Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të vegjlit e dëborës të Ishujve Magdalenë

Të vegjlit e dëborës të Ishujve Magdalenë

Të vegjlit e dëborës të Ishujve Magdalenë

NDËRSA qëndroja përballë asaj krijese me gëzof të bardhë, m’u mbushën sytë me lot. Në të vërtetë, nuk arrija ta besoja që isha aty, i shtrirë mbi akull, vetëm pak centimetra larg fytyrës së një foke të vogël harp! Më në fund, ëndrra ime 20-vjeçare u plotësua. Ndërsa kundroja thellë sytë e saj sterrë të zinj, një rrëqethje ma përshkoi tërë trupin, por jo nga të ftohtët, por nga entuziazmi i papërmbajtshëm që po provoja. Nuk doja të më shpëtonte asnjë përpëlitje qepallash, asnjë frymëmarrje dhe asnjë dridhje e mustaqeve të këtij topthi me gëzof që kisha përpara.

Grupi ynë i turistëve ishte 100 kilometra larg bregut, mbi një shtresë të stërmadhe akulli lundruese në mes të gjirit të Sent-Laurencit, midis Njufaundlendit dhe kontinentit të Kanadasë. Bashkë me gruan ndodheshim në Ishujt Magdalenë, afër vendit ku tufa më e madhe e fokave harp lind të vegjlit e saj. Udhërrëfyesit na kishin siguruar që kostumet tona izoluese, me ngjyrë portokalli të ndezur, nuk do t’i trembnin të vegjlit e fokave.

Çfarë është një fokë harp?

Fokat harp janë gjallesa detare mishngrënëse, që në vend të krahëve kanë pendë. Janë quajtur me këtë emër për shkak të njollave të dukshme në formën e harpës ose të patkoit, që gjenden në pjesët anësore të trupit dhe në kurrizin e fokave të rritura.

Fokat harp janë gjitarë, pra, marrin frymë, lindin pasardhës dhe kanë gjëndra qumështi për t’i ushqyer. Pjesën më të madhe të kohës, e kalojnë në ujërat e akullta të Atlantikut Verior. Megjithatë, këto foka të forta janë të pajisura mirë për ta përballuar jetën në vendbanimin e tyre të akullt. Pesha e zakonshme e një foke të rritur arrin deri në 135 kilogramë dhe është e gjatë rreth 1,6 metra.

Me kthetrat e përparme të mprehta, fokat harp mund të zvarriten dhe të kapen te vrimat që kanë hapur vetë në akull, të cilat u shërbejnë si për të marrë frymë, por edhe për të dalë jashtë ujit. Pendët e pasme janë më të mëdha se ato të përparmet, dhe fokat i përdorin kryesisht për të shtyrë trupin para. Me një zhdërvjelltësi të habitshme, këto gjallesa të ujit mund të udhëtojnë rreth 8.000 kilometra në vit.

Fokat harp janë quajtur fokat pa veshë. Por kjo nuk do të thotë se ato janë të shurdhëta. Në vend që të kenë veshë që t’i duken, fokat harp kanë një vrimë të vogël në secilën anë të kokës, të cilat mbyllen kur ato zhyten në ujë. Këto foka kanë një dëgjim shumë të mprehtë. Ato mund të përcaktojnë drejtimin nga vjen një tingull nën ujë, gjë që ne njerëzit nuk e bëjmë dot.

Fokat harp kanë sy të mëdhenj dhe të dalë, të cilat i ndihmojnë të shohin qartë në errësirën e nënujshme. Edhe në sipërfaqen verbuese të akullit, ato shohin pa problem falë bebëzave të syve, të cilat tkurren në një pozicion vertikal.

Jeta si një fokë e vogël

Në tufën që vëzhguam, femrat kishin zbritur nga Grënlanda në Kanadanë Veriore për të lindur të vegjlit e tyre. Çerdhja lundruese e akullit, shërben si mbrojtje nga grabitqarët. Të vegjlit lindin shumë shpejt, shpesh brenda një minute. Ndërkohë që ju mund të bëni gati kamerën për ta filmuar këtë çast, ndoshta i vogli është duke të vështruar ngultas! Menjëherë sapo e sjell në jetë të voglin, nëna i vjen përqark dhe i prek hundën me hundën e saj. Kështu ajo po ngulit në mendje erën unike dhe tingullin e të voglit të saj. Pas kësaj, ajo do ta ushqejë këtë vogëlush​—asnjë tjetër përveç tij​—për rreth dy javë.

Foka e vogël menjëherë kërkon të ushqehet me qumësht nga thimthat e nënës. Kur janë të uritur, këta vogëlushë lëshojnë disa tinguj që duken sikur po qajnë, «ma, ma». Pasi ngopen së ngrëni, ata ngjeshen në një të çarë të ngushtë në borë ose akull për të marrë një sy gjumë. Ngaqë zakonisht flenë në të njëjtin vend, trupat e tyre formojnë një si «djep prej akulli», shumë të rehatshëm.

Sapo lindin, fokat harp peshojnë rreth 10 kilogramë dhe janë rreth 90 centimetra të gjata. Në fillim, ato nuk kanë dhjamë që t’i mbajë ngrohtë, por kjo nuk zgjat shumë. Gjatë afërsisht 12 ditëve të para, fokat harp shtojnë nga një deri në dy kilogramë çdo ditë. Kjo rritje kaq e shpejtë ndodh si rezultat i qumështit ushqyes të nënës, që përmban pothuajse 50 për qind yndyrë. * Në më pak se dy javë, vogëlushi do të arrijë një peshë të pabesueshme prej 35 kilogramësh.

Ndryshojnë ngjyrën

Nga ngjyra e gëzofit, mund ta përcaktoni fare lehtë moshën e një foke të vogël. Në fund të ditës së parë, lëkura e vogëlushit të sapolindur thahet, dhe mund të dallohet një gëzof i butë si pambuk. Ky gëzof ka ngjyrë të verdhë. Këtë ngjyrë e ka për shkak të lëngut të placentës që rrethonte fetusin. Por brenda tri ose katër ditësh, kjo ngjyrë venitet nga rrezet e diellit dhe kur ajo fashitet krejt, gëzofi merr ngjyrë të bardhë. Pas afro dy javësh, foka nënë zhduket dhe nuk kthehet më kurrë.

I vogli thërret dhe qan, por klithmave të tij nuk u përgjigjet askush. Ndonjëherë, për të qenë më rehat, të vegjlit shtyhen ngadalë drejt njëri-tjetrit dhe mblidhen në grupe të vogla mbi akull. Shpejt, mbi gëzofin e bardhë fillojnë t’u shfaqen disa njolla gri. Nga dita e 12-të deri në ditën e 21-të, gëzofi i tyre transformohet në ngjyrë gri, dhe pastaj, nga fundi i muajit të parë, ngjan si një jelek pulla-pulla gri me të bardhë. Pastaj, të gjitha qimet e bardha të gëzofit fillojnë t’u bien dhe të zëvendësohen me një gëzof të shndritshëm ngjyrë gri, të papërshkueshëm nga uji.

Si vazhdon jeta për të vegjlit e fokave harp?

Të vegjlit e fokave harp mbahen me dhjamin e trupit të vet, derisa më në fund uria i detyron të hyjnë në ujë për të kërkuar ushqim. Por, obobo, kur ata hyjnë në ujë, trupat e dhjamosur dhe pluskues nuk zhyten dot! Instinktivisht përplasin pendët e vogla, duke bërë pllaq-plluq mbi sipërfaqen e ujit. Kjo ndihmon që pendët t’u forcohen për të notuar. Njëkohësisht tretet edhe dhjami dhe si pasojë trupi nuk pluskon më mbi ujë. Tani mund të zhyten. Më në fund, mund ta shuajnë urinë e madhe me bollëkun e krustaceve, të troftave dhe të peshqve të tjerë të vegjël, që jetojnë në këto ujëra.

Kur arrijnë moshën njëvjeçare, fokat e ndryshojnë gëzofin për herë të dytë. Kur arrijnë në moshën tre deri shtatëvjeçare piqen nga ana seksuale, dhe në këtë kohë mund të identifikohen lehtë nga forma e harpës që kanë në kurriz. Foka harp mund të jetojë deri në 35 vjet.

Një takim ballë për ballë

Pasi veshim kostumet për të duruar të ftohtët e madh dhe sigurohemi që të kemi marrë me vete borsa të ngrohta, që të mos na ngrijnë këmbët dhe duart, grupi ynë prej 17 vetash hipën në helikopter dhe fluturon për rreth 80 kilometra. Kur shohim poshtë, gjithçka që mund të na zënë sytë është vetëm një tablo vezulluese e bardhë akulli, e cila bëhet njësh me vijën blu të horizontit, tutje në largësi. Më në fund, zbresim mbi detin e ngrirë. Që të mos rrëshqasim, veshim çizmet e pajisura me pjesë të vogla metalike dhe përpiqemi të çapitemi pa bërë shumë zhurmë, për sa mund të na e lejojë sipërfaqja e akullt që kërcet nën këmbët tona. Shihni atje! Pas asaj fokës nënë është një vogëlush bore​—një fokë e vogël me gëzof të verdhë të butë si pambuk! Ai ngjan si një larvë e madhe leshtore, që mundohet të lëvizë me të njëjtin hap me nënën. Për mua, është një dashuri me shikim të parë!

Shtrihem mbi akull, se ndoshta duke qëndruar në këmbë, foka mund të më marrë gabimisht për një ari polar. Nëna fokë mund të bëhet mjaft agresive, kështu që pres pak sa ajo të futet në një vrimë brenda akullit. Vogëlushja e saj, të cilën po e quaj Sedi, po fle qetë-qetë gati 6 metra larg meje. Duke u zvarritur, i afrohem avash-avash. Ajo i hap sytë ngadalë.

Tani sytë e Sedit janë fiksuar mbi të mitë. Ngrij në vend dhe përpiqem të mos bëj asnjë lëvizje. Papritur, Sedi fillon të hetojë. Vjen drejt meje duke u tundur sa andej-këtej, më shpejt nga ç’e mendoja. Ngjan kaq e madhe ndërkohë që afrohet, edhe pse nga ngjyra e qimeve duket që s’është veçse dy ose triditëshe. Sedi ndalet vetëm disa centimetra larg fytyrës sime dhe lëkundet ngadalë sa andej-këtej, ndërkohë që lëviz hundën e saj të vogël. E ndjej kur më nuhat. Vjen afër dhe më jep ca «puthje» të vogla me atë hundën e saj të njomë, në fytyrë dhe në qafë!

Është e habitshme që kjo vogëlushe e bukur, shtrihet afër meje dhe e zë gjumi! Madje, më lejon që ta vë dorën lehtë mbi të. Qimet e saj të holla dhe të buta më ngjiten nëpër gishtërinj. Më vjen çudi që është kaq e ngrohtë. E ledhatoj dhe e përqafoj Sedin, derisa vjen koha të hipi në helikopter për t’u kthyer në shtëpi. Ajo nuk lëviz fare, ndërkohë që unë ngrihem ngadalë.

I mahnitur, largohem me sytë e përlotur, duke falënderuar në heshtje Perëndinë tonë, Jehovain, për faktin që ka bërë këtë krijesë të vogël të mrekullueshme. Të shohësh nga afër një këlysh të fokës harp, është vërtet një mrekulli. Kjo përvojë e bukur, më bëri të sjell ndër mend fjalët e psalmistit: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri. . . . Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta.» (Psalmi 104:24, 25)​—Nga një bashkëpunëtor.

[Shënimi]

^ par. 13 Për të bërë një krahasim, qumështi i një lope qumështore ka 4 për qind yndyrë.

[Kutia në faqen 26]

A e dinit?

▪ Kur ndeshet me stuhi të ashpra ose me kushte të pafavorshme që krijohen për shkak të akullit, femra e fokës harp mund ta shtyjë lindjen për disa ditë, ndërkohë që kërkon një vend të përshtatshëm.

▪ Fokat harp mund të zhyten në një thellësi prej 240 metrash dhe mund të qëndrojnë nën ujë gati 30 minuta.

▪ Fokat mund të flenë nën ujë. Ndërkohë, çdo pesë ose dhjetë minuta, ngrenë kokën lart mbi ujë për t’u mbushur me frymë. Pastaj zhyten përsëri, pa e prishur gjumin!

[Kutia në faqen 27]

Implantim i vonuar

«Përveç tre javëve në vit,​—vëren libri Stinët e fokave (anglisht),​—femra e rritur e fokës harp është gjithmonë shtatzënë. Por periudha e vërtetë e shtatzënisë së saj, zgjat shtatë muaj e gjysmë.» Si ka mundësi të ndodhë kjo? «Pas ngjizjes,​—shpjegon libri,​—veza e pllenuar ndahet një herë, pastaj ndahet përsëri e pastaj përsëri, derisa nuk ndahet më. Blastocisti, një topth i vogël qelizash, që është më i vogël se koka e një gjilpëre, nuk vazhdon të rritet më. Ai pluskon në barkun e nënës​—një pikë jete mbetur pezull. Njëmbëdhjetë javë më vonë, blastocisti implantohet, pra, ngjitet në muret e mitrës së nënës, dhe fillon të rritet.» Kush është shkaku i këtij implantimi të vonuar? «Është jetësore që foka t’i sjellë në jetë të vegjëlit e saj saktësisht brenda një periudhe njëvjeçare. Kështu që, kjo të mund të përkojë me kohën kur shtresa e akullit ku do t’i lindi të vegjlit, të ketë shtrirjen dhe trashësinë maksimale.»

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

KANADA

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 23]

Fotografi e Ishujve Magdalenë e bërë nga një satelit

[Burimi]

NASA JSC

[Figura në faqen 24]

Me gëzof të verdhë

[Figura në faqen 24]

Me gëzof të bardhë

[Figura në faqen 25]

Me gëzof me pulla gri e të bardha

[Burimi]

© IFAW/David White

[Figura në faqen 25]

Kur pluskon mbi ujë

[Burimi]

© IFAW

[Figura në faqen 26]

Një fokë e vogël harp me nënën e saj

[Burimi]

© IFAW/Igor Gavrilov

[Figura në faqen 26]

Një fokë harp e rritur duke notuar nën një shtresë të trashë akulli

[Burimi]

© IFAW