Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Teknologjia pengon komunikimin
«Shumë britanikë, që sa vjen e po bëhen më tepër robër të teknologjisë moderne, edhe vetëm ideja që do të bisedojnë ballë për ballë me të tjerët i frikëson»,—raporton The Times e Londrës. Një sondazh i bërë me 1.000 njerëz të rritur, i drejtuar nga kompania British Gas, zbuloi se një njeri i thjeshtë harxhon pak a shumë katër orë në ditë «duke përdorur teknologjinë, e cila si fillim synonte t’u linte njerëzve më tepër kohë të lirë për veten». Sipas këtij raporti, «një britanik i zakonshëm harxhon 88 minuta në ditë me telefonin fiks, më tej 62 minuta me celularin, 53 minuta me postën elektronike dhe 22 minuta duke shkruar mesazhe». Sondazhi përfundonte se aftësitë komunikuese, si për shembull, të bisedosh ballë për ballë me dikë, janë dëmtuar. Shumë prej atyre që u anketuan, e pranuan se i përdornin mesazhet e shkruara si «një mënyrë për të mos humbur shumë kohë ose për ta shmangur plotësisht bisedën».
Zakone që të kushtojnë shtrenjtë
Sipas profesorit Keri Rajula, të Institutit Finlandez të Shëndetit në Punë, pirja e duhanit të kushton shtrenjtë. Dhe kjo nuk është vetëm për ata që e pinë, por edhe për punëdhënësit dhe për ata që nuk e pinë duhanin. Pushimet e shkurtra, të bëra herë pas here për të pirë një cigare, «i kushtojnë ekonomisë së vendit [Finlandës] afërsisht 16,6 milionë euro në vit», siç raportohet në sitin e Internetit Finnish Broadcasting Company. Është llogaritur se «punëtorët që pinë një paketë në ditë, mungojnë në punë 17 ditë në vit». Raportet për sëmundjet e shkaktuara, rëndojnë edhe më shumë «faturën». Rajula pohon akoma: «Studimet tregojnë se punëtorëve duhanpirës u ndodhin më shumë aksidente.» Përveç kësaj, sipas raportit, pirja e duhanit rrit koston e punës së pastrimit, si dhe të përdorimit të energjisë, «pasi ventilatori duhet të gradohet në maksimum». Më serioz është fakti se «gati 250 finlandezë që nuk e pinë duhanin, vdesin çdo vit nga sëmundjet që lidhen me ekspozimin në ambientet ku pihet duhan».
Drogat gjenden lehtë
Sipas raportit të revistës Wprost, në Poloni, më e lehtë është të gjenden drogat stimuluese, sesa birra. «Ato i gjen jo vetëm në çdo disko, në lokale, klube nate dhe motele, por edhe në kolegje, shkolla të mesme [dhe] në tetëvjeçare.» Për më tepër, në qytetet e mëdha, drogat «mund të porositen me telefon dhe të mbërrijnë më shpejt sesa të sjellin një picë», siç thuhet në revistë. Sipas Wprost-it, çmimet e ulëta, lehtësia për të gjetur drogë dhe fakti që «drogat artificiale konsiderohen si të padëmshme», të gjitha këto kanë bërë që më tepër se gjysma e adoleshentëve polakë të eksperimentojnë «të paktën një herë» me të. Sipas Katarzhena Pulavska-Popielarshit, drejtoreshës së një qendre rehabilitimi për të rinjtë, abuzimi për një kohë të gjatë me njërën prej këtyre drogave, metamfetaminën, ka çuar në «vetëvrasje, infarkte, psikoza dhe një rënie drastike në peshë».
Rigjallërimi i meshës në latinisht
Sipas revistës gjermane Focus, në Gjermani, «shërbimet kishtare në latinisht po përhapen gjithnjë e më shumë». Revista vëren se priftërinjtë në «qytetet, si Frankfurti, Dyseldorfi dhe Mynsteri kanë kuptuar që, megjithëse numri i pjesëmarrësve është në rënie, kur shërbesat kishtare janë në latinisht, kishat mbushen plot». Popullariteti i meshës në latinisht bëri që një kishë në Mynih ta rriste numrin e meshave ku përdoret liturgjia latine nga dy herë në muaj në dy herë në javë, plus edhe në festat publike.
Shekulli i luftës
«Gjenocidi bëri që shekulli i 20-të të ishte më i përgjakuri në të gjithë historinë»,—raporton gazeta Buenos Aires Herald. Gjenocidi është përkufizuar si shfarosja sistematike dhe e planifikuar e një grupi të tërë kombëtar, racial, politik ose etnik. Është llogaritur që më shumë se 41 milionë njerëz u masakruan gjatë shekullit të 20-të. Një ndër shembujt më të fundit është Ruanda, ku në vitin 1994 u vranë gati 800.000 njerëz, pjesa më e madhe nga «civilë të nxitur nga urrejtja e propaganduar». Studiuesit thonë se, për një periudhe kohe prej 100 ditësh, vriteshin mesatarisht 8.000 veta çdo ditë. Gazeta Herald pohon se përqindja është «pesë herë më e lartë sesa ajo e dhomave të gazit të përdorura nga nazistët në Luftën II Botërore».
Si gjuajnë aligatorët
Një studente për doktoratë në Universitetin e Merilendit, zbuloi diçka që ka qenë e panjohur më parë për specialistët—receptorët e presionit në turirin e aligatorëve, të cilët u krijojnë mundësinë të dallojnë lëvizjet e presë në ujë. Gunga shumë të vogla, që duken si njolla të vockla sa maja e gjilpërës, veshin nofullat e aligatorëve dhe të zvarranikëve të tjerë të familjes së krokodilëve. Biologia Dafni Sors, zbuloi se këto gunga janë të ngritura të vockla që pikasin trysninë, të cilat u japin mundësi zvarranikëve të diktojnë lëvizjet e vogla të sipërfaqes së ujit përqark tyre. «Krokodilët gjuajnë natën, gjysmë të zhytur në ujë, duke pritur që preja të trazojë sipërfaqen e ujit. Ata i mbajnë nofullat tamam në sipërfaqen e ujit,—shpjegon biologia Sors.—Kur janë të uritur, e sulmojnë menjëherë çdo gjë që lëviz mbi sipërfaqen e ujit.» Receptorët e presionit që janë në formën e kubesë, siç i quan ajo, janë kaq të ndjeshëm, saqë mund të diktojnë edhe rënien e një pike uji mbi sipërfaqe e tij.
Kazanë të gjallë plehrash
Një studim ndërkombëtar për ndikimin e mbeturinave në botën nënujore, tregon se fulmari i zakonshëm, një zog deti i familjes së zgalemit në Detin e Veriut, ka në stomak 30 sende plastike. Sipas raportit të gazetës londineze The Guardian, ky është «sa dyfishi i sasisë së gjetur te fulmarët në fillim të viteve 80». Fulmarët u studiuan sepse «hanë pothuajse çdo gjë dhe nuk i ripërtypin ato që gëlltitin». Midis materialeve plastike të gjetura në stomakët e fulmarëve të ngordhur kishte edhe kukulla, vegla, litarë, gota plastike, sfungjer dyshekësh, shishe plastike dhe çakmakë. Dr. Dan Barlou, drejtuesi i kërkimit në grupin «Miqtë e Tokës» në Skoci, thotë: «Nga ky kërkim pamë se kafshët detare përqark bregdetit skocez, po transformohen në kazanë të gjallë plehrash.» Gazeta shton: «Nga të 300 llojet e zogjve të detit në të gjithë botën, më shumë se 100 prej tyre hanë gabimisht materiale plastike.»
Gjuha e shenjave në Internet
Për vite me radhë, njerëzit që s’dëgjojnë përdornin aparatet telegrafike për të komunikuar me miqtë, kurse kohët e fundit po përdorin postën elektronike. Përdorimi gjithnjë e më tepër i Webcams, që janë kamera Interneti të vendosura mbi kompjuter, u japin mundësi atyre që s’dëgjojnë të përdorin gjuhën e shenjave nëpërmjet Internetit. Megjithatë, sipas National Post të Kanadasë, «fusha e ngushtë e shikimit dhe perspektiva dydimensionale e kamerave kompjuterike, bën që disa nuanca të shprehjeve të humbasin, tamam si ngritja e vetullës ose ngërdheshja nuk shihen kur flet me telefon». Lidhja e ngadaltë në Internet dhe problemet e tjera teknike, mund ta bëjnë përdorimin e gjuhës së shenjave më të vështirë nëpërmjet kamerave kompjuterike. Si ia bëjnë ata që s’dëgjojnë për t’i kapërcyer këto pengesa? Gazeta Post thotë se ata i formojnë shenjat më ngadalë, i përsëritin dhe kanë mësuar «t’i përshtatin lëvizjet ose pozicionin e trupit, për të kompensuar problemet që lidhen me këndin e shikimit». Gjithashtu, kanë parë se mund t’i shtojnë më shumë emfazë asaj që thonë, duke i lëvizur duart më afër kamerës, sepse kështu këto lëvizje duken më të mëdha.