Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përballon sëmundjen me një ndjenjë humori

Përballon sëmundjen me një ndjenjë humori

Përballon sëmundjen me një ndjenjë humori

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË

KONÇI, është një mesogrua gazmore, e cila ka shtatë vjet që po lufton me kancerin. Që kur u diagnostikua me kancer në gji, ka bërë shtatë operacione për ta mbajtur nën kontroll tumorin malinj. Si e përballon sëmundjen?

«Kur mjekët më japin ndonjë lajm të keq, nëse më vjen të qaj, qaj me dënesë derisa ta nxjerr të gjithë dhembjen që kam përbrenda,​—thotë ajo.​—Pastaj përpiqem të vazhdoj me rutinën time të përditshme dhe të bëj gjërat që më japin kënaqësi, si për shembull: mësoj gjuhën kineze, ndjek asambletë e krishtere dhe shkoj me pushime me familjarët dhe miqtë e mi. Gjithmonë kujtoj fjalët e Jezuit: ‘Kush prej jush, duke qenë në ankth, mund t’i shtojë jetëgjatësisë së vet një kut?’​—Mateu 6:27.

Si edhe përpiqem të jem gjithnjë në humor,​—shton ajo.​—Bëj shaka me mjekët, shikoj filma për të qeshur dhe mbi të gjitha, mundohem të mbaj lidhje të rregullta me miqtë dhe të afërmit. Të kesh miq me të cilët mund të qeshësh, është një ilaç i mrekullueshëm. Në një rast, pak përpara operacionit, disa miq dhe kushërinj më treguan një ngjarje për të qeshur që kishte ndodhur një natë më parë. Kam qeshur kaq shumë saqë hyra në sallën e operacionit shumë e qetë.»

Konçi nuk është e vetmja që e ka kuptuar se përpjekjet për të qenë në humor dhe mbajta e një fryme pozitive, mund të ndihmojnë që problemet shëndetësore të kapërcehen me sukses. Edhe mjekësia moderne ka filluar të kuptojë rolin e rëndësishëm që luan gjendja e mirë shpirtërore në luftën tonë kundër dhembjes dhe sëmundjes.

I dobishëm për trupin dhe mendjen

Nuk po themi ndonjë gjë të re. Tre mijë vjet më parë, mbreti Solomon shkroi: «Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë.» (Fjalët e urta 17:22) Edhe një shkrimtar spanjoll i shekullit të 17-të, Lope de Vega, shkroi në mënyrë të ngjashme: «Nëse do t’i bënin gjërat duke qenë të qeshur, mendoj se do të ishim më të shëndetshëm.» Por, në botën e sotme që të shkakton kaq shumë strese, duket se një qëndrim i tillë nuk ekziston. Faktikisht jetojmë në epokën e artë të teknologjisë, por kjo është edhe epoka ku njerëzit sa vjen dhe janë gjithnjë e më pak të qeshur. Vepra El arte de la risa (Arti i të qeshurit), vëren se në shoqërinë e sotme moderne duket sikur njeriu sa vjen dhe po bëhet më i varur ndaj kompjuterit. Disa herë kompjuterët duket sikur po u zënë vendin të qeshurave, gjesteve dhe buzëqeshjeve.

Humori i mirë i ndihmon pacientët të kenë mendime, ndjenja dhe sjellje më pozitive. Sipas një artikulli të dalë kohët e fundit nga dr. Haime Sans-Ortisi, specialist për kancerin dhe për qetësuesit e dhembjeve, kur dikush është në humor kjo «e bën më të lehtë komunikimin, forcon imunitetin, zbut dhembjet, zvogëlon ankthin, qetëson tensionin e muskujve dhe atë emocional, nxit fantazinë dhe shpresën».

Të jesh i qeshur s’ka të paguar!

Pse të jesh i qeshur ndikon për mirë, tamam si një ilaç? Sepse është një gjendje shpirtërore që na lejon t’i shohim problemet nga një këndvështrim pozitiv, edhe kur gjërat nuk shkojnë vaj. «Kur çdo ditë jemi të qeshur, jemi gjithnjë energjikë, s’ndihemi shumë të lodhur dhe nuk e mëshirojmë veten»,​—pohon Sans-Ortisi.

Natyrisht, ajo që na bën të buzëqeshim ose të qeshim, ndryshon nga një njeri te tjetri, gjithashtu ndryshon edhe nga botëkuptimi që ka gjithsecili. «Ashtu si e bukura varet nga syri i atij që e shikon, po ashtu humori i mirë varet nga pikëpamja e atij që e dëgjon»,​—shpjegon Sans-Oritisi. Por, pavarësisht nga bagazhi ose arsimi, të kesh një ndjenjë humori është shpesh mënyra më e mirë për të komunikuar dhe për t’u çliruar nga ankthi i grumbulluar, tensioni ose pasiguria. Nëse qenka kaq i dobishëm, çfarë mund të bëjmë që të jemi gjithnjë kështu?

Hapi i parë është të mos përqendrohemi plotësisht te problemet ose te sëmundja që kemi, por t’i gëzojmë gjërat e mira që na dhuron çdo çast. Përveç kësaj, duhet të përpiqemi të mendojmë në mënyrë të arsyeshme, të largojmë mendimet e kota që na acarojnë, të cilat s’bëjnë gjë tjetër veçse na e rëndojnë gjendjen. Gjithashtu, mund të kemi një ndjenjë humori në rast se i shohim gjërat me një sy tjetër. S’jemi të detyruar të qeshim ose të buzëqeshim gjithnjë, por nëse kemi njëfarë ndjenje humori, kjo do të na ndihmojë ta kalojmë më lehtë një situatë të vështirë. «Kur jemi në humor edhe për një çast, mund të na bëjë që ta largojmë mendjen nga shqetësimet dhe ta shohim problemin nga një këndvështrim tjetër . . . , duke e kaluar atë me sukses me anë të rrugëzgjidhjeve të reja»,​—thotë Sans-Ortisi.

Sigurisht, të jesh i qeshur nuk është ilaçi për çdo krizë që hasim në jetë. Megjithatë, shpesh na ndihmon që t’i përballojmë problemet në një mënyrë më pozitive dhe më të ekuilibruar. Konçi pranon se «nuk është shaka të jesh i sëmurë, por duhet të përpiqeni të mos e humbitni ndjenjën e humorit. E imagjinoj jetën time si një kopsht me perime që ka lloje të ndryshme zarzavatesh, njëra nga të cilat​—mjerisht​—është sëmundja ime. Përpiqem ta mbaj atë në një cep, që të mos ia zërë frymën të tjerave. Patjetër, s’mund të them që e kam mundur kancerin, por ende po e gëzoj jetën, dhe kjo është ajo që ka vërtet rëndësi».

[Figura në faqen 27]

Konçin e inkurajon i shoqi, Feliksi, dhe motra e saj më e vogël, Peli