Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Takim me «Zonjën e Rëndë të Thridnidëll Stritit»

Takim me «Zonjën e Rëndë të Thridnidëll Stritit»

Takim me «Zonjën e Rëndë të Thridnidëll Stritit»

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

MURE të larta dhe pa dritare rrethojnë rezidencën e saj mbresëlënëse. Derëtarë të veshur me frakë ngjyrë rozë, me jelekë të kuq dhe me cilindra të zinj, ruajnë hyrjet. Kamerat e fshehta të sigurisë vëzhgojnë me kujdes vizitorët. Kush është «Zonja e Rëndë e Thridnidëll Stritit», dhe përse ka nevojë për kaq mbrojtje?

«Zonja e Rëndë» është një nga institucionet më të mëdha financiare në botë​—Banka e Anglisë. Por, si e mori këtë emër kaq të çuditshëm? Thridnidëll Strit (d.m.th. rruga Gjilpëra), ndodhet në një zonë të Londrës ku dikur lulëzonin shoqatat e esnafëve. Emri i kësaj rruge ka shumë mundësi të ketë ardhur nga tri gjilpërat e emblemës së Kompanisë të Gjilpërabërësve. Rreth njëqind vjet pas themelimit të bankës, politikani dhe dramaturgu Riçard Sheridan iu referua asaj në Parlament, si «zonja e rëndë e qytetit të vjetër dhe me emër». Karikaturisti Xhejms Gilrei, ishte i shpejtë për të hedhur në letër idenë e një banke ngjashëm një zonje të rëndë dhe, që nga ajo kohë e deri tani, banka u bë e famshme me emrin «Zonja e Rëndë e Thridnidëll Stritit».

Nevoja për një bankë shtetërore

Në shekullin e 17-të, arpunuesit kontrollonin pjesën më të madhe të veprimeve bankare në Londër. Ky rregullim në përgjithësi funksionoi mirë deri kur mbretërit e dinastisë së Stjuartve, nisën të merrnin para hua dhe të mos i kthenin më. Përfundimisht bankierët arpunues më të shquar falimentuan dhe, si pasojë, qeveria u gjend në një nevojë të madhe për para që të mbështeste luftën me Francën.

Në vitin 1689, kur në fron erdhi Uilliami III dhe Meri II, kishte nevoja urgjente për një bankë shtetërore që të shërbente si bankiere e qeverisë dhe si siguruese fondesh. Nga propozimet e ndryshme të paraqitura, më në fund Parlamenti pranoi propozimin e tregtarit skocez Uilliam Patersonit, me gjithë kundërshtimet e forta. Qytetarëve londinezë iu kërkua të jepnin hua shuma parash, me shpresën që të grumbulloheshin 1.200.000 paunde [1.700.000 euro]. Si shkëmbim, qeveria do t’u paguante nënshkruesve 8 për qind interes dhe do të bëheshin pjesëtarë të këshillit drejtues dhe të kompanisë së Bankës së Anglisë. Brenda dy javësh paratë u mblodhën dhe në vitin 1694, Banka e Anglisë nisi aktivitetin tregtar.

Dyzet vjet më vonë, banka u vendos në rrugën Thridnidëll. Ndërtesa e sotme, e cila daton që nga vitet 30 të shekullit të kaluar, është shtatë kate e lartë dhe ka depo të mëdha thellë nën tokë. Ajo zë një sipërfaqe prej 1,2 hektarësh.

Të përpjetat dhe të tatëpjetat

Në fillim, banka i pajiste klientët që depozitonin paratë për t’i pasur të sigurta, me dëftesa të shkruara me dorë. Këto dëftesa, ose ndryshe bankënota, mund të ktheheshin në ar ose në monedha, nga kushdo që i sillte sërish në bankë. Sigurisht, nëse të gjithë do t’i tërhiqnin paratë në të njëjtën kohë, banka do të rrezikonte të falimentonte. Kishte disa raste kur banka desh falimentoi. Për shembull, më 1797 lufta me Francën, gati e rrënoi sërish vendin financiarisht. Kur investitorët e trembur i tërhoqën paratë, banka i mbaroi rezervat me para të thata dhe si pasojë në vend të arit, i duhej të nxirrte në qarkullim bankënota me vlerë shumë të ulët për 24 vitet e ardhshme. Pikërisht gjatë kësaj «periudhe krize» banka mori pseudonimin «Zonja e Rëndë e Thridnidëll Stritit». Bankënotat e përgatitura shpejt e shpejt, ishin shumë tunduese për falsifikuesit, por në atë kohë për këtë dënoheshe shumë rëndë. Mbi 300 njerëz u varën për falsifikim.

Ndodhi edhe njëherë tjetër që banka ishte në buzë të greminës, por kësaj radhe për një arsye tjetër. Më 1780, kryengritësit në Londër u përpoqën të merrnin ndërtesën. Pas kësaj, çdo natë deri në vitin 1973, një skuadër ushtarësh patrullonte përqark ndërtesës për të ruajtur arin e kombit.

Gjatë shekullit të 19-të, paundi britanik dhe bankënota e Bankës së Anglisë, u bënë paratë më të sigurta të botës. Por, Lufta I Botërore, e përmbysi situatën. Kostoja shumë e lartë e luftës, e dëmtoi rëndë vendin. Kështu që, shumë investitorë nxituan me vrap t’i kthenin bankënotat e tyre në ar. Kjo solli që shumë shpejt monedhat prej ari që përdoreshin çdo ditë, të dilnin nga qarkullimi për të mos u kthyer kurrë më. Ato u zëvendësuan me bankënota me më pak vlerë. Që nga viti 1931, Britania nuk përdori më standardin monetar të bazuar mbi arin, që do të thoshte se vlera e parasë britanike nuk varej më nga një sasi fikse e arit.

Gjatë gjithë historisë së saj, banka ka qenë një kompani private. Por, më 1946-n, e mori në dorë qeveria.

«Zonja e Rëndë» vazhdon të jetë e zënë me punë

Banka e Anglisë, është bankë qendrore. Ajo shërben si aksionare e qeverisë, jep këshilla në strategjitë financiare dhe mban monedhën e vendit sa më të qëndrueshme, duke vendosur përqindje të përshtatshme interesi. Klientë të tjerë të saj, janë bankat tregtare dhe bankat qendrore të shteteve të tjera. Në dhomat e saj të nëndheshme, ruan rezervat e arit të vendit. Jashtë Londrës, në një vend tjetër të sigurt, ajo mbikëqyr stampimin e kartëmonedhave të reja.

Londra është një qytet shumë i zënë me punë. Brenda qytetit, Banka e Anglisë luan një rol kyç. Ajo çfarë ndodh brenda atyre mureve pa dritare, ndikon shumë tek institucionet financiare të pjesës tjetër të botës. Vërtet, «Zonja e Rëndë» është më aktive se kurrë, dhe vazhdon të mbajë «portofolin» e gjithë vendit.

[Figura në faqen 24]

Kontrata e parë e bankës, 1694

[Figura në faqen 24]

Bankënotë 5 paundshe e shkruar me dorë, 1793

[Figura në faqen 24]

Në rrugën Thridnidëll, 1794

[Figura në faqen 24]

Një paund afro 3,72 gram ar i kulluar, 1911

[Figura në faqen 24]

Pjesë nga karikatura e parë, bërë nga Xhejms Gilrei, 1797

[Figura në faqen 25]

Bankënotë dhjetë shilingëshe, 1928

[Figura në faqen 25]

Ndërtesa sot, që nga 1939-a