Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dhjamosja: Cila është zgjidhja?

Dhjamosja: Cila është zgjidhja?

Dhjamosja: Cila është zgjidhja?

ZGJOHUNI! intervistoi Dianën, një dietologe, dhe Elenën, një infermiere, të cilat janë specializuar për të punuar me pacientët që janë mbipeshë ose që vuajnë nga dhjamosja. Të dyja ishin të mendimit se disa dieta që kanë si bazë eliminimin e karbohidrateve dhe marrjen e më shumë proteinave (mishi) mund të çojnë në rënien në peshë. Por, ato thonë se kur kjo vazhdon për një kohë të gjatë pacienti mund të ketë efekte anësore. * Këtë e vërteton një informacion mjekësor i titulluar «Si të mbani peshën për një trup të shëndetshëm». Aty thuhet: «Dietat me pak karbohidrate, sidomos nëse fillohen pa mbikëqyrjen e mjekut, mund të jenë të rrezikshme.» I njëjti burim vazhdon: «[Ato] kanë si qëllim që rënia në peshë të jetë e shpejtë, duke nxitur rritjen e përqendrimit të trupave ketonikë (nënprodukte të metabolizmit të yndyrnave), gjë që nuk është e mirë për organizmin.» Nëse po mendoni të bëni një dietë të varfër në karbohidrate në fillim këshillohuni me mjekun.

Nëse keni si synim të bini në peshë, mos u dëshpëroni. «Mbajtja e peshës nën kontroll nuk është e pamundur dhe nuk do të thotë medoemos që ta privosh veten nga të ngrënët ose t’i futesh një diete të mërzitshme e të vazhdueshme,​—thotë dr. Uollter. C. Uillet.​—Me përpjekje të kujdesshme dhe me pak fantazi, shumica e njerëzve mund t’ia dalin të mbajnë nën kontroll peshën për një kohë të gjatë, duke bërë një dietë të kënaqshme, por edhe të arsyeshme, si edhe duke bërë ushtrime pothuajse çdo ditë. Sigurisht që ia vlen të përpiqesh për një jetë më të gjatë dhe një shëndet më të mirë.» *​—Kursivi është yni.

Sa e rëndësishme është fizkultura?

Dr. Uilleti thotë: «Përveç mospirjes së duhanit, fizkultura është gjëja më e mirë që mund të bëni për të qenë të shëndetshëm ose për të ruajtur shëndetin dhe për t’u qëndruar larg sëmundjeve kronike.» Sa shpesh duhet bërë fizkultura? Cilat janë dobitë e ushtrimeve fizike?

Disa specialistë thonë se fizkultura çdo ditë, sikur edhe për 30 minuta mund të jetë shumë e dobishme. Por siç këshillohet, edhe fizkultura tri herë në javë mund të ndihmojë në parandalimin e problemeve të rënda shëndetësore në të ardhmen. Gjatë fizkulturës digjen kalori dhe pyetja kryesore për dikë që po përpiqet të bjerë në peshë duhet të jetë: «A po djeg çdo ditë më shumë kalori se ç’po marr?» Nëse ndodh e kundërta, atëherë me siguri që do të shtoni në peshë. Pra ecni ose jepini biçikletës në vend që të ngitni makinën. Ngjitini më këmbë shkallët në vend që të hipni në ashensor. Bëni fizkulturë! Digjni kalori!

Dr. Uilleti shpjegon: «Për shumë njerëz, ecja është një mundësi e shkëlqyer në krahasim me ushtrimet e tjera fizike, sepse nuk kërkon ndonjë pajisje të veçantë, mund të bëhet në çdo kohë, në çdo vend dhe zakonisht nuk është e rrezikshme.» Sigurisht ai e ka fjalën për ecjen e shpejtë, jo për të bërë një shëtitje. Dr. Uilleti këshillon 30 minuta aktivitet fizik çdo ditë, nëse është e mundur.

A është kirurgjia zgjidhja më e mirë?

Për të rënë në peshë dhe për të parandaluar shtimin në peshë në të ardhmen, disa pacientë shumë të dhjamosur kanë ndjekur këshillat e specialistëve që merren me problemet e dhjamosjes, të cilët sugjerojnë procedura të ndryshme kirurgjike. Cilët pacientë mund t’i plotësojnë kriteret për të zbatuar këto procedura kirurgjike? Autorët e librit Klinika Mejo rreth peshës për një trup të shëndetshëm thonë: «Mjeku mund ta diskutojë si një mundësi kirurgjinë në rastin tuaj, nëse treguesi i masës së trupit tuaj është mbi 40, një shifër që tregon se jeni shumë i dhjamosur.» (Shih tabelën në faqen 5.) Buletini shëndetësor i Klinikës Mejo thotë: «Kirurgjia në rast dhjamosjeje zakonisht këshillohet vetëm për njerëz të moshave 18 deri 65-vjeçare që e kanë treguesin e masës së trupit mbi 40, të cilëve dhjamosja rrezikon t’u shkaktojë një problem të rëndë shëndetësor.»​—Kursivi është yni.

Cilat janë disa prej këtyre procedurave kirurgjike? Janë: baipasi i zorrës së hollë, ndarja e stomakut, kirurgjia plastike në stomak dhe baipasi i stomakut. Ky i fundit përfshin qepjen e stomakut në gjithë gjerësinë e tij, duke lënë një xhep të vogël që mban rreth katërmbëdhjetë gramë ushqim. Pastaj zorra e hollë pritet dhe lidhet me këtë pjesë. Në këtë mënyrë, krijohet një kalim artificial që ushqimi të mos kalojë në pjesën më të madhe të stomakut dhe as në duoden, pra në pjesën fillestare të zorrës së hollë.

Por ç’të themi për njerëzit që i kanë hequr kilet e tepërta? A ia vlejtën përpjekjet që bënë?

[Shënimet]

^ par. 2 Këtu përfshihen sasia e tepërt e hekurit në gjak, probleme me veshkat dhe kapsllëku.

^ par. 3 Të krishterët e kushtuar, që duan ta përdorin jetën në një mënyrë të pranueshme, duke i shërbyer Perëndisë, kanë edhe më shumë arsye që të bien në peshë dhe të jenë të shëndetshëm. Në vend që të kenë një vdekje të parakohshme, ata mund të kalojnë më shumë vite të frytshme në shërbimin e Perëndisë.​—Romakëve 12:1.

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Piramidë për një të ushqyer të shëndetshëm

Ëmbëlsirat Ëmbëlsirat me shumë sheqer ose

ëmbëlsirat që kanë shumë përbërës

jonatyrorë (rrallë; e shumta 75 kalori në

ditë)

Yndyrna Vaj ulliri, fruta të thata si kikiriku,

arrat, etj që përmbajnë vaj, vaj kolze, avokado

(3-5 racione në ditë; një racion është sa një

lugë kafeje me vaj ose 2 lugë gjelle me fruta

të thata)

Proteina dhe bulmetra Fasulet, bishtajat, peshku,

mishi pa dhjamë, vezët, bulmetrat pak të yndyrshme,

djathi (3-7 racione në ditë; një racion është

afërsisht 85 gramë mish ose peshk i gatuar)

Karbohidrate Veçanërisht drithërat: makaronat, buka, orizi,

prodhimet me bazë drithërat e përpunuara (4-8 racione në

ditë; një racion është sa një fetë bukë)

Fruta dhe perime Sa më shumë lloje frutash dhe perimesh (pa kufizim; të paktën 3 racione frutash dhe 3 racione perimesh në ditë)

Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë dietë të veçantë ose ndonjë metodë për të mbajtur nën kontroll peshën. Kjo revistë thjesht i informon lexuesit e saj për disa mundësi që ekzistojnë. Individët duhet të flasin me mjekun para se të nisin ndonjë regjim me ushtrime fizike ose dietë.

[Burimi]

Bazuar në sugjerimet e Klinikës Mejo

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

Për të rënë në peshë, disa kanë provuar këto sugjerime:

1 Jini të vetëdijshëm për kaloritë që përmbajnë gjërat që hani dhe pini. Mbani parasysh: lëngjet mund të kenë shumë kalori, sidomos lëngjet e ëmbëlsuara. Edhe pijet alkoolike kanë shumë kalori. Gjithashtu kini kujdes nga pijet joalkoolike të cilave u bëhet shumë reklamë. Kontrolloni sasinë e kalorive që tregohet në etiketë. Mund të befasoheni.

2 Shmangni gjërat që ju tundojnë. Nëse mbani në shtëpi patatina, çokollata ose biskota, pa dyshim që do t’i hani. Zëvendësojini me ushqime të lehta që kanë pak kalori, si për shembull mollë, karota ose vaferë që janë vetëm me drithëra.

3 Hani diçka të lehtë para se të hani ndonjë vakt. Kjo do t’jua presë disi oreksin dhe mund t’ju bëjë të hani më pak.

4 Mos hani çdo gjë që ju vënë përpara. Zgjidheni ushqimin. Mos i hani ato gjëra që e dini se kanë shumë kalori.

5 Hani ngadalë. Pse të nxitoni? Shijojeni ushqimin. Kushtojuni kujdes ngjyrave, aromave, kombinimit të ushqimeve. Dëgjojini sinjalet që jep stomaku kur thotë: «Jam plot. Nuk kam më nevojë.»

6 Ngrihuni nga tryeza pa u ngopur.

7 Në disa vende restorantet janë të njohura se u shërbejnë klientëve racione shumë të mëdha. Lëreni gjysmën ose ndajeni racionin me dikë tjetër.

8 Ëmbëlsira nuk është e domosdoshme për të mbyllur vaktin. Është më mirë që të mbaroni me një frutë ose me diçka tjetër që ka pak kalori.

9 Prodhuesit e ushqimeve duan që të hani edhe më shumë. Për ta kryesorja është të nxjerrin fitime. Ata do të përpiqen të shfrytëzojnë dobësitë tuaja. Mos u mashtroni nga reklamat e bëra me zgjuarsi dhe nga pamjet e bukura. Mund t’u thoni: ‘Jo!’

[Burimi]

Listë e përshtatur nga libri Hani, pini dhe jini të shëndetshëm, shkruar nga dr. Uollter C. Uillet

[Figurat në faqet 8, 9]

Bëni fizkulturë!