Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dobitë që vijnë kur u lexon fëmijëve

Dobitë që vijnë kur u lexon fëmijëve

Dobitë që vijnë kur u lexon fëmijëve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË POLONI

Organizatorët e fushatës së përvitshme «E gjithë Polonia u lexon fëmijëve» thonë: «Leximi është çelësi edhe për të marrë dije, edhe për të zhvilluar aftësitë mendore. . . . Është çelësi për të hyrë në vendin e thesareve të mendimit dhe të dijes.» Kur qenka kështu, pse atëherë shumë të rritur dhe fëmijë e shohin leximin si një barrë të domosdoshme?

Nismëtarët e kësaj fushate shprehen: «Zakoni i të lexuarit dhe dashuria për librat duhen rrënjosur në fëmijëri.» Ata u thonë prindërve: «Nëse doni që fëmijët tuaj të jenë të mençur dhe të kenë sukses në shkollë e në jetë, lexojuni nga 20 minuta çdo ditë.»

Gjithashtu prindërit nxiten që të mos e shtyjnë për më vonë leximin, por «ta fillojnë sa më parë». Kur duhet filluar? Prindërit nxiten: «Që kur është foshnjë, le të fillojmë t’i lexojmë, duke e mbajtur në krahë, duke e vështruar me dashuri dhe duke i ngjallur kureshtjen me zërin tonë. Kështu leximi shoqërohet gjithmonë me një ndjenjë sigurie, kënaqësie dhe afrimiteti. Përveç këtyre, ai nxit zhvillimin mendor të foshnjës.»

Organizatorët e kësaj fushate theksojnë se «t’u lexosh fëmijëve, tani është më e rëndësishme se kurrë më parë». Gjithashtu ata nxjerrin në pah disa dobi të tjera. Për shembull, leximi i mëson fëmijët të mendojnë, «i ndihmon të kuptojnë të tjerët, botën dhe veten, . . . u ngjall kureshtjen, u zhvillon imagjinatën, i zhvillon nga ana emocionale, kultivon ndjeshmërinë dhe dhembshurinë, u mëson vlerat morale, . . . i bën të kenë vlerësim për veten». Pa dyshim, është «ilaçi kundër shumë ndikimeve negative . . . që i kanosen mendjes e zemrës së fëmijëve», përfundojnë drejtuesit e kësaj fushate.

Që leximi të jetë vërtet i efektshëm, duhen përdorur botime që i afrojnë të vegjlit me Atin e tyre qiellor. Bibla është libri më i mirë për të na ndihmuar t’i afrohemi Perëndisë. Bibla thotë se Timoteu, një i ri, ‘i kishte njohur shkrimet e shenjta që nga foshnjëria’. (2 Timoteut 3:15) Kur u lexojnë fëmijëve, prindërit mund të përdorin disa libra të bazuar në Bibël, si Libri im i tregimeve biblike dhe Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Këta libra, të botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, janë bërë posaçërisht për të vegjlit.