Disa metoda të reja për prodhimin e energjisë
Disa metoda të reja për prodhimin e energjisë
ERA:
▪ Që prej shumë kohësh, njeriu e ka shfrytëzuar fuqinë e erës për të vënë në lëvizje anijet me vela, mullinjtë, si edhe për të pompuar ujin. Megjithatë, vitet e fundit, anembanë globit është përhapur me të shpejtë interesi për energjinë e erës. Sot në botë, mullinjtë e teknologjisë së lartë prodhojnë pa shkaktuar ndotje aq energji elektrike të pashtershme, sa mjafton për të furnizuar 35 milionë njerëz. Tashmë Danimarka prodhon 20 për qind të energjisë elektrike vetëm nga mullinjtë me erë. Gjermania, Spanja dhe India po e adoptojnë me hapa të shpejtë metodën e shfrytëzimit të energjisë së erës. India pretendon se zë vendin e pestë në botë për sa i përket energjisë elektrike që mund të prodhojë në sajë të erës. Sot në Shtetet e Bashkuara ka 13.000 mullinj me erë që prodhojnë elektricitet. Disa analistë thonë që, nëse do të ndërtoheshin mullinj me erë në të gjitha vendet e përshtatshme të Shteteve të Bashkuara, ky vend mund të prodhonte në sajë të erës më shumë se 20 për qind të sasisë aktuale të energjisë elektrike.
DIELLI:
▪ Bateritë diellore që ka bërë njeriu e kthejnë dritën e diellit në energji elektrike kur rrezet e diellit rritin energjinë e elektroneve të pajisjes. Në mbarë botën, me anë të kësaj metode prodhohen rreth 500 milionë vat, dhe tregu i baterive diellore po rritet me 30 për qind çdo vit. Gjithsesi, sot bateritë diellore kanë një rendiment pak a shumë të ulët dhe energjia elektrike që prodhohet prej tyre kushton shtrenjtë, po të krahasohet me energjinë që prodhohet nga lëndët djegëse fosile. Veç kësaj, në prodhimin e këtyre baterive përdoren lëndë kimike helmuese, të tilla, si sulfuri i kadmiumit dhe arsenuri i galiumit. Sipas revistës Bioscience, meqë lëndë të tilla kimike mbeten në mjedis për shekuj me radhë, «derdhja dhe riciklimi i lëndëve të baterive që nuk punojnë mund të bëhet problem shumë serioz».
ENERGJIA GJEOTERMALE:
▪ Nëse dikush do të hapte një vrimë në koren e tokës, duke gërmuar drejt bërthamës së saj të nxehtë, ku temperatura arrin gati 4.000 gradë celsius, për çdo kilometër thellësi, temperatura do të rritej mesatarisht 30 gradë celsius. Gjithsesi, njerëzit që jetojnë afër burimeve termale ose të çarave vullkanike e kanë më të lehtë për ta shfrytëzuar nxehtësinë e tokës. Uji i nxehtë ose avulli që del nga pikat e nxehta në koren e tokës përdoret në 58 vende për të ngrohur shtëpitë ose për të prodhuar elektricitet. Islanda plotëson afro gjysmën e nevojave për energji elektrike duke shfrytëzuar energjinë gjeotermale. Vende të tjera, si Australia, po mendojnë të shfrytëzojnë energjinë që gjendet në zona të mëdha me shkëmbinj të nxehtë dhe të thatë, të cilët ndodhen vetëm disa kilometra nën sipërfaqen e tokës. Revista Australian Geographic thotë: «Disa studiues mendojnë se po të pompojmë ujë thellë në këto zona të nxehta dhe pastaj ta përdorim ujin e nxehur për të rrotulluar turbinat, ndërkohë që ai kthehet në sipërfaqe nën një trysni shumë të madhe, mund të prodhojmë energji për dhjetëvjeçarë, madje për shekuj të tërë.»
UJI:
▪ Sot hidrocentralet plotësojnë 6 për qind të nevojave për energji në botë. Sipas raportit Perspektiva Ndërkombëtare e Energjisë për vitin 2003, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të ardhshëm, «një pjesë e mirë e burimeve të reja të ripërtëritshme do të sigurohen nëpërmjet projekteve për shfrytëzimin e energjisë së ujit, të cilat do të zbatohen në një shkallë të gjerë për vendet në zhvillim, sidomos në pjesën në zhvillim të Azisë». Megjithatë, revista Bioscience paralajmëron: «Shpesh rezervuarët e ujit mbulojnë ultësira lymore pjellore që janë buzë ndonjë rrjedhe uji dhe që kanë shumë vlerë. Për më tepër, digat bëjnë që të ndryshojnë bimët, kafshët dhe mikrobet e ekosistemit.»
HIDROGJENI:
▪ Hidrogjeni është një gaz i djegshëm, pa ngjyrë e pa erë, dhe është elementi që gjendet më me shumicë në univers. Në tokë, hidrogjeni gjendet si pjesë përbërëse e indeve të bimëve dhe të kafshëve. Gjithashtu është përbërës i lëndëve djegëse fosile dhe një nga elementët që formojnë ujin. Veç kësaj, kur digjet, hidrogjeni shkakton më pak ndotje dhe ka më shumë rendiment se lëndët djegëse fosile.
Revista Science News Online thotë se uji «mund të ndahet në hidrogjen dhe oksigjen kur në të kalon rrymë elektrike». Ndonëse me këtë metodë mund të përftoheshin sasi të mëdha hidrogjeni, revista thotë se «ky proces, në dukje i drejtpërdrejtë, ende nuk është me leverdi». Tashmë fabrikat në mbarë botën prodhojnë rreth 45 milionë tonë hidrogjen, kryesisht për plehra kimike dhe për lëndë pastruese. Por ky hidrogjen nxirret me anë të një procesi ku përfshihen edhe lëndët djegëse fosile, një proces gjatë të cilit çlirohet edhe gazi helmues i monoksidit të karbonit dhe gazi i efektit serrë, dyoksidi i karbonit.
Sidoqoftë, shumë njerëzve hidrogjeni u duket alternativa më premtuese ndër të gjitha lëndët djegëse dhe mendojnë se ai mund të plotësojë nevojat për energji që njerëzit do të kenë në të ardhmen. Ky optimizëm bazohet në përmirësimet e mëdha që i janë bërë kohët e fundit një pajisjeje të quajtur bateria me lëndë djegëse.
BATERIA ME LËNDË DJEGËSE:
▪ Bateria me lëndë djegëse është një pajisje që prodhon energji elektrike duke përdorur hidrogjenin. Ajo e realizon këtë, jo duke e djegur hidrogjenin, por duke e bashkuar me oksigjenin gjatë një reaksioni kimik të kontrolluar. Kur në vend të një lëndë djegëse fosile të pasur me hidrogjen përdoret hidrogjen i pastër, produktet e vetme që nxirren nga ky reaksion janë nxehtësia dhe uji.
Më 1839, sër Uilliam Grouvi, gjyqtar dhe fizikan britanik, bëri baterinë e parë me lëndë djegëse. Megjithatë, prodhimi i këtyre baterive kishte kosto të lartë dhe ishte e vështirë të përftohej lënda djegëse dhe elementët përbërës. Kështu, kjo teknologji u la në heshtje deri në mesin e shekullit të 20-të, kur u prodhuan bateri me lëndë djegëse për të furnizuar me energji anijet kozmike amerikane. Anijet kozmike të ditëve tona ende përdorin bateritë me lëndë djegëse si burim energjie në bord. Gjithsesi, teknologjia e prodhimi i këtyre baterive po përmirësohet, me qëllim që ato të përdoren më shumë edhe në tokë.
Sot, bateritë me lëndë djegëse po ndërtohen edhe për të zëvendësuar motorin me djegie të brendshme tek automobilat dhe për të furnizuar me energji ndërtesa tregtare dhe banimi, si edhe pajisje të vogla elektrike, siç janë celularët dhe kompjuterët. Megjithatë, energjia elektrike që prodhohet sot nga centralet e baterive me lëndë djegëse kushton katër herë më shumë se ajo që përftohet nga lëndët djegëse fosile. Gjithsesi, për zhvillimin e kësaj teknologjie që është në hapat e parë, po investohen qindra milionë dollarë.
Kuptohen qartë dobitë që do të ketë mjedisi, po të shfrytëzohen burime energjie më të pastra. Megjithatë, ka të ngjarë që kostoja e përdorimit të këtyre burimeve në shkallë të gjerë, të mbetet e papërballueshme. Raporti Perspektiva Ndërkombëtare e Energjisë për vitin 2003 thotë: «Pritet që një pjesë e madhe e kërkesave që do të shtohen për energji në të ardhmen . . . të jenë për lëndë djegëse fosile (naftë, gaz natyror dhe qymyrguri). Arsyeja është se parashikohet që çmimet për lëndët djegëse fosile të mbeten pak a shumë të ulëta, kurse kostoja e prodhimit të energjisë nga lëndë djegëse të tjera të jetë shumë më e lartë.»
[Figura në faqen 9]
Automjet i vitit 2004 që punon me bateri me lëndë djegëse
[Burimi]
Mercedes-Benz SHBA
[Burimi i figurës në faqen 8]
DOE Photo