Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nato​—Sojat unike të Japonisë

Nato​—Sojat unike të Japonisë

Nato​Sojat unike të Japonisë

Nga një shkrimtar i Zgjohuni! në Japoni

Imagjinoni sikur t’ju vinin përpara soja veshtullore të fermentuara? A do t’ju hapej oreksi? Ka shumë mundësi që jo! Por nato, soja të fermentuara, të trajtuara në avull, është një nga ushqimet tradicionale në Japoni. Mendoni, është llogaritur se çdo vit përdoren më shumë se 110.000 tonë soja për të bërë 220.000 tonë nato.

SIPAS legjendës, rreth një mijë vjet më parë, luftëtari Minamoto Joshi gjeti soja të ziera që i kishin lënë në kashtë e ishin fermentuar. Ai i provoi, dhe kështu u zbulua nato. Mendohet se nga fundi i periudhës së Edos (1603-1867), në disa zona nato përdorej rregullisht në kuzhinën japoneze.

Si përgatitet nato? Në të kaluarën, togje të bëra me kashtë orizi mbusheshin me soja të trajtuara në avull, dhe pastaj liheshin në një vend të ngrohtë e të lagësht. Kjo bënte të mundur që ato të fermentoheshin nga Bacillus natto, një bakter i cili jeton në kashtën e orizit. Gjatë fermentimit, proteinat dhe sheqernat që përmban soja dekompozohen dhe japin fijet e natos, të cilat mund të zgjaten deri në 6 metra.

Sot, nato prodhohet me shumicë në fabrika të automatizuara. Në këto fabrika, mbi sojat e trajtuara në avull shpërndahet sasia e duhur e bakterit Bacillus natto. Pastaj, me anë të makinerive, sojat futen në enë të vogla. Një konvejer i çon ato në magazinë, ku temperatura dhe niveli i lagështirës të përcaktuara që më parë, bëjnë të mundur që sojat të fermentohen dhe të arrijnë pjekjen. Pas paketimit, nato është gati për t’u tregtuar.

Nato ka një erë karakteristike që disa nuk e durojnë dot. Por fijet e saj veshtullore janë ushqyese. Gjatë fermentimit, krijohen vitaminat B2, K dhe lëndë minerale, si hekuri, kalciumi dhe kaliumi. Gjithashtu, nato ka enzima që ndihmojnë tretjen. Është zbuluar edhe që nato përmban natokinazën, një enzimë që shkrin gjakun e mpiksur.

Përveçse si ushqim, fijet e natos mund të përdoren edhe për gjëra të tjera. Për shembull, nga nato përftohen fibra, plastikë e dekompozueshme dhe rrëshirë. Rrëshira që përftohet nga nato ka aftësi ta mbajë ujin.

Gjatë fermentimit prodhohen nxehtësi si edhe lëndë që vrasin bakteret e tjera. Prandaj, kur përgatitet siç duhet, nato reziston për një kohë të gjatë. Gjatë një eksperimenti, bakteret nato u vunë në një kulturë bashkë me bakterin patogjen të zorrëve E. coli O157, që dihet se shkakton helmim vdekjeprurës. Zbuluan se E. coli O157 ngordhi. Megjithatë, këshillohet që nato të mbahet në frigorifer dhe të konsumohet pak a shumë brenda javës, sepse dalëngadalë i ndryshon shija. Kur procesi i fermentimit vazhdon për një kohë të gjatë, sojat shpërbëhen plotësisht dhe lëshojnë një erë amoniaku që të shpon hundët.

Shumë njerëz, naton e hanë sipas mënyrës tradicionale, të lezetuar me salcë soje. Disave u pëlqen t’i hedhin mustardë ose presh të grirë, kurse të tjerë e duan me alga deti ose me vezë. Nato shkon shumë edhe me oriz tejet të nxehtë. Gjithashtu, mund të shërbehet me makarona spageti, me makarona japoneze nudëll, madje edhe me supë. Disave mund t’u pëlqejë me bukë të thekur e të lyer me gjalpë. Në qoftë se naton e shoqëroni me oriz, përziejini mirë sojat. Sa më shumë t’i përzieni, aq më shumë fije do të dalin.

Ndërkohë që më shumë njerëz po i njohin vlerat e saj ushqyese, nato po bëhet gjithnjë e më e kërkuar. Sot në treg shitet nato pa erë, dhe kështu ata që dikur nuk e pëlqenin për shkak të erës së rëndë, tani e blejnë me kënaqësi. Përse të mos e provonit një herë naton? * Edhe ju mund të mësoni t’i shijoni sojat e fermentuara veshtullore të Japonisë.

[Shënimi]

^ par. 11 Ata që po marrin varfarinë për problemet e zemrës duhet të kenë kujdes, pasi vitamina K e natos mund ta pengojë efektin e ilaçit.