Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Roli juaj si prind

Roli juaj si prind

Roli juaj si prind

«NËSE përpiqeni që fëmija të ndiejë se e duan, përpiqeni që ai të lidhet ngushtë me familjen, nëse i krijoni mundësi të bëjë pyetje, truri i tij do të zhvillohet,​—thotë Piter Gorski, që punon në Fakultetin e Mjekësisë në Harvard.​—Roli ynë si prindër nuk është që t’ua përsosim funksionimin e trurit fëmijëve, por të ndihmojmë që ata të bëhen njerëz të shëndetshëm, të arsyeshëm dhe të dashur.»

Sa shpërblyese është për ju si prind që ta shihni fëmijën tuaj të bëhet njeri i ndershëm dhe i kujdesshëm për të tjerët! Arritja e kësaj varet shumë nga iniciativa që merrni si prind për të lënë një shembull të mirë, për të qenë shok me fëmijën, për të shprehur lirshëm me të mendimet, ndjenjat dhe për ta mësuar. Ndonëse të gjithë fëmijët lindin me një aftësi themelore për të vepruar sipas normave morale, ndërkohë që ata rriten, prindërit duhet t’u ngulitin dalëngadalë vlera morale.

Kush e modelon karakterin e fëmijës?

Studiuesit kanë mendime të ndryshme për pyetjen se kush ndikon më shumë në formimin e karakterit të fëmijës. Disa mendojnë se karakteri i fëmijës modelohet në radhë të parë nga ndikimi i bashkëmoshatarëve. Gjithsesi, dr. T. Beri Brazeltoni dhe dr. Stenli Grinspani, specialistë në fushën e zhvillimit të fëmijëve, mendojnë se prindi luan një rol tepër të rëndësishëm, kur me kuptueshmëri e edukon fëmijën që në vogëli.

Përvojat e mëvonshme në jetë dhe ndikimi i bashkëmoshatarëve plotësojnë edukimin e hershëm të fëmijës. Është e rëndësishme që fëmijëve t’u tregohet dhembshuri dhe mirëkuptim në familje. Gjithashtu, ata kanë nevojë që t’u mësohet se si t’i kontrollojnë dhe t’i shprehin ndjenjat e tyre me maturi. Fëmijët që rriten në këtë mënyrë, zakonisht janë më të përgatitur të bashkëpunojnë, të tregohen të dhembshur dhe të kuptojnë ndjenjat e të tjerëve.

T’i mësosh fëmijët që nga foshnjëria, do shumë punë. Që t’ia dilni mbanë, sidomos nëse jeni bërë prindër nga pak kohë, është e mençur të kërkoni këshilla nga të tjerët me më shumë përvojë dhe pastaj të ndiqni një drejtim të përcaktuar qartë. Specialistët kanë shkruar sa e sa libra për rritjen e fëmijëve. Shumë shpesh fjalët e tyre përputhen me këshillat e padështueshme që gjenden në Bibël. Zbatimi i parimeve të shëndosha të Fjalës së Perëndisë i kanë ndihmuar prindërit t’i edukojnë mirë fëmijët e tyre. Shqyrtoni këshillat praktike që jepen në vijim.

Shprehjani dashurinë me bujari

Fëmijët janë si bimët e reja që zhvillohen dhe lulëzojnë po të përkujdesesh vazhdimisht me dashuri. Uji dhe drita e diellit e ushqejnë bimën e re dhe e ndihmojnë të rritet e shëndetshme dhe të bëhet e qëndrueshme. Po kështu, prindërit që ua shprehin dashurinë pa u kursyer fëmijëve të tyre, qoftë me fjalë, qoftë me veprime të përzemërta, nxitin zhvillimin dhe qëndrueshmërinë mendore dhe emocionale të fëmijëve.

Bibla thotë me fjalë të thjeshta: «Dashuria ndërton.» (1 Korintasve 8:1) Prindërit që ua shprehin me bujari fëmijëve të tyre dashurinë, po imitojnë Krijuesin, Perëndinë Jehova. Bibla tregon se kur u pagëzua, Jezui dëgjoi zërin e Atit të tij që i shprehu miratim dhe dashuri, sepse e kishte Bir. Sa siguri i dha Jezuit kjo shprehje dashurie, edhe pse ishte i rritur!​—Luka 3:22.

Përzemërsia që shfaqni, tregimet që u lexoni para se të flenë, madje edhe lojërat që bëni bashkë, janë thelbësore për zhvillimin e fëmijës tuaj. Dr. J. Frejzër Mastërdi thotë: «Çdo gjë që bën fëmija është një përvojë që pasuron jetën e tij. Nëse një fëmijë po mëson të ecë këmbadorasi, është e rëndësishme mënyra se si e inkurajoni dhe reagoni. Dashuria dhe kujdesi prindëror hedhin një themel të fortë që fëmija të zhvillohet e të bëhet i përgjegjshëm dhe i pjekur kur të rritet.

Jini shokë dhe bisedoni lirshëm

Kur kaloni kohë me fëmijët, midis jush krijohet një lidhje. Për më tepër koha që kaloni bashkë nxit zhvillimin e aftësive për të bashkëbiseduar. Kjo afërsi në shtëpi dhe gjetkë, kurdo që të jetë e mundur, është diçka që inkurajohet edhe në Shkrimet e Shenjta.​—Ligji i përtërirë 6:6, 7; 11:18-21.

Specialistët në fushën e zhvillimit të fëmijëve pajtohen me mendimin se koha që prindërit kalojnë me fëmijët është shumë më e rëndësishme se lodrat e shtrenjta ose ndonjë veprimtari tjetër. Aktivitetet e përditshme dhe që nuk kërkojnë shumë shpenzime krijojnë mundësi që të bisedoni me fëmijët. Për shembull, thjesht sikur të shkoni me ta në park për të soditur natyrën, mund të jetë një rast i shkëlqyer për prindërit që t’u bëjnë fëmijëve pyetje të cilat nxitin bashkëbisedimin.

Shkrimet thonë se ka një «kohë për të hedhur valle». (Predikuesi 3:1, 4) Po, lojërat ku fëmija luan natyrshëm me atë shkujdesjen fëminore janë thelbësore për zhvillimin e tij intelektual, emocional dhe shoqëror. Sipas dr. Mastërdit, loja nuk është vetëm e dobishme, por është jetësore. Ai thotë: «Kryesisht nëpërmjet lojërave truri i fëmijëve krijon lidhje nervore për të kryer sa më shumë funksione të jetë e mundur.» Në lojërat që sajon vetë, fëmija mund të përdorë si lodra gjëra shumë të thjeshta, si për shembull një kuti kartoni boshe. Mjete të zakonshme shtëpiake, që nuk janë të rrezikshme, mund t’u ngjallin foshnjave po kaq shumë kureshtje, sa edhe lodrat e shtrenjta të teknologjisë së përparuar. *

Specialistët mendojnë se fëmijëve tepër të programuar, që marrin pjesë në një mori aktivitetesh të organizuara nga të rriturit, mund t’u ndrydhet imagjinata dhe fantazia. Prandaj këshillohet ekuilibër. Lëreni fëmijën të eksplorojë botën e tij të vogël dhe të vërë në punë aftësinë dhe shkathtësinë e vet. Shpesh fëmija do ta gjejë diçka për t’u zbavitur. Megjithatë, kjo nuk ju çliron nga përgjegjësia për të ditur se ç’po bën fëmija juaj dhe ku po luan, në mënyrë që të mos vritet.

Lini kohë për t’i mësuar

Mësimi është pjesë e pandashme e edukimit dhe e rritjes së fëmijëve që ata të bëhen të pjekur. Shumë prindër lënë kohë çdo ditë që t’u lexojnë diçka fëmijëve. Kjo krijon mundësi për t’i mësuar të sillen mirë, si edhe për t’u ngulitur atyre vlera morale që bazohen në fjalët e Krijuesit tonë. Bibla thotë se misionari besnik Timote, i cili u mësonte të tjerëve Fjalën e Perëndisë, ‘i kishte njohur shkrimet e shenjta që nga foshnjëria’.​—2 Timoteut 3:15.

Kur i lexoni foshnjës, kjo mund të nxitë formimin e lidhjeve sinaptike. Një faktor kyç është se ai që lexon duhet të jetë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm. Linda Sigëli, profesoreshë në fushën e arsimimit, thotë për përmbajtjen e materialit që i lexohet fëmijës: «Duhet të jetë i tillë që fëmijët të kënaqen.» Veç kësaj, përpiquni t’u lexoni rregullisht dhe në të njëjtin orar çdo ditë. Kështu fëmijës do t’i hyjë në qejf dhe mezi do ta presë leximin.

Mësimi përfshin edhe disiplinën. Vogëlushët mund të nxjerrin dobi nga disiplina e dhënë me dashuri. Në Fjalët e urta 13:1, BR thuhet: «Një bir është i mençur kur ka disiplinën e të atit.» Megjithatë, mbani mend se disiplina përfshin shumë gjëra. Për shembull, disiplina mund të nënkuptojë që ta ndreqësh fëmijën, duke i folur ose duke mos e lënë të bëjë gjërat që i pëlqejnë, ose forma të tjera ndëshkimi. Dr. Brazeltoni, i përmendur më sipër, thotë se disiplina nënkupton «ta mësosh fëmijën si të kontrollojë ndjenjat dhe sjelljen. Çdo fëmijë kërkon dhe pret t’i vihen kufizime. Pas dashurisë, disiplina është gjëja më e rëndësishme që mund t’i jepni».

Si mund ta kuptoni ju si prind, nëse disiplina që u jepni fëmijëve është e efektshme? Së pari, fëmijët duhet të kuptojnë pse po disiplinohen. Kur i ndreqni, bëjeni në një mënyrë të tillë që fëmijët ta ndiejnë se ju jeni një prind i kujdesshëm dhe i dashur.

Përpjekjet shpërblehen

Fredi është një baba i cili që kur vajza e tij ishte foshnjë, e bëri si zakon t’i lexonte gjithnjë para se ajo të flinte. Pas njëfarë kohe, Fredi vuri re se ajo kishte mësuar përmendësh shumë nga tregimet dhe, teksa ai lexonte, e bija e ndiqte në libër, duke kuptuar që secilës nga fjalët që dëgjonte nga i ati i përkiste një fjalë e shkruar në libër. Krisi është një prind tjetër, i cili e kishte kujdes që t’u lexonte fëmijëve. Ai përpiqej t’ua tregonte në mënyra të ndryshme gjërat që u lexonte. Kur fëmijët ishin shumë të vegjël, për t’u mësuar atyre vlera morale dhe shpirtërore, Krisi përdorte ilustrimet e librave, si për shembull ilustrimet e botimit Libri im i tregimeve biblike. *

Prindër të tjerë mundohen që përveç leximit të bëjnë edhe gjëra të tjera me fëmijët​—të vizatojnë, të pikturojnë, të luajnë muzikë, të shkojnë në piknik ose të shkojnë si familje në vende të ndryshme, si për shembull në kopshtin zoologjik. Këto raste mund të shfrytëzohen për t’i mësuar fëmijët dhe për të ngulitur në mendjen dhe në zemrën e tyre të ndjeshme vlera morale të shkëlqyera dhe norma të një sjelljeje të mirë.

A ia vlen e gjithë puna dhe përpjekjet? Prindërit që bëjnë çmos për të zbatuar udhëzimet praktike të mësipërme në një ambient familjar ku mbizotëron paqja dhe siguria, ka më tepër të ngjarë të shohin fëmijët e tyre të bëhen njerëz optimistë. Nëse gjatë viteve të para të jetës i nxitni fëmijët tuaj që të zhvillohen nga ana mendore dhe të dinë të komunikojnë, do t’i ndihmoni shumë që të bëhen njerëz me karakter dhe që t’i vlerësojnë gjërat shpirtërore.

Shekuj më parë Bibla thoshte qartë te Fjalët e urta 22:6: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.» Është e sigurt që prindërit luajnë një rol jetësor në edukimin e fëmijës. Jini bujarë në shprehjet e dashurisë. Kaloni kohë me ta, përkujdesuni dhe mësojini. Nëse veproni kështu, do të jenë të lumtur ata dhe ju vetë.​—Fjalët e urta 15:20.

[Shënimet]

^ par. 15 Shih artikullin «Lojëra afrikane pa para» në numrin e 22 marsit 1993, anglisht, të kësaj reviste.

^ par. 23 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Edhe një libër tjetër i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, Të mësojmë nga Mësuesi i Madh, po përdoret për të mësuar fëmijët e vegjël dhe po jep rezultat.

[Kutia në faqen 7]

Kur luan me foshnjën

▪ Foshnjat mund të përqendrohen për një kohë fare të shkurtër, pra luani me foshnjën tuaj vetëm kur e shihni se po kënaqet.

▪ Nëse përdorni lodra, kujdesuni që ato ta nxitin fëmijën të vërë në punë shqisat dhe të mos jenë të rrezikshme.

▪ Bëni lojëra që e mbajnë gjallë kureshtjen e fëmijës. Vogëlushët kënaqen kur ju bëjnë që ta përsëritni disa herë të njëjtin veprim, si për shembull ju të ngrini një lodër, kurse ata ta hedhin.

[Burimi]

Burimi: Clinical Reference Systems

[Kutia dhe figura në faqen 10]

Këshilla kur i lexon fëmijës

▪ Flitni qartë dhe shqiptojini saktë fjalët. Fëmija e mëson gjuhën duke dëgjuar prindërit.

▪ Kur fëmijët janë shumë të vegjël tregojini me gisht njerëzit dhe objektet në libër dhe thuajuni emrat.

▪ Kur fëmija është më i madh, zgjidhni libra që flasin për gjërat që i pëlqejnë.

[Burimi]

Burimi: Pediatria në ndihmë të prindërve, (anglisht)

[Figurat në faqet 8, 9]

Kaloni kohë në aktivitete të këndshme me fëmijët tuaj