamike.»

Emri «dorashkë fluturuese» i shkon për shtat, pasi kur kërcen dhe rrëshqet në ajër, ketri duket komplet rrafsh dhe ngjan si dorashkë me një gisht. Kur nuk fluturon, ndonjëherë ketri duket sikur ka veshur një pallto gri prej gëzofi, që i rri e madhe, të paktën disa numra.

Si arrin ketri të fluturojë pa u përplasur? Bishti luan rolin e timonit, duke e drejtuar gjatë fluturimit. Para se të ulet në ndonjë pemë, ketri hap «parashutën frenuese», pra kthehet në pozicionin vertikal. Shumë rrallë ndodh që ketri t’i bëjë llogaritë gabim dhe të bjerë në tokë.

Një ndihmë për këtë «aeroplan pa motor» dhe me gëzof, është edhe pesha e lehtë që ka. Një ketër fluturues i rritur, me trup mesatar, peshon rreth 150 gramë dhe është afro 20 centimetra i gjatë, pa përfshirë bishtin. Veshët i ka të vegjël dhe pa xhufka qimesh, kështu që nuk e pengojnë gjatë fluturimit.

Piloti i natës

Ketri fluturues ka sy të veçantë që duken si perla të zeza të mëdha. Ndryshe nga ketrat e tjerë, ketri fluturues është një kafshë që «punon» natën. Prandaj ka nevojë për shikim të mprehtë që të gjejë ushqimin që i pëlqen​—gjethet e pemëve gjetherënëse, sythet e halorëve dhe resat. Meqë në dimër ka më pak ushqim, gjatë vjeshtës, ketri fluturues mbledh rezerva të vogla me resa dhe i ruan në vende të fshehta nëpër degë dhe në zgavrat e pemëve.

Në pranverë, disa ketra fluturues humbin kaq shumë pas lojës, saqë harrojnë të dremitin në drekë. Veç kësaj, në këtë periudhë të vitit ketrat e kanë mendjen gjetkë, të çiftohen. Nëse femrës ia mbush syrin fluturimi i mashkullit, është koha që të mendojnë për folenë. Foleja do të jetë ose në një shtëpizë të ndërtuar për zogj, nëse ka ndonjë të tillë, ose në ndonjë zgavër peme. Zakonisht ketri fluturues ka shumë fole. Disa i përdor si depo të fshehta për ushqim, kurse të tjera si apartamente rezervë. Madje disa ketra fluturues e bëjnë folenë në ndonjë hambar. Megjithatë, ndryshe nga ketrat e tjerë, ketrat fluturues nuk duan të jetojnë në qytet.

Në fund të pranverës ose në fillim të verës, nëna ketrushe do të lindë të vegjlit e saj, që mund të jenë dy ose tre. Asaj i duhet të punojë shumë për t’i ushqyer ata, madje punon edhe ditën. Kur lindin, të vegjlit janë sa maja e gishtit; por, para se të mbarojë vjeshta, ata fluturojnë nga foleja.

Përse i shohim rrallë?

Përse e shohim kaq rrallë ketrin fluturues? Një arsye është se kjo krijesë që del natën, lëviz pa zhurmë përmes kurorave të pemëve dhe zor se ta kap syri. Veç kësaj, ketrit fluturues i pëlqejnë pyjet e veriut, ku drurët gjetherënës përzihen me drurët halorë. Këto pyje fillojnë nga Deti Baltik, pastaj shtrihen përmes tajgës ruse dhe arrijnë deri në Oqeanin Paqësor.

Me sa duket, pyjet e paana të Siberisë mjaftojnë për të garantuar mbijetesën e ketrit fluturues siberian. Gjithsesi, për shkak të shpyllëzimit, ashtu si kafshëve të tjera që i bëjnë çerdhet nëpër zgavrat e pemëve, edhe këtij lloji i kanë prishur vende të përshtatshme për të ngritur folenë. Në Finlandë, në rajonin perëndimor të habitatit të tij, ketri fluturues mbrohet me dekret të Bashkimit Evropian. Mjafton të duket kalimthi ndonjë ketër fluturues në kurorën e pemëve ose të zbulohen jashtëqitje të tij, dhe si pasojë një projekt ndërtimi mund të shtyhet ose të anulohet.

Sigurisht, ketrat fluturues nuk e kanë idenë se ç’pasoja mund të kenë jashtëqitjet e tyre! E vërtet, duket sikur asgjë nuk ua prish terezinë. Kur muzgu bie në pyjet e veriut, mijëra turinj të vegjël dalin nga zgavrat e pemëve. Mustaqet e gjata nduken, degët e holla të pemëve dridhen dhe ja, «dorashkat fluturuese» fillojnë sërish programin e tyre.

[Shënimi]

^ par. 3 Ky është vetëm një prej më shumë se 30 llojeve të ketrave fluturues. Shumë nga ata rriten në pyjet e Azisë Juglindore, duke përfshirë edhe ketrin fluturues gjigant, që e ka trupin sa një mace. Ketrat me bisht me luspa që rriten në Afrikë, zakonisht nuk renditen me ketrat e tjerë fluturues, ndonëse ngjajnë shumë nga pamja. Shenja më dalluese e tyre është bishti, që ka qime vetëm në majë dhe pak në pjesën e poshtme.

[Figura në faqen 23]

Resat, një nga ushqimet e preferuara të ketrit fluturues

[Figura në faqen 24]

I vogli i ketrit fluturues siberian

[Burimi i figurës në faqen 22]

Ilya Lyubechanskii/BCIUSA.COM

[Burimi i figurës në faqen 23]

Ketrat: Benjam Pöntinen

[Burimi i figurës në faqen 24]

Ketrat: Benjam Pöntinen