Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fytyrat e paragjykimeve

Fytyrat e paragjykimeve

Fytyrat e paragjykimeve

«Dëbojini paragjykimet nga dera dhe ato do të hyjnë përsëri nga dritarja.»​—Frederiku i Madh, mbreti i Prusisë.

RAJESHI jeton në Palijad, një fshat në Indi. Atij i duhet të ecë 15 minuta për të mbushur ujë për familjen. Kështu bëjnë dhe njerëzit e tjerë që i përkasin shtresës shoqërore më të ulët në Indi, të cilët njihen si «të paprekshmit». «Nuk na lejohet të përdorim çezmat e fshatit, që i përdorin kastat më të larta»,​—thotë ai. Kur ishte në shkollë, Rajeshi dhe shokët e tij nuk mund të preknin as topin me të cilin luanin futboll fëmijët e tjerë. «Në vend të topit luanim me gurë»,​—thotë Rajeshi.

«E ndiej që njerëzit më urrejnë, por s’di përse»,​—thotë Kristina, një adoleshente nga Azia, por që jeton në Evropë. «Më vret kjo gjë,​—shton ajo.​—Zakonisht veçohem, por nuk është se më lehtëson.»

«Për herë të parë mësova se çfarë ishin paragjykimet kur isha 16 vjeç,​—thotë Stanli nga Afrika Perëndimore.​—Njerëz që as nuk më njihnin fare më thoshin të ikja nga qyteti. Disa njerëzve të fisit tim ua dogjën shtëpitë. Llogaritë bankare të babait i bllokuan. Si pasojë fillova ta urreja fisin që po na diskriminonte.»

Rajeshi, Kristina dhe Stanli janë viktima të paragjykimeve, dhe nuk janë të vetmit. «Qindra milionë njerëz vuajnë për shkak të racizmit, diskriminimit, ksenofobisë dhe përjashtimit nga shoqëria»,​—shpjegon Koihiro Matsuura, drejtor i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO). «Praktika të tilla çnjerëzore, që ushqehen nga injoranca dhe paragjykimet, kanë ndezur konflikte të brendshme në shumë vende dhe kanë sjellë dhembje pa masë.»

Nëse nuk keni qenë ndonjëherë viktimë e paragjykimeve, mund ta keni të vështirë ta kuptoni se sa tronditës është ky fakt. «Ka njerëz që e vuajnë në heshtje. Të tjerë u përgjigjen paragjykimeve me paragjykime edhe më të forta»,​—thuhet në librin Ballë për ballë kundër paragjykimeve (anglisht). Në ç’mënyrë paragjykimet i dëmtojnë njerëzit?

Nëse i përkitni ndonjë pakice, ndoshta vini re se të tjerët ju shmangin, ju hedhin vështrime dashakeqe ose flasin me përçmim për kulturën tuaj. Mbase e keni shumë të vështirë të gjeni punë dhe s’ju mbetet tjetër veçse të pranoni punë të ulëta që nuk i bën askush tjetër. Mbase është e vështirë të gjeni një strehë të përshtatshme ku të jetoni. Fëmijët tuaj mund ta ndiejnë veten të veçuar dhe të përjashtuar nga shokët e klasës.

Por ka edhe më keq, paragjykimet mund t’i nxitin njerëzit t’i drejtohen dhunës e madje të kryejnë edhe vrasje. Dhe vërtet, faqet e historisë janë të mbushura me akte dhune tronditëse që kanë marrë shkas nga paragjykimet​—përfshirë masakrat, gjenocidet dhe të ashtuquajturat spastrime etnike.

Paragjykime ndër shekuj

Dikur të krishterët ishin shënjestra kryesore e paragjykimeve. Për shembull, pak kohë pas vdekjes së Jezuit, kundër tyre vërshoi një dallgë përndjekjeje e egër. (Veprat 8:3; 9:1, 2; 26:10, 11) Dy shekuj më vonë, ata që e pranonin haptas se ishin të krishterë u përballën me një keqtrajtim mizor. «Nëse ndodh ndonjë fatkeqësi,​—shkroi Tertuliani, një shkrimtar i shekullit të tretë,​—menjëherë dëgjohet thirrja: ‘Të krishterët t’ua hedhim luanëve.’»

Megjithatë, duke filluar nga shekulli i 11-të me kryqëzatat, hebrenjtë u bënë një pakicë që nuk shihej me sy të mirë në Evropë. Kur murtaja bubonike përfshiu kontinentin duke vrarë brenda pak vitesh afro çerekun e popullsisë, ishte e lehtë që fajin t’ua hidhnin hebrenjve, meqë tashmë shumë njerëz i urrenin. «Murtaja i dha një justifikim kësaj urrejtjeje, kurse urrejtja u dha njerëzve të frikësuar nga fatkeqësia një shënjestër ku të shfryheshin»,​—shkruan Zhanet Farel, në librin e saj Armiq të padukshëm (anglisht).

Si përfundim, një hebre në jug të Francës «rrëfeu» nën presionin e torturave që epideminë e kishin shkaktuar hebrenjtë duke helmuar puset. Sigurisht, rrëfimi i tij ishte i rremë, por ajo që tha u përhap si e vërtetë. S’kaloi shumë dhe në Spanjë, Francë e Gjermani u masakruan komunitete të tëra me hebrenj. Dukej se askush nuk u kushtonte vëmendje fajtorëve të vërtetë, minjve. Gjithashtu pak veta e vinin re se hebrenjtë vdisnin nga murtaja ashtu si gjithë të tjerët.

Mjafton që zjarri i paragjykimeve të ndizet, dhe mund të vazhdojë të nxjerrë flakë për shekuj të tërë. Në mesin e shekullit të 20-të, Adolf Hitleri u fryu flakëve të armiqësisë kundër hebrenjve, duke ia hedhur fajin atyre për disfatën e Gjermanisë në Luftën I Botërore. Në fund të Luftës II Botërore, Rudolf Hesi, komandanti nazist i kampit të përqendrimit në Aushvic, pohoi: «Stërvitja jonë ushtarake dhe ideologjike e përmbante si një të vërtetë të padiskutueshme idenë se duhej ta mbronim Gjermaninë nga hebrenjtë.» Për ‘të mbrojtur Gjermaninë’, Hesi mbikëqyri shfarosjen e gati 2.000.000 njerëzve, ku shumica ishin hebrenj.

Mjerisht ndonëse kanë kaluar disa dhjetëvjeçarë, mizoritë nuk kanë mbaruar. Për shembull, në vitin 1994 urrejtja fisnore që shpërtheu në Afrikën Lindore midis fiseve hutu dhe tutsi solli të paktën gjysmë milionë të vrarë. «Nuk kishte asnjë vend për t’u mbrojtur,​—thoshte revista Time. ​—Gjaku derdhej edhe në kisha ku shumë kërkonin të shpëtonin kokën. . . . Lufta bëhej trup me trup, ishte shumë personale dhe e tmerrshme. Ishte një etje për gjak që i la të shushatur dhe pa fjalë ata që arritën të shpëtonin.» Dhuna e tmerrshme nuk kurseu as fëmijët. «Ruanda është një vend shumë i vogël,​—tha një shtetas. ​—Por urrejtja që kemi do mjaftonte sa për gjithë botën.»

Konfliktet që shoqëruan ndarjen e ish-Jugosllavisë sollën vdekjen e më shumë se 200.000 njerëzve. Fqinjët që për shumë vjet kishin jetuar në paqe, vranë njëri-tjetrin. Mijëra gra u përdhunuan dhe miliona njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyre, si pasojë e politikës mizore të spastrimit etnik.

Ndonëse në shumicën e rasteve paragjykimet nuk çojnë në vrasje, ato vazhdimisht ngrenë një mur ndarës midis njerëzve dhe ushqejnë mërinë. Në një nga raportet e fundit të UNESCO-s thuhet se pavarësisht nga globalizimi, duket se racizmi dhe diskriminimi racial «po e zgjerojnë terrenin e tyre në pjesën më të madhe të botës».

A mund të bëhet diçka për të zhdukur paragjykimet? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të përcaktojmë se në ç’mënyrë paragjykimet zënë rrënjë në mendje dhe në zemër.

[Kutia në faqen 5]

Veçoritë e paragjykimeve

Në librin e tij, Natyra e paragjykimeve (anglisht) Gordon U. Ollporti përcakton pesë lloje qëndrimesh që kanë si burim paragjykimet. Një njeri që ka paragjykime zakonisht shfaq një ose disa nga këto:

1. Opinione negative. Flet me përçmim për atë grup njerëzish që nuk i pëlqen.

2. Shmangia. Shmang vazhdimisht çdokënd që i përket atij grupi.

3. Diskriminimi. U heq pjesëtarëve të atij grupi, që për të është i keq, të drejtën për të bërë disa lloje punësh, për të banuar në disa vende ose u mohon të drejta të tjera sociale.

4. Sulmi fizik. Merr pjesë në vepra dhune që kanë si qëllim të frikësojnë njerëzit që ai urren.

5. Shfarosja. Merr pjesë kur organizohen linçime, masakra ose shfarosje.

[Figurat në faqen 4]

Kamp refugjatësh në Benako, Tanzani, 11 maj 1994

Kjo grua po çlodhet pranë enëve me ujë. Më shumë se 300.000 refugjatë, shumica hutu nga Ruanda, shkuan në Tanzani

[Burimi]

Fotografi nga Paula Bronstein/Liaison