Të njohim burimin e gjithë energjisë
Të njohim burimin e gjithë energjisë
DIELLI është burimi kryesor i energjisë në tokë. Shumë shkencëtarë mendojnë se qymyrguri dhe nafta, janë mbetjet e dekompozuara të pemëve dhe të bimëve që e thithnin energjinë nga dielli. * Në sajë të nxehtësisë së diellit, uji që rrjedh sot në digat e hidrocentraleve, fillimisht ka avulluar nga oqeanet dhe pastaj era e ka sjellë në formë resh. Gjithashtu, rrezet e ngrohta të diellit vënë në lëvizje flladet, kurse këto të fundit vënë në punë gjeneratorët që shfrytëzojnë energjinë e erës. Megjithatë, sipas llogaritjeve, vetëm një e dymiliardta e energjisë diellore arrin në tokë.
Ndonëse ka një energji të jashtëzakonshme, ylli që ne e njohim me emrin diell është vetëm një nga miliarda burimet e ngjashme dhe masive të energjisë në univers. Cili është burimi i gjithë kësaj energjie? Duke folur për yjet, një nga shkrimtarët e Biblës, Isaia, thotë: «Ngrini sytë tuaja përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij [energjisë së tij të bollshme, BR] dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon.»—Isaia 40:26.
Kur mendojmë për energjinë marramendëse të yjeve, prekemi thellë, madje mund të prekemi edhe më shumë po të mendojmë për Krijuesin e tyre. Megjithatë, Bibla na nxit: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovi 4:8) Po, Ai që na dha shkëndijën e jetës, Krijuesi i tokës dhe i burimeve të saj të bollshme të energjisë, mund të gjendet nga ata që e kërkojnë.—Zanafilla 2:7; Psalmi 36:9.
Kur shohin që toka dhe burimet e saj po ndoten dhe po shpërndahen në mënyrë të pabarabartë, disa mund ta kenë të vështirë të besojnë se Perëndia interesohet për këtë planet dhe për njerëzit që jetojnë në të. Megjithatë, Bibla na siguron se së shpejti gjërat do të ndryshojnë. Ajo na premton një ndryshim të madh, qoftë në mënyrën se si shpërndahen burimet natyrore të botës, qoftë në mënyrën se si qeveriset toka. (Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10) Duke vënë një qeveri qiellore mbarëbotërore, të drejtuar nga Biri i tij, Krishti Jezu, Perëndia Jehova garanton që çdokush do të marrë pjesën e vet nga burimet e bollshme të tokës. (Mikea 4:2-4) Veç kësaj, ai ‘do të shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’, pra ata që ndotin ambientin e tokës, qoftë në kuptimin fizik, qoftë në kuptimin moral.—Zbulesa 11:18.
Në atë kohë, premtimi i shkruar tek Isaia 40:29-31 do të bëhet realitet, si nga ana frymore, ashtu edhe nga ajo fizike: «Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.» Nëse gjeni kohë për të studiuar Biblën, edhe ju mund të mësoni më shumë rreth Burimit të të gjithë energjisë dhe rreth zgjidhjes së problemeve të burimeve energjitike.
[Shënimi]
^ par. 2 Shih kutinë «Si u formua nafta?» në revistën Zgjohuni! të 8 nëntorit 2003.